“Ezekiel 1–3; 33: ‘Të Kam Caktuar si Roje’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ezekiel 1–3; 33: ‘Të Kam Caktuar si Roje’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47: Mësimi 138
Ezekiel 1–3; 33
“Të Kam Caktuar si Roje”
Si mund të qëndrojmë të sigurt me kaq shumë rreziqe shpirtërore në botë? Zoti thërret profetë që të shërbejnë si roje për të na paralajmëruar dhe për të na mbrojtur. Zoti e thirri Ezekielin që të shërbente si një roje për izraelitët gjatë robërisë në Babiloni (shih tek Ezekiel 3:16–17). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për t’ua vënë veshin paralajmërimeve të profetëve të Zotit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë shënimin “Profet” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose “Prophets” [“Profetë”] tek Tema dhe Pyetje në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Ata mund të kërkojnë rolin e profetëve dhe të reflektojnë mbi mënyrën se si i shohin profetët ta përmbushin këtë rol.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ndjenjat rreth profetit të Zotit
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke i ftuar nxënësit të reflektojnë mbi ndjenjat e tyre rreth profetit të Zotit sot. Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë të paraqitni një figurë të Presidentit të Kishës dhe t’i ftoni nxënësit të këndojnë ose të dëgjojnë himnin “T’Falemi, Per’ndi, për Profetin” (Himne, nr. 13). Mund të jepni më pas udhëzimet vijuese. Kuptoni që ndjenjat e nxënësve për profetin mund të ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe kjo është në rregull. Inkurajojini ata të përgjigjen me sinqeritet.
Në ditarin tënd të studimit, plotësoje thënien vijuese me një ose më shumë përgjigje:
Kur shoh profetin, e dëgjoj atë të flasë ose i lexoj fjalët e tij, unë ndiej …
Ftojini nxënësit e gatshëm që t’i tregojnë klasës për atë që shkruan. Mund të shpjegoni se, ndërsa ata flasin dhe dëgjojnë, Fryma e Shenjtë mund ta ndriçojë mendjen e tyre dhe të zbusë zemrën e tyre për të ndjekur profetin e Zotit.
Zoti e thërret Ezekielin si një profet
Ezekielin e kishin kapur dhe çuar në Babiloni së bashku me izraelitë të tjerë. Gjatë qëndrimit në robëri, ai u vizitua nga Zoti dhe mori thirrjen për të qenë profet (shih tek Ezekiel 1–2). Zoti premtoi ta forconte Ezekielin ndërsa i predikonte një populli rebel dhe me zemër të ngurtësuar (shih tek Ezekiel 3:7–9).
Ezekiel 3:16–17 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Lexo tek Ezekiel 3:10–11, 16–17, duke kërkuar atë që Zoti i mësoi Ezekielit rreth rolit të tij si profet.
-
Çfarë gjete?
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë gjuhën figurative të një rojeje, merreni parasysh të paraqitni figurën e Karkasonit të përfshirë në këtë mësim, së bashku me deklaratën nga Plaku Nil. L. Andersen.
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Karkasoni është një qytet mbresëlënës në Francë, i rrethuar me mure, i cili ka ekzistuar që nga kohët mesjetare. Kulla të larta ngrihen prej mureve të tij të mbrojtura, të ndërtuara për rojat të cilët qëndronin në ato kulla ditë e natë, duke e mbajtur vëmendjen e tyre të gozhduar në largësi për armikun. Kur roja shihte të afrohej një armik, zëri i tij paralajmërues i mbronte njerëzit e Karkasonit nga rreziku i afërt që nuk mund ta shihnin.
Një profet është si një rojë mbi kullën, duke na mbrojtur nga rreziqe shpirtërore që nuk mund t’i shohim.” (“Profeti i Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 25)
-
Si mund ta përmblidhje atë që na mësojnë vargjet tek Ezekiel 3:16–17 dhe Plaku Andersen rreth profetëve?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë se Zoti thërret profetë që shërbejnë si roje për të na paralajmëruar për rreziqet shpirtërore. Shpjegoni se Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve shërbejnë si profetët e Zotit sot. Nëse nxënësit e plotësuan veprimtarinë e përgatitjes së tyre, ata mund ta tregojnë atë që mësuan si pjesë të diskutimit vijues.
-
Përse është “roja” një mënyrë e mirë për të përshkruar rolin e profetit?
Tek Ezekiel 33, Zoti i mësoi sërish Ezekielit përgjegjësinë e Tij për të shërbyer si një roje dhe për t’i dhënë mesazhin e Perëndisë Izraelit (shih tek Ezekiel 33:1–7).
Lexo tek Ezekiel 33:9–11, duke kërkuar arsyen përse Zoti dëshiron ta paralajmërojë popullin e Tij.
-
Çfarë mund të na mësojë vargu 11 rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi mënyrën se si paralajmërimet profetike janë provë e dashurisë së Perëndisë:
“Pa qenë aspak të gatshëm për të ndëshkuar, Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë kërkojnë lumturinë tonë dhe na përgjërohen që të pendohemi, duke e ditur fare mirë se ‘ligësia kurrë nuk ka qenë [dhe kurrë nuk do të jetë] lumturi’ [Alma 41:10]. Kështu Ezekieli dhe çdo profet përpara tij dhe që nga ai deri më sot, duke folur fjalën e Perëndisë drejtpërsëdrejti nga zemra, i kanë paralajmëruar të gjithë ata që dëshirojnë, që të largohen prej Satanit, armikut të shpirtrave të tyre, dhe ‘të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve’ [2 Nefi 2:27].” (“Zëri i Paralajmërimit”, Liahona, maj 2017, f. 108)
-
Si mund të ndikojë kuptueshmëria e arsyes përse Zoti i thërret profetët e Tij të jenë roje në dëshirat tona për t’i ndjekur ata?
Paralajmërime nga rojat
Veprimtaria vijuese ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të shohin shembuj të paralajmërimeve që ka dhënë Zoti nëpërmjet profetëve të Tij. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të zgjedhin njërën nga mundësitë vijuese për ta studiuar:
-
Bisedat më të fundit nga anëtarët e Presidencës së Parë ose Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve
-
Këto fragmente të shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor ose fragmente të tjera të zgjedhura prej jush: Isaia 5:20; 1 Korintasve 6:19–20 (shihni edhe vargun 18); 2 Nefi 2:27; 2 Nefi 32:8–9; Alma 41:10; dhe Doktrina e Besëlidhje 64:9–11
Pasi nxënësit të kenë zgjedhur një mundësi për ta studiuar, paraqitini udhëzimet vijuese:
Studioji mësimet nga profetët e Zotit dhe përgatitu të shprehesh për sa vijon:
-
Paralajmërimet që ka dhënë Zoti nëpërmjet profetëve të Tij.
-
Bekimet që mund të marrim ose sfidat që mund të shmangim duke ua vënë veshin këtyre paralajmërimeve. Këto mund të jenë nga ato që studiove ose nga mendimet dhe përvojat e tua.
-
Mënyrën se si e ndien se ky paralajmërim është provë e dashurisë së Perëndisë ose dëshirës së Tij që ne të jemi të lumtur.
Mund ta ftoni secilin nxënës të përzgjedhë një paralajmërim profetik që gjeti në hapin 1 të studimit të tij dhe ta shkruajë atë në tabelë. Si një mundësi tjetër, nxënësit mund ta shkruajnë paralajmërimin në një copë letër dhe ta afishojnë atë nëpër klasë. Ftojini nxënësit të lexojnë paralajmërimet që kanë shkruar të tjerët. Klasa mund të përzgjedhë më pas disa për t’i diskutuar me më shumë hollësi. Ju mund t’u kërkoni nxënësve që shkruan paralajmërimet e përzgjedhura të japin përgjigjet e tyre për hapat 2 ose 3 nga studimi i tyre.
Ndërsa nxënësit dëgjojnë dhe marrin pjesë në diskutim, ftojini ata të reflektojnë mbi rrethanat dhe nevojat e tyre vetjake. Inkurajojini ata të marrin parasysh nëse Zoti ka paralajmërime ose mesazhe të veçanta për ta.
Ndjekja e profetit
Reflekto mbi mendimet dhe ndjenjat që mund të të ketë komunikuar Fryma e Shenjtë gjatë gjithë mësimit rreth Zotit dhe profetëve të Tij. Shtoje njërin ose të dy rreshtat vijues në ditarin e studimit dhe plotësojini ata me mendimet ose ndjenjat e tua:
Diçka që dua të kujtoj rreth Zotit dhe profetëve të Tij është …
Unë dua ta ndjek profetin e Zotit për shkak se …
Mund ta përmbyllni duke u kërkuar disa nxënësve ta tregojnë atë që shkruan. Mund të tregoni edhe ndjenjat që keni pasur rreth Zotit dhe profetëve të Tij ndërsa e përgatitët dhe e dhatë mësimin.
Mësoni Përmendsh
Nëse doni, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargjet tek Ezekiel 3:16–17 është “Profeti është ‘një roje për shtëpinë e Izraelit’”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.