“Mësimi 71 – Doktrina e Besëlidhje 58:26–29: ‘Përfshihen me Zell në një Kauzë të Mirë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 58:26–29”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 71: Doktrina e Besëlidhje 58–59
Doktrina e Besëlidhje 58:26–29
“Përfshihen me Zell në një Kauzë të Mirë”
Shumë shenjtorë, përfshirë një grup nga Kollsvilli i Nju-Jorkut, kishin arritur së fundi në kontenë e Xheksonit, në Misuri. Ata dëshironin ta ndihmonin Shpëtimtarin të ndërtonte Sionin, por ishin të pasigurt se çfarë të bënin. Zoti u shpjegoi se prej tyre pritej të përdornin lirinë e tyre të zgjedhjes për të gjetur mënyra për të ndihmuar dhe shërbyer. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë si ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit për ta përshkuar vendin duke bërë mirë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për dikë që e njohin, që gjen mënyra për të shërbyer në mënyra të ngjashme me të Krishtit. Vërini ata ta përsiatin atë që mund të mësojnë rreth karakterit të Shpëtimtarit nga shembulli i këtij personi.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një ditë në jetën e Krishtit
Përpara orës mësimore, merreni parasysh të shkruani Ata përshkojnë vendin duke bërë mirë në tabelë. Ftojeni çdo nxënës të tregojë emrin e dikujt që njeh, jeta e të cilit përputhet me atë përshkrim. Disa vullnetarë mund të tregojnë arsyen pse ajo frazë ua kujton personin që zgjodhën.
Thuajuni nxënësve se Veprat e Apostujve 10 është një anal i mësimeve të Pjetrit në Cezare. Ftojini ata të shkojnë te Veprat e Apostujve 10:38 për të parë emrin e kujt do të kishte shkruar Pjetri në tabelë.
Imagjino si mund të ishte po të kishte lindur Jezusi në kohën tonë, të jetonte në lagjen tënde të banimit ose të frekuentonte shkollën tënde.
-
Çfarë imagjinon se do të bënte Ai që mund të tregohej si “e përshko[n] vendin duke bërë mirë”?
Për t’i ndihmuar nxënësit të dëshirojnë ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit, merreni parasysh t’u jepni atyre kohë për të shënuar mendimet e tyre rreth nxitjes vijuese në ditarët e tyre të studimit.
Përpiqu të imagjinosh si mund të të bënte të ndiheshe po të shpenzoje një të shtunë me Jezusin “[duke] e përshk[uar] vendin duke bërë mirë” gjatë gjithë ditës. Si mund të ndikojë kjo përvojë te mënyra si do të zgjidhje ta shpenzoje kohën tënde edhe në ditët kur nuk do të ishe me Të?
Zgjedhja për të bërë mirë
Kur u mor seksioni Doktrina e Besëlidhje 58, Jozef Smithi dhe disa nga pleqtë [elders] e Kishës kishin arritur kohët e fundit në Misuri. Ata dëshironin udhëzime mbi mënyrën se si ta themelonin Kishën dhe të ndërtonin Sionin në zonë. Shpëtimtari u mësoi se si mund ta përdornin lirinë e tyre të zgjedhjes për të bërë punën e Tij.
Lexo te Doktrina Besëlidhje 58:26–29 për të mësuar atë që Shpëtimtari u mësoi shenjtorëve rreth përdorimit të lirisë së tyre të zgjedhjes. Shkruaji fjalët dhe frazat që gjen, në pjesët e duhura të tabelës vijuese. (Shënim: “Nuk është e përshtatshme” do të thotë që nuk është e nevojshme ose e dëshirueshme.)
Merreni parasysh ta paraqitni tabelën vijuese në dërrasë ose t’u jepni nxënësve një kopje të tyren. Ftesa për ta plotësuar atë me një partner, mund t’i ndihmojë disa nxënës të përfshihen më shumë në këtë veprimtari.
Përdorimi i lirisë sonë të zgjedhjes për t’u bërë …
|
Më shumë si Jezusi |
Më pak si Jezusi |
|---|---|
Kur nxënësit të mbarojnë, merreni parasysh të bëni pyetje që i ndihmojnë ata të mendojnë dhe të kuptojnë domethënien e frazave që gjetën. Për shembull:
-
Çfarë mendoni se do të thotë “përfshihen me zell” ose kërkojnë aktivisht të bëjnë mirë?
-
Si mendoni, pse duhet ta shmangim të qenit të “detyr[uar]” ose të shtrënguar për të bërë mirë?
-
Si mendoni, pse janë të rëndësishme shtysat tona për të bërë mirë?
Në ditarin tënd të studimit ose në shkrimet e tua të shenjta, me vetë fjalët e tua, shëno një ose dy të vërteta që mund ta dallosh se janë të rëndësishme për Shpëtimtarin nga këto vargje.
Ftojini nxënësit të tregojnë të vërtetat që shënuan, ose t’i shkruajnë ato në tabelë. Një e vërtetë që ata mund të shprehin, është se Perëndia i shpërblen ata që kërkojnë aktivisht të bëjnë të ndodhë drejtësia.
Nëse dëshironi, mund t’i ftoni nxënësit të përsiatin ose të shënojnë se sa shpesh kërkojnë ata aktivisht mënyra për t’i shërbyer Perëndisë dhe të tjerëve pa pritur t’iu thuhet se çfarë të bëjnë. Ftojini ata t’u kushtojnë vëmendje mënyrave se si mund të orvaten për t’u përfshirë më me zell në një kauzë të mirë ndërsa vazhdojnë të studiojnë.
-
Çfarë shembujsh mund të mendosh nga shkrimet e shenjta ku dikush i jetoi mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje?
-
Cilët janë shembuj të Shpëtimtarit duke i vënë re mundësitë për të bërë mirë dhe duke e përdorur lirinë e Tij të zgjedhjes për të vepruar?
Mund të merrni parasysh t’ua shfaqni nxënësve materialin filmik “Jesus Christ Has Compassion and Heals the People” [“Jezu Krishti Ka Dhembshuri dhe i Shëron Njerëzit”] (6:32), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ai portretizon Shpëtimtarin e ringjallur duke zgjedhur të qëndrojë për më shumë kohë mes nefitëve për t’iu shërbyer dhe për t’i shëruar ata.
Ose mund të shfaqni materialin filmik “Widow of Nain” [“E Veja nga Naini”] (2:22), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ai portretizon Shpëtimtarin që vë re një nënë, e cila po vajtonte, dhe zgjedh të ndalojë, ta ngushëllojë dhe t’ia shërojë të birin.
Mësimet e Shpëtimtarit në jetën tonë
Merreni parasysh t’i ndihmoni nxënësit të zbulojnë se si mund të duken në situata nga jeta reale mësimet e Shpëtimtarit në vargjet 26–29. Mund të përdorni disa nga situatat vijuese ose të tjera që kanë më tepër lidhje me nxënësit tuaj.
Ndajini nxënësit në grupe të vogla për të diskutuar se cilat vargje ose fraza zbatohen më së miri në secilën situatë. Nxitini grupet të mendojnë mënyra të shumta në të cilat çdo person mund ta përdorë lirinë e vet të zgjedhjes që të përfshihet në një kauzë të mirë.
Më pas, merreni parasysh ta ftoni çdo grup ta përsëritë veprimtarinë duke krijuar skenarin e vet ku një adoleshent mund t’i zbatojë mësimet e Shpëtimtarit te seksioni 58.
-
Julianës iu caktua kohët e fundit t’i jepte shërbesë një familjeje që nuk e ka takuar kurrë. Ajo nuk është e sigurt as për faktin nga t’ia fillojë.
-
Mësuesja e Shkollës të së Dielës e Anës është një njeri i shkëlqyer, por nuk është mësuese me përvojë. Shumë nga shokët e saj të klasës duket se e kanë humbur interesin dhe nuk përpiqen më të përfshihen në mësime.
-
Jasmina vë re se e ëma është dukur më e lodhur se zakonisht kohët e fundit.
-
Henri u ndesh me disa publikime mizore rreth një nxënësi tjetër në mediat shoqërore.
-
Joni ka një pasdite të lirë gjatë së cilës nuk pritet të bëjë asgjë dhe nuk ka një vend ku nevojitet të jetë.
Për ta mbyllur, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të këndojnë ose dëgjojnë një himn që i përforcon parimet e mësuara në këtë mësim. Një mundësi është “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?” (Himne, nr. 139.) Kërkojuni atyre të përsiatin se si fjalët e himnit gjejnë zbatim për parimet që dha mësim Shpëtimtari te seksioni 58. Ftoni një ose dy nxënës t’i tregojnë klasës atë që ndiejnë se Shpëtimtari do të donte që ata të mbanin mend nga studimi i tyre sot. Mund të jetë e dobishme t’i lejoni nxënësit t’i shkruajnë mendimet e tyre përpara se të ftoni disa t’i thonë me zë të lartë.
Mund t’i ftoni disa nxënës që të kërkojnë një mundësi për të vepruar sipas asaj që mësuan përpara mësimit të ardhshëm të seminarit. Mund ta ndiqni ecurinë duke i ftuar nxënësit e gatshëm, t’ia tregojnë përvojën e tyre klasës.
Zgjerimi i përvojës së të mësuarit: Ftesa e mësipërme është një shembull për t’i ndihmuar nxënësit ta zgjerojnë përvojën e tyre të të mësuarit edhe mbas orës mësimore. Për më shumë trajnim mbi mënyrën se si ta bëni këtë, shihni trajnimin e titulluar “Invite learners to live what they are learning” [“Ftojini nxënësit ta jetojnë atë që po mësojnë”], që gjendet tek Teacher Development Skills [Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve]. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë: “Plan to follow up on invitations given in a previous class and invite learners to share their experiences living what they learned” [“Planifikoni të ndiqni ecurinë e ftesave të dhëna në orën e mëparshme mësimore dhe të ftoni nxënësit të tregojnë përvojat e tyre duke e jetuar atë që mësuan”].