Seminari
Zanafilla 42–45: “Unë jam Jozefi, Vëllai Juaj”


“Zanafilla 42–45: ‘Unë jam Jozefi, Vëllai Juaj’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Zanafilla 42–45: ‘Unë jam Jozefi, Vëllai Juaj’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Zanafilla 42–45: Mësimi 35

Zanafilla 42–45

“Unë jam Jozefi, Vëllai Juaj”

A painting by Ted Henninger showing Joseph of Egypt surrounded by his brothers, smiling and showing forgiveness toward them.

Shumë vite pasi atë e shitën në Egjipt si skllav, Jozefi u ribashkua me vëllezërit e tij. Ai mund të ishte ndier i zemëruar dhe i hidhëruar për gjithçka që kishte vuajtur. Megjithatë, ashtu si Shpëtimtari, Jozefi zgjodhi të tregonte mëshirë dhe falje ndaj vëllezërve të tij që e kishin keqtrajtuar atë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit duke qenë më falës.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin urdhërimin e Shpëtimtarit për t’i “fal[ur] të gjithë njerëzit” (Doktrina e Besëlidhje 64:10). Kërkojuni atyre të përmendin disa nga bekimet që ata ose të tjerë i kanë përjetuar nëpërmjet faljes së dikujt.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Jozefi i Egjiptit

Për të nisur orën mësimore, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shqyrtojnë shkurtimisht tregimin e Jozefit të Egjiptit te Zanafilla 37–41. Mund t’u kërkoni atyre t’i përmbledhin veprimet e pasjellshme të vëllezërve të Jozefit dhe ngjarjet që çuan në statusin e Jozefit si i dyti në drejtim në të gjithë Egjiptin.

Figurat digjitale që gjenden në Mësimin 33: Zanafilla 37–41 mund të përdoren për t’i ndihmuar nxënësit ta përmbledhin historinë.

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si vuajti Jozefi për shkak të veprimeve të vëllezërve të tij?

  • Si do të ndiheshe për dikë që ta bëri këtë?

  • Çfarë mund ta bëjë të vështirë faljen e dikujt?

Reflekto mbi mënyrën se si reagon zakonisht kur dikush të bën ose të thotë diçka lënduese. Ndërsa studion sot, kushtoji shumë vëmendje ndonjë mbrese që mund të marrësh nga Fryma e Shenjtë për të të ndihmuar të dish se si mund ta ndjekësh shembullin e Shpëtimtarit për të falur.

Jozefi u ribashkua me vëllezërit e tij

Për të studiuar historinë e ribashkimit të Jozefit me vëllezërit e tij, mund t’i organizoni nxënësit në grupe me nga tre veta. Çdo nxënës në grup mund të studiojë njërën nga tre përmbledhjet dhe fragmentet e shkrimit të shenjtë. Nxënësit më pas mund t’ua mësojnë anëtarëve të tjerë të grupit pjesën e tyre të historisë.

Përndryshe, mund të shfaqni materialin filmik vizatimor “Joseph and the Famine” [“Jozefi dhe Zia e Bukës”] (2:26) nga kodi kohor 0:00 deri në 1:41 në ChurchofJesusChrist.org.

2:26

Shqyrtoji përmbledhjet vijuese dhe studioji vargjet shoqëruese.

Përmbledhja 1: Shumë vite pasi e shitën Jozefin si skllav, vëllezërit e tij udhëtuan drejt Egjiptit për të kërkuar shpëtim nga zia e bukës. Duke u paraqitur përpara Jozefit, tanimë i dyti në drejtim në të gjithë Egjiptin, vëllezërit nuk e njohën atë. Duke mos e ditur se Jozefi i njohu dhe mund t’i kuptonte, vëllezërit shprehën pikëllimin dhe pendesën e tyre për atë që i kishin bërë atij vite më parë.

Lexo te Zanafilla 42:21–24, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Jozefi kur i dëgjoi vëllezërit e tij të flisnin për mënyrën se si e kishin trajtuar.

Përmbledhja 2: Jozefi siguroi ushqim për familjen, por e burgosi Simeonin dhe i udhëzoi vëllezërit e tjerë të mos ktheheshin në Egjipt nëse nuk do të sillnin me vete vëllanë më të vogël, Beniaminin. Vëllezërit u kthyen në shtëpi, por kur familjes i mbaroi përsëri ushqimi, ata u kthyen në Egjipt me Beniaminin.

Lexo te Zanafilla 43:30, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Jozefi kur pa vëllanë e tij, Beniaminin.

Përmbledhja 3: Jozefi e vuri në provë dashurinë e vëllezërve të tij për Beniaminin duke e akuzuar atë për vjedhje dhe duke kërcënuar se do ta fuste në burg. Juda ofroi jetën e tij në këmbim të jetës së Beniaminit.

Lexo te Zanafilla 45:1–2, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Jozefi pasi Juda doli vullnetar për të dhënë jetën e tij për të mbrojtur Beniaminin.

Pasi nxënësit të kenë pasur mundësi për t’i studiuar përmbledhjet, mund t’i ftoni ata të diskutojnë pyetjen e mëposhtme.

  • Çfarë do të kishte qenë e dobishme për Jozefin që të kujtonte rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa ndërvepronte me vëllezërit e tij?

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti falin

Shkrimet e shenjta vijuese ilustrojnë natyrën falëse si të Atit Qiellor edhe të Jezu Krishtit. Mund t’i paraqitni këto shkrime të shenjta për nxënësit që t’i studiojnë ose t’i vini ata të gjejnë fragmentet e tyre të shkrimit të shenjtë rreth natyrës falëse të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Lexoji shkrimet e shenjta vijuese duke kërkuar atë që do të ishte e dobishme që dikush i cili është keqtrajtuar të dijë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Lluka 6:36

Efesianëve 4:31–32

Kolosianëve 3:13

  • Çfarë do të tregoje për këto vargje?

Lexo te Zanafilla 45:3–8 dhe 9–15, duke kërkuar se si reagoi Jozefi ndaj vëllezërve të tij.

  • Çfarë mësojmë rreth të bërit si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti nga shembulli i Jozefit?

Nxënësit mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash. Falënderojini ata për atë që tregojnë dhe pyetini se përse ndiejnë se është një doktrinë ose parim i rëndësishëm që ta dimë edhe ne. Nëse nxënësit nuk e përmendin, jepni të vërtetën vijuese dhe shkruajeni atë në tabelë: Ne bëhemi si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndërsa i falim të tjerët.

Ne mund t’i falim të tjerët duke u mbështetur te Shpëtimtari

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë këtë të vërtetë, mund të shfaqni materialin filmik “Forgiving Others: An Easter Message from President Russell M. Nelson” [“T’i Falësh të Tjerët: Një Mesazh Pashke nga Presidenti Rasëll M. Nelson”] (5:01) nga ChurchofJesusChrist.org.

5:1

Një mundësi tjetër është të studioni thënien vijuese.

Presidenti Rasëll M. Nelson na ndihmoi të kuptojmë se si ne mbështetemi te fuqia e Shpëtimtarit kur i falim të tjerët.

17:17
Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“Nëse falja në të tashmen duket e pamundur, përgjërohuni për fuqi nëpërmjet gjakut shlyes të Jezu Krishtit që t’ju ndihmojë. Teksa e bëni këtë, ju premtoj paqe vetjake dhe një shpërthim të hovit shpirtëror.

Kur Shpëtimtari shleu për të gjithë njerëzimin, Ai hapi një udhë që ata të cilët e ndjekin Atë, të mund të kenë të drejtën e shërimit, forcimit dhe fuqisë së Tij shëlbuese. Këto privilegje shpirtërore janë në dispozicion për të gjithë ata që kërkojnë ta dëgjojnë Atë dhe ta ndjekin Atë.” (“Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 100)

  • Si mund të na ndihmojnë mësimet e Presidentit Nelson që t’i falim të tjerët?

  • Çfarë do t’i këshilloje dikujt të bënte nëse ka vështirësi të falë? Çfarë do t’i rekomandoje të bënte për t’u mbështetur te Shpëtimtari?

Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për pyetjen e fundit, mund të sugjeroni që ata të shohin këshillën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 64:9–11, veçanërisht vargun 11.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë një përvojë ku ata ose dikush që njohin ishte në gjendje të falte. Mund të jetë e dobishme t’u kujtoni nxënësve të mos tregojnë hollësi që mund të jenë tepër vetjake për ta ose dikë që njohin. Gjithashtu, nëse dëshironi, mund të tregoni një përvojë tuajën.

Na ndihmo të falim lirisht

Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar dhe ndier rreth të bërit si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, mund të paraqitni disa nga veprimtaritë vijuese për nxënësit që t’i plotësojnë në ditarët e studimit.

Përsiat me lutje çdo mbresë që ke marrë ndërsa studiove sot. Ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të dallosh çdo ndryshim që është e nevojshme të bësh. Kërkoji Atit Qiellor të ndihmojë që të të rritet aftësia për t’i falur të tjerët.

Përzgjidh një nga veprimtaritë e mëposhtme për ta përfunduar në ditarin tënd të studimit.

  • Shkruaj një paragraf të shkurtër që përmbledh mënyrën se si je bekuar përmes përpjekjeve të tua për t’i falur të tjerët. Rendit atë që ke bërë për ta përfshirë Shpëtimtarin në përpjekjet e tua. Çfarë ndien se është e rëndësishme të kujtosh herën e ardhshme që të nevojitet të falësh dikë?

  • Merre parasysh me lutje nëse është dikush në jetën tënde që është e nevojshme ta falësh. Shkruaj një paragraf të shkurtër që përcakton ndjenjat që ke rreth faljes së atij personi. Çfarë kupton se mund të jetë duke e penguar aftësinë tënde për të falur? Rendit disa mënyra se si mund të kërkosh ndihmën e Shpëtimtarit në përpjekjet e tua.

  • Shkruaj një shënim që mund ta ndihmojë një shok që ka vështirësi të falë dikë. Shpjego shkurtimisht mënyrën se si zgjedhja e Jozefit për t’i falur vëllezërit e tij ishte si e Shpëtimtarit. Përfshi një fragment të shkrimit të shenjtë që ka qenë kuptimplotë për ty në përpjekjet e tua për t’i falur të tjerët.

Mund t’i ftoni disa nxënës të gatshëm ta tregojnë atë që shkruan. Merreni parasysh ta përmbyllni mësimin duke i ftuar nxënësit të veprojnë sipas mbresave shpirtërore që mund të kenë marrë. Mund të jepni dëshminë tuaj për bekimet në dispozicion kur ne e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për t’i falur të tjerët.