“Pjesëmarrja në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare: ‘Çlirimtarë [Shpëtimtarë] do të Ngjiten në Malin e Sionit’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Pjesëmarrja në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare: ‘Çlirimtarë [Shpëtimtarë] do të Ngjiten në Malin e Sionit’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Përgatitja për në Tempull: Mësimi 204
Pjesëmarrja në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare
“Çlirimtarë [Shpëtimtarë] do të Ngjiten në Malin e Sionit”
Shpëtimtari, Shëlbuesi dhe Çlirimtari janë tituj që përcaktojnë Jezu Krishtin si Të Vetmin që Ati Qiellor vajosi për të na shpëtuar nga gjendja jonë e rënë (shih tek Isaia 61:1–3). Shpëtimtari na fton t’i bashkohemi Atij në punën e Tij si “çlirimtarë” [“shpëtimtarë”] (shih edhe tek Abdia 1:21) teksa përfshihemi në shpëtimin e paraardhësve tanë të vdekur. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të vendosin një synim për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari duke marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë diçka që lidhet me punën në tempull dhe për historinë familjare, të tillë si pikat vijuese:
Krijo një llogari në FamilySearch.org.
Shpenzo disa minuta duke eksploruar informacionin rreth familjes sate në FamilySearch.org.
Gjej një emër të një prej paraardhësve të tu që ka ende nevojë që për të të kryhen ordinanca në tempull.
Kërkoji një prindi ose gjyshi të tregojë diçka rreth jetës së tij ose rreth një paraardhësi.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ndihma për shpëtim
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke shkruar fjalën Shpëtim në tabelë.
Pastaj shfaqni figurën e pionierëve të karrocave të dorës “Martin” dhe “Uilli” dhe ftojini nxënësit të tregojnë hollësi nga figura që ilustrojnë nevojën për një shpëtim. Ose mund t’i pyesni nxënësit se çfarë dinë për ngjarjen e përshkruar në këtë figurë. Përmbledhja vijuese mund të jetë e dobishme.
Nga viti 1856 deri në vitin 1860, mijëra pionierë shenjtorë të ditëve të mëvonshme udhëtuan për në luginën e Solt-Lejkut duke përdorur karroca dore. Në tetor 1856, Brigam Jangu dërgoi shpëtues për të ndihmuar kompanitë e karrocave të dorës “Martin” dhe “Uilli” që ishin ende qindra kilometra larg, me dimrin që po afrohej me shpejtësi.
Peshkopi W. Kristofer Uadell, i Peshkopatës Kryesuese, tha sa vijon:
“Një anëtar i kompanisë Uilli përshkroi situatën dëshpëruese përpara mbërritjes së ekipit kryesor të shpëtimit. Ai tregoi: ‘[Pikërisht] atëherë kur u duk se gjithçka do të shkonte më kot … dhe dukej sikur kishte pak arsye për të jetuar, si një vetëtimë në qiell të kthjellët, Perëndia iu përgjigj lutjeve tona. Një grup shpëtimi, që po sillte ushqime dhe furnizime … , na u shfaq para syve. … Oh sa shumë e falënderuam Perëndinë për shpëtimin tonë!’
Këta shpëtues ishin heronj për pionierët, duke e vënë vetë jetën e tyre në rrezik në kushtet ekstreme të motit për të sjellë sa më shumë vetë të sigurt në shtëpi.” (“Më Shumë se një Hero”, Liahona, nëntor 2023, f. 89)
-
Po të ishe një nga këta pionierë në nevojë, pse mund t’i kishe vlerësuar këta shpëtues si heronj?
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të një prej paraardhësve tuaj. Ju mund t’u tregoni nxënësve pak për këtë paraardhës/e.
Në mënyrë të ngjashme, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na rekrutojnë për të shpëtuar paraardhësit tanë të vdekur. Ne mund ta bëjmë këtë duke marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare.
-
Si mund të kenë nevojë për shpëtim paraardhësit tanë të vdekur ashtu si pionierët e karrocave të dorës?
Nëse është e nevojshme, mund të shpjegoni se të gjithë ne kemi nevojë për ordinanca thelbësore për t’u kthyer tek Ati Qiellor, duke përfshirë pagëzimin, marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe dhurimin në tempull. Paraardhësit tanë të vdekur nuk mund t’i marrin këto ordinanca vetë. Zoti përgatiti një mënyrë që ata t’i merrnin këto ordinanca përmes punës në tempull për të vdekurit (shih te Doktrina e Besëlidhje 128:15).
Përsiat sa vijon:
-
Si ndihesh për pjesëmarrjen në punën në tempull dhe për historinë familjare? Pse?
Gjatë këtij mësimi, shëno çdo nxitje shpirtërore që të ndihmon të përcaktosh mënyrat se si mund të jesh një nga shpëtuesit e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për paraardhësit e tu.
Çlirimtarë [Shpëtimtarë] në Malin e Sionit
Merreni parasysh të vizatoni një figurë të thjeshtë të një mali dhe një tempulli dhe ftojini nxënësit të bëjnë të njëjtën gjë në ditarët e studimit. Emërtojeni vizatimin Mali Sion. Pastaj përmblidheni ose lexoni sa vijon për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë kontekstin tek Abdia.
Pas pushtimit të Jerusalemit, profeti Abdia profetizoi se shumë nga pasardhësit e Esaut (vëllai binjak i profetit Jakobi) do të shkatërroheshin për shkak të ligësisë. Abdia gjithashtu profetizoi për një përpjekje shpëtimi për këta pasardhës dhe shumë të tjerë. Mund të jetë e dobishme të dish se në këtë varg, “Mali Sion” mund t’i referohet qytetit të Jerusalemit dhe tempullit të tij.
Lexo tek Abdia 1:17, 21, duke kërkuar fjalë që të sjellin ndër mend tempullin.
Nxënësit mund të vënë në dukje fjalë të tilla si mbijetuan, vend i shenjtë ose çlirimtarët [shpëtimtarët]. Ftojini nxënësit të shenjojnë frazën “Çlirimtarë [Shpëtimtarë] do të ngjiten në malin e Sionit” (Abdia 1:21).
-
Çfarë mendon se do të thotë të jesh “çlirimtar [shpëtimtar] … në malin e Sionit” (Abdia 1:21)?
Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Zoti na jep mundësi hyjnore për t’u bërë më shumë si Ai, ndërsa ofrojmë ordinanca shpëtuese tempulli me mëkëmbës për të cilat të tjerët kanë nevojë, por që nuk mund t’i bëjnë vetë. Ne bëhemi më të plotë dhe të përsosur teksa bëhemi “[shpëtimtarë] … në malin e Sionit”. (“Të Lumtur dhe Përgjithmonë”, Liahona, nëntor 2022, f. 85)
Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala mëkëmbës nënkupton të përfaqësosh dikë tjetër.
Nxënësit mund të shkruajnë përgjigjen e tyre për pyetjen vijuese nën vizatimin e tempullit.
-
Çfarë mëson nga Abdia dhe Plaku Gong rreth të bërit “çlirimtarë [shpëtimtarë] … në malin e Sionit” (Abdia 1:21)?
Ndonëse nxënësit mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata mund të thonë të vërtetën vijuese: Ne mund të bëhemi më shumë si Shpëtimtari kur gjejmë paraardhësit tanë dhe kryejmë ordinancat shpëtuese për ta në tempull.
-
Si mund të krahasohet puna në tempull për paraardhësit e tu të vdekur në një mënyrë të vogël me atë që bëri Shpëtimtari për ne?
Mund të shpjegoni se, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari mund të na shpëtojë nga mëkati dhe vdekja – diçka që nuk mund ta bëjmë për veten tonë (shihni tek Alma 34:8–12). Po kështu, ne mund të ndihmojmë në shpëtimin e paraardhësve tanë ndërsa kryejmë ordinancat shpëtuese për ta – diçka që ata nuk mund ta bëjnë për veten e tyre.
-
Cilat cilësi të ngjashme me të Krishtit mund të zhvillojmë teksa gjejmë paraardhësit tanë dhe kryejmë ordinancat për ta në tempull?
Udhëzime të fillimit
Organizojini nxënësit në grupe të vogla dhe ftojini ata të përzgjedhin një numër midis 1 dhe 4. Pastaj, shpërndajeni fletushkën “Katër Mënyra për të Marrë Pjesë në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare”. Ftojeni secilin grup të lexojë paragrafin që përputhet me numrin që ata zgjodhën dhe pastaj të diskutojnë pyetjet vijuese më poshtë me grupin e tyre. Ose ata mund t’i lexojnë të katra mënyrat dhe të përzgjedhin një në të cilën do të dëshironin të përqendroheshin.
Paraqitini pyetjet vijuese. Nxënësit mund t’i shkruajnë përgjigjet e tyre përreth vizatimit të tempullit.
-
Cilat janë mënyrat praktike që një adoleshent mund të bëjë siç sugjeroi Plaku Gong?
-
Cilat janë disa mënyra të tjera se si të rinjtë mund të marrin pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare? (Mund të përfshish përvojat e tua ose të të tjerëve.)
Ftojini disa nxënës të gatshëm t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës. Mund t’i shkruani përgjigjet e tyre përreth vizatimit të tempullit në tabelë. Mund të gjeni ide shtesë tek artikulli “Family History Is for Everyone: 9 Fun Ways to Participate” [“Historia Familjare Është për Çdo Njeri: 9 Mënyra se si të Marrësh Pjesë”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Nëse ka kohë në dispozicion, përdoreni veçorinë Ordinancat Gati në FamilySearch.org për t’iu treguar nxënësve se si të rezervoni emrat për në tempull.
-
Çfarë bekimesh ose përvojash ke pasur teksa ke marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare?
Synimi yt
Kërko ndihmën e Frymës së Shenjtë ndërsa vendos një synim në ditarin tënd për të bërë një nga sugjerimet e renditura në tabelë. Idetë vijuese mund të të ndihmojnë:
-
Si dhe kur mund të bësh punë për historinë familjare
-
Kush mund të të ndihmojë
-
Si mund të të ndihmojë ky synim që të bëhesh më shumë si Jezu Krishti
Merreni parasysh të përmendni se shumë lagje dhe degë kanë këshillues për tempullin dhe historinë familjare, që mund t’i ndihmojnë nxënësit të fillojnë të marrin pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare.
Mbylleni duke shprehur mirëbesim tek aftësia e nxënësve tuaj për të qenë shpëtues dhe “çlirimtarë [shpëtimtarë] … në malin e Sionit” (Abdia 1:21).