“Zanafilla 37–41: ‘Zoti Qe me Jozefin’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zanafilla 37–41: ‘Zoti Qe me Jozefin’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 37–41: Mësimi 33
Zanafilla 37–41
“Zoti Qe me Jozefin”
Pavarësisht se u shit si sllav, u akuzua në mënyrë të rreme dhe u burgos, Jozefi jetoi me drejtësi dhe ushtroi besim te Perëndia. Si rezultat, Zoti e bekoi dhe e ndihmoi atë gjatë sprovave të tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë shpresën se Perëndia mund t’i përdorë sprovat e tyre për t’ua bekuar jetën.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth sprovave ose sfidave që kanë hasur ose mund t’i hasin. Ftojini ata të vijnë në orën mësimore të përgatitur për të treguar se si Zoti mund të përdorë ose ka përdorur sfida për ta bekuar jetën e tyre.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Fabula me një gomar
Merreni parasysh të paraqitni figurën e një gomari ndërsa një nxënës e lexon paragrafin vijues.
Na ishte një herë një gomar që ra në një gropë. I trembur dhe i bllokuar, gomari angullinte dhe pëlliste. Pasi kërkoi një mënyrë për ta shpëtuar gomarin, pronari filloi të hidhte lopata me dhe në gropë. Çdo lopatë e mbushur me dhe binte mbi kurrizin e gomarit, duke e bërë të angullinte edhe më shumë.
Para se ta vazhdojmë historinë, mund të jetë e dobishme që nxënësit të ndalojnë dhe të mendojnë rreth fabulës duke iu përgjigjur pyetjeve si vijueset:
-
A do t’i konsideronit lopatat me dhe një gjë të mirë apo një gjë të keqe? Përse?
-
Çfarë mund të përfaqësojnë lopatat plot dhe në jetën tonë?
Ftojeni një nxënës të lexojë përfundimin e fabulës në paragrafin vijues.
Gomari e shkundte dheun nga kurrizi i tij, duke bërë që pirgjet e dheut të mblidheshin poshtë. Gomari i përsëriti herë pas here veprimet e shkundjes së dheut dhe shkeljes mbi pirgun që rritej, derisa në fund u ngrit lart mbi dhe aq sa duhej për të shpëtuar nga gropa.
-
Si mund të lidhet kjo fabul me sprovat dhe sfidat që Ati Qiellor na lejon të përjetojmë?
Merreni parasysh të paraqitni sa vijon dhe t’i ftoni nxënësit ta përfundojnë atë vetë.
Mendo për rastet në jetën tënde kur ke pasur sprova ose kohë shkurajimi. Shënoji përgjigjet e tua për disa prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Si ke reaguar ndaj atyre përvojave?
-
Përse mund të jetë e vështirë ta kujtosh Zotin kur përballesh me sfida?
-
Nga një këndvështrim i përjetshëm, si është e mundur që Ati Qiellor t’i përdorë sfidat e tua për ta bekuar jetën tënde?
Ndërsa e studion jetën e Jozefit sot, kërko zbulesë nga Fryma e Shenjtë për të të dhënë shpresë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund t’i shndërrojnë edhe sprovat e vështira në bekime në jetën tënde.
Vështrim i Përgjithshëm i kapitujve te Zanafilla 37–41
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë radhën e ngjarjeve të kapitujve te Zanafilla 37–41, mund t’i paraqitni të pesta figurat e përfshira më poshtë në rend rastësor. Nxënësit mund të punojnë së bashku si klasë ose në grupe të vogla për t’i vendosur ato në rend kronologjik. Më pas, mund t’i vini disa nxënës t’i përdorin figurat për të përmbledhur shkurtimisht historinë te Zanafilla 37–41.
Nxënësit mund t’i përdorin përmbledhjet poshtë çdo figure ose kreu kapitulli për t’i ndihmuar të përmbledhin ose verifikojnë rendin e figurave.
Kur Jozefi ishte 17 vjeç, vëllezërit e tij më të mëdhenj e lakmonin statusin e tij të favorizuar para atit të tyre, Jakobit. Ata e urrenin Jozefin që u tregoi ëndrrat ku i pa të përkuleshin para tij në të ardhmen. Me kalimin e kohës, ata e shitën Jozefin si skllav (shih te Zanafilla 37).
Jozefi u shit te Potifari, një oficer i faraonit të Egjiptit. Jozefi u bë përfundimisht kryeadministrator i shtëpisë së Potifarit (shih te Zanafilla 39:1–4).
Gruaja e Potifarit e dëshironte Jozefin, por Jozefi refuzoi ta shkelte ligjin e dëlirësisë dhe iku prej saj. Gruaja e Potifarit e akuzoi në mënyrë të rreme Jozefin për keqtrajtim dhe atë e futën në burg (shih te Zanafilla 39:7–20).
Ndërkohë që ishte në burg, Jozefi interpretoi ëndrrat e shërbëtorëve të faraonit (shih te Zanafilla 40).
Dy vjet më vonë, faraoni pa ëndrra që nuk mund t’i kuptonte. Një nga shërbëtorët e faraonit, që ishte liruar nga burgu, i tha Potifarit se Jozefi mund të interpretonte ëndrra. Jozefi i mësoi faraonit se ëndrrat e tij përfaqësonin shtatë vjet të korra të bollshme dhe shtatë vjet zi buke që shpejt do ta pllakosnin Egjiptin (shih te Zanafilla 41).
Bekimet nga sprovat tona
Për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë mësimet që mund të mësojnë nga përvoja e Jozefit, merreni parasysh t’i vini ata në grupe të vogla dhe të jepni ose paraqitni udhëzimet dhe pyetjet vijuese.
Shënim: Mësimi 34, “Zanafilla 39”, do të përqendrohet te ligji i dëlirësisë.
-
Lexoji vargjet vijuese duke kërkuar mënyrën se si Zoti e ndihmoi Jozefin gjatë sprovave të tij.
-
Zanafilla 39:1–6 (Pasi Jozefi u shit si skllav nga vëllezërit e tij)
-
Zanafilla 39:20–23 (Pasi Jozefi u fut në burg nga Potifari)
-
Zanafilla 41:14–16, 25–32 (Pasi Jozefi u lirua më në fund nga burgu)
-
-
Përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga mënyra se si reagoi Jozefi ndaj sfidave të tij?
-
Pse mendon se Jozefit iu desh të priste kaq shumë vite për të marrë bekimet që kërkonte?
-
Çfarë prove sheh që Perëndia po e ndihmon Jozefin në sprovat e tij?
-
Si mund të na ndihmojnë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në mënyra të ngjashme kur kalojmë kohë të vështira?
-
Ecni nëpër klasë dhe dëgjoni ndërsa nxënësit i diskutojnë përgjigjet me grupet e tyre. Falënderojini ata që i treguan ato që gjetën. Kujtojuni nxënësve se Fryma e Shenjtë mund t’u mësojë njerëzve të vërteta të ndryshme nga të njëjtat fragmente të shkrimit të shenjtë. Pjesa tjetër e këtij mësimi do të përqendrohet në të vërtetën që nëse jemi besnikë, Perëndia mund t’i përdorë sprovat tona për ta bekuar jetën tonë dhe të të tjerëve.
Lexo te Zanafilla 41:37–45, duke kërkuar prova të mënyrës se si Perëndia i përdori sprovat e Jozefit për ta bekuar atë dhe të tjerët.
-
Si i bekoi Zoti Jozefin dhe të tjerët gjatë sprovave të tij?
Bëni pyetje që mund t’i ndihmojnë nxënësit të mësojnë rreth fuqisë dhe mëshirës së Perëndisë nga të vërtetat që jepen mësim. Pyetjet vijuese janë shembuj që mund t’i përdorni. (Për trajnim shtesë mbi ndihmën ndaj nxënësve që të mësojnë rreth dashurisë, fuqisë dhe mëshirës së Zotit, shihni “Ndihmojini nxënësit t’i dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit në jetën e tyre” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.
-
Çfarë mendon se do të donte Jozefi të dije rreth Zotit pas përvojave që përjetoi?
-
Si mund të na ndihmojnë sprovat ta forcojmë marrëdhënien tonë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 90:24 dhe thënien vijuese nga Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërko se si ato gjejnë zbatim te Jozefi dhe tek të gjithë ata që përjetojnë sprova dhe sfida.
“Dëshmia ime është që edhe pse hera-herës ne mund të ndihemi si të groposur nga sprovat e jetës ose të rrethuar nga errësira emocionale, dashuria e Perëndisë dhe bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit do të prodhojnë diçka të paimagjinueshme kur ajo të ndodhë.” (“Perëndia do të Bëjë Diçka të Paimagjinueshme”, Liahona, nëntor 2020, f. 52)
-
Si zbatohet vargu te Doktrina e Besëlidhje 90:24 dhe thënia e Plakut Uhtdorf për Jozefin? Për ty?
Shembuj të ditëve të sotme
Për t’i përgatitur nxënësit të reflektojnë mbi mënyrën se si Ati Qiellor mund të na bekojë gjatë sprovave tona, merreni parasysh të shfaqni “Faith Murray’s Story: Overcoming Adversity through Service” [“Historia e Feith Mërrit: Kapërcimi i Vështirësive nëpërmjet Shërbimit”] (4:52), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ftojini nxënësit të kërkojnë mënyrën se si Zoti i përdori sfidat e Feithit për ta bekuar atë dhe të tjerët.
Mendo për përvojat që ke pasur ti, ose të tjerët, kur e ke parë Atin Qiellor t’i përdorë sprovat e tua për ta bekuar jetën tënde. Përgjigju të paktën dy prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Si e ke parë Atin Qiellor t’i përdorë sprovat për ta bekuar jetën e njerëzve që ti njeh? Çfarë ke mësuar nga ata njerëz?
-
Nëse dikush do të ishte në mes të një sprove të vështirë pikërisht tani, çfarë do të doje që të dinte ai rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Çfarë të ka ndihmuar të qëndrosh besnik ndaj Perëndisë gjatë sprovave që ke përjetuar në jetën tënde?
Nxënësit mund të ftohen të tregojnë përvojat e tyre bashkë me ndjenjat e tyre për Shpëtimtarin.