2023
Përkujdesja për Njerëzit në Nevojë
Shtator 2023


“Përkujdesja për Njerëzit në Nevojë”, Liahona, shtator 2023.

Bazat e Ungjillit

Përkujdesja për Njerëzit në Nevojë

Jezusi duke shëruar njerëz

He Healed Many of Diverse Diseases [Ai Shëroi Shumë Njerëz nga Sëmundje të Ndryshme], nga J. Kirk Richards, nuk lejohet kopjimi

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne ndjekim mësimet e Zotit për t’u përkujdesur për njerëzit në nevojë. Ne përkujdesemi për të tjerët duke u shërbyer atyre, duke i ndihmuar të bëhen të mbështetur te vetja dhe duke u dhënë nga gjërat që kemi.

Shembulli i Jezu Krishtit

Jezusi tregoi dashuri, i ngushëlloi dhe u lut për njerëzit përreth Tij. Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38). Ne mund ta ndjekim shembullin e Tij duke i dashur e ngushëlluar njerëzit përreth nesh, duke u shërbyer atyre dhe duke u lutur për ta. Gjithmonë mund të kërkojmë mënyra se si t’i ndihmojmë të tjerët.

dy njerëz duke ecur

Dhënia e Shërbesës

Termi dhënie shërbese përdoret në shkrimet e shenjta dhe në Kishën e Zotit për të përshkruar mënyrën se si mund të përkujdesemi për njëri‑tjetrin. Mbajtësit e priftërisë caktohen si vëllezër shërbestarë për çdo individ ose familje në lagje ose degë. Motra shërbestare caktohen për secilën motër në moshë madhore. Vëllezërit dhe motrat shërbestare sigurohen që të gjithë anëtarët e Kishës të kujtohen dhe për ta të tregohet përkujdesje.

njerëz duke mbjellë filiza

Ndihma ndaj të Tjerëve që të Bëhen të Mbështetur te Vetja

Ne mund t’i ndihmojmë pjesëtarët e familjes dhe miqtë që të bëhen të mbështetur te vetja duke i nxitur ata që të gjejnë zgjidhje afatgjata për problemet e tyre. Më pas ne mund t’i përkrahim ata ndërsa punojnë për synimet e tyre. Gjeni më shumë informacion rreth mbështetjes te vetja në revistën Liahona të gushtit 2023, në artikullin Bazat e Ungjillit.

Shërbimi ndaj të Tjerëve

Ka shumë mënyra se si mund t’u shërbejmë njerëzve përreth nesh dhe t’i ndihmojmë që të plotësojnë nevojat e tyre materiale, shpirtërore dhe emocionale. Të mësuarit rreth të tjerëve mund të na ndihmojë të dimë se si mund t’u shërbejmë më mirë atyre. Gjithashtu mund të lutemi për udhërrëfim për të ditur se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar.

njerëz duke mbledhur fruta

Ndarja e Gjërave që Kemi me të Tjerët

Ne mund t’u shërbejmë të tjerëve duke i ndarë me ta gjërat me të cilat Perëndia na ka bekuar. Për shembull, ne mund të japim oferta agjërimi bujare ose të dhurojmë në fondin e Ndihmës Humanitare të Kishës. Ne gjithashtu mund të shërbejmë në komunitetin tonë dhe në thirrjet tona në Kishë.

Detyrat e Udhëheqësve të Kishës

Peshkopi mbikëqyr përkujdesjen për njerëzit në nevojë në lagjen e tij. Ai mund të përdorë para nga ofertat e agjërimit për të ndihmuar anëtarët që kanë nevoja. Udhëheqës të tjerë, përfshirë këshilltarët e tij dhe presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve, i ndihmojnë anëtarët që të gjejnë burime që ata mund t’i përdorin për të plotësuar nevojat e tyre.

Përpjekjet Humanitare të Kishës

Kisha ndihmon njerëz anembanë botës me reagim ndaj urgjencave, me projekte komunitare dhe programe të tjera të tilla si për ujë të pastër dhe vaksinimet. Për të mësuar më shumë, shihni te Dallin H. Ouks, “Ndihma për të Varfrit dhe të Dëshpëruarit”, Liahona, nëntor 2022, f. 6–8.