“Mësimi 81 – Doktrina e Besëlidhje 68:25–31: Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 68:25–31”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 81: Doktrina e Besëlidhje 67–70
Doktrina e Besëlidhje 68:25–31
Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi
Të mësuarit e ungjillit të Jezu Krishtit ndihmon që fëmijët të përgatiten për t’u përballur me sfidat dhe tundimet e jetës me besim te Shpëtimtari. Prindërit kanë potencialin unik për t’i ndihmuar nxënësit e tyre ta mësojnë ungjillin. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë më mirë urdhërimin e Zotit për prindërit që t’ua japin mësim ungjillin fëmijëve të tyre në shtëpi.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ndihmë në udhëtimin tonë në vdekshmëri
Merreni parasysh t’u kujtoni nxënësve se kur erdhëm në tokë, ne i humbëm kujtimet tona të ekzistencës para lindjes me Atin tonë Qiellor. Për më tepër, ne erdhëm në një botë të rënë që përmban ndikimin mashtrues dhe shkatërrues të Satanit. Këto realitete krijojnë sfida për të jetuarit me besnikëri ndaj planit të Atit Qiellor.
-
Cilat janë disa gjëra që Ati Qiellor na ka dhënë për të na ndihmuar të mësojmë rreth Tij dhe lundruar nëpër sfidat e vdekshmërisë?
Mund t’i renditni përgjigjet e nxënësve në tabelë. Nëse nxënësit nuk e përmendin, shtoni “prindër ose kujdestarë” në listë.
-
Si je bekuar nga cilido prej këtyre ndikimeve?
-
Si mendon, përse prindërit ose kujdestarët mund të ndikojnë për t’i ndihmuar fëmijët të përballen me sfidat e vdekshmërisë?
Merreni parasysh t’u tregoni nxënësve se sot do të mësojnë nga një fragment i shkrimit të shenjtë që përshkruan përgjegjësitë e prindërve për t’i ndihmuar fëmijët ta mësojnë ungjillin. Jini të ndjeshëm ndaj realitetit që çdo nxënës vjen nga një rrethanë familjare e ndryshme dhe se disa nxënës mund të mos kenë një situatë të këndshme në shtëpi.
Njihini rrethanat e çdo nxënësi: Për më shumë trajnim për të mësuar se si të jeni të ndjeshëm ndaj rrethanave të çdo nxënësi, shihni trajnimin e titulluar “Shihini nxënësit ashtu siç i sheh Perëndia” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë “Ndaluni, reflektoni dhe jepuni përgjigje pyetjeve që ia bëjmë vetvetes”.
Merreni parasysh të shpjegoni sa vijon:
Ka një shumëllojshmëri të madhe në situatat familjare. Disa njerëz, si Nefi, u lindën nga prindër që u përpoqën fort t’i udhërrëfenin ata për ta ndjekur Shpëtimtarin (shih te 1 Nefi 1:1). Disa, si Presidenti Rasëll M. Nelson ose Pleqtë Dejvid A. Bednar dhe Kuentin L. Kuk, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u rritën me një ose më shumë prindër që nuk ishin anëtarë të Kishës ose që nuk ishin pjesëmarrës aktivë në të. Të tjerët, si Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, e humbën një prind herët në jetën e tyre. Disa të rinj rriten larg prindërve të tyre, si Moisiu (shih tek Eksodi 2:10) dhe Samueli (shih te 1 Samuelit 1:24–28). Dhe të tjerë, si Abrahami dhe Limhi, patën një prind që përpiqej fuqishëm të bënte të keqen (shih tek Abraham 1:1–17, 27; Mosia 7:9; 11:1–5).
Në ditarin tënd të shkrimeve të shenjta, përshkruaje situatën tënde familjare. Përsiat se çfarë po mëson nga përvojat e tua familjare. Mund t’i përfshish ndjenjat e tua rreth të qenit një prind në të ardhmen dhe se si mund të duash të prindërosh.
Nëse nxënësit ndihen rehat, ata mund të tregojnë disa nga mendimet e tyre.
Ftojini nxënësit të mendojnë se si ajo që ata mësojnë sot, mund t’i ndihmojë t’i përkrahin ata që po përpiqen fort t’u mësojnë atyre ungjillin e Jezu Krishtit, duke përfshirë prindërit ose kujdestarët. Ata mund të mendojnë gjithashtu rreth mënyrës se si mund ta zbatojnë atë që mësojnë në veten e tyre në të ardhmen.
Çfarë u urdhëroi Zoti prindërve t’u japin mësim fëmijëve të tyre
Ndërsa u mblodhën për një konferencë në Ohajo, katër burra kërkuan drejtimin e Zotit nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Pasi u dha këtyre burrave disa këshilla rreth detyrave të tyre, Zoti iu dha këshilla më të përgjithshme të gjitha familjeve që janë pjesë e Sionit.
Merreni parasysh ta shkruani fjalinë e paplotë: Zoti ka urdhëruar që prindërit t’u japin mësim fëmijëve të tyre … në tabelë. Nxënësit mund të shtojnë më pas fjalë ose fraza te thënia në tabelë ndërsa i gjejnë ato në vargjet vijuese. Përndryshe, ju mund t’i ftoni nxënësit ta shkruajnë fjalinë në ditarët e tyre të studimit dhe t’i shtojnë përgjigjet e tyre atje.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 68:25–31, duke kërkuar atë që Zoti i urdhëroi prindërve t’u japin mësim fëmijëve të tyre.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për ta plotësuar këtë fjali me parimet e ndryshme që Zoti dëshiron që prindërit t’i japin mësim, ftojini ata të përgjigjen për pyetjet vijuese:
-
Nëse njerëzit nuk e kanë ungjillin në shtëpinë e tyre, çfarë mënyrash të tjera ka siguruar Zoti për ta për t’i mësuar këto parime?
-
Kush ta ka dhënë mësim njërin prej parimeve në këto vargje ndërsa je rritur? A ke ndonjë kujtim të tij/saj duke të të dhënë mësim? Nëse po, cilat janë ato kujtime?
-
Si kanë ndikuar ose si mund të ndikojnë parimet në këto vargje në jetën tënde?
Nxënësit mund të përsiatin se si mësimet nga ai person ose vargjet i kanë ndihmuar ose mund t’i ndihmojnë ata ta ndiejnë dashurinë e Zotit dhe dëshirën e Tij që ata t’i mësojnë këto parime.
Zbatimi i vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 68:25–31
Për të gjykuar se si vargjet te Doktrina e Besëlidhje 68:25–31 mund t’i ndihmojnë adoleshentët në situata të ndryshme, jepuni nxënësve disa skenarë për t’i eksploruar. Mund t’i përdorni skenarët dhe pyetjet e dhëna më poshtë ose të hartoni disa tuajat që do të ishin të dobishme për nxënësit. Nxënësit mund t’i marrin parasysh këta skenarë si klasë, në grupe ose individualisht.
Veprimtaria A
Një i ri ka prindër që përpiqen fort të jenë shembuj të ndjekjes së Shpëtimtarit, por shpesh ankohet kur prindërit e tij e ftojnë në studimin familjar të shkrimeve të shenjta ose në lutje. Ai priret t’i shpërfillë ose të luajë në telefon kur ata përpiqen ta këshillojnë.
-
Si mund ta ndihmojnë atë mësimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 68:25–31 ta kuptojë se si ndihet Zoti rreth asaj që po mundohen të bëjnë prindërit e tij?
-
Çfarë shkrimesh të shenjta mund ta udhërrëfejnë atë t’i përgjigjet më mirë situatës? (Disa shembuj janë vargjet tek Efesianëve 6:1–3; Mosia 4:14–15; dhe shembulli i Shpëtimtarit në moshën 12 vjeç te Lluka 2:51–52.)
-
Cilat janë disa mënyra se si ai mund t’i përkrahë prindërit e tij? Si mund të sjellin këto veprime një ndryshim në familjen e tij?
Veprimtaria B
Prindërit e një të reje janë të shkurorëzuar. Ajo e ndan kohën e saj ndërmjet tyre. Mamaja e saj vë në lojë Kishën dhe nuk pret që e bija t’i ndjekë mësimet e ungjillit kur është në shtëpinë e saj. I ati e nxit atë ta jetojë ungjillin dhe të marrë pjesë në mënyrë aktive në seminar, kishë, si dhe në veprimtaritë e të rinjve. Krahasuar me jetën me mamanë e saj, jeta me të atin duket e rreptë dhe kufizuese.
-
Si munden vargjet te Doktrina e Besëlidhje 68:25–31 të ndihmojnë për ta udhërrëfyer këtë të re?
Lexo tek Eksodi 20:12.
-
Cilat janë disa mënyra se si kjo e re mund t’i nderojë të dy prindërit e saj ndërkohë që e ndjek ende Zotin?
-
Cilat ide të tjera, mësime nga udhëheqësit e Kishës ose përvoja mund ta ndihmojnë atë?
Veprimtaria C
Një i ri ka pasur një rini shumë të vështirë dhe nuk është më me prindërit e tij. Është e dhimbshme për të që të mendojë për ta.
-
Si mund të jetë e dobishme për këtë të ri të përsiatë se çfarë njerëzish të tjerë i ka dërguar Zoti për t’ia dhënë mësim parimet e renditura te Doktrina e Besëlidhje 68:25–31?
-
Si mund ta ndihmojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 68:25–31 këtë të ri të përgatitet për të ardhmen e tij?
Për ta përfunduar këtë veprimtari, përzgjidh një parim që Zoti i urdhëroi prindërit ta japin mësim te Doktrina e Besëlidhje 68:25–31 dhe më pas gjej një varg te shkrimi i shenjtë që mund ta përdorësh për ta dhënë mësim atë parim. Trego se si ky parim mund ta ndihmojë rininë sot.
Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që mësuan. Mund të jetë e dobishme t’u jepni nxënësve një mundësi për t’i treguar përvojat, pyetjet ose shqetësimet e tyre të lidhura me të mësuarit e ungjillit në shtëpi. Merreni parasysh t’i lini nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve ose shqetësimeve të bashkëmoshatarëve të tyre duke përdorur burimet e caktuara në mënyrë hyjnore dhe përvojat vetjake.
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se pavarësisht se cila është situata e tyre familjare, Zoti dëshiron që ata të fitojnë kthim të thellë dhe të qëndrueshëm në besimin tek Ai dhe ungjilli i Tij në mënyrën më të mirë që munden. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të kërkojnë zbulesë vetjake mbi mënyrën se si ata mund ta zbatojnë atë që kanë mësuar. Kjo mund të jetë duke i përkrahur prindërit ndërsa përpiqen fort ta përmbushin përgjegjësinë e tyre për t’i ndihmuar ata të vijnë te Jezu Krishti, duke i vlerësuar të tjerët që Zoti i përgatiti për t’ua dhënë mësim atyre parimet që i studiuan sot ose duke u përgatitur t’ua japin mësim fëmijëve të tyre në të ardhmen.