Seminari
Zanafilla 39: Mposhtja e Tundimit


“Zanafilla 39: Mposhtja e Tundimit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Zanafilla 39: Mposhtja e Tundimit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Zanafilla 37–41: Mësimi 34

Zanafilla 39

Mposhtja e Tundimit

Joseph telling Potiphar’s wife no

Pasi Jozefi u bë kryeadministrator në shtëpinë e Potifarit, gruaja e Potifarit e tundoi atë të shkelte ligjin e dëlirësisë. Jozefi e dinte se nënshtrimi ndaj atij tundimi ishte një “mëkat kundër Perëndisë” dhe zgjodhi të largohej nga tundimi (shih te Zanafilla 39:9, 12). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta tregojnë përkushtimin e tyre ndaj Perëndisë duke i bërë ballë tundimit për të shkelur ligjin e dëlirësisë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të imagjinojnë sikur iu kërkua të drejtonin një diskutim në orën mësimore të Shkollës të së Dielës rreth mënyrave të ndryshme se si mund t’u bëjnë ballë tundimeve të Satanit. Ftojini nxënësit të mendojnë për tri mënyra se si mund të flasin me klasën.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Tundimet që hasim

Merreni parasysh ta vini klasën të bëjë në tabelë një listë të tundimeve që hasin të rinjtë sot. Për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë më shumë rreth tundimeve që hasin personalisht dhe se si reagojnë ndaj tyre, mund ta ftoni secilin nxënës të plotësojë veprimtarinë vijuese në një copë letër.

Zgjidh një tundim dhe shkruaj një skenar të shkurtër, real ku një adoleshent mund të përballet me atë tundim.

Mblidhini skenarët dhe rishpërndajini ata në klasë.

Lexoje skenarin tënd të ri. Në pjesën e pasme të letrës, shkruaj se çfarë mund ta bëjë të vështirë t’i bësh ballë atij tundimi. Gjithashtu, shkruaj dy gjëra që mund ta inkurajosh dikë t’i bëjë për ta ndihmuar t’i bëjë ballë ose ta mposhtë atë tundim.

Vëruni nxënësve në dukje se megjithëse mund të mos përballen me të njëjtin tundim të renditur në skenar, ata mund të jenë në gjendje të zbatojnë këshillë të ngjashme në situatat e tyre. Ndihmojini nxënësit të vlerësojnë aftësinë e tyre për t’i bërë ballë ose mposhtur tundimin.

Mendo për tundimet me të cilat përballesh personalisht.

  • Çfarë ke bërë, ose mund të bësh, për të fituar forcë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për t’u bërë ballë atyre tundimeve?

Mund t’i ftoni nxënësit t’i shtojnë diçka asaj që shkruan në skenar për përvojat e tyre. Inkurajojini ata të vazhdojnë të shtojnë ide në skenarin e tyre ndërsa studiojnë kapitullin te Zanafilla 39. Bëjuni të ditur atyre se, ndërsa kërkojnë ndihmë nga Fryma e Shenjtë, Ai mund t’i frymëzojë me ide për t’i bërë ballë dhe madje për t’i mposhtur tundimet me të cilat përballen.

Përvoja e Jozefit me tundimin

Nëse përdorët figura për t’i përmbledhur ngjarjet e jetës së Jozefit te Mësimi 33: “Zanafilla 37–41”, merreni parasysh t’i paraqitni ato sërish. Ftojeni një nxënës ta përmbledhë atë që mban mend rreth mënyrës se si Zoti e bekoi Jozefin në shtëpinë e Potifarit. Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, ftojini ata të lexojnë dhe përmbledhin vargjet te Zanafilla 39:1–6.

Lexo te Zanafilla 39:7–8, duke kërkuar atë që i ndodhi Jozefit pasi u bë kryeadministrator në shtëpinë e Potifarit.

  • Çfarë tundimi hasi Jozefi?

Shpjegoni se Jozefi u përball me tundimin për ta shkelur ligjin e dëlirësisë. Ndihmojini nxënësit të reflektojnë mbi atë që kuptojnë rreth ligjit të dëlirësisë duke i ftuar ata të bëjnë sa vijon.

Në ditarin tënd të studimit, shkruaj se si do ta përkufizoje ligjin e dëlirësisë dhe përse është i rëndësishëm.

Kur nxënësit të mbarojnë së shkruari, merreni parasysh të paraqitni thënien vijuese. Ftojini nxënësit ta lexojnë vetë atë, duke kërkuar ide që ata mund t’ia shtojnë asaj që shkruan në ditarët e tyre të studimit.

Materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve thotë sa vijon rreth ligjit të dëlirësisë:

“Ligji i dëlirësisë thotë se Perëndia e miraton aktivitetin seksual vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë të martuar. …

Jashtë martesës midis një burri dhe një gruaje, është e gabuar të prekësh pjesët private, të shenjta të trupit të një personi tjetër, edhe nëse është i veshur. Në zgjedhjet tuaja se çfarë të bëni, shikoni, lexoni, dëgjoni, mendoni, afishoni ose shkruani, shmangiuni çdo gjëje që qëllimisht ngjall emocione epshore tek të tjerët ose te vetja. Kjo përfshin pornografinë në çdo formë.” (Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, f. 23, 25)

  • Pse mendon se Ati Qiellor na ka dhënë ligjin e dëlirësisë?

  • Cilat janë disa mënyra se si Satani i tundon të rinjtë ta shkelin ligjin e dëlirësisë?

Përgjigjet e mundshme që mund të japin nxënësit përfshijnë bërjen ose dërgimin e fotografive të papërshtatshme, shikimin ose dëgjimin e mediave që janë seksualisht sugjestionuese ose erotike, mosmbajtjen e marrëdhënies ose ndjenjave seksuale të shenjta. Nëse nxënësit kanë pyetje rreth tërheqjes ndaj së njëjtës gjini, mund të jetë e dobishme të shpjegoni se “të ndiesh tërheqje ndaj së njëjtës gjini nuk është mëkat. Nëse [dikush i ka] këto ndjenja dhe nuk i [ndjek] apo nuk vepron sipas tyre, [ai] po e jeton ligjin e shenjtë të Atit Qiellor për dëlirësinë” (Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, f. 27–28).

Lexo te Zanafilla 39:9–12, duke kërkuar mënyrën se si Jozefi i bëri ballë tundimit për të shkelur ligjin e dëlirësisë.

ikona e zotërimit doktrinor Zanafilla 39:9 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.

  • Çfarë mësove nga shembulli i Jozefit?

    Nxënësit mund të përcaktojnë të vërteta të tilla si: Përkushtimi ynë ndaj Perëndisë mund të na japë forcë për t’i bërë ballë tundimit për të shkelur ligjin e dëlirësisë (vargu 9).

    Nxënësit mund të shenjojnë në shkrimet e tyre të shenjta atë që përkushtimi ndaj Perëndisë i mundësoi Jozefit të bënte, për shembull, te vargu 8 (“ai e refuzoi”), vargu 10 (“ai nuk pranoi”) dhe vargu 12 (“iku duke vrapuar jashtë”).

    Për t’i ndihmuar nxënësit t’i përgjigjen pyetjes vijuese, nëse dëshironi, mund t’u jepni atyre një skenar që mund ta përdorin për të treguar se si dikush mund t’i bëjë të tria gjërat që bëri Jozefi. Një skenar i mundshëm mund të përfshijë të qenit i ftuar në një film, shfaqje ose koncert ku përdoren figura dhe fjalë imorale. Një tjetër skenar i mundshëm mund të përfshijë ndjenjën e presionit për t’iu dërguar mesazhe me tekst ose figura të papërshtatshme bashkëmoshatarëve.

  • Cilat janë disa mënyra se si mund ta ndjekim shembullin e Jozefit kur përballemi me tundimin?

Forcimi i aftësisë sonë për ta mbajtur ligjin e dëlirësisë

ikona e seminaritPër t’i ndihmuar nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për këtë të vërtetë, shpërndajuni nxënësve fletushkën shoqëruese. Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në dyshe dhe t’i caktoni secilit partner të përqendrohet te një nga pyetjet në fletushkë.

Ftojini nxënësit t’ua tregojnë atë që mësuan partnerëve të tyre.

Shpëtimtari mund të na ndihmojë ta mposhtim tundimin

Mund të keni nxënës që kanë vështirësi me bindjen ndaj ligjit të dëlirësisë dhe kanë nevojë të ndiejnë shpresë për pendim dhe mposhtje të varësisë. Dëshmoni për natyrën e dashur, të duruar dhe falëse të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Temptation Fades as We Seek Christ in Every Thought” [“Tundimi Zbehet Kur e Kërkojmë Krishtin në Çdo Mendim”] (2:57), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ftojini nxënësit të kërkojnë mënyrën se si Shpëtimtari mund të na japë shpresë.

2:58

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si Shpëtimtari mund t’u japë shpresë atyre që kanë vështirësi me zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë.

Elder Dale G. Renlund takes an official portrait in 2021.

“Pavarësisht se sa kohë kemi qenë larg shtegut ose sa larg jemi endur, në çastin kur vendosim të ndryshojmë, Perëndia na ndihmon të kthehemi. Sipas këndvështrimit të Perëndisë, nëpërmjet pendimit të sinqertë dhe shkuarjes përpara me vendosmëri në Krisht, pasi të kthehemi në shteg, do të jetë sikur të mos ishim larguar kurrë. Shpëtimtari shpaguan për mëkatet tona dhe na çliron nga pakësimi i pashmangshëm i lumturisë dhe bekimeve.” (“Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 106)

  • Çfarë do të doje të kuptonte nga thënia e Plakut Renland dikush që ndihet i pashpresë për shkak të zgjedhjeve të veta të mëparshme?

  • Çfarë të ka ndihmuar t’i bësh ballë tundimit që mund t’ua sugjerosh njerëzve të tjerë?

Bërja e një plani për të mbajtur ligjin e dëlirësisë

Për t’i ndihmuar nxënësit të bëjnë një plan për të vepruar sipas asaj që u ka mësuar Shpirti rreth mbajtjes së ligjit të dëlirësisë, jepuni atyre disa minuta për t’u përgjigjur për pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit.

  • Çfarë mësove që mund të të ndihmojë ta mbash ligjin e dëlirësisë ose t’u bësh ballë tundimeve të tjera?

  • Çfarë mësove rreth të qenit i/e përkushtuar ndaj Perëndisë?

  • Si do të fillosh ta zbatosh atë që ke mësuar dhe ndier sot?

Inkurajojini nxënësit t’i përfshijnë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në përpjekjet e tyre për t’i bërë ballë tundimit. Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për aftësinë e Shpëtimtarit për të na ndihmuar ta mposhtim tundimin dhe për mëshirën e Tij të dashur për të na ndihmuar të pendohemi.

Mësoni Përmendsh

Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është: “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?” Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.