“6–12 Prill. ‘Mbajeni Mend Këtë Ditë, Gjatë së Cilës Dolët nga Egjipti’: Eksodi 7–13”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“6–12 Prill. ‘Mbajeni Mend Këtë Ditë, Gjatë së Cilës Dolët nga Egjipti’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Ilustrim i Moisiut dhe Aaronit në oborrin e faraonit, nga Robert T. Barrett
6–12 Prill: “Mbajeni Mend Këtë Ditë, Gjatë së Cilës Dolët nga Egjipti”
Eksodi 7–13
Plagë pas plage e goditi Egjiptin, por faraoni prapë refuzoi t’i lironte izraelitët. E megjithatë, Perëndia vazhdoi të tregonte fuqinë e Tij dhe t’i jepte faraonit mundësi të pranonte “që unë jam Zoti” dhe “nuk ka asnjë të ngjashëm me mua në gjithë dheun” (Eksodi 7:5; 9:14). Ndërkohë, Moisiu dhe izraelitët duhet t’i kenë parë me mahnitje këto shfaqje të fuqisë së Perëndisë në emër të tyre. Me siguri këto shenja të vazhdueshme e vërtetuan besimin e tyre te Perëndia dhe e forcuan gatishmërinë e tyre për ta ndjekur profetin e Perëndisë. Më pas, pasi nëntë plagë të tmerrshme nuk kishin arritur t’i çlironin izraelitët, ishte plaga e dhjetë – vdekja e të parëlindurve, përfshirë të parëlindurin e faraonit – që i dha përfundimisht fund robërisë. Kjo plagë duket e përshtatshme sepse në çdo rast robërie shpirtërore, ekziston vërtet vetëm një mënyrë për të shpëtuar. Është vetëm flijimi i Jezu Krishtit, të Parëlindurit – gjaku i Qengjit pa të meta – që do të na shpëtojë.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Eksodi 7–11
Unë mund të zgjedh që ta zbut zemrën time.
Shpresojmë që vullneti juaj nuk është kurrë kundër vullnetit të Perëndisë siç ishte vullneti i faraonit. Megjithatë, të gjithë kemi raste kur zemrat tona nuk janë aq të buta sa duhet të jenë. Çfarë ju bën përshtypje rreth përgjigjeve të faraonit ndaj plagëve tek Eksodi 7:14–25; 8:5–32; 9:1–26; 10:12–29; 12:29–33?
Përse fjala “e ngurtë” është një përshkrim i mirë për zemrën e Faraonit? Merrni parasysh se çfarë mësoni nga këto vargje rreth të pasurit të një zemre të butë: 1 Nefi 2:16; Mosia 3:19; Alma 24:7–8; 62:41; Ethëri 12:27. Teksa lexoni rreth pasojave të zemërngurtësisë së faraonit, përsiatni gjendjen e zemrës suaj. Çfarë ndryshimesh ndiheni i/e frymëzuar të bëni?
Eksodi 12:1–42
Jezu Krishti mund të më shpëtojë për shkak të Shlyerjes së Tij.
E vetmja mënyrë se si izraelitët t’i shpëtonin plagës së dhjetë, e përshkruar tek Eksodi 11:4–5, ishte që të ndiqnin me saktësi udhëzimet që Zoti i dha Moisiut tek Eksodi 12, një ritual i njohur si Pashka. Nëpërmjet simboleve, nga Pashka mësojmë që, ashtu si Zoti i çliroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt, Ai mund të na çlirojë gjithashtu nga skllavëria e mëkatit. Për ta shqyrtuar këtë simbolikë tek Eksodi 12:1–42, mund të përdorni një tabelë si kjo:
|
Simboli |
Kuptime të mundshme |
Mesazhi i Perëndisë për mua |
|---|---|---|
Simboli Muaji më i rëndësishëm (vargu 2; Zoti i urdhëroi izraelitët që ta përdornin këtë ngjarje që të shënonte fillimin e kalendarit të tyre). | Kuptime të mundshme Ky duhej të ishte një fillim i ri për Izraelin. Ata duhej të “lindeshin përsëri”. | |
Simboli Qengji (vargjet 3–5). | Kuptime të mundshme Shihni te Gjoni 1:29; 6:54; 1 Pjetër 1:19. | |
Simboli Gjaku i qengjit mbi shtalkat (vargjet 7, 13, 23). | Kuptime të mundshme Shihni te Mosia 4:2; Zbulesa 12:11. | |
Simboli Buka pa maja (vargjet 8, 15, 19–20). | Kuptime të mundshme Majaja, ose tharmi, mund të jetë një simbol i korrupsionit sepse prishet lehtësisht. Shihni te Mateu 16:6–12; Gjoni 6:35. | |
Simboli Barishte të hidhura (vargu 8). | Kuptime të mundshme Një kujtues i hidhësisë së mëkatit dhe robërisë. Shihni tek Eksodi 1:14; Moisiu 6:55. | |
Simboli Ngrënia me nxitim, të veshur për t’u larguar (vargu 11). | Kuptime të mundshme Një simbol ngutjeje për t’u larguar nga robëria e mëkatit. Shihni te Zanafilla 39:12; 2 Timoteut 2:22. | |
Simboli Shkatërruesi (vargjet 13, 23). | Kuptime të mundshme Shihni te Doktrina e Besëlidhje 89:18–21. | |
Simboli Izraelitët u çliruan (vargjet 29–32). | Kuptime të mundshme Shihni te 2 Nefi 2:26; Doktrina e Besëlidhje 138:15–19, 31. | |
Çfarë gjeni tjetër tek udhëzimet dhe simbolet e Pashkës që ju kujtojnë Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij? Çfarë ju sugjerojnë këto simbole për mënyrën se si t’i merrni bekimet e Shlyerjes së Tij?
Ejani te Krishti duke përcaktuar simbolet që dëshmojnë për Të. “Të gjitha gjërat”, shpalli Zoti, “krijohen e bëhen për të dhënë dëshmi për mua” (Moisiu 6:63; shihni edhe te 2 Nefi 11:4). Tek Eksodi 12, simbolet si një qengj, gjaku, buka pa maja, mrekullitë dhe çlirimi, që të gjithë të çojnë te Krishti. “Pasi të kuptojmë se si lidhen këto objekte me Shpëtimtarin, ato mund të na mësojnë për fuqinë dhe cilësitë e Tij” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7).
In Remembrance of Me [Në Përkujtimin Tim], nga Walter Rane
Eksodi 12:14–17, 24–27; 13:1–16
Sakramenti më ndihmon të kujtoj çlirimin tim nëpërmjet Jezu Krishtit.
Shpëtimtari i urdhëroi izraelitët që ta vëzhgonin Pashkën çdo vit për t’i ndihmuar që të kujtonin se Ai i kishte çliruar, edhe pasi robëria e tyre u bë një kujtim i largët. Ndërsa lexoni udhëzimet e Tij tek Eksodi 12:14–17, 24–27; 13:1–16, mendoni rreth asaj që po bëni për t’i kujtuar bekimet e Perëndisë për ju. Si mund ta ruani atë kujtesë “nëpër brez[a]”? (Shihni tek Eksodi 12:14, 26–27.)
Çfarë ngjashmërish shihni midis festës së Pashkës dhe sakramentit? Çfarë mund të bëni që “gjithmonë ta kujto[ni]” Jezu Krishtin? (Moroni 4:3; 5:2.)
Ju gjithashtu mund të përsiatni gjëra të tjera që Zoti do që ju t’i kujtoni; shihni, për shembull, te Helamani 5:6–12; Moroni 10:3; Doktrina e Besëlidhje 3:3–5, 10; 18:10; 52:40.
Shihni edhe te Kevin W. Pirson, “A Jeni Ende të Gatshëm?”, Liahona, nëntor 2022, f. 67–69; “Always Remember Him” [“Gjithmonë Kujtojeni Atë”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Në Kujtim të t’Kryq’zuarit”, Himne, nr. 109.
Always Remember Him
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Eksodi 7–11
Zoti ka fuqi mbi të gjitha gjërat.
-
Plagët e përshkruara tek Eksodi 7–11 u treguan egjiptianëve dhe izraelitëve se Zoti ka fuqi të madhe. Zoti do t’i ndihmojë fëmijë tuaj gjatë gjithë jetës së tyre kur kanë besim te fuqia e Tij. Për t’i ndihmuar të mësojnë nga ky tregim, mund t’i jepni secilit fëmijë një letër të ndarë në 10 pjesë dhe t’i ftoni të bëjnë vizatime të plagëve të përshkruara në këto vargje: Eksodi 7:17–18; 8:1–4; 8:16–17; 8:20–22; 9:1–6; 9:8–9; 9:22–23; 10:4–5; 10:21–22; 11:4–7 (shihni edhe mësimin “Plagët e Egjiptit” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 67–69). Lexojini së bashku vargjet tek Eksodi 7:5 dhe 9:14 për të shpjeguar arsyen përse Zoti i dërgoi plagët.
2:3The Plagues of Egypt
-
Tregojuni fëmijëve tuaj se si Zoti ju ka treguar se “nuk ka asnjë të ngjashëm me [Të] në gjithë dheun” (Eksodi 9:14). Lërini të tregojnë se nga e dinë që Zoti është i fuqishëm.
Eksodi 8:28–32; 9:7
Zoti mund të më ndihmojë që të kem një zemër të butë.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që të përfytyrojnë se çfarë do të thotë të kesh një zemër të butë, mund të jetë argëtuese që t’u tregoni një send që është i fortë, si një gur, dhe një tjetër që është i butë, si një sfungjer. Gjithashtu mund të derdhni ujë mbi këto sende për të treguar se me sa lehtësi një zemër e butë e pranon fjalën e Zotit. Më pas mund të lexoni së bashku disa vargje që përshkruajnë se si iu përgjigj faraoni plagëve që u dërguan nga Zoti (shihni tek Eksodi 8:28–32; 9:7). Cilat prej sendeve e përfaqësojnë më mirë zemrën apo qëndrimin e faraonit? Çfarë do të thotë të kesh një zemër të butë? (Shihni te Mosia 3:19.)
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të bëni një listë të disa veprimeve që mund të tregojnë kur kemi një zemër të ngurtë (për shembull, përdorimi i fjalëve jodashamirëse apo mospasja e dëshirës për të dhënë diçka). Si mund t’i tregojmë Zotit se duam të kemi një zemër të butë?
Eksodi 12:1–13
Sakramenti mund të më ndihmojë që të kujtoj Jezusin.
-
Pashka u mësoi izraelitëve që ta prisnin me padurim Shpëtimtarin dhe flijimin e Tij për ne. Ndërkohë që shqyrtoni së bashku vargjet tek Eksodi 12:1–13, ndihmojini fëmijët tuaj që të kuptojnë lidhjet midis hollësive të Pashkës judease dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit (shihni edhe mësimin “Pashka” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 70–74). Për shembull, si është Jezusi si qengji i përshkruar te vargu 5?
2:54The Passover
-
Sot, ne e marrim sakramentin që të kujtojmë flijimin e Jezusit. Ju mund t’u tregoni fëmijëve tuaj një figurë të sakramentit dhe të flisni rreth mënyrës se si kjo ordinancë na ndihmon që të kujtojmë Jezu Krishtin. Ju mund t’i ndihmoni fëmijët që të gjejnë fjalën “kujtojnë” në lutjet e sakramentit (shihni te Moroni 4–5) Ose këndoni së bashku një himn të parapëlqyer rreth sakramentit dhe ndihmojini fëmijë tuaj që të vënë re ndjenjën paqësore që kanë kur mendojnë rreth Shpëtimtarit. Si mund ta kërkojmë atë ndjenjë kur marrim sakramentin?
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.