Eja, Më Ndiq
15–21 Qershor. “Përfundimi i Betejës Varet nga Zoti”: 1 Samuelit 17–18; 24–26; 2 Samuelit 5–7


“15–21 Qershor. ‘Përfundimi i Betejës Varet nga Zoti’: 1 Samuelit 17–18; 24–26; 2 Samuelit 5–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“15–21 Qershor. ‘Përfundimi i Betejës Varet nga Zoti’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

Davidi duke mbajtur një hobe

David and Goliath [Davidi dhe Goliathi], nga Steve Nethercott

15–21 Qershor: “Përfundimi i Betejës Varet nga Zoti”

1 Samuelit 17–18; 24–26; 2 Samuelit 5–7

Që kur fiset e Izraelit ishin vendosur në tokën e premtuar, filistejtë kishin qenë një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë e tyre. Zoti i kishte çliruar shumë herë në të shkuarën, por tani pleqtë e Izraelit kërkuan: “Do të kemi një mbret … [që] të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona” (1 Samuelit 8:19–20). Prandaj Sauli u vajos mbret. E megjithatë kur gjiganti kërcënues, Goliathi, i sfidoi ushtritë e Izraelit, Saulit – ashtu si pjesës tjetër të ushtrisë së tij – “[i] hyri një frikë e madhe” (1 Samuelit 17:11). Në atë ditë, nuk ishte mbreti Saul ai që e shpëtoi Izraelin, por një djalë i përulur bari, i quajtur David, i cili nuk kishte veshur armaturë, por ishte i mbështjellë me besim të padepërtueshëm te Zoti. Kjo betejë i vërtetoi Izraelit dhe i vërteton çdo njeriu që ka beteja shpirtërore për të luftuar, se “Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës” dhe se “përfundimi i betejës varet nga Zoti” (1 Samuelit 17:47).

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

1 Samuelit 17

ikona e seminarit
Me ndihmën e Zotit, unë mund të kapërcej çdo sfidë.

Historia e Davidit dhe Goliathit është një nga historitë më të mirënjohura në shkrimet e shenjta. Sigurisht, ne zakonisht përqendrohemi te Davidi. Por këtë herë, ndërsa studioni te 1 Samuelit 17, përsiatni edhe fjalët e njerëzve të tjerë në këtë kapitull (shihni listën më poshtë). Çfarë mësoni rreth tyre dhe shtysave të tyre? Çfarë mësoni rreth Davidit? Si është ai i ndryshëm?

  • Goliathi: vargjet 8–10, 43–44

  • Eliabi: vargu 28

  • Sauli: vargu 33

  • Davidi: vargjet 26, 32, 34–37, 39, 45–47

Historia juaj, edhe pse nuk është aq e mirënjohur si historia e Davidit, është e sigurt që përfshin sfida me përmasa si Goliathi për t’u mposhtur dhe mundësi për të ushtruar besim te Zoti. Çfarë ju mëson shembulli i Davidit rreth përballjes me kundërshtimin në historinë tuaj? Gjithashtu mund të lexoni mesazhin e Presidentes Kamill N. Xhonson, “Ftojeni Krishtin të Jetë Autori i Historisë Suaj” (Liahona, nëntor 2021, f. 80–82) me njërën nga sfidat tuaja në mendje. Kërkoni përgjigje për pyetje si këto: Si dëshiron Zoti që unë t’i shoh sfidat e mia? Si më ka ndihmuar Ai në të kaluarën? Si mund ta tregoj se i mirëbesoj Atij që ta shkruajë historinë time?

Mund ta dini tashmë se ka disa kapituj tragjikë më vonë në historinë e Davidit (shihni, për shembull, te 2 Samuelit 11). Po të kishit mundësi t’i jepnit disa këshilla Davidit pas betejës së tij me Goliathin, çfarë do t’i thoshit? Si mund të gjejë zbatim kjo këshillë në jetën tuaj?

Shihni edhe tek “The Lord Will Deliver Me” [“Zoti do të më Çlirojë”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

3:24

The Lord Will Deliver Me

1 Samuelit 17:26–50

Një person me besim te Krishti mund të sjellë një ndryshim.

Përveç sfidave vetjake, ne përballemi edhe me probleme të mëdha, të ndërlikuara që ndikojnë në tërë botën. Kur forcat e së ligës “mbl[idhen së bashku] … për luftë” kundër forcave të së mirës (1 Samuelit 17:1), ne mund të pyesim veten se si përpjekjet tona individuale mundet të sjellin një ndryshim. Çfarë gjeni në historinë e Davidit që ju jep shpresë?

Shihni gjithashtu te “Punës Le t’i Vihemi”, Himne, nr. 154.

Jonathani dhe Davidi

True Friendship and Self-Respect [Miqësia dhe Respekti i Vërtetë ndaj Vetvetes], nga Wilson Ong (hollësi)

1 Samuelit 18

“Jonathani e deshi [Davidin] si shpirtin e vet.”

Ndërsa lexoni te 1 Samuelit 18, merrni parasysh ta krahasoni Saulin dhe birin e tij, Jonathanin (i cili, po të mos ishte Davidi, mund të mendonte se do të ishte mbreti i ardhshëm). Si reaguan Sauli dhe Jonathani ndaj suksesit të Davidit? Çfarë mund të mësoni nga kjo përvojë?

Çfarë zbuloni tek tiparet dhe veprimet e Jonathanit që ju kujton Jezu Krishtin?

“Përshtat … shkrimet e shenjta” (1 Nefi 19:23). Shkrimet e shenjta sigurojnë mundësi të mëdha për të mësuar nga shtysat dhe veprimet e njerëzve si Davidi, Jonathani dhe Sauli. Do të gjeni se askush në shkrimet e shenjta nuk është pa të meta. Teksa lexoni, për shembull, rreth zgjedhjeve besnike të Davidit, jini të hapur që të mësoni edhe nga gabimet e tij. Bërja e kësaj mund të na ndihmojë që të përcaktojmë dobësitë e mundshme brenda vetes sonë dhe të “mëso[jmë] dhe të je[m]i më të urtë sesa qe[n]ë [të tjerët]” (Mormoni 9:31).

1 Samuelit 24–26

Falja është shtegu i sigurt drejt paqes dhe shërimit.

Te 1 Samuelit 24–26, kërkoni mësime rreth krenarisë, faljes dhe vetëkontrollit. Gjithashtu mund të merrni parasysh të lexoni mesazhin e Plakut Mark A. Breg “Vetëpërmbajtje e Ngjashme me të Krishtit” si pjesë të studimit tuaj (Liahona, maj 2023, f. 60–63). Si treguan Davidi, Abigaili dhe të tjerët, ose nuk arritën që të tregonin, vetëpërmbajtje të ngjashme me të Krishtit te këta kapituj? Çfarë mundësish keni që të tregoni vetëpërmbajtje të ngjashme me të Krishtit?

Mesazhi i Motrës Kristin Ji “Diademë në Vend të Hirit: Shtegu Shërues i Faljes” (Liahona, nëntor 2022, f. 36–39) mund t’ju ndihmojë të studioni kapitullin te 1 Samuelit 25. Në ç’mënyrë është Abigaili si Jezu Krishti?

2 Samuelit 5:17–25

Zoti mund të më japë drejtim.

Edhe pasi Davidi e mundi Goliathin, nuk mbaruan problemet e tij me filistejtë. Ndërsa lexoni te 2 Samuelit 5:17–25, merrni parasysh mënyrën se si mund t’ju ndihmojë shembulli i Davidit në sfidat që hasni (shihni edhe te 1 Samuelit 23:2, 10–11; 30:8; 2 Samuelit 2:1). Si po bekoheni ngaqë po veproni sipas zbulesës që merrni?

2 Samuelit 7

Cila është “shtëpi[a]” që Zoti i premtoi Davidit?

Kur Davidi ofroi të ndërtonte një shtëpi, domethënë një tempull, për Zotin (shihni te 2 Samuelit 7:1–3), Zoti u përgjigj se biri i Davidit do ta ndërtonte atë (shihni vargjet 12–15; shihni edhe te 1 Kronikave 17:1–15). Zoti gjithashtu tha se Ai nga ana tjetër do t’i ndërtonte Davidit një “shtëpi”, që do të thoshte pasardhës, dhe se froni i tij mbretëror do të zgjaste përgjithmonë (shihni te 2 Samuelit 7:11, 16, 25–29; Psalmeve 89:3–4, 35–37). Ky premtim u përmbush në Jezu Krishtin, Mbretin tonë të Përjetshëm, i cili ishte një pasardhës i Davidit (shihni te Mateu 1:1; Lluka 1:32–33; Gjoni 18:33–37).

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

1 Samuelit 17:20–54

Besimi te Jezu Krishti mund të më ndihmojë që të kem kurajë.

  • Nëse dëshironi, mund ta përdorni mësimin “Davidi dhe Goliathi” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 112–116, që t’i ndihmoni fëmijët tuaj të njihen me atë që ndodhi te 1 Samuelit 17:20–54. Më pas mund t’i lejoni që ta ritregojnë historinë duke përdorur figurat ose vizatimet me vizim në këtë përvijim. Pyetini se çfarë mendojnë që Zoti dëshiron që ata të mësojnë nga kjo histori.

    2:36

    David and Goliath

  • Ju dhe fëmijët tuaj mund të bëni një listë të disa sfidave të vështira me të cilat mund të përballen gjatë jetës së tyre. Pastaj ndihmojini të gjejnë gjërat që tha Davidi, të cilat mund t’i ndihmojnë për këto sfida (shihni te 1 Samuelit 17:26, 32, 34–37, 45–47). Tregojuni se si ju ka ndihmuar Jezu Krishti gjatë sfidave.

  • Fëmijët tuaj mund të marshojnë sikur janë Davidi që po shkon të ndeshet me Goliathin, ndërkohë që këndoni një këngë rreth të qenit të guximshëm, të tillë si “Do të Jem Guximtar” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 85).

1 Samuelit 18:1–4

Miqtë e mirë mund të jenë një bekim nga Perëndia.

  • Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të mësojnë nga miqësia e Jonathanit dhe Davidit? Një mënyrë do të jetë t’i jepni secilit fëmijë dy zemra letre, njërën për të përfaqësuar Davidin dhe tjetrën për të përfaqësuar Jonathanin. Më pas lexoni së bashku disa fraza nga 1 Samuelit 18:1–4 që theksojnë dashurinë që këta dy miq ndien për njëri‑tjetrin. Më pas fëmijët tuaj mund të shkruajnë ose vizatojnë në zemrat e tyre prej letre se si mund të tregojnë dashuri për një mik ose mike.

2 Samuelit 5:19, 23

Nëse kam nevojë për udhërrëfim, unë mund të pyes Atin Qiellor.

  • Në këta kapituj, Davidi u bë mbreti i Izraelit. Mund të jetë argëtuese për fëmijët tuaj që të hiqen sikur janë një mbret ose mbretëreshë. Çfarë ligjesh do të bënin? Ku do të shkonin për ndihmë? Ndihmojini fëmijët tuaj të zbulojnë se kur Davidi kishte nevojë për ndihmë, ai “u këshillua” ose u lut për përgjigje. Për shembull, ndërsa lexoni te 2 Samuelit 5:19, 23, ftojini fëmijët të dëgjojnë për fjalën “këshillua” dhe t’i mbledhin krahët kur ta dëgjojnë atë. Përse do të kishte nevojë Davidi për ndihmën e Zotit në rolin e tij të ri?

  • Flisni me njëri‑tjetrin për raste kur u lutët për ndihmën e Atit Qiellor. Çfarë ndryshimi solli ndihma që ju dha Ai?

një vogëlushe duke u lutur

2 Samuelit 7:16–17

Jezu Krishti është Mbreti im i Përjetshëm.

  • Mbretërit për të cilët lexojmë në Dhiatën e Vjetër, të gjithë kishin të meta dhe mbretëritë e tyre që të gjitha mbaruan. Por Jezu Krishti është Mbreti i përsosur dhe do të mbretërojë përgjithmonë. Ju mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që ta zbulojnë këtë duke lexuar së bashku atë që profeti Nathan i tha mbretit David te 2 Samuelit 7:16–17. Si mund të mos ketë fund mbretëria e Davidit? Ndihmojini fëmijët të gjejnë dhe lexojnë fragmente të shkrimit të shenjtë që na mësojnë se Jezu Krishti, një pasardhës i Davidit, është Mbreti ynë, të tilla si Lluka 1:32–33; Gjoni 18:33–37 dhe Zbulesa 19:16. Si është Jezusi i ndryshëm nga mbretërit tokësorë? Si e nderojmë Jezu Krishtin si Mbretin tonë të Përjetshëm?

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Davidi dhe Goliathi

Ilustrim i Davidit, nga Dilleen Marsh

faqja e veprimtarisë së Fillores: Besimi te Jezu Krishti mund të më ndihmojë që të kem kurajë