“Model i Gatshëm për Mësimdhënien e Mesazheve nga Udhëheqësit e Kishës: Studiojini dhe Zbatojini Mësimet e Shërbëtorëve të Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Model i Gatshëm për Mësimdhënien e Mesazheve nga Udhëheqësit e Kishës: Studiojini dhe Zbatojini Mësimet e Shërbëtorëve të Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Mësime të Udhëheqësve të Kishës: Mësimi 207
Model i Gatshëm për Mësimdhënien e Mesazheve nga Udhëheqësit e Kishës
Studiojini dhe Zbatojini Mësimet e Shërbëtorëve të Zotit
Është frymëzuese të dish se Shpëtimtari u flet edhe sot shërbëtorëve të Tij të zgjedhur. Gjatë gjithë vitit të seminarit, nxënësit do të kenë disa mundësi të studiojnë mesazhin e Tij nëpërmjet këtyre shërbëtorëve. Ju mund ta përdorni këtë model të gatshëm si një mjet për t’ju ndihmuar t’i jepni mësim mesazhet nga udhëheqësit e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Përgatitja e nxënësve: Jepuni nxënësve titullin e bisedës që do të studiojnë në orën mësimore. Inkurajojini ata ta lexojnë, shikojnë ose dëgjojnë të gjithë bisedën ose një pjesë të saj para orës mësimore. Ftojini nxënësit ta përgatitin zemrën plot lutje që Fryma e Shenjtë t’u mësojë ndërsa i studiojnë mesazhet e shërbëtorëve të Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme për Studimin e Bisedave nga Udhëheqësit e Kishës
Shënim: Për shembuj se si ta përdorni këtë model të gatshëm, shihni te Mësimi 208: “Shpresa e Izraelit”.
Ky model i gatshëm mund t’ju ndihmojë t’ua jepni mësim nxënësve mesazhet nga udhëheqësit e Kishës. Nuk ka për qëllim të jetë një mësim i pavarur. Ai përmban një larmi idesh mësimdhënëse dhe të të mësuarit që mund t’i përdorni sa herë që jepni një bisedë nga një udhëheqës i Kishës.
Për të përgatitur mësimin nga një bisedë, së pari studiojeni bisedën që planifikoni të jepni mësim, duke kërkuar se cilat të vërteta janë më të rëndësishmet që nxënësit tuaj t’i kuptojnë dhe zbatojnë. Për t’ju ndihmuar ta merrni këtë vendim, 1) kushtojuni shumë vëmendje nxitjeve të Shpirtit, 2) mbajeni në mend qëllimin e autorit të frymëzuar, 3) kërkoni të vërteta që të kthejnë në besim, që do të ndihmojnë në thellimin e kthimit në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij dhe 4) merrini parasysh nevojat dhe aftësitë e nxënësve tuaj.
Pastaj merreni parasysh zgjedhjen e ideve nga ky model i gatshëm, ose përdorni ide tuajat që mendoni se do t’i ndihmonin nxënësit tuaj të përcaktojnë, kuptojnë dhe zbatojnë të vërtetat që keni përzgjedhur nga biseda. Ju mund të zgjidhni të përdorni një ide nga çdo pjesë e këtij modeli të gatshëm në mësimin tuaj.
Merreni parasysh t’u siguroni nxënësve një variant të shtypur ose digjital të bisedës që nxënësit do të studiojnë. Ju gjithashtu mund të bëni një fletushkë me pjesë të bisedës në të cilat zgjidhni të përqendroheni.
Metoda për të filluar mësimin
Mendoni për një mënyrë për ta filluar mësimin që mund të ngjallë interes në mendjet ose zemrat e nxënësve për t’i ndihmuar të përgatiten për përvojën e të mësuarit. Në vijim janë disa shembuj:
Pyetje ose thënie që nxit mendime. Jepni një pyetje ose thënie që nxit mendime, në lidhje me mesazhin e folësit dhe ftojini nxënësit ta diskutojnë shkurtimisht ose t’i shënojnë përgjigjet fillestare në ditarët e tyre. Për shembull, ju mund ta shkruani titullin e bisedës në tabelë dhe t’i pyesni nxënësit pse mendojnë se kjo temë është e rëndësishme për ditët tona.
Mësime me sende, figura ose materiale filmike. Jepni dhe diskutoni shkurtimisht një mësim me sende, figurë ose material filmik të miratuar nga Kisha, që lidhet me mesazhin e folësit.
Tregoni një histori. Tregoni një histori nga mesazhi i folësit ose që lidhet me mesazhin e folësit. Ndonjëherë mund të jetë më mirë të tregoni aq sa duhet nga historia në fillim të mësimit për të zgjuar interesin e nxënësve. Më vonë në mësim, historia mund të përfundohet duke ilustruar qëllimin e mesazhit të folësit.
Pyetje rreth temës. Jepeni temën e bisedës dhe ftojini nxënësit të shkruajnë në tabelë ose në ditarët e tyre çdo pyetje që ata ose të tjerët mund të kenë në lidhje me atë temë. Ju mund t’i inkurajoni nxënësit të kërkojnë përgjigje gjatë mësimit.
Skenar i përshtatshëm. Ju mund të paraqitni një skenar të përshtatshëm ose t’i ftoni nxënësit të krijojnë një skenar të një adoleshenti që mund të përfitojë nga dëgjimi dhe zbatimi i mesazhit të folësit që klasa do të studiojë.
Vlerësimi i vetes. Ftojini nxënësit të vlerësojnë ose të reflektojnë personalisht mbi të kuptuarit, qëndrimin ose zbatimin prej tyre aktualisht të temës së diskutuar në bisedë. Një mënyrë se si ata mund ta bëjnë këtë, është duke përsiatur ose shënuar përgjigjet e tyre për pyetjet që janë për reflektim. Ju mund të përdorni pyetje që mund të jenë në bisedë, ose të shkruani tuajat.
Metoda për të studiuar mesazhin
Për t’i ndihmuar nxënësit të studiojnë bisedën, merreni parasysh të përdorni idetë tuaja, një ose më shumë nga idetë vijuese ose një ndërthurje të shumë ideve.
Përzgjidhni pjesë të bisedës që janë më të dobishme, konkrete dhe më të përshtatshme për aftësitë e nxënësve. Për shembull, mund të jetë gjë e mençur t’i bëni pjesët që nxënësit do të lexojnë, të shkurtra dhe praktike, në vend që t’u kërkoni atyre të lexojnë të gjithë bisedën.
Ftojini nxënësit të kërkojnë zbulesë vetjake gjatë gjithë studimit të tyre, duke i shënuar nxitjet në ditarët e studimit ose në pajisjet digjitale. Ide shtesë të studimit mund të gjenden te “Studying General Conference” [“Studimi i Konferencës së Përgjithshme”] në ChurchofJesusChrist.org.
Kërkoni. Nxënësit ka të ngjarë të jenë më të suksesshëm nëse kanë diçka që ta kërkojnë ndërsa studiojnë. Ka disa gjëra që nxënësit mund të kërkojnë, të tilla si:
-
Jezu Krishti. Nxënësit mund të kërkojnë të vërteta frymëzuese rreth Shpëtimtarit, dëshmi ose shembuj të Tij, ose mësime rreth fuqisë së Tij, sakrificës shlyese, dashurisë, karakterit të Tij etj.
-
Përgjigje për pyetjet ose shqetësimet. Nëse keni përdorur idenë “Pyetje rreth temës” te pjesa “Metoda për fillimin e mësimit” e këtij modeli të gatshëm, atëherë nxënësit mund të kërkojnë përgjigje për këto pyetje ndërsa studiojnë. Ose mund t’i ftoni ata të kërkojnë përgjigje për pyetjet ose shqetësimet vetjake që ata ose të tjerët mund të kenë. Pasi nxënësit ta kenë mbaruar studimin, ftojini ata ta tregojnë atë që gjetën. Nëse i shkruat në tabelë pyetjet që nxënësit përcaktuan më herët, ata mund të shkruajnë përgjigjet e tyre poshtë pyetjeve. Ata mund t’i shpjegojnë më pas përgjigjet e tyre.
-
Mënyra për të ndihmuar me një skenar të përshtatshëm. Nëse përdorët idenë “Skenar i përshtatshëm” te pjesa “Metoda për fillimin e mësimit”, atëherë nxënësit mund të kërkojnë mënyra se si mund ta ndihmojë mesazhi i folësit individin në skenar.
-
Fjalë ose fraza frymëzuese. Nxënësit mund të shenjojnë ose shënojnë mendime rreth fjalëve ose frazave që janë frymëzuese ose domethënëse për ta.
-
Të vërteta të përjetshme, ftesa dhe bekime të premtuara. Nxënësit mund të kërkojnë të vërteta të përjetshme, ftesa dhe bekime të premtuara që gjenden në bisedë. Ata mund ta shënojnë secilën prej këtyre në një mënyrë të ndryshme, ose mund t’i shënojnë në ditarët e tyre nën tri kolona të veçanta.
Studioni individualisht. Nxënësit shpesh mund të jenë të suksesshëm duke studiuar vetë. Ftojini nxënësit të studiojnë pjesë të bisedës dhe pastaj t’i raportojnë klasës ose një grupi të vogël se çfarë gjetën.
Studimi në grupe të vogla. Ju mund t’i caktoni nxënësit të studiojnë në grupe të vogla. Kjo mund të nënkuptojë që ata të lexojnë me radhë paragrafë, ose të gjithë të dëgjojnë ndërsa lexon një pjesëtar i grupit.
Përdorni material zanor ose filmik të bisedës. Ju mund të vini materialin zanor ose filmik të pjesëve të bisedës që mendoni se janë më të rëndësishme që nxënësit tuaj t’i studiojnë. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të ndjekin duke përdorur një variant të shtypur ose digjital të bisedës. Ata mund të shenjojnë thënie që i përgjigjen një pyetjeje të caktuar ose që ata personalisht i shohin kuptimplota. Ata gjithashtu mund të shënojnë çdo mendim ose përshtypje ndërsa studiojnë.
Numërtojini paragrafët dhe qarkullojeni bisedën. Shkruajini ose shtypini me tastierë numrat e paragrafëve në një kopje të bisedës. Siguroni një kopje për secilin nxënës dhe ftojini të përzgjedhin diçka për të kërkuar. Nxënësit mund të lexojnë një ose më shumë paragrafë, duke shenjuar dhe shkruar shënime në anë. Letra mund t’i kalohet nxënësit të radhës, duke ndjekur një model të ngjashëm. Pasi t’i studiojnë të gjithë paragrafët, kthejani letrën nxënësit fillestar dhe lëreni t’i shohë pikëpamjet e dhëna nga anëtarët e tjerë të klasës.
Shkrimet e shenjta të cituara ose të lidhura me të. Nxënësit mund të kërkojnë shkrimet e shenjta të cituara në bisedë ose në shënimet fundore. Ata mund të lexojnë vargjet dhe, ose të shënojnë se si i ndihmon biseda t’i kuptojnë më mirë shkrimet e shenjta të cituara, ose se si shkrimet e shenjta të cituara i ndihmojnë ta kuptojnë më mirë mesazhin e bisedës. Nxënësit mund t’i shenjojnë vargjet në shkrimet e tyre të shenjta në letër ose t’i lidhin me hallkë lidhëse te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Metoda për të thelluar kuptueshmërinë
Qëllimi i kësaj pjese është t’i ndihmojë nxënësit të reflektojnë dhe diskutojnë për bisedën që studiuan. Mund të përdorni idetë tuaja ose një ose më shumë nga veprimtaritë vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të përfshihen në diskutim. Merreni parasysh të bëni pyetje që ndjekin ecurinë ndërsa nxënësit tregojnë. Këto mundësi mund të kryhen në mënyrë individuale, me një partner ose në një grup të vogël.
Përqendrohuni te Jezu Krishti. Nëse nxënësit tuaj e kanë studiuar bisedën duke kërkuar të vërteta frymëzuese rreth Jezu Krishtit, atëherë merreni parasysh vendosjen e një pikture të Tij në tabelë. Ftojini nxënësit të shkruajnë përreth figurës se çfarë gjetën rreth Tij te biseda. Më pas, ata mund të tregojnë atë që shkruan, dhe se si kjo i ndihmon ata të njohin, duan ose dëshirojnë ta ndjekin Jezu Krishtin.
Interpretoni me role. Nxënësit mund të imagjinojnë se dikush u bën atyre një pyetje që lidhet me bisedën. Ata mund të ushtrojnë t’i japin përgjigje atij miku bazuar në atë që mësuan nga biseda. Ose, nëse përdorët sugjerimin “Mënyra për të ndihmuar me një skenar të përshtatshëm” atëherë nxënësit mund të luajnë me role me një partner ose grup të vogël se si do ta ndihmonin personin në skenar duke përdorur atë që mësuan.
Jepini mësim njëri‑tjetrit. Nxënësit mund t’i mësojnë njëri-tjetrit se si mesazhi nga biseda ka lidhje me ta ose është kuptimplotë për ta. Ose ata mund t’i tregojnë njëri-tjetrit atë që mësuan rreth temës dhe se si ajo që mësuan, i ndihmon ata ta ndjekin më mirë Jezu Krishtin.
Përgatitni një bisedë. Mund t’i ftoni nxënësit të krijojnë një bisedë tri deri në pesë minuta, ose një mësim që jep mesazhin që studiuan. Nxënësit mund të përfshijnë përvoja vetjake ose referenca shtesë të shkrimeve të shenjta që e përkrahin mesazhin. Ata mund të ushtrojnë të flasin për bisedën e tyre me një partner, një grup të vogël ose me klasën.
Mbajini shënim mendimet dhe ndjenjat. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë mendimet ose ndjenjat e tyre ndërsa studiuan bisedën. Nxënësit mund të shënojnë çdo veprim që Shpirti i nxiti të bëjnë. Sipas rastit, mund t’u kërkoni nxënësve të gatshëm ta tregojnë atë.
Krijoni diçka. Duke përdorur atë që mësuan në bisedë, nxënësve mund t’u jepet kohë për të krijuar një pikturë, vizatim, afishe, meme, publikim në median shoqërore etj. Mund të jetë një kujtues ose diçka për t’i frymëzuar të tjerët. Nxënësit mund t’ia tregojnë klasës ose një grupi të vogël atë që krijuan.
Tregojuani të tjerëve. Ju mund t’i inkurajoni nxënësit t’ia tregojnë një mesazh nga biseda familjes ose miqve të tyre. Ndërsa e bëjnë këtë, nxënësit mund të përfshijnë një dëshmi të thjeshtë ose ftesë për të vepruar sipas asaj që u dha mësim.
Metoda për të zbatuar mesazhin
Qëllimi i kësaj pjese është t’u japë nxënësve një mundësi për ta zbatuar atë që kanë mësuar dhe ndier nga studimi i bisedës. Ju mund të përdorni idetë tuaja ose një ose më shumë nga sa vijon për të përmbushur nevojat e nxënësve tuaj.
Për ide shtesë, shihni pjesën “Nxitini nxënësit t’i tregojnë të vërtetat që po mësojnë” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve në ChurchofJesusChrist.org.
Përcaktojini dhe zbatojini ftesat. Ndonjëherë, bisedat përfshijnë një ose më shumë ftesa. Ju mund t’i ftoni nxënësit t’i përcaktojnë këto ftesa dhe të marrin parasysh plot lutje se çfarë mendojnë se Zoti do të donte që ata të bënin për të zbatuar një ftesë. Ata gjithashtu mund të marrin parasysh se si të vepruarit sipas kësaj ftese mund t’i ndihmojë të afrohen me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Veproni sipas nxitjeve. Inkurajojini nxënësit të veprojnë sipas përshtypjeve që mund të kenë pasur gjatë studimit të bisedës. Ata mund të kenë ndier nxitjen të bëjnë ndryshime të caktuara në jetën e tyre, të vendosin një synim ose të punojnë për një synim vetjak, ose t’ia tregojnë mesazhin një personi tjetër.
Bëni një plan. Nxënësit mund t’u përgjigjen pyetjeve të tilla si ato në vijim, në një ditar ose pajisje digjitale, për t’i ndihmuar ata të zbatojnë atë që mësuan:
-
Çfarë planifikoj të bëj?
-
Pse mendoj se duhet ta bëj këtë?
-
Kur planifikoj ta bëj këtë?
-
Cili është personi që mund të më ndihmojë?
-
Si mund të më ndihmojë Shpëtimtari?