Seminari
Mësimi 89 – Doktrina e Besëlidhje 78: Shtëpia e Ruajtjes e Zotit


“Mësimi 89 – Doktrina e Besëlidhje 78: Shtëpia e Ruajtjes e Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 78”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 89: Doktrina e Besëlidhje 77–80

Doktrina e Besëlidhje 78

Shtëpia e Ruajtjes e Zotit

Dyqani i Njull K. Uitnit

Zoti i udhëzoi Jozef Smithin, Sidni Rigdonin, Njull K. Uitnin dhe priftërinj të tjerë të lartë të organizoheshin në një grup të quajtur “Ndërmarrja e Bashkuar”. Ndërmarrja administronte pronat e Kishës, shtëpitë e ruajtjes dhe përpjekjet për botime dhe siguronte burime për të ndihmuar për plotësimin e nevojave materiale të shenjtorëve. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta rritin dëshirën e tyre për t’u bërë si Shpëtimtari duke u përkujdesur për njerëzit nevojtarë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ndërmarrja e Bashkuar

Një mënyrë për ta nisur mësimin është duke i ndihmuar nxënësit të krijojnë një skenar të një familjeje me nevoja materiale. Si pjesë e skenarit, përfshini vështirësitë financiare me të cilat po përballet familja dhe nevojat e veçanta që ka ajo. Këtij skenari do t’i referohemi më vonë në mësim.

Shpjegoni se nxënësit do të mësojnë më shumë rreth mënyrave se si Zoti na ndihmon të kujdesemi për njerëzit nevojtarë ndërsa studiojnë kapitullin te Doktrina e Besëlidhje 78. Ftojini nxënësit të kërkojnë zbulesë për të ditur se kë mund t’i vërë Zoti që ata ta ndihmojnë dhe çfarë mund të bëjnë ata.

Më 1 mars 1832, Profeti Jozef Smith u takua me një grup priftërinjsh të lartë në Kirtland të Ohajos. Gjatë takimit, Profeti diktoi zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 78. Paskëtaj u krijua “Ndërmarrja e Bashkuar”. Në bazë të ligjit të përkushtimit, “Ndërmarrja e Bashkuar” administronte pronat e Kishës, përpjekjet financiare dhe përpjekjet për botime në Ohajo dhe Misuri. Nëpërmjet ndërmarrjes, Zoti krijoi një shtëpi të ruajtjes për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë dhe Jozef Smithi, Sidni Rigdoni dhe Njull K. Uitni u udhëzuan të udhëtonin për në Misuri (Sion) për ta organizuar atë.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 78:1–6, duke kërkuar arsyen përse Zoti dëshiroi që shërbëtorët e Tij të organizoheshin në këtë mënyrë.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth dëshirave të Zotit për popullin e Tij?

  • Si mendon, përse përkujdesja për të varfrit është e nevojshme për ta “çuar përpara kauzën” e Sionit? Si mund t’i sjellë lavdi Atit Qiellor?

Shtëpia e ruajtjes e Zotit

Merreni parasysh të sillni në klasë një kuti dhe ta emërtoni atë “Shtëpia e Ruajtjes e Zotit”. Pyetini nxënësit se çfarë mendojnë se është shtëpia e ruajtjes e Zotit. Nëse dëshironi, mund të ftoni një peshkop ose president dege që të diskutojë se si funksionon shtëpia e ruajtjes e Zotit në zonën tuaj.

Lexoje përkufizimin vijues të shtëpisë së ruajtjes të Zotit, duke kërkuar mënyrën se si i ndihmon Shpëtimtari njerëzit nevojtarë.

“Të gjitha burimet që janë në dispozicion të Kishës për të ndihmuar ata që kanë nevoja materiale, quhen shtëpia e ruajtjes e Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 82:18–19). Këto përfshijnë ofertat prej anëtarëve, të kohës, talenteve, dhembshurisë, materialeve dhe burimeve financiare për të ndihmuar njerëzit nevojtarë.

Shtëpia e ruajtjes e Zotit ekziston në çdo lagje dhe kunj. Udhëheqësit mund t’i ndihmojnë shpesh individët dhe familjet të gjejnë zgjidhje për nevojat e tyre duke u mbështetur te njohuria, aftësitë dhe shërbimi i ofruar nga anëtarët e lagjes dhe të kunjit.” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 22.2.1, ChurchofJesusChrist.org)

Diskutoni mënyra specifike se si të rinjtë e të rejat mund të japin kontribut në shtëpinë e ruajtjes të Zotit (pra me kohën, talentet, dhembshurinë, materialet, burimet financiare). Jepuni nxënësve një shirit letre. Kërkojuni nxënësve të shkruajnë të paktën një gjë të veçantë që ata mund ta japin vetë si kontribut në shtëpinë e ruajtjes të Zotit, dhe më pas ta vendosin letrën e tyre në kuti.

Ftojeni një nxënës që t’i heqë letrat nga shtëpia e ruajtjes dhe drejtoni një diskutim rreth mënyrës se si kontribute të veçanta mund ta ndihmojnë familjen në skenarin që krijoi klasa. Përsëriteni këtë ushtrim disa herë.

Qëllimi i thënies vijuese është që nxënësit të mendojnë vetë për të.

Mendo se sa i gatshëm je që të kontribuosh kohën, talentet dhe burimet e tua për t’i ndihmuar njerëzit nevojtarë (shumë i gatshëm, disi i gatshëm ose jo shumë i gatshëm).

Nxitini nxënësit të kërkojnë frymëzim nëpërmjet Frymës së Shenjtë për t’i ndihmuar ata të ndihen më të gatshëm për t’i ndihmuar njerëzit nevojtarë si edhe për të ditur mënyrat se si mund të japin kontribut në shtëpinë e ruajtjes të Zotit.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 78:7–8, 14–15, duke kërkuar bekimet që premton Zoti.

  • Si mund të ndikojnë këto bekime tek ti dhe njerëzit që ti njeh?

  • Çfarë u ka premtuar Zoti atyre që kujdesen për njerëzit nevojtarë?

    Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë si ajo në vijim: Përkujdesja për të varfrit dhe nevojtarët na ndihmon të përgatitemi për një vend në mbretërinë çelestiale.

    Vargjet te Mateu 25:31–40 mund të përdoren për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë këtë parim.

  • Si mendon se përkujdesja për njerëzit nevojtarë ndihmon që të përgatitemi për të trashëguar mbretërinë çelestiale?

  • Në ç’mënyrë është Shpëtimtari një shembull i përkujdesjes për njerëzit nevojtarë?

  • Si mund ta rritë dikush dëshirën e tij për t’i dashur dhe për t’u përkujdesur për njerëzit nevojtarë siç bën Shpëtimtari?

Çfarë mund të bëjmë ne

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 78:17–22, duke kërkuar fjalë kyç ose fraza që mund të na ndihmojnë ta ndjekim Shpëtimtarin.

Për t’i ndihmuar nxënësit të përfshihen në diskutim, ju mund të paraqitni pyetjet vijuese dhe t’i lejoni nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si ata do të përgjigjeshin. Ju mund të përzgjidhni në mënyrë rastësore nxënës që të përgjigjen duke i kërkuar dikujt të zgjedhë një muaj të vitit. Nxënësit e gatshëm që kanë lindur në atë muaj, mund të zgjedhin një pyetje për t’iu përgjigjur, por nuk duhet të ndihen të detyruar të marrin pjesë.

ikona e trajnimit Ndihmojeni çdo nxënës të japë kontribut në përvojën e të mësuarit: Për t’u ushtruar më shumë për këtë, shihni trajnimin e titulluar “Krijoni një mjedis ku të gjithë të respektohen dhe të dinë se ndihmesat e tyre vlerësohen” që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë duke komunikuar se ju i vlerësoni nxënësit përpara se ata të komentojnë ose ndërsa ngrenë dorën për të komentuar.

  • Cilat fjalë ose fraza janë më kuptimplota për ty? Përse?

  • Çfarë gjete që mund të na ndihmojë t’i bindemi urdhrit të Shpëtimtarit për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë?

  • Çfarë gjete që reflekton dëshirën e Shpëtimtarit që ne të bëhemi si Ai?

Jepuni nxënësve një shirit tjetër letre. Jepuni kohë atyre për t’i dalluar nxitjet që mund të kenë marrë rreth ndihmës ndaj dikujt në nevojë ose mënyrat e caktuara që ata e ndiejnë se mund të kontribuojnë në shtëpinë e ruajtjes të Zotit. Ftojini ata t’i shkruajnë mbresat e tyre. Nxënësit mund ta vendosin më pas letrën e tyre në kutinë që përfaqëson shtëpinë e ruajtjes të Zotit si një mënyrë për të treguar gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, ose ata mund ta marrin letrën në shtëpi si kujtues.