“Ushtrimi 2 i Zotërimit Doktrinor: Të Kuptuarit e Doktrinës dhe Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ushtrimi 2 i Zotërimit Doktrinor: Të Kuptuarit e Doktrinës dhe Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 18–23: Mësimi 28
Ushtrimi 2 i Zotërimit Doktrinor
Të Kuptuarit e Doktrinës dhe Marrja e Njohurisë Shpirtërore
Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndërtojnë themelin për jetën e tyre mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kuptojnë të vërtetat që jepen mësim te fragmentet e zotërimit doktrinor, dhe t’i zbatojnë parimet hyjnore të marrjes së njohurisë shpirtërore.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përzgjedhin një fragment të zotërimit doktrinor që do të donin ta kuptonin më mirë. Më pas ftojini ata ta studiojnë fragmentin, të përsiatin domethënien e tij dhe të marrin parasysh pse është domethënëse doktrina e dhënë mësim.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përsëritja e zotërimit doktrinor: Kupto
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të reflektojnë për një kohë kur patën vështirësi për të mësuar ose bërë diçka të re. Shembujt mund të përfshijnë të mësuarit e një gjuhe të re, ushtrimin e një instrumenti muzikor ose bërjen e një sporti. Nxënësit mund të tregojnë gjërat që i ndihmuan ata të mësonin dhe t’i kapërcenin sfidat e të mësuarit të një gjëje të re. Nëse nxënësit nuk e përmendin, nëse doni, mund të shtoni që mund të jetë e dobishme të jeni të duruar dhe ta shmangni krahasimin e përparimit tuaj me të të tjerëve.
Në të njëjtën mënyrë që të mësuarit e një zotësie të re mund të jetë e vështirë, gjuha e shkrimeve të shenjta nganjëherë mund t’i bëjë ato të vështira për t’u kuptuar.
-
Cilat janë disa gjëra që të kanë ndihmuar ty ose të tjerët ta kuptoni më mirë gjuhën e shkrimeve të shenjta?
Një mënyrë për ta rritur kuptueshmërinë tonë për një fragment të shkrimit të shenjtë është ta studiojmë atë me kujdes, duke përdorur mjetet për studimin e shkrimeve të shenjta për ta përkufizuar dhe qartësuar gjuhën dhe kuptimin.
Shpjegoni se në këtë pjesë të mësimit, nxënësit do të kenë mundësi ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për një nga fragmentet e zotërimit doktrinor që e kanë studiuar deri më tani këtë vit. Mund të paraqitni gjashtë referencat e para të zotërimit doktrinor të Dhiatës së Vjetër dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë, që gjenden te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022). Ftojini nxënësit të përzgjedhin një fragment të zotërimit doktrinor që do të donin ta kuptonin më mirë.
Për këtë veprimtari studimi, nxënësit mund të punojnë individualisht ose në grupe të vogla me nxënës të tjerë që përzgjodhën të njëjtin fragment. Merreni parasysh të paraqitni udhëzimet vijuese.
-
Lexoje fragmentin e zotërimit doktrinor me ngadalë dhe me kujdes, duke e ftuar me lutje Frymën e Shenjtë që të ndihmojë për të të rritur kuptueshmërinë. Shenjoje çdo fjalë dhe frazë që të duket kuptimplotë.
-
Shkruaje çdo pyetje që mund të kesh ti ose të tjerët rreth gjuhës ose kuptimit të vargut në shkrimet e shenjta.
-
Përdori mjetet në dispozicion për studimin e shkrimeve të shenjta që të kërkosh përkufizime, sqarime, referenca‑kryq, thënie nga udhëheqësit e Kishës ose çdo informacion tjetër që mund të ta zgjerojë kuptueshmërinë për vargun ose fjalët, apo frazat që shenjove.
-
Diskuto për atë që mëson nga fragmenti rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Pse mendon se do të ishte e rëndësishme që një adoleshent ta dijë dhe ta kuptojë këtë fragment?
Për një shembull të këtij modeli të studimit të shkrimeve të shenjta, shihni materialin filmik “Analyzing a Passage” [“Analizimi i një Fragmenti”] (8:12), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org.
Si ta lejojë koha, nxënësit mund t’ua tregojnë të tjerëve atë që zbuluan dhe si ua rriti ajo kuptueshmërinë për fragmentin. Përndryshe, nxënësit mund ta ushtrojnë shpjegimin e doktrinës së fragmentit me një partner duke përdorur pikëpamjet shtesë që i fituan nëpërmjet veprimtarisë së studimit.
Mund t’i inkurajoni nxënësit t’i përdorin këto teknika në përpjekjet e tyre për studim vetjak të shkrimeve të shenjta.
Gjatë gjithë ditës, përsiate fragmentin e zotërimit doktrinor që përzgjodhe, duke kërkuar mbresa nga Fryma e Shenjtë që të mësojnë se si mund të ta bekojë jetën ai shkrim i shenjtë.
Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore
Pjesa e mbetur e mësimit përqendrohet te ndihma ndaj nxënësve që t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata që kanë lidhje me to. Përpara se të vazhdoni, mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit t’i rishikojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Veprimtaritë e sugjeruara për përsëritje përfshihen në pjesën e shtojcës të titulluar “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”. Përshkrimet e parimeve gjenden në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022).
Mbani mend se mësimet e ushtrimit të zotërimit doktrinor nuk kanë për qëllim të paraqitin përmbajtje të re. Mësimet e ushtrimit të zotërimit doktrinor u japin nxënësve mundësinë për ta përsëritur atë që kanë mësuar, për të ushtruar shpjegimin e saj dhe për ta zbatuar në një skenar që lidhet me ta. Kjo mund ta rritë aftësinë e nxënësve për t’i kujtuar dhe përdorur parimet e rëndësishme doktrinore në jetën e tyre.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta ushtrojnë zbatimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore, merreni parasysh të paraqitni skenarin vijues. Mund t’i përshtatni hollësitë e skenarit për t’iu përshtatur më së miri nevojave të klasës.
Në vend të skenarit, mund të përdorni materialin filmik “Find Answers through Jesus” [“Gjeni Përgjigje nëpërmjet Jezusit”] (1:04).
Shoku yt, Andi, ka treguar se ndihet i pakënaqur nga jeta e tij. Ai kalon shumë kohë në telefon, duke luajtur videolojëra dhe duke dalë me shokë, por i duket se nuk ka shumë kohë për Perëndinë ose familjen. Kohët e fundit, ai e ka pyetur veten a ka jeta e tij më shumë qëllim dhe domethënie nga ato që ai po përjeton aktualisht.
Paraqitini në tabelë tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe pyetjet vijuese. Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në grupe të vogla për të diskutuar parimet dhe mënyrën se si ata mund t’i paraqitin ato në mënyra pamore. Ftojini nxënësit të krijojnë një broshurë ose afishe që mund ta ndihmojë dikë t’i përdorë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për të trajtuar shqetësimet e veta. Mund t’u siguroni letra dhe mjete për punë artistike. Për një broshurë, nxënësit mund ta palosin letrën në tresh dhe të ilustrojnë një parim në secilën pjesë. Inkurajojini nxënësit të jenë krijues në ilustrimin e të tre parimeve.
Nëse është nevoja, pyetjet vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit të kuptojnë më mirë se si t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Mbani në mendje se kjo veprimtari ka si synim t’u japë nxënësve mundësi që të ushtrohen për ta treguar atë që kanë mësuar. Ndërkohë që ju si mësues/e mund të ndihmoni në ndërmjetësimin e diskutimeve të tyre dhe t’u jepni ndihmë sipas nevojës, bëni më të mirën për të krijuar një mjedis ku mund të zhvillohen diskutime të drejtuara nga nxënësit.
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
-
Si mund të jetë e dobishme mbajtja e një këndvështrimi të përjetshëm në këtë situatë?
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
-
Cilat fragmente të zotërimit doktrinor, referenca të tjera të shkrimeve të shenjta ose thënie nga udhëheqësit e Kishës mund të jenë të dobishme për Andin dhe situatën e tij?
Merreni parasysh t’i inkurajoni nxënësit të përdorin programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të gjetur tre ose më shumë burime që do t’ia rekomandonin Andit për t’i studiuar. Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për të gjetur referenca të shkrimeve të shenjta, mund të sugjeroni vargje si Zanafilla 12:1–3; Moisiu 1:6, 39; Moisiu 6:26–33 dhe Abraham 3:22–23.
Vepro me besim
-
Cilat janë disa gjëra specifike që mund t’i bëjë Andi për të ndier kuptim dhe qëllim më të madh në jetën e tij?
Jepuni nxënësve një mundësi që t’ia tregojnë afishet ose broshurat e tyre një grupi tjetër.
Për ta mbyllur orën mësimore, mund t’u jepni nxënësve një mundësi për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese si një diskutim ose t’i shënojnë mendimet e tyre në ditarët e studimit.
-
Cilat pikëpamje t’u dukën kuptimplota ndërsa studiove sot?
-
Si mund të të ndihmojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore që të afrohesh më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?