“Ezekiel 34: ‘Ai … Ka për të Qenë Bariu i Tyre’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ezekiel 34: ‘Ai … Ka për të Qenë Bariu i Tyre’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47: Mësimi 139
Ezekiel 34
“Ai … Ka për të Qenë Bariu i Tyre”
Ndonjëherë ne të gjithë ndihemi të humbur, të plagosur, të sëmurë ose në nevojë. Ati Qiellor e dërgoi Jezu Krishtin për “t’i lidh[ur] plagën” dhe “ta forc[uar] të sëmurën” (Ezekiel 34:16). Tek Ezekiel 34, profeti Ezekiel krahason mënyrën se si një bari i mirë kujdeset për tufën e tij me mënyrën se si Jezu Krishti kujdeset për fëmijët e Atit Qiellor. Ky mësim mund t’i ndihmojnë nxënësit ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit për të kërkuar dhe për t’u kujdesur për të tjerët.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për mënyrat se si “Bariu i Mirë” (Gjoni 10:11, 14) është një emër i përshtatshëm për Jezu Krishtin. Ata mund të përsiatin se si ky emër për Shpëtimtarin i ndihmon ata të kuptojnë dashurinë dhe dëshirën e Tij për t’u kujdesur për fëmijët e Atit Qiellor.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një simbol për Shpëtimtarin
Merreni parasysh të tregoni përvojën dhe thënien vijuese. Ftojini nxënësit të përcaktojnë veprimet e bariut që janë simbol i dashurisë së Shpëtimtarit për ta. Përndryshe mund të shfaqni materialin filmik “Shepherds of Israel” [“Barinj të Izraelit”] nga kodi kohor 1:07 deri në 4:09.
Në një udhëtim drejt Marokut, Plaku Xhon R. Lasater, i Të Shtatëdhjetëve, mësoi rreth dashurisë së Jezu Krishtit për fëmijët e Atit Qiellor kur një qengj u godit nga makina e mbretit, duke i dhënë bariut të drejtën për të përfituar një dëmshpërblim të madh. Përkthyesi i Plakut Lasater tha se bariu nuk do t’i pranonte paratë. Atëherë Plaku Lasater tregoi çfarë ndodhi më pas:
“I habitur, e pyeta përse. Dhe ai shtoi: ‘Për shkak të dashurisë që ai ka për secilën nga delet e tij’. Atëherë vura re bariun plak të ulej, duke e marrë qengjin e lënduar në krahë dhe duke e vendosur në palat e rrobës së tij. Ai vazhdonte t’ia ledhatonte kokën, duke përsëritur herë pas here të njëjtën fjalë. Kur e pyeta se çfarë fjale po thoshte, më thanë: ‘O, ai po e thërret në emër. Të gjitha delet e tij kanë një emër, pasi ai është bariu i tyre dhe barinjtë e mirë e njohin secilën nga delet e veta me emër.’” (“Shepherds of Israel”, Ensign, maj 1988, f. 74)
-
Çfarë mund të mësosh rreth Jezu Krishtit nga veprimet e bariut?
Ndërsa studion sot, kërko ndihmën e Frymës së Shenjtë për të mësuar se si mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit për t’u kujdesur për fëmijët e Atit Qiellor.
Barinjtë
Tek Ezekiel 34, Zoti i krahasoi udhëheqësit e Izraelit me barinjtë që nuk po kujdeseshin për tufat e tyre. Lexo tek Ezekiel 34:1–6, duke shenjuar frazat që përdori Zoti për të përshkruar udhëheqësit izraelitë.
-
Çfarë mëson rreth Zotit nga shqetësimet e Tij të shprehura në këto vargje?
Për t’i ndihmuar udhëheqësit e Izraelit të kujdeseshin më mirë për tufat e tyre, Jezu Krishti përshkroi mënyrën se si Ai kujdeset për tufën e Tij (shih te Gjoni 10:11, 14, ku Jezusi e përshkruan Veten edhe si “Bariu i Mirë”).
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit që e paraqet Atë si një bari, si figura në fillim të këtij mësimi. Në anën e majtë të figurës, merreni parasysh të shkruani “Si Bariu i Mirë, Shpëtimtari …” Nxënësit mund ta përmbledhin atë që shenjojnë tek Ezekiel 34:11–16 nën këtë titull.
Lexo tek Ezekiel 34:11–16, duke shenjuar frazat që përshkruajnë atë që bën Jezu Krishti për fëmijët e Atit Qiellor.
Përmbledhjet që ofrojnë nxënësit nga vargjet mund të përfshijnë:
-
Kërkon ata që janë të humbur (vargjet 11–12, 16)
-
I çliron ata nga errësira (vargu 12)
-
I ushqen ata dhe siguron për nevojat e tyre (vargjet 13–15)
-
Lidh plagët e të plagosurve (vargu 16)
-
Forcon të sëmurët (vargu 16)
Mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë disa histori nga shkrimet e shenjta të mënyrës se si Shpëtimtari i demonstroi disa nga këto veprime ndaj fëmijëve të Atit Qiellor.
Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi përpjekjet e tyre në ndjekjen e shembullit të Shpëtimtarit për t’u kujdesur për të tjerët, merreni parasysh të paraqitni vetëvlerësimin vijues.
Krahasoje atë që ke shenjuar në dy grupet e vargjeve që ke studiuar tek Ezekiel 34, më pas përsiat mënyrën se si do t’u përgjigjeshe pyetjeve vijuese:
-
Cilat janë disa mënyra që ti mendon se je si Shpëtimtari?
-
A ka mënyra ku mund të jesh më shumë si barinjtë në Izrael?
-
Cilat janë pengesat e mundshme me të cilat përballesh në përkujdesjen për të tjerët si Shpëtimtari?
Kujdesi për delet e Tij
Merreni parasysh të shkruani “Unë mund ta ndjek shembullin e Shpëtimtarit duke …” në anën e djathtë të figurës së Shpëtimtarit. Vendosini nxënësit në grupe të vogla dhe jepni udhëzimet vijuese.
Duke përdorur atë që gjete tek Ezekiel 34:11–16, bëj një listë të mënyrave praktike se si të rinjtë mund të kujdesen për të tjerët ashtu siç bën Shpëtimtari.
Disa ide të mundshme që mund të krijojnë nxënësit mund të jenë vijueset:
-
Duke u takuar me dikë që nuk e kanë parë prej kohësh (“Unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem” [Ezekiel 34:11])
-
Duke qenë bujarë me kohën dhe burimet e tyre (“Unë vetë do t’i kullot delet e mia” [Ezekiel 34:15])
-
Duke ftuar dikë të marrë pjesë në një veprimtari me ju (“Unë … do ta kthej të hutuarën” [Ezekiel 34:16])
-
Duke qenë në dijeni të nevojave fizike ose emocionale të të tjerëve (“Unë do t’i … lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën” [Ezekiel 34:16])
Nëse dëshironi, pasi ta bëni këtë listë në grupe, mund ta vini secilin grup ta renditë njërën prej ideve të tij në tabelë. Pasi të renditen disa ide në tabelë, mund të jetë e dobishme t’i vini nxënësit të diskutojnë pyetjet vijuese:
-
Çfarë mund ta bëjë të vështirë t’i bësh këto gjëra?
-
Si mund të të ndihmojë Shpëtimtari t’i kapërcesh këto vështirësi?
Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet e mëposhtme dhe t’i ftoni nxënësit të përzgjedhin të paktën njërën për t’iu përgjigjur. Ndërsa nxënësit reflektojnë mbi përvojat vetjake, Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë ata të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e asaj që po mësojnë.
-
Si të ka bekuar Shpëtimtari ty ose familjen tënde duke dërguar dikë për të të kërkuar dhe për t’u kujdesur për ty?
-
Si të ka përdorur Shpëtimtari ty ose familjen tënde për t’i kërkuar dhe për t’u kujdesur për të tjerët?
Nëse mendoni se të parit e një shembulli të të rinjve që kujdesen për të tjerët ashtu siç kujdeset Jezusi do t’i ndihmojë nxënësit, merreni parasysh të shfaqni “Face to Face with President and Sister Oaks (Strive to Be)” [“Ballë për Ballë me Presidentin dhe Motrën Ouks (Përpiquni të Jeni)”] nga kodi kohor 57:50 deri në 59:55, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Në këtë material filmik, të rinjtë japin ide mbi mënyrën se si ata i kërkojnë dhe kujdesen për të tjerët.
Bëj një plan
Bërja e një plani në klasë për të vepruar sipas asaj që kanë mësuar mund t’i ndihmojë nxënësit ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti.
Ndalu një çast për të menduar për personat në jetën tënde që mund të jenë si delet (të humbur, të shpërndarë, të plagosur, të dobët) tek Ezekiel 34. Këta mund të jenë njerëz në klasën ose kuorumin tënd, familja ose shokët e tu ose njerëz në shkollë. Kërko ndihmën e Frymës së Shenjtë për të marrë parasysh atë që mund të ketë nevojë për ndihmën tënde.
Nga idetë që kemi diskutuar, ose një tjetër ide që ti ndihesh i frymëzuar ta zbatosh, shkruaj se si mund ta ndjekësh shembullin e Shpëtimtarit për të kërkuar dhe për t’u kujdesur për këtë individ.
Për t’ia kujtuar vetes planin tënd, ti mund ta shkruash atë në një copë letër ose ta caktosh si një kujtues në telefonin tënd.
Nëse dëshironi, mund të planifikoni disa minuta në një mësim të ardhshëm për të ndjekur me nxënësit ecurinë e planeve të tyre dhe për të kontrolluar përparimin e tyre. Për ta përmbyllur, mund të tregoni se si dikush është kujdesur për ju ose se si ju jeni kujdesur për të tjerët siç bën Shpëtimtari.