“Mësimi 4 – Doktrina e Besëlidhje 1: ‘Zëri i Zotit Shkon te Fundet e Dheut’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 4: Doktrina e Besëlidhje 1
Doktrina e Besëlidhje 1
“Zëri i Zotit Shkon te Fundet e Dheut”
Përpara shtypjes së Librit të Urdhërimeve, i cili më vonë u bë pjesë e librit Doktrina e Besëlidhje, Profeti Jozef Smith i bëri kërkesë Zotit për një parathënie për librin. Në përgjigje, Zoti zbuloi atë që tani është Doktrina e Besëlidhje seksioni 1 si një hyrje në zbulesat drejtuar botës. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë përse Zoti i jep paralajmërime botës.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
“Zëri i paralajmërimit”
Merreni parasysh të përdorni skenarin vijues ose diçka që u përshtatet më mirë nevojave të nxënësve tuaj për t’i ndihmuar të përgatiten për të përsiatur arsyen pse dikush mund ta paralajmërojë dikë tjetër.
Imagjino sikur një shok ose shoqe po merr një vendim që do të çojë në pasoja negative.
Ftojini nxënësit të tregojnë shembuj realë se çfarë vendimi mund të jetë ky. Disa shembuj mund të jenë të gënjesh prindërit, të shkelësh Fjalën e Urtësisë, të kopjosh në shkollë ose të largohesh nga Kisha.
-
Përse do të doje ta paralajmëroje shokun ose shoqen tënde për këtë vendim?
Shpëtimtari gjithashtu jep një “zë … paralajmërimi” (Doktrina e Besëlidhje 1:4). Përsiati pyetjet vijuese:
-
Përse mund të na paralajmërojë Shpëtimtari ne? Përse Ai mund të të paralajmërojë ty personalisht? Si?
-
Çfarë të mëson kjo për Të?
Ndërsa e studion këtë mësim, kërko përgjigje për këto pyetje.
Zëri i paralajmërimit i Zotit është për të gjithë njerëzit
Informacioni vijues mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë historinë se si u mor parathënia për librin Doktrina e Besëlidhje.
Deri në nëntor të vitit 1831, Profeti Jozef Smith kishte shënuar më shumë se 60 zbulesa nga Zoti. Megjithatë, pak anëtarë të Kishës kishin kopje të zbulesave. Nën drejtimin e Profetit, zbulesat u përpiluan në një vëllim të ri shkrimesh të shenjta të quajtur Libri i Urdhërimeve, i cili më vonë u bë pjesë e librit Doktrina e Besëlidhje. Kur libri ishte gati për t’u shtypur, Jozefi i bëri kërkesë Zotit në lutje për një parathënie për librin. Në përgjigje, ai mori nëpërmjet zbulesës seksionin 1, të cilin Zoti e quajti “parathënia ime” (Doktrina e Besëlidhje 1:6) për këtë libër të ri shkrimi të shenjtë.
Merrni parasysh t’i shkruani pyetjet dhe referencat vijuese në tabelë. Nxënësit mund t’i gjejnë përgjigjet individualisht ose në grupe të vogla. Nëse po punojnë në grupe të vogla, nxënësit, nëse dëshirojnë, mund ta përmbledhin atë që gjejnë në grupet e tyre, përpara se t’ia tregojnë klasës.
Përdorni shkrimet tuaja të shenjta për t’iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme:
-
Kë paralajmëron Shpëtimtari sot? (Shih te Doktrina e Besëlidhje 1:1–4, 34–36; mund të jetë e dobishme të dish se një “i paanshëm” [vargu 35] është dikush që nuk favorizon një person para një tjetri.)
-
Si e jep Zoti mesazhin e Tij? (Shih te Doktrina e Besëlidhje 1:4–6.)
Ndërsa nxënësit marrin parasysh përgjigjet e tyre, mund të jetë e dobishme ta shkruani pohimin vijues në tabelë: Zëri i paralajmërimit i Shpëtimtarit është për të gjithë njerëzit.
Zëri i paralajmërimit i Zotit është provë e dashurisë së Tij
Te Doktrina e Besëlidhje 1, Shpëtimtari zbulon disa arsye pse Ai i jep paralajmërime botës. Teksa studion, përsiat se si mund të jenë këto arsye provë e faktit që Shpëtimtari na bekon.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 1:11–17, 21–28 dhe kërko arsyet pse Zoti na jep paralajmërime.
Merreni parasysh ta ndani klasën në dy pjesë. Caktojini njërës pjesë të lexojë vargjet 11–17 dhe pjesës tjetër të lexojë vargjet 21–28. Nëse nxënësit kanë nevojë për më tepër drejtim, mund të krijoni një tabelë me dy kolona. Përfshijini vargjet në kolonën e parë dhe lejojini nxënësit të shkruajnë arsyen e paralajmërimit në kolonën e dytë. Nxënësit mund të gjejnë përgjigje si vijueset:
-
1:12 që të na përgatitë për atë që do të vijë
-
1:15–17 që të na paralajmërojë për sfidat dhe mëkatet e kohës sonë
-
1:21 që të na e rritë besimin
-
1:22 që besëlidhja e përjetshme e Zotit të mund të themelohet
-
1:26 që të na udhëzojë
-
1:27 që të na ndëshkojë dhe korrigjojë kur mëkatojmë
-
1:27 që të na ndihmojë të pendohemi
-
1:28 që të na japë dituri
Merreni parasysh të ftoni disa nxënës që të tregojnë atë që kanë mësuar duke përdorur nxitjen vijuese.
Zgjidh një nga arsyet që gjete pse Zoti na flet dhe përgjigju për një ose dy nga pyetjet vijuese:
-
Në ç’mënyrë është kjo arsye provë e dashurisë së Shpëtimtarit? Në ç’mënyrë mund të konsiderohet një bekim kjo arsye?
-
Kur e ke përjetuar këtë bekim, ose pse mund ta dëshirosh këtë bekim në jetën tënde?
-
Pse ka nevojë e gjithë bota për këtë bekim?
Si na paralajmëron Shpëtimtari në kohën tonë?
Sa vijon mund t’i ndihmojë nxënësit të tregojnë atë që kanë mësuar. Nëse dëshironi, mund të jepni letra ose t’i ftoni nxënësit të përdorin ditarët e tyre të studimit. Inkurajojini nxënësit të jenë krijues në mënyrën se si i japin mesazhet e tyre. Mund t’u siguroni material për vizatim sipas atyre që keni në dispozicion.
Imagjino për mësimin tënd këtë të diel, sikur mësuesi/ja yt/jote të fton të shpenzosh disa minuta për të treguar pse Zoti na paralajmëron sot. Merr parasysh se si do t’ia jepje këtë mesazh klasës sate në një mënyrë kuptimplotë. Përgatit një fletushkë, meme, afishe ose metodë tjetër krijuese për t’ia dhënë këtë mesazh klasës sate. Të lutemi, përfshi sa vijon:
-
Një varg nga Doktrina e Besëlidhje 1 ku tregohet të paktën një arsye pse Zoti i paralajmëron të gjithë njerëzit
-
Një shembull të paralajmërimit të Zotit ndaj nesh në kohën tonë (Nëse zgjodhe që Zoti na paralajmëron për sfidat dhe mëkatet e botës [shih te Doktrina e Besëlidhje 1:15–17], mund të tregosh një varg nga shkrimet e shenjta ose fjalët e një profeti bashkëkohor, i cili na paralajmëron për tundimet bashkëkohore.)
-
Mendimet dhe ndjenjat e tua për dhënien e mesazheve paralajmëruese nga Zoti për ne sot. Mund të përfshish edhe një përvojë.
Ndërkohë që nxënësit tregojnë, kërkoni mënyra se si t’i përgëzoni dhe t’i falënderoni për përpjekjen e tyre të sinqertë si dhe për të theksuar dashurinë e Shpëtimtarit nëpërmjet mesazheve që Ai dërgon sot.
Për trajnim shtesë mbi mënyrën se si t’i ndihmoni nxënësit ta dinë se i vlerësoni komentet e tyre, shihni pjesën “Tregoni se i vlerësoni studentët [nxënësit] përpara se të komentojnë apo kur ngrenë dorën për të komentuar”. Ky trajnim gjendet në trajnimin Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim.