Eja, Më Ndiq
20–26 Prill. “Ne do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti”: Eksodi 19–20; 24; 31–34


“20–26 Prill. ‘Ne do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti’: Eksodi 19–20; 24; 31–34”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“20–26 Prill. ‘Ne do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

Moisiu duke mbajtur pllakat me Dhjetë Urdhërimet

Moses and the Tablets [Moisiu dhe Pllakat], nga Jerry Harston (hollësi)

20–26 Prill: “Ne do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti”

Eksodi 19–2024; 31–34

Edhe pse fëmijët e Izraelit kishin mërmëritur dhe kishin qenë të lëkundur në të kaluarën, kur Moisiu e lexoi ligjin në rrëzë të malit Sinai, ata bënë këtë besëlidhje: “Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi” (Eksodi 24:7). Perëndia më pas e thirri Moisiun në mal, duke i thënë që të ndërtonte një tabernakull në mënyrë “që unë të banoj në mes tyre” (Eksodi 25:8).

Por ndërkohë që Moisiu ishte në majë të malit duke mësuar se si izraelitët të mund ta kishin praninë e Perëndisë mes tyre, në vend të kësaj izraelitët ishin në fund të malit duke bërë një idhull të artë për ta adhuruar. Shpejt pas premtimit që të “[mos] k[ishin] perëndi të tjerë”, ata “u larguan shpejt” nga premtimi i tyre (Eksodi 20:3; 32:8; shihni edhe tek Eksodi 24:3). Ishte një kthesë befasuese, por ne e dimë nga përvoja se besimi dhe zotimi ndonjëherë mund të mposhten nga padurimi, frika ose dyshimi. Kur e kërkojmë praninë e Zotit në jetën tonë, është inkurajuese të dimë se Zoti nuk hoqi dorë nga Izraeli i lashtë dhe Ai nuk do të heqë dorë nga ne dhe nga njerëzit që i duam, sepse Ai është “i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri” (Eksodi 34:6).

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Eksodi 19:3–6

Populli besëlidhës i Zotit është një thesar për Të.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Në Dhiatën e Vjetër, termi hebraik nga i cili u përkthye fjala i veçantë, është segullah, që do të thotë ‘pronë e vlerësuar’ ose ‘thesar’. … Që ne të përcaktohemi nga shërbëtorët e Zotit si populli i tij i veçantë është një kompliment i rendit më të lartë” (“Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 34). Si ndikojnë fjalët e Presidentit Nelson te mënyra se si i kuptoni vargjet tek Eksodi 19:3–6? Si jua ka treguar Zoti se ju vlerëson si thesar?

Eksodi 19:10–11, 17

Përvoja të shenjta kërkojnë përgatitje.

Zoti i tha Moisiut se fëmijët e Izraelit kishin nevojë të përgatiteshin përpara se të mund të “[shkonin] përballë Perëndisë” (Eksodi 19:10–11, 17) dhe ta mbanin besëlidhjen me Të (shihni tek Eksodi 19:5). Si përgatiteni për përvoja shpirtërore, përfshirë ordinancën e sakramentit dhe ordinancat e tempullit? Si mund t’i ndihmoni të tjerët që të përgatiten? Çfarë mësoni rreth përgatitjes nga Lluka 6:12–13; Enosi 1:2–6; Alma 17:2–3?

Mali Sinai, Egjipt

Ky mal në Egjipt tradicionalisht besohet të jetë mali Sinai.

Eksodi 20:1–17

ikona e seminarit
Bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë sjell bekime.

Ndërkohë që izraelitët u mblodhën në fundin e malit Sinai, ata dëgjuar zërin e Perëndisë tek u jepte Dhjetë Urdhërimet (shihni te Ligji i Përtërirë 4:12–13). Sigurisht, këto nuk janë urdhërimet e vetme të Perëndisë – ka shumë të tjera në shkrimet e shenjta. Ndërsa lexoni tek Eksodi 20:1–17, pyetni veten përse Perëndia i theksoi këto dhjetë urdhërime në mënyrë të veçantë. Këtu është një model tabele që mund ta përdorni teksa përsiatni rëndësinë e Dhjetë Urdhërimeve në jetën tuaj:

Urdhërimi

Me fjalë të tjera, Zoti po më kërkon të …

Bekimet që vijnë nga të jetuarit e këtij urdhërimi

  • Si ju ndihmon zbatimi i këtyre dhjetë urdhërimeve që të zbatoni dy urdhërimet e mëdha që Jezusi dha te Mateu 22:34–40?

  • Cilat janë gjërat mund të tundoheni t’i vini përpara Perëndisë? Çfarë bekimesh keni parë kur e vini Perëndinë të parin?

  • Si do t’i përgjigjeshit dikujt që thotë se Dhjetë Urdhërimet u dhanë shumë kohë më parë dhe nuk gjejnë zbatim sot? Çfarë shembujsh nga jeta juaj do t’i tregonit si pjesë të përgjigjes suaj? Si mund të ndikojë himni “Sa t’Buta Urdh’rimet” (Himne, nr. 65) te mënyra se si ua shpjegoni të tjerëve urdhërimet e Perëndisë?

  • Si e ka përmbushur Zoti në jetën tuaj premtimin tek Eksodi 20:6?

Shihni edhe tek “Urdhërimi i Madh – Duaje Zotin”, te Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 39–48; Dallin H. Ouks, “Nuk do të Kesh Perëndi të Tjerë”, Liahona, nëntor 2013, f. 72–75; Tema dhe Pyetje, “Urdhërimet”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Eksodi 24:1–11

Bërja e besëlidhjeve tregon gatishmërinë time për t’iu bindur ligjit të Perëndisë.

Ndërsa lexoni tek Eksodi 24:3–8, merrni parasysh besëlidhjet që keni bërë me Perëndinë. Ndërkohë që besëlidhja e Izraelit përfshinte rituale që janë të ndryshme nga ato që kërkon Perëndia sot, ju mund të vini re disa ngjashmëri. Për shembull, vargjet 4, 5 dhe 8 përmendin një altar, flijimet e kafshëve dhe gjakun. Çfarë mund të përfaqësojnë këto gjëra dhe si lidhen ato me besëlidhjet tuaja?

Eksodi 32–34

Mëkat është të largohesh nga Perëndia; pendim është të kthehesh drejt Tij dhe të largohesh nga ligësia.

Përpiquni ta vendosni veten në vendin e izraelitëve – jeni në vendin e shkretë, Moisiu është larguar për 40 ditë dhe një përballje me kanaanejtë për tokën e premtuar pritet në të ardhmen tuaj (shihni edhe tek Eksodi 32:1–8). Si mendoni, përse izraelitët dëshironin një idhull prej ari? Çfarë ju frymëzon rreth përgjërimit të Moisiut ndaj Zotit tek Eksodi 33:11–17?

Ndërkohë që mëkati i izraelitëve ishte i rëndë, kjo histori përfshin gjithashtu një mesazh mëshire dhe faljeje nga ana e Perëndisë. Çfarë ju mësojnë vargjet tek Eksodi 34:1–10 rreth Shpëtimtarit? (Shihni tek Eksodi 32:30–32; Mosia 14:4–8; 15:9; Doktrina e Besëlidhje 45:3–5.)

Eksodi 31:13–16

Shabati është një shenjë.

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Në vitet e mia më të hershme, unë studiova veprën e njerëzve të tjerë, të cilët kishin hartuar lista lidhur me gjërat që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë në Shabat. Kohë më vonë mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor [shihni tek Eksodi 31:13; Ezekiel 20:12, 20]. Me atë kuptueshmëri, unë nuk kisha më nevojë për lista të gjërave që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë. Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’ Ajo pyetje i bënte zgjedhjet e mia për ditën e Shabatit tepër të qarta” (“Shabati Është një Kënaqësi”, Liahona, maj 2015, f. 130). Përsiatni se çfarë shenje dëshironi t’i jepni Perëndisë nëpërmjet respektimit të Shabatit nga ana juaj.

Eksodi 34:1–4

Cili ishte ndryshimi midis dy kompleteve të pllakave prej guri që bëri Moisiu?

Kur Moisiu zbriti nga mali, ai e solli ligjin të shkruar në pllaka prej guri. Pasi zbuloi se izraelitët e kishin shkelur besëlidhjen e tyre, Moisiu i theu pllakat (shihni tek Eksodi 31:18; 32:19). Më vonë, Perëndia e urdhëroi Moisiun që të bënte një komplet tjetër pllakash prej guri dhe t’i kthente përsëri në mal (shihni tek Eksodi 34:1–4). Përkthimi prej Joseph Smith-it, Eksodi 34:1–2 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta), sqaron se kompleti i parë i pllakave prej guri përfshiu ordinancat e “urdhëri[t] … [të] shenjtë” të Perëndisë, ose të Priftërisë Melkizedeke. Kompleti i dytë përfshinte “ligji[n e] një urdhërimi trupor”. Ky ishte një ligj më i ulët i administruar nga “priftëria më e ulët” (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:17–27), e cila kishte për qëllim përgatitjen e izraelitëve për ligjin më të lartë dhe priftërinë më të lartë në mënyrë që ata të mund të hynin në praninë e Perëndisë.

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Eksodi 20:3–17

Perëndia më jep urdhërime sepse Ai dëshiron që unë të jem i/e lumtur.

  • Si mund ta bëni argëtues për fëmijët tuaj të mësuarit rreth Dhjetë Urdhërimeve? Ndërsa lexoni së bashku tek Eksodi 20:3–17, lejojini fëmijët tuaj që t’ju ndihmojnë të gjeni ose vizatoni një figurë që përfaqëson secilin prej Dhjetë Urdhërimeve. Më pas fëmijët tuaj mund të zgjedhin me radhë një figurë dhe të flasin rreth mënyrës se si mund ta jetojnë atë urdhërim. Tregojini njëri‑tjetrit se si të jetuarit e atij urdhërimi ju sjell lumturi.

  • Mund të këndoni edhe një këngë të tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 68–69). Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë fjalë te kënga, të cilat u mësojnë përse Perëndia dëshiron që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.

Kur fëmijët tregojnë përvoja shpirtërore, dëshmitë e tyre rriten. Pyetjet që bëni mund t’i nxitin fëmijët tuaj të tregojnë se si ndihen rreth Shpëtimtarit dhe se si të jetuarit e ungjillit i ka bekuar (shihni te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 32). Kur e bëjnë këtë, ata po japin dëshmi. Merrni parasysh se si mund ta bëni këtë teksa diskutoni për bekimet që vijnë nga të jetuarit e Dhjetë Urdhërimeve.

Eksodi 20:12

Zoti dëshiron që unë t’i nderoj prindërit e mi.

  • Ndihmojini fëmijët tuaj ta mësojnë frazën: “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde” (Eksodi 20:12). Nëse dëshironi, mund të shpjegoni se të “nderosh” dikë mund të nënkuptojë që të tregosh respekt për të ose t’i sjellësh lumturi atij ose asaj. Çfarë bëri Jezusi për ta nderuar nënën e Tij të vdekshme dhe Atin e Tij Qiellor? (Shihni te Lluka 2:48–51; Gjoni 19:26–27.) Ndoshta fëmijët tuaj mund të aktrojnë me radhë gjërat që mund të bëjnë për t’i nderuar prindërit e tyre, ndërkohë që fëmijët e tjerë të gjejnë se çfarë po bëjnë ata.

Eksodi 31:13, 16–17

Nderimi i ditës së Shabatit është një shenjë e dashurisë sime për Zotin.

  • Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të shohin shembuj të shenjave, të tilla si shenjat e rrugëve ose shenjat e një godine. Cilat janë qëllimet e shenjave? Fëmijët tuaj mund të gjejnë më pas fjalën “shenjë” tek Eksodi 31:13, 16–17. Çfarë tha Zoti se është një shenjë ndërmjet nesh dhe Atij? Tregojini njëri‑tjetrit disa prej mënyrave se si ju dhe familja juaj përpiqeni ta tregoni dashurinë tuaj për Zotin në Shabat.

Moisiu duke mbajtur Dhjetë Urdhërimet

Ilustrim i Moisiut duke mbajtur Dhjetë Urdhërimet, nga Sam Lawlor (hollësi)

Eksodi 32:1–8, 19–24; 34:6–7

Unë nuk do të “larg[ohem]” nga udhët e Perëndisë.

  • Merreni parasysh të përdorni mësimin “Moisiu në Malin Sinai” (tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 77–82) për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që të mësojnë ngjarjen tek Eksodi 32:1–8, 19–24. Përse ishte e gabuar për izraelitët që të adhuronin një statujë në vend të Perëndisë?

    2:55

    Moses on Mount Sinai

  • Mund të jetë argëtuese të krijoni një shteg në dysheme (ose të gjeni një shteg pranë shtëpisë suaj) për të ilustruar këto fjalë nga Eksodi 32:8: “U larguan shpejt, janë përdalë nga rruga”. Ndërsa ecin në shteg, fëmijët tuaj mund të flasin për tundimet me të cilat përballemi që të largohemi nga Perëndia. Çfarë na ndihmon të qëndrojmë në shtegun e Perëndisë dhe të kthehemi tek ai nëse jemi endur larg tij? (Shihni tek Eksodi 34:6–7.)

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Moisiu duke hedhur poshtë Dhjetë Urdhërimet

Worship of the Calf [Adhurimi i Viçit], nga W. C. Simmonds

faqja e veprimtarisë së Fillores: Perëndia më jep urdhërime sepse Ai dëshiron që unë të jem i/e lumtur