Seminari
Zanafilla 22: Një Ngjashmëri e Jezu Krishtit


“Zanafilla 22: Një Ngjashmëri e Jezu Krishtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Zanafilla 22: Një Ngjashmëri e Jezu Krishtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Zanafilla 18–23: Mësimi 27

Zanafilla 22

Një Ngjashmëri e Jezu Krishtit

Abraham and Isaac. Abraham looking toward the heavens with a knife in his hand.  Isaac laying on the alter.  The Gospel in the Old Testament (Religious Tract Society, 1908).

Mendja jonë njerëzore mund të mos e kuptojë kurrë plotësisht urdhërimin zemërkëputës që Perëndia i dha Abrahamit për të sakrifikuar të birin, Isakun. Profeti nefit, Jakobi, na e rriti kuptueshmërinë për simbolikën e fuqishme të këtij urdhërimi kur dha mësim se sakrifica ishte “një ngjashmëri e Perëndisë dhe e të Vetëmlindurit të tij” (Jakobi [LiM] 4:5). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ta.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përcaktojnë një shkrim të shenjtë që kanë gjetur, i cili i ndihmon të dallojnë dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ne. Bëjini të vijnë të përgatitur për ta treguar.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Dashuria e Perëndisë

Merreni parasysh ta filloni mësimin duke treguar thënien vijuese.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë një anëtar i Presidencës së Parë, e përshkroi dashurinë që ka Ati Qiellor për fëmijët e Tij:

19:44
Official portrait of Elder Dieter F. Uchtdorf of the Quorum of the Twelve Apostles, 2006.Called as Second Counselor in the First Presidency, 3 February 2008.Made official portrait in 2008 replacing portrait taken in 2004.

“Mendoni për dashurinë më të kthjellët, më gjithëpërmbushëse që mund të përfytyroni. Tani shumëfishojeni atë dashuri me një sasi të pafundme – kjo është masa e dashurisë së Perëndisë – për juve.

Perëndia nuk shikon pamjen e jashtme. Unë besoj se Ai nuk ka gajle asnjë grimë nëse ne jetojmë në një kështjellë apo shtëpizë, nëse jemi të pashëm apo të rëndomtë, nëse jemi të famshëm apo të harruar. Edhe pse jemi të paplotë, Perëndia na do plotësisht. Edhe pse jemi të papërsosur, Ai na do përsosurisht. Edhe pse mund të ndihemi të humbur e pa busull, dashuria e Perëndisë na mbështjell tërësisht.” (“Dashuria e Perëndisë”, Liahona, nëntor 2009, f. 22)

  • Krahas fjalëve të përdorura nga Presidenti Uhtdorf, cilat janë disa fjalë ose fraza të tjera që mund të përdorësh për të përshkruar dashurinë e Perëndisë për ne?

Për t’i ndihmuar nxënësit ta individualizojnë mësimin për jetën e tyre, ftojini të marrin parasysh se sa shpesh e ndiejnë ose e dallojnë dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ta. Mund edhe t’i ftoni të marrin parasysh se çfarë pyetjesh kanë aktualisht rreth dashurisë së Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Inkurajojini nxënësit teksa studiojnë sot që t’u kushtojnë vëmendje mbresave nga Fryma e Shenjtë që mund t’i ndihmojnë të ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Një shfaqje e dashurisë së Perëndisë

Shkrimet e shenjta përmbajnë mësime të shumta që përshkruajnë dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ne. Një shembull është te Gjoni 3:16.

Lexo te Gjoni 3:16, duke kërkuar shfaqjen më të madhe të dashurisë së Atit Qiellor.

Si do ta përmblidhje atë që gjete?

Nxënësit mund të thonë diçka si: Ati Qiellor e demonstroi dashurinë e Tij për ne nëpërmjet flijimit të Birit të Tij, Jezu Krishtit.

  • Si e demonstron flijimi shlyes i Shpëtimtarit dashurinë që kanë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për ne?

Abrahami urdhërohet të sakrifikojë të birin

Shpjegoni se sot nxënësit do të studiojnë një tregim që mund të na mësojë rreth dashurisë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti demonstruan nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese.

The Old Testament prophet standing beside an altar.  Abraham's son Isaac is strapped to the altar.  Abraham is holding a dagger in the air as he prepares to sacrifice Isaac. An angel is appearing before Abraham and commanding him to not sacrifice his son.
  • Çfarë di për këtë përvojë nga jeta e Abrahamit dhe Isakut?

Pasi nxënësit të japin përgjigjet e tyre, shpjegoni sa vijon.

Tregimi për Abrahamin dhe Isakun mund të na mësojë rreth dashurisë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti demonstruan kundrejt nesh nëpërmjet flijimit shlyes të Shpëtimtarit.

Lexo te Jakobi [LiM] 4:5 duke kërkuar atë që dha mësim Jakobi rreth këtij tregimi.

  • Çfarë gjete?

Ndërsa nxënësit e studiojnë tregimin për Abrahamin dhe Isakun te Zanafilla 22, ftojini ata t’i kushtojnë vëmendje asaj që mund të mësojnë simbolikisht nga ky tregim rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Për t’i përgatitur nxënësit që ta bëjnë këtë, merreni parasysh të bëni dy kolona në tabelë. Titullojeni njërën kolonë Abrahami dhe Isaku dhe kolonën tjetër Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Mund edhe t’i ftoni nxënësit ta krijojnë këtë tabelë në ditarët e tyre të studimit.

Nxënësit mund ta plotësojnë veprimtarinë vijuese të studimit në mënyrë të pavarur ose me një partner. Merreni parasysh të jepni një shembull nga tabela e plotësuar (që gjendet më vonë në mësim) përpara se nxënësit ta fillojnë studimin e tyre.

Lexo me lutje te Zanafilla 22:1–14, duke kërkuar ngjashmëritë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Theksoji frazat kuptimplota të shkrimeve të shenjta. Shënoji mendimet e tua për atë që mëson nga këto fraza rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Tabela vijuese përmban shembuj pikëpamjesh që nxënësit mund t’i gjejnë ndërkohë që e studiojnë këtë tregim. Sipas nevojës, mund t’i përdorni këta shembuj për t’i ndihmuar nxënësit gjatë studimit të tyre. Për shembull, mund të jepni pikëpamjen rreth vendit të moriahve (shihni te Zanafilla 22:2) përpara ose pasi të studiojnë nxënësit.

Abrahami dhe Isaku

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti

Zanafilla 22:2, 12 – “birin tënd të vetëm”

Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur i Atit Qiellor (shih te Gjoni 3:16).

Zanafilla 22:2 – “vendin e moriahve”

“Vendi që tradicionalisht njihet si vendi ku Abrahami ofroi Isakun, është … në të njëjtën zonë ku Ati do të bënte flijimin e Birit të Tij” (Old Testament Student Manual, bot. i 3‑të. [2003], f. 77).

Zanafilla 22:2 – “sakrifikoje [si olokaust]”

Olokaustet ishin një formë e flijimit të kafshëve. Flijimi i kafshëve ishte simbolikë e Jezu Krishtit (shih te Moisiu 5:4–7).

Zanafilla 22:6 –“mori drutë e sakrificës dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij”

Krishti e mbajti kryqin e Tij (shih te Gjoni 19:16–18).

Zanafilla 22:7–8 – “Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën”

Ati Qiellor e dërgoi Birin e Tij, Qengjin e Perëndisë, si një flijim shlyes (shih te Gjoni 1:29).

Zanafilla 22:9 – “e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar”

Krishtin e gozhduan në kryq (shih te 1 Nefi 11:33).

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të studiojnë, jepuni një mundësi të thonë atë që u mësoi Shpirti ndërsa i studiuan këto vargje. Mund të bëni pyetje si këto në vijim si pjesë e këtij diskutimi.

  • Çfarë mësove rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga historia e Abrahamit dhe Isakut?

  • Cilat ishin disa nga simbolet e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që qenë më kuptimplotat për ty? Përse?

Dashuria e Perëndisë për mua

Jepuni nxënësve një mundësi për të reflektuar mbi dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ta. Për t’i përgatitur ata të reflektojnë, mund të këndoni ose dëgjoni një himn që përqendrohet tek ajo dashuri, si “Per’ndia Ne na Do, aq sa Birin e Tij e Dha” (Himne, nr. 108).

Ju gjithashtu mund të merrni parasysh të tregoni thënien nga Presidenti Dallin H. Ouks te pjesa Burime Shtesë.

  • Si mund të ndikojë në jetën tënde të kujtuarit e dashurisë që kanë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për ty?

  • Çfarë të ka ndihmuar ose mund të të ndihmojë ta ndiesh dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Mbylleni mësimin duke i ftuar nxënësit të mendojnë për atë që kanë mësuar dhe ndier sot rreth dashurisë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ta. Ftojini ata t’i shënojnë mendimet dhe mbresat e tyre shpirtërore në ditarët e tyre të studimit. Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për secilin prej nesh. Inkurajojini nxënësit të kërkojnë përvoja që do t’i ndihmojnë ta ndiejnë vazhdimisht dashurinë e Perëndisë për ta.