“Zanafilla 15–18; 21: ‘Zoti i Bëri … Ato që i Kishte Premtuar’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zanafilla 15–18; 21: ‘Zoti i Bëri … Ato që i Kishte Premtuar’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 18–23: Mësimi 25
Zanafilla 15–18; 21
“Zoti i Bëri … Ato që i Kishte Premtuar”
Zoti u ka bërë besnikëve premtime të lavdishme, por nganjëherë rrethanat e jetës sonë mund të na shtyjnë të pyesim veten se si mund të përmbushen këto premtime. Abrahami dhe Sara mund të jenë ndier në atë mënyrë pasi Zoti u premtoi në moshën e tyre të vjetër që Sara do të kishte një fëmijë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që t’iu rritet mirëbesimi se Zoti do t’i mbajë premtimet e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Premtimet e Zotit për ne
Paraqitni skenarët vijues për të ilustruar atë se pse një njeri mund ta vërë në pikëpyetje faktin a do t’i mbajë Perëndia premtimet. Për një skenar tjetër, mund të shikoni “Continue in Patience” [“Vazhdoni me Durim”] (2:41), nga kodi kohor 1:07 deri në 1:55. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Mund edhe t’i ftoni nxënësit të krijojnë skenarët e tyre të ngjashëm me këta.
-
Një e re ka zgjedhur të jetë e ndershme në detyrat e shkollës duke besuar se Zoti do ta bekojë. Ajo vë re se notat e saj janë më të ulëta se nxënësit e tjerë që po kopjojnë.
-
Një i ri mori bekimin e tij patriarkal, ku thuhej se ai do të shërbente në një mision kohëplotë. Gjatë një kontrolli mjekësor, mjekët zbulojnë se ai ka ndërlikime fizike që nuk do ta lejojnë të shërbejë.
-
Një e re e ka vënë në provë premtimin e Moronit për ta lexuar Librin e Mormonit dhe për t’u lutur për të ditur që është i vërtetë. Ajo ndien se nuk ka marrë përgjigje.
-
Cilat janë disa pyetje që mund të kenë këta të rinj rreth Perëndisë dhe premtimeve të Tij?
-
Ftojini nxënësit të mendojnë për situata në të cilat ata ose njerëz që i njohin, mund ta kenë pasur të vështirë të kuptojnë se si do t’i përmbushë Zoti bekimet e premtuara. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shkruajnë rreth këtyre situatave në ditarët e tyre të studimit. Ata mund të shkruajnë edhe çfarëdo pyetje që kanë.
Inkurajojini nxënësit të bëjnë përpjekje që mund ta ftojnë Frymën e Shenjtë në të mësuarit e tyre. Dëshmoni se, ndërsa e bëjnë këtë, Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë ata të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre dhe ta rritin mirëbesimin se Zoti do t’i përmbushë premtimet e Tij.
Premtimet e Zotit për Abrahamin dhe Sarën
Teksa nxënësit e studiojnë tregimin për Sarën dhe Abrahamin, mund t’i ndihmoni ata të ushtrohen për t’i lexuar shkrimet e shenjta brenda kontekstit të duhur. Paragrafi vijues mund t’i njohë nxënësit me këtë zotësi:
Ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta, mund të jetë e dobishme të kuptojmë kontekstin (rrethanat ose sfondin e një fragmenti të veçantë). Konteksti mund t’i sqarojë dhe të sjellë një kuptueshmëri më të thellë për historitë ose mësimet në shkrimet e shenjta. Për shembull, ndërkohë që studioni historinë e Abrahamit dhe Sarës, mund të jetë e dobishme të dihet se gjatë pjesës më të madhe të jetës, Abrahami dëshironte të ishte baba (shih tek Abraham 1:2). Por teksa ai dhe bashkëshortja e tij, Sara, i kaluan vitet normale për të lindur fëmijë, u duk se ata nuk do t’i përjetonin bekimet e premtuara të të pasurit të fëmijëve të tyre gjatë jetës në vdekshmëri.
Fletushka e titulluar “Premtimet e Zotit për Abrahamin dhe Sarën” mund t’i ndihmojë nxënësit të ushtrojnë përdorimin e kontekstit për ta kuptuar më mirë atë që po lexojnë në shkrimet e shenjta. Ju mund të jepni modelin për këtë duke studiuar vargjet te Zanafilla 15:1–6 si klasë. Pastaj mund t’i vini nxënësit në grupe të vogla për të studiuar vargjet e tjera.
Përpara se nxënësit të studiojnë, mund të shpjegoni se si pjesë e besëlidhjes së Tij me Abramin dhe Sarain, Zoti ua ndryshoi emrat në Abraham dhe Sara (shihni te Zanafilla 17:5, 15). Mund edhe të shpjegoni se fjala qesh te Zanafilla 17:17; 18:12 dhe 21:6 vjen nga rrënja e fjalës tzachak në hebraisht, që mund të ketë edhe kuptimin “të gëzohesh” (shihni edhe te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 17:23).
Pasi nxënësit të kenë studiuar dhe diskutuar me grupet e tjera, merreni parasysh të ftoni disa vullnetarë që t’ia tregojnë pikëpamjet e tyre klasës. Më pas mund të bëni pyetjet vijuese:
-
Si mendon se të ndihmoi konteksti që ta kuptosh atë që studiove?
-
Si mund të ishe ndier po të kishe përjetuar atë që përjetoi Abrahami dhe Sara në këto vargje?
Zoti i mban premtimet e Tij
Lexo te Zanafilla 21:1–6, duke kërkuar mënyrën se si Zoti i mbajti premtimet e Tij ndaj Abrahamit dhe Sarës.
-
Çfarë të vërtetash mëson rreth Zotit nga ky tregim?
Kur nxënësit t’i thonë parimet e kthimit në besim me fjalët e tyre, kjo mund ta thellojë kuptueshmërinë e tyre për shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Ndonjëherë nxënësit mund ta kenë të vështirë t’i përcaktojnë të vërtetat nga një fragment i shkrimit të shenjtë. Dhënia e një thënieje nga profetët si ajo në vijim, mund të ndihmojë të sqarohet ajo që ata po mësojnë, dhe t’i ndihmojë të kenë sukses në shprehjen e të vërtetave. (Për trajnim shtesë mbi ndihmën ndaj nxënësve që të thonë parimet e kthimit në besim, shihni pjesën “Përqendrohuni tek të vërtetat që çojnë drejt kthimit në besim dhe ndërtojnë besimin te Jezu Krishti” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.)
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dha një mësim që mësoi rreth premtimeve të Perëndisë:
“Premtimet e Perëndisë nuk përmbushen gjithmonë aq shpejt ose në mënyrën si mund të shpresojmë; ato vijnë sipas kohës së Tij dhe në mënyrat e Tij”. (“Vazhdoni me Durim”, Liahona, maj 2010, f. 58)
Një e vërtetë që mund të përcaktojnë nxënësit, është se Zoti i përmbush premtimet në kohën e Tij dhe në mënyrën e Tij.
-
Si mund të kemi dobi nga rastet kur premtimet e Zotit nuk përmbushen menjëherë në jetën tonë?
-
Çfarë di rreth Zotit që mund të të ndihmojë ndërkohë që pret të përmbushen premtimet e Tij?
Nxënësit mund të kenë dobi nga kërkimi i shkrimeve të shenjta rreth Zotit që mund t’i ndihmojnë t’i përgjigjen pyetjes së mëparshme. Fragmente të mundshme mund të përfshijnë: Gjoni 14:18; 1 Nefi 9:6; Mosia 24:14; Doktrina e Besëlidhje 24:8; 68:6.
Përvojat dhe dëshmitë
Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë për atë që kanë mësuar, merreni parasysh të paraqitni thënien vijuese ose të shihni materialin filmik “Good Things to Come” [“Gjëra të Mira do të Vijnë”] (4:55), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ftojini nxënësit të mendojnë për përvoja vetjake që mund të lidhen me thënien ose materialin filmik.
Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha pikëpamjen vijuese rreth bekimeve të premtuara të Zotit:
“Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë”. (“An High Priest of Good Things to Come”, Ensign, nëntor 1999, f. 38)
-
Çfarë përvojash ke pasur ti ose të tjerë që të kanë ndihmuar të besosh se Zoti do t’i mbajë premtimet e Tij në mënyrën dhe në kohën e Tij?
Përgatitini nxënësit të dëshmojnë për të vërtetat që kanë mësuar ose ndier. Mund ta bëni këtë duke paraqitur udhëzimet vijuese:
Zgjidh një nga veprimtaritë vijuese për ta përfunduar në ditarin tënd të studimit:
-
Reflekto për skenarët që u dhanë në fillim të mësimit. Shkruaji një letër njërit prej atyre individëve dhe përfshi arsyen pse beson se Zoti do t’i mbajë premtimet e Tij.
-
Shkruaj një paragraf të shkurtër në ditarin tënd. Përfshi gjërat që ke mësuar dhe ndier sot, që mund të të ndihmojnë kur je duke pritur që premtimet e Zotit të përmbushen.
Ftojini disa vullnetarë që t’ia shprehin ndjenjat e tyre klasës. Mund ta mbyllni duke dhënë dëshmi se Zoti do t’i mbajë premtimet e Tij.