“Malakia 3: Pagimi i së Dhjetës Hap Pragjet e Qiellit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Malakia 3: Pagimi i së Dhjetës Hap Pragjet e Qiellit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Malakia: Mësimi 158
Malakia 3
Pagimi i së Dhjetës Hap Pragjet e Qiellit
Që në kohët e lashta, Ati Qiellor i ka bekuar fëmijët e Tij për gatishmërinë e tyre për t’iu bindur ligjit të Tij të së dhjetës. Fjalët e Zotit nëpërmjet profetit Malakia na ndihmojnë të mësojmë se si Ai do të na bekojë për shkak të bindjes sonë ndaj ligjit të Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë për t’iu bindur ligjit të Zotit për të dhjetën.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përgatiten për të treguar një histori ku dikush u bekua duke iu bindur urdhërimit të Zotit për të paguar të dhjetën. Nëse është e dobishme, nxënësit mund të pyesin prindërit e tyre ose udhëheqësit e Kishës ose të kërkojnë histori te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Pagimi i së dhjetës
Për ta filluar mësimin, nëse doni, mund të tregoni një pjesë të historisë që ilustron rrethanat kur mund të jetë e vështirë të paguash të dhjetën. Mund të tregoni përvojën e Plakut Kordon ose një përvojë tuajën.
Nëse është e nevojshme, shpjegoni se të paguajmë të dhjetën do të thotë të dhurojmë “një të dhjetën e të ardhurave tona në kishë” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit [2023], f. 82; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 119:3–4).
Lexoje përvojën vijuese nga Plaku Valeri V. Kordon, i Të Shtatëdhjetëve, duke kërkuar arsyen përse mund të ketë qenë e vështirë për prindërit e tij që t’i bindeshin ligjit të Zotit për të dhjetën.
“Pas disa ngjarjeve lidhur me një luftë civile në Amerikën Qendrore, biznesi i babait tim falimentoi. Nga rreth 200 të punësuar me kohë të plotë ai mbeti me më pak se pesë rrobaqepës, të cilët kur nevojite[j] punonin në garazhin e shtëpisë sonë. Një ditë gjatë atyre kohërave të vështira, i dëgjova prindërit e mi të diskutonin nëse duhet ta paguanin të dhjetën apo të blinin ushqim për fëmijët.” (“Gjuha e Ungjillit”, Liahona, maj 2017, f. 56)
-
Çfarë rrethanash të tjera mund të hasim ku pagimi i së dhjetës mund të jetë sfidues?
Grafiku vijues mund t’i ndihmojë nxënësit t’i organizojnë mendimet e tyre gjatë gjithë këtij mësimi. Ftojini nxënësit ta vizatojnë grafikun, ose diçka të ngjashme, në një faqe bosh në ditarët e tyre të studimit. Mund të vizatoni gjithashtu diçka të ngjashme në tabelë.
Tregojeni me gisht rrethin “Ndjenjat e Mia”. Informojini nxënësit se në fund të mësimit, ata do të kenë një mundësi për të shkruar se si ndihen në lidhje me të dhjetën. Ata mund të duan të përsiatin tani çdo shqetësim ose sfidë me të cilën përballen ndaj pagimit të së dhjetës. Ata mund të përsiatin edhe mënyrën se si mund të kenë dobi nga përcaktimi i bekimeve që Zoti ua ka premtuar njerëzve që e paguajnë të dhjetën.
Ndërsa e studion ligjin e Zotit për të dhjetën, Fryma e Shenjtë mund të të ndihmojë të kuptosh bekimet në dispozicionin tënd dhe të forcosh dëshirën tënde për ta ndjekur këtë ligj.
Derdhja e bekimeve
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë kontekstin e kapitullit te Malakia 3, thuajeni me fjalët tuaja përmbledhjen vijuese të kapitujve te Malakia 1–2.
Megjithëse njerëzit në kohën e Malakias vazhduan t’i ofronin sakrifica Zotit, ata e çnderuan Atë duke ofruar “ushqime të ndotura” dhe kafshë të verbra, të çala dhe të sëmura (shih te Malakia 1:7–8, 13) si sakrifica që mendohej të simbolizonin Jezu Krishtin. Zoti i qortoi priftërinjtë që “[ishin] larguar nga rruga [e Zotit]” dhe “k[ishin] bërë që shumë njerëz të pengohe[shi]n” (Malakia 2:8) për shkak të shembujve të tyre të këqij. Te Malakia 3, Zoti dha mësim një mënyrë se si mund të bëjmë një sakrificë vullnetare për Të.
Malakia 3:8–10 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Lexo te Malakia 3:7–12, duke kërkuar bekimet e premtuara të Zotit për njerëzit që i ofrojnë Atij të dhjetën e tyre. Shkruaji bekimet që gjen përreth titullit “Bekimet e Zotit” në grafikun tënd.
Mund t’i ndihmojë nxënësit të dinë se fraza “më vini në provë” mund të nënkuptojë se Zoti po thotë: “Më provoni për këtë”.
-
Çfarë të vërtetash mëson rreth së dhjetës nga fjalët e Zotit te Malakia 3:7–12?
Lejojini nxënësit t’i tregojnë të vërtetat që përcaktuan. Ftojini nxënësit të shkruajnë një të vërtetë si Ndërsa i bindemi ligjit të Zotit për të dhjetën, Ai do të na bekojë bujarisht, si një shënim në shkrimet e tyre të shenjta pranë këtyre vargjeve.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë këtë të vërtetë, merreni parasysh të sillni një tigan, një filxhan dhe një kanë uji në klasë. Vendoseni filxhanin në një tigan. Shpjegoni se uji përfaqëson bekimet që do të na japë Zoti ndërsa paguajmë të dhjetën. Ftojeni një nxënës ta derdhë ujin nga kana në filxhan derisa uji të derdhet në tigan. Lidheni këtë me atë që premtoi Zoti te Malakia 3:10.
Ligji i Zotit për të dhjetën
Fletushka vijuese, “Ligji i Zotit për të Dhjetën”, mund t’ua thellojë nxënësve kuptueshmërinë për bekimet që na ofron Zoti ndërsa i bindemi ligjit të Tij. Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në grupe të vogla dhe t’i jepni secilit grup një kopje të fletushkës. Nxënësit mund t’i lexojnë me radhë citimet me zë të lartë. Pasi ta lexojnë secilin citim, nxënësit mund të shtojnë më shumë bekime në grafikët në ditarët e studimit.
Pasi grupet t’i kenë shtuar bekimet në grafikët e tyre, nxënësit mund të përsiatin mënyrën se si e kanë parë Zotin t’i bekojë ata ose të tjerët për bindjen ndaj ligjit të Tij për të dhjetën. Nxënësit mund të tregojnë më pas disa bekime që ata ose të tjerët i kanë përjetuar duke iu bindur këtij ligji.
Merreni parasysh të shihni materialin filmik “Gjuha e Ungjillit, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 6:42 deri në 7:40. Në këtë material filmik, nxënësit mund të dëgjojnë pjesën e mbetur të përvojës së Plakut Kordon nga fillimi i orës mësimore.
-
Çfarë mund të mësojmë rreth Atit Qiellor ndërsa Ai na bekon për pagimin e të dhjetës?
Pasi të diskutoni bekimet e pagimit të së dhjetës, nëse dëshironi mund të vini në dukje se disa njerëz që e paguajnë të dhjetën mund të mos i marrin bekimet që shpresojnë dhe mund të kenë ende vështirësi financiare. Ata mund të pyesin veten se përse duhet të vazhdojnë ta paguajnë të dhjetën. Mund të lexoni te Malakia 3:14, 16–17, duke kërkuar atë që Zoti u premtoi njerëzve që vazhdojnë me besnikëri në bindjen e tyre ndaj Tij.
Bindja ndaj ligjit të Zotit për të dhjetën
Afër rrethit “Ndjenjat e Mia” në grafikun tënd, shkruaj:
-
Se si ndihesh në lidhje me bindjen ndaj ligjit të Zotit për të dhjetën.
-
Për gjithçka që studiove ose ndjeve sot që e shton dëshirën tënde për të paguar të dhjetën. Kjo mund të përfshijë bekimet e premtuara nga Zoti që ti dëshiron t’i marrësh.
Ftojini disa nxënës të gatshëm të shprehin ndjenjat e tyre në lidhje me Zotin dhe ligjin e Tij për të dhjetën. Mund të tregoni edhe bekimet që keni marrë duke iu bindur këtij ligji.
Mësojini Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargun te Malakia 3:8–10 është “bekimet e pagimit të së dhjetës”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.