Seminari
2 Mbretërve 5: Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta


“2 Mbretërve 5: Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“2 Mbretërve 5: Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

2 Mbretërve 2–7: Mësimi 84

2 Mbretërve 5

Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta

Ndonjëherë ne mund të mos e dallojmë vlerën shpirtërore të bërjes së gjërave të vogla që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na ftojnë të bëjmë. Te 2 Mbretërve 5, Zoti e shëroi Naamanin, një kapiten sirian, nga lebra, për shkak se ai ndoqi këshillën e thjeshtë të profetit për t’u larë shtatë herë në lumin Jordan. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’u binden gjërave të vogla dhe të thjeshta që na kërkon Zoti të bëjmë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë tek Alma 37:6–7, duke kërkuar atë që mund të mësojnë rreth gjërave të vogla dhe të thjeshta. Ose mund t’i inkurajoni nxënësit t’u kushtojnë vëmendje gjërave të vogla që bëjnë shpesh, të cilat sjellin një ndryshim të madh në jetën e tyre ose që ndikojnë në marrëdhënien e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Vaditja me pikim

Merreni parasysh të paraqitni një figurë si vijuesja ose të sillni një bimë në orën mësimore dhe të demonstroni se si funksionon vaditja me pikim. Informacioni në paragrafin e radhës mund t’ju ndihmojë ta shpjegoni atë.

Vaditja me pikim është një teknikë që përdoret për të ujitur bimët. Ndryshe nga format e tjera të vaditjes që përdorin sasi të mëdha uji jo shpesh, vaditja me pikim përfshin pikimin e ngadaltë të sasive të vogla të ujit mbi tokë. Pikat e vazhdueshme të ujit e mbajnë të njomë tokën aty ku është më e dobishme për bimët.

Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në grupe të vogla për të diskutuar përgjigjet për pyetjen vijuese.

  • Në ç’mënyra mund të gjejnë zbatim parimet e vaditjes me pikim në ecurinë tonë shpirtërore në planin e Atit Qiellor?

Ftoni disa grupe ta tregojnë atë që diskutuan. Më pas merreni parasysh ta paraqitni vetëvlerësimin më poshtë dhe t’i ftoni nxënësit të mendojnë se sa i saktë është ai në jetën e tyre.

Ndalu një çast për të reflektuar mbi përpjekjet e vogla që po bën si një dishepull i Jezu Krishtit dhe rezultatet që po përjeton. Më pas përsiat për vërtetësinë e këtij pohimi për ty:

  • E dalloj se si gjërat e vogla dhe të thjeshta që bëj, ose nuk i bëj, ndikojnë në jetën time dhe në marrëdhënien time me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Ftojini nxënësit të jenë pranues të mendimeve dhe ndjenjave që marrin nga Fryma e Shenjtë rreth gjërave të vogla dhe të thjeshta që mund të bëjnë për ta forcuar marrëdhënien e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Naamani u shërua nga lebra

2 Mbretërve 5 përmban tregimin rreth Naamanit, një kapiten sirian, që mori një mësim të fuqishëm rreth bërjes së gjërave të vogla dhe të thjeshta që urdhëron Zoti.

Lexo te 2 Mbretërve 5:1, duke kërkuar gjithçka që mund të mësosh rreth Naamanit.

  • Çfarë gjete?

Nëse doni, mund të shpjegoni se lebra ishte një sëmundje e tmerrshme e lëkurës. Ajo mund të ketë shkaktuar te Naamani zhvillimin e plagëve shpërfytyruese dhe mund të kishte çuar në vdekjen e tij.

Si një mundësi ndaj leximit të thjeshtë të vargjeve vijuese nga nxënësit, mund të emërtoni tri pjesë të klasës suaj si “Siria”, “Shtëpia e Eliseut” dhe “Lumi Jordan”. Ftoni katër vullnetarë që të përfaqësojnë njerëzit vijues duke lexuar me zë të lartë vargjet vijuese në vendet e caktuara. Nxënësit që përfaqësojnë Naamanin dhe shërbëtorin e tij, mund të lëvizin nga një vend në tjetrin, ndërkohë që shërbëtorja e vogël dhe lajmëtari i Eliseut qëndrojnë në vendndodhjen e tyre.

  • Siria: Shërbëtorja e vogël të lexojë vargjet 2–4

  • Shtëpia e Eliseut: Lajmëtari i Eliseut të lexojë vargjet 9–10

  • Shtëpia e Eliseut: Naamani të lexojë vargjet 11–12

  • Lumi Jordan: Shërbëtori i Naamanit të lexojë vargjet 13–14

Lexo te 2 Mbretërve 5:2–4, 9–14, duke kërkuar atë që Eliseu, si një profet i Perëndisë, i tha Naamanit të bënte për t’u shëruar nga lebra e tij.

  • Cilat janë disa mësime të rëndësishme që mund të mësojë një adoleshent sot nga përvoja e Naamanit?

Nxënësit mund të thonë një të vërtetë si: bindja ndaj ftesave të vogla dhe të thjeshta të Zotit sjell bekime të mëdha. Mund t’i ftoni ata ta shkruajnë këtë të vërtetë si një shënim pranë 2 Mbretërve 5:13–14 në shkrimet e tyre të shenjta dhe të shenjojnë në këto vargje frazat që e japin mësim këtë të vërtetë. Mbajtja e shënimeve në shkrimet e tyre të shenjta mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kujtojnë të vërtetat që mësojnë. Mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit të lexojnë tek Alma 37:6–7 dhe t’i lidhin ose të bëjnë referencë-kryq të këtyre vargjeve me ato te 2 Mbretërve 5:13–14.

Gjëra të vogla dhe të thjeshta

Veprimtaria vijuese është krijuar për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë gjërat e vogla dhe të thjeshta që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na kanë kërkuar të bëjmë dhe të diskutojmë se si mund të bekohemi duke i bërë ato.

Një mënyrë se si mund të bëhet kjo veprimtari, është duke i vendosur nxënësit në grupe të vogla dhe duke i dhënë secilit grup një copë letër dhe gërshërë. Ftojeni secilin grup të vizatojë dhe të presë tri pika uji të mëdha. Për hapin 1 më poshtë, grupet mund të shkruajnë një gjë të ndryshme të vogël dhe të thjeshtë që Zoti na ka ftuar të bëjmë në secilën pikël, më pas t’i vendosin ato në tabelë.

  1. Bëj një listë të gjërave të vogla dhe të thjeshta që Zoti na ka kërkuar të bëjmë, që mund të çojnë në bekime të mëdha.

    Nëse është e nevojshme, thënia vijuese mund t’i ndihmojë grupet të përcaktojnë gjërat e vogla dhe të thjeshta që Zoti na ka kërkuar të bëjmë, si edhe mënyrat se si ne bekohemi duke i bërë ato.

    Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, tregoi disa shembuj të gjërave të vogla dhe të thjeshta që Zoti na ka ftuar të bëjmë.

    17:35
    Official Portrait of President Dallin H. Oaks taken March 2018.

    “Merreni parasysh studimin e shkrimit të shenjtë që na është mësuar ta përfshijmë në jetën tonë të përditshme. Ose merrini parasysh lutjet vetjake dhe lutjet e gjunjëzuara familjare që janë praktika të rregullta për shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme. Merreni parasysh pjesëmarrjen në seminar për rininë ose klasat e institutit për të rinjtë në moshë madhore. Edhe pse secila prej këtyre praktikave mund të duket e vogël dhe e thjeshtë, me kalimin e kohës ato rezultojnë në një lartësim dhe rritje të fuqishme shpirtërore. Kjo ndodh ngaqë secila prej këtyre gjërave të vogla dhe të thjeshta e fton shoqërimin e Frymës së Shenjtë, të Dëshmitarit, i cili na ndriçon dhe na udhërrëfen drejt së vërtetës.” (“Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta”, Liahona, maj 2018, f. 90)

    Para se të plotësoni hapin vijues, ftojeni secilin grup të përzgjedhë një pikë që një grup i ndryshëm vendosi në tabelë.

  2. Kërko në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve bekimet e mëdha që ofron Zoti nëse e bëjmë këtë gjë të vogël e të thjeshtë.

    Ftojini shumë grupe që ta tregojnë atë që mësuan.

    Si pjesë e këtij diskutimi, mund t’i ftoni nxënësit të reflektojnë mbi përvojat që kanë pasur duke bërë gjëra të vogla dhe të thjeshta. Mund t’i ftoni më pas vullnetarët të tregojnë se si i ka bekuar Zoti dhe se si marrëdhënia e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin u forcua si rezultat i kësaj.

    ikona e seminarit Nxitja e mëparshme mund t’i ndihmojnë nxënësit t’i shprehin me fjalë ndjenjat, përvojat dhe dëshmitë e tyre. Mund të jepni gjithashtu dëshminë ose përvojat tuaja me bërjen e gjërave të vogla dhe të thjeshta që Zoti i kërkon nga ne. Për trajnim shtesë, shihni te “Jepni dëshmi shpesh dhe ftojini nxënësit t’i shprehin ndjenjat, t’i tregojnë përvojat dhe të japin dëshmitë e tyre” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.

    Mund të shihni gjithashtu materialin filmik “Qëndrojini Ditës në Krisht” (ChurchofJesusChrist.org) nga kodi kohor 2:30 deri në 4:23. Nxënësit mund të përcaktojnë mënyrën se si Motra Emi A. Rajt, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, dhe familja e saj u forcuan nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta që kishin bërë.

    10:33

    Gjithashtu, mund t’i vini nxënësit të lexojnë te 2 Mbretërve 5:15 për të parë bekimin e dëshmisë që mori Naamani nëpërmjet bindjes së tij ndaj gjësë së vogël dhe të thjeshtë që e ftoi profeti të bënte.

Gjërat e vogla dhe të thjeshta në jetën time

Për t’i ndihmuar nxënësit të bëjnë një plan për t’iu bindur gjërave të vogla dhe të thjeshta që Zoti u ka kërkuar të bëjnë, paraqitni udhëzimet vijuese.

Përgjigju për sa vijon në ditarin tënd të studimit:

  1. Mendo për një gjë të vogël dhe të thjeshtë që të ka kërkuar Zoti të bësh, që ti e ndien se tashmë po e bën mirë. Si e ka forcuar bindja ndaj udhëzimit të Zotit marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

  2. Përzgjidh një gjë të vogël dhe të thjeshtë që të ka kërkuar Zoti të bësh, që ti ndihesh i frymëzuar ta bësh më mirë. Çfarë do të bësh për ta përmirësuar bindjen tënde ndaj ftesës së Zotit? Si mund ta forcojë ajo besimin tënd tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Mund të ftoni disa nxënës të gatshëm ta tregojnë përgjigjen e tyre për pyetjen e parë. Inkurajojini nxënësit të zbatojnë planin e tyre për t’u përmirësuar.