“Mësimi 91 – Doktrina e Besëlidhje 82:1–7: ‘Atij që Shumë i Është Dhënë, Shumë i Kërkohet’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 82:1–7”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 91: Doktrina e Besëlidhje 81–83
Doktrina e Besëlidhje 82:1–7
“Atij që Shumë i Është Dhënë, Shumë i Kërkohet”
Në prill të vitit 1832, Profeti Jozef Smith dhe [burra] të tjerë udhëtuan drejt qytetit Indipendëns në Misuri. Ata po ndiqnin urdhrin e Zotit për të themeluar një organizatë që të ndërtonte Sionin dhe të kujdesej për të varfrit (shih te Doktrina e Besëlidhje 78). Pasi ndihmoi të zgjidheshin disa mosmarrëveshje ndërmjet anëtarëve, Profeti mori këtë zbulesë që përshkruan pritshmëritë e Zotit për popullin e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kuptojnë mënyrat se si Zoti i ka bekuar dhe se si Ai pret që ata t’i përdorin ato bekime.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë të ka dhënë Zoti
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për këtë mësim, merreni parasysh të këndoni një himn për bekimet që ka dhënë Zoti. Një shembull është “Sepse Mua Shum’ m’Ësht’ Dhën’” (Himne, nr. 136). Himni mund të jetë pjesë e takimit shpirtëror.
Ftoni tre nxënës që të dalin përpara klasës. Jepini njërit një kopje të Librit të Mormonit, një tjetri një zarf me një shumë të madhe parash të shkruar në pjesën e jashtme (për shembull, 1 000 000 USD) dhe jepini një nxënësi tjetër disa karamele.
-
Nisur nga ajo që u është dhënë, çfarë do të shpresoje se do të bënin këta nxënës?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit përpara klasës për të treguar një ose dy ide për mënyrën se si ata mund t’i bekojnë të tjerët me atë që u është dhënë.
Vini në dukje se ne nuk do të kishim të njëjtat pritshmëri për dikë që nuk ka marrë të njëjtat gjëra.
Si fëmijë të Atit Qiellor dhe si anëtarë të Kishës së Tij, neve na është dhënë shumë. Ftojini nxënësit të shpenzojnë disa minuta për të renditur bekimet që kanë marrë nga Zoti. Mund të jetë e dobishme të krijoni disa kategori për të cilat nxënësit të mendojnë ndërsa bëjnë listën e tyre (për shembull, bekimet e të qenit në Kishë, përvojat shpirtërore që kanë pasur, njerëzit që e bekojnë jetën e tyre, zotërimet tokësore dhe mundësitë që kanë, e me radhë).
Paraqitini pyetjet vijuese që nxënësit t’i përsiatin.
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Si kanë ndikuar këto përvoja tek ti?
-
Çfarë mund të të mësojnë ato rreth Zotit?
-
Si mund të presë Zoti që ti të sillesh ndryshe nga dikush që nuk i ka marrë këto bekime?
Ndërsa e studion këtë mësim, kërko ide shtesë lidhur me këto pyetje.
Doktrina e Besëlidhje 82
Merreni parasysh ta përmblidhni informacionin vijues:
Shenjtorët në këtë kohë kishin marrë bekime të mëdha nga Zoti. Këto bekime përfshinin Kishën e rivendosur, Librin e Mormonit dhe një profet të gjallë që u zbulonte fjalët e Zotit. Megjithatë, ata kishin gjithsesi vështirësi për të jetuar sipas mënyrës që dëshironte Zoti. Në vijim janë disa shembuj:
-
Për disa muaj, ndjenja dashakeqe ishin zhvilluar midis Sidni Rigdonit në Ohajo dhe Peshkopit Eduard Partrixh në Misuri. Ata ishin pajtuar kohët e fundit.
-
Disa anëtarë të Kishës në Misuri kishin qenë kritikë ndaj Jozef Smithit.
-
Ndërsa anëtarët e Kishës u zhvendosën në Misuri, shumë prej tyre nuk arritën t’u bindeshin këshillës dhe urdhërimeve të Zotit, duke përfshirë të jetuarit e ligjit të përkushtimit.
Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës udhëtuan për në Misuri dhe mbajtën një këshill të priftërinjve të lartë të Kishës. Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 82 u mor gjatë sesionit të pasdites.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 82:1–7, duke kërkuar atë që priti Zoti nga shenjtorët për shkak se ata ishin bekuar kaq shumë.
-
Çfarë mëson nga këto vargje?
Nxënësit mund të tregojnë të vërteta të ndryshme. Pyetini ata se përse të vërtetat që tregojnë, janë të rëndësishme për t’u kuptuar.
Nxënësit mund ta tregojnë ose jo parimin që Zoti kërkon shumë nga ata të cilëve Ai u ka dhënë shumë. Nëse nxënësit nuk e tregojnë, ftojini ata të tregojnë atë që mësuan nga vargu 3.
Nëse nxënësit pyesin rreth kthimit te mëkatet e mëparshme (shihni vargun 7), ndihmojini ata të kuptojnë se nëse vazhdojmë të bëjmë të njëjtin mëkat, ne duhet ta vazhdojmë pendimin tonë. Ne mund të mbështetemi me durim te Shpëtimtari dhe të vazhdojmë të përpiqemi fort për t’u përmirësuar, duke e ditur se Ai do të na ndihmojë. (Shihni te Nil L. Andersen, “Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Liahona, nëntor 2009, f. 40.)
-
Pse mendon se Zoti ka këto pritshmëri?
-
Pse është e rëndësishme që ne t’i kuptojmë ato?
Për ide shtesë, lexoje thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ati ynë Qiellor është një Perëndi me pritshmëri të larta. …
… Qëllimi i Perëndisë është që ne, fëmijët e Tij, të mund të jemi në gjendje të përjetojmë gëzimin përfundimtar, të jemi me Të përjetësisht dhe të bëhemi madje ashtu si është Ai. …
Nëse ne dëshirojmë sinqerisht dhe përpiqemi fort për të përmbushur pritshmëritë e larta të Atit tonë Qiellor, Ai do të sigurojë që ne të marrim të gjithë ndihmën që na duhet, qoftë nëse është ngushëlluese, forcuese, apo ndëshkuese.” (D. Tod Kristoferson, “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Liahona, maj 2011, f. 97, 99)
-
Përse është gjithashtu e dobishme të kujtosh kuptueshmërinë dhe natyrën e dhembshur të Zotit? (Shih vargjet 1, 7.)
Të kujtuarit e asaj që na ka dhënë Zoti
Sa vijon është një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë përse Perëndia pret më shumë nga ata “që shumë [u] është dhënë” (Doktrina e Besëlidhje 82:3). Nxënësit mund ta bëjnë veprimtarinë në grupe të vogla ose individualisht.
Bekimet nga Zoti
Përzgjidhni të paktën dy prej bekimeve vijuese, ose zgjidhni bekime të tjera jo të renditura.
-
Shkrimet e shenjta
-
Profetët e gjallë
-
Falja e mëkateve
-
Dhurata e Frymës së Shenjtë
-
Një njohuri për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij për ne
-
Tempujt
Për disa minuta, studioni rreth bekimeve që zgjodhët. Përdorini shkrimet e shenjta, fjalimet e konferencës së përgjithshme dhe burime të tjera të Kishës si materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022). Kërkoni:
-
Mënyrat se si Zoti e përmirëson jetën tonë nëpërmjet këtyre bekimeve.
-
Çfarë pret Zoti nga ata të cilëve u janë dhënë këto bekime.
Shtoni ndonjë prej vetë mendimeve ose ideve tuaja nga përvojat vetjake. Ju mund të përfshini se si njerëzit me këto bekime mund të ndihmojnë ose të jenë një shembull për ata që nuk u janë dhënë të njëjtat përvoja dhe njohuri.
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’i kërkoni një vullnetari të tregojë dhe më pas të përmendë një nxënës tjetër që e ndien se ka qenë një bekim i madh për klasën. Më pas pyeteni nxënësin që u rekomandua, nëse do të ishte i gatshëm ta tregonte atë që ka mësuar. Sigurohuni që ai ta dijë se nuk është i detyruar të shprehet. Përsëriteni këtë ushtrim disa herë.
Nëse do të ishte e dobishme të tregoni një shembull të dikujt që e jetoi këtë parim, shfaqni materialin filmik “Treasure in Heaven: The John Tanner Story” [“Thesar në Qiell: Historia e Xhon Tanerit”] nga kodi kohor 8:21 deri në 12:24. Shpjegoni se Xhon Taneri ishte një njeri që Zoti e bekoi me pasuri të mëdha përpara se të kthehej në besimin tek ungjilli. Ftojini nxënësit të kërkojnë mënyrën se si Xhoni e përdori pasurinë e tij.
Pritshmëritë dhe dashuria e Perëndisë
Ndërsa nxënësit u përgjigjen pyetjeve vijuese, vlerësoni se sa mirë e kanë kuptuar parimin e trajtuar në këtë mësim. Kërkoni mënyra për të theksuar dashurinë e Zotit dhe se si ne mund të bekojmë më shumë nga fëmijët e Tij ndërsa jetojmë sipas asaj që na ka dhënë Ai.
Udhërrëfejini nxënësit ta dallojnë ndikimin e Zotit në jetën e tyre: Për më shumë trajnim mbi mënyrën se si ta bëni këtë, shihni trajnimin e titulluar “Ndihmojini nxënësit t’i dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit në jetën e tyre” që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Përqendrohuni te Jezu Krishti. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë. Ju mund t’u bëni nxënësve pyetje që përqendrohen në lidhjen e dashurisë, fuqisë dhe mëshirës së Zotit në jetën e tyre.
-
Përse je mirënjohës për pritshmëritë e Zotit?
-
Si e tregojnë pritshmëritë e Zotit dashurinë e Tij?
Ftojini nxënësit të shohin listën e tyre të asaj çfarë u ka dhënë Zoti atyre. Ata mund të shtojnë çdo bekim shtesë që u ka vajtur në mendje gjatë gjithë mësimit. Kërkojuni atyre ta shënojnë atë që do të donin të kujtonin ose bënin për shkak të asaj që u ka dhënë Zoti atyre.