“Malakia 4: Fuqia Vulosëse”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Malakia 4: Fuqia Vulosëse”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Malakia: Mësimi 159
Malakia 4
Fuqia Vulosëse
Në tempujt e shenjtë, Shpëtimtari i bashkon familjet për përjetësinë nëpërmjet çelësave vulosës. Malakia profetizoi se Shpëtimtari do t’i rivendoste këta çelësa për të “bë[r]ë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve” (Malakia 4:6). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kthejnë zemrën te prindërit e tyre, paraardhësit dhe pasardhësit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të shpenzojnë disa minuta duke eksploruar FamilySearch.org ose programin FamilySearch Tree. Për shembull, ata mund të klikojnë te disa të afërm në pemën e tyre familjare për të mësuar më shumë rreth tyre. Ose ata mund të plotësojnë disa nga veprimtaritë për historinë familjare që gjenden në faqen e internetit ose te menuja “More” [“Më Shumë”] në program. Nëse nxënësit nuk kanë qasje në këto burime, ata mund të flasin me një prind ose pjesëtar të familjes për të mësuar diçka të re rreth një paraardhësi.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Rrënjët dhe degët
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të vizatojnë një pemë me rrënjë dhe degë në ditarët e tyre të studimit. Ju gjithashtu mund të vizatoni një pemë në tabelë.
-
Përse janë si rrënjët edhe degët thelbësore për shëndetin e një peme?
Ftojini nxënësit ta shkruajnë emrin e tyre në trungun e pemës që kanë vizatuar.
-
Nëse trungu i një peme të përfaqëson ty, kë mund të përfaqësojnë rrënjët dhe degët?
Nëse është e nevojshme, shpjegoni se në shkrimet e shenjta Zoti shpesh përdor metaforën e një peme me rrënjë dhe degë për të dhënë mësim rreth familjes. Mund të shihni edhe materialin filmik “By the Hand of Elijah the Prophet” [“Nga Dora e Elija Profetit”] (3:32) nga kodi kohor 0:00 deri në 0:35, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
3:32Ftojini nxënësit t’i emërtojnë rrënjët paraardhësit dhe degët pasardhësit. Jepni udhëzimet e mëposhtme:
-
Pranë rrënjëve në vizatimin tënd shkruaj një përshkrim të shkurtër të mënyrës se si ndihesh në lidhje me paraardhësit e tu (prindërit, gjyshërit e kështu me radhë).
-
Pranë degëve në vizatimin tënd shkruaj atë që shpreson për pasardhësit e tu të mundshëm ose atë që përfytyron ndërsa mendon rreth tyre (fëmijët, stërnipërit e stërmbesat e kështu me radhë).
Ndërsa studion te Malakia 4, merr parasysh atë që ka bërë Shpëtimtari për të forcuar dhe ruajtur rrënjët dhe degët e pemës sate familjare. Ti mund të bësh një lutje të heshtur, duke i kërkuar Atit Qiellor të të ndihmojë të kuptosh atë që mund të bësh për të forcuar familjen tënde të përjetshme.
Për shkak se nxënësit vijnë nga situata familjare të ndryshme, është e rëndësishme të flisni rreth doktrinës së familjeve të përjetshme me ndjeshmëri dhe mirëkuptim. Kujtojuni nxënësve se Shpëtimtari është plotësisht i vetëdijshëm për rrethanat e tyre dhe mund të ofrojë shpresën dhe shërimin e nevojshëm për familjet e tyre të kaluara, të tashme dhe të ardhshme nëpërmjet Shlyerjes së Tij.
Profecitë e Malakias
Lexo te Malakia 4:1, duke kërkuar atë që dha mësim Zoti rreth rrënjëve dhe degëve në këtë profeci të Ardhjes së tij të Dytë.
-
Bazuar në atë që ke mësuar rreth rrënjëve dhe degëve, çfarë mendon se po jep mësim Shpëtimtari?
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi sa vijon:
“Pa vulosjet që krijojnë familje të përjetshme dhe i lidhin brezat këtu dhe më pas, ne do të lihemi në përjetësi pa rrënjë dhe pa degë, domethënë, pa paraardhës dhe pa pasardhës.” (“Fuqia Vulosëse”, Liahona, nëntor 2023, f. 21)
Përsiat se si do të ndiheshe po të mos mund të vuloseshe, ose të bashkoheshe përgjithmonë me familjen që do.
Malakia 4:5–6 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Lexo te Malakia 4:5–6, duke kërkuar atë që premtoi Shpëtimtari të bënte në mënyrë që familjet të mund të vuloseshin së bashku. Poshtëshënimet mund të ndihmojnë ndërsa lexon.
-
Çfarë kupton rreth kësaj profecie? Çfarë pyetjesh ke?
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për ta kuptuar këtë profeci, merreni parasysh t’i ftoni ata të lidhin ose të bëjnë referencë-kryq të vargjeve te Malakia 4:5–6 me vargjet te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16; 138:47–48. Nxënësit mund t’i lexojnë këto fragmente, duke kërkuar pikëpamje shtesë rreth profecisë së Malakias.
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë se Shpëtimtari e dërgoi Elijan për të rivendosur çelësat vulosës dhe për t’i kthyer zemrat e familjeve te njëra-tjetra. Ky premtim u përmbush më 3 prill 1836 kur Elija iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit. Çelësat vulosës që ai i rivendosi i bëjnë ordinancat e shenjta të vlefshme mbi tokë dhe në qiell. Kjo përfshin ordinancat e kryera në tempujt e shenjtë.
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të një tempulli dhe thënien vijuese.
Lexoje thënien vijuese nga Plaku Kristoferson, duke kërkuar mënyrën se si na bekon Shpëtimtari me fuqinë e Tij vulosëse në tempujt e shenjtë:
“[Në tempullin e Zotit] ne shohim madhështinë dhe shenjtërinë e fuqisë vulosëse – ajo e vë shpëtimin e individit dhe ekzaltimin e familjes në dispozicion të fëmijëve të Perëndisë në mënyrë universale, kudo dhe kurdoherë që ata mund të kenë jetuar në tokë. Asnjë teologji, filozofi apo autoritet tjetër nuk mund t’i bëjë një ofertë të barabartë një mundësie të tillë gjithëpërfshirëse. Kjo fuqi vulosëse është një shfaqje e përsosur e drejtësisë, mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë. …
Shfaqja më e lartë dhe më e shenjtë e fuqisë vulosëse është në bashkimin e përjetshëm të një burri dhe një gruaje në martesë dhe lidhjen e njerëzimit përmes të gjithë brezave të tyre.” (“Fuqia Vulosëse”, Liahona, nëntor 2023, f. 20, 21)
-
Çfarë të bën përshtypje nga kjo thënie?
-
Si të ka ndihmuar puna në tempull të ndiesh një lidhje ose ta kthesh zemrën tënde te pjesëtarët e kaluar, të tanishëm ose të ardhshëm të familjes?
Kthimi i zemrës sonë
Veprimtaritë vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre me paraardhësit e tyre dhe të marrin vendime që do t’i bekojnë pasardhësit e tyre. Në varësi të kohës në dispozicion, mund t’i ftoni nxënësit të plotësojnë njërën ose të dyja këto veprimtari. Merreni parasysh t’i përshtatni udhëzimet për të plotësuar nevojat e nxënësve tuaj. Për shembull, mund t’i hiqni ose t’i ndryshoni udhëzimet që kërkojnë përdorimin e teknologjisë nëse nuk është në dispozicion për nxënësit tuaj.
Veprimtaria A: Ktheje zemrën te paraardhësit e tu.
Plotëso një ose më shumë prej detyrave vijuese. Ndërsa studion, reflekto mbi mënyrën se si Shpëtimtari dhe fuqia e Tij vulosëse i forcojnë paraardhësit dhe marrëdhënien tënde me ta. Shënoje atë që mëson pranë “rrënjëve” të vizatimit në ditarin tënd të studimit.
-
Shkruaj një kujtim pozitiv që ke rreth një prindi ose gjyshi/gjysheje ose lexo rreth një paraardhësi në pjesën “Kujtimet” te FamilySearch.org ose te programi FamilySearch Tree [Pema Familjare në FamilySearch]. Mendo se përse mund të dojë Shpëtimtari që ti të lidhesh me këtë paraardhës.
-
Studio vargjet te Doktrina e Besëlidhje 128:16–18, duke kërkuar përse bërja e pagëzimeve për të vdekurit dhe e punës tjetër në tempull për paraardhësit e tu është një pjesë e rëndësishme e planit të Perëndisë.
-
Kërko “historia familjare” nën Tema te pjesa Konferenca e Përgjithshme e Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Zgjidh një nga bisedat dhe studio një pjesë ose të gjithën.
-
Kërko te pema jote familjare paraardhësit që kanë nevojë për ordinancën e pagëzimit. Nëse është e mundur, shko te temples.ChurchofJesusChrist.org dhe lër një takim për të përfunduar pagëzimet.
Veprimtaria B: Ktheje zemrën te pasardhësit e tu.
Plotëso një ose më shumë prej detyrave vijuese. Ndërsa studion, reflekto mbi mënyrën se si Shpëtimtari dhe fuqia e Tij vulosëse të ndihmojnë të forcosh pasardhësit e tu. Shënoje atë që mëson pranë “degëve” të vizatimit në ditarin e studimit.
-
Shqyrtoji pyetjet e bëra në intervistën për rekomandimin e tempullit dhe reflekto mbi mënyrën se si përgjigjet e tua mund ta bekojnë familjen tënde të tanishme dhe familjen tënde të ardhshme. Këto pyetje mund të gjenden në shtojcën e materialit Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve.
-
Kërko hyrjen Tema e Të Rejave ose Tema e Kuorumit të Priftërisë Aarone, duke kërkuar frazat që mund të të përgatitin ty të bekosh bashkëshortin/en dhe fëmijët e tu të ardhshëm.
-
Studio te Doktrina e Besëlidhje 49:15–17; 68:25–28, duke kërkuar atë që jep mësim Zoti rreth martesës dhe rritjes së fëmijëve. Mendo për mënyrën se si zgjedhjet që ti bën tani mund të ndikojnë në martesën tënde të ardhshme dhe në mënyrën se si do t’i rritësh fëmijët e tu.
-
Shkruaj një letër për bashkëshortin/en ose fëmijët e tu të ardhshëm duke shpjeguar atë që po bën tani për të qenë i denjë për tempullin dhe për t’u përgatitur për një familje të përjetshme.
Kur të kenë mbaruar, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit e gatshëm ta tregojnë atë që mësuan ose ndien nga kjo veprimtari. Kjo mund të përfshijë gjërat që ata i shkruan pranë rrënjëve ose degëve në ditarët e tyre të studimit. Nxënësit mund të shprehin edhe ndjenjat e tyre rreth Shpëtimtarit dhe rolit të Tij në ndihmesën ndaj nesh për t’i marrë bekimet e një familjeje të përjetshme.
Mësojini Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargjet te Malakia 4:5–6 është “Elija ‘do të bëjë që zemra e … bijve [t’u kthehet] etërve’”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.