2023
Dhënia e Shërbesës me Durim
Shtator 2023


“Dhënia e Shërbesës me Durim”, Liahona, shtator 2023.

Parimet e Dhënies së Shërbesës

Dhënia e Shërbesës me Durim

Ne mund të zhvillojmë aftësinë që të jemi më të duruar, në jetë dhe në shërbimin ndaj të tjerëve.

tri gra duke ecur së bashku

Te 2 Korintasve 12:7–8, Pali tregon se u lut tri herë që t’i hiqej “një gjemb në mish”. Por lutja e tij nuk mori përgjigje nëpërmjet largimit të menjëhershëm të sfidës. Në vend të kësaj, Zoti i tha: “Hiri im mjafton”. Pali tregoi durim dhe besim në mënyrën se si u përgjigj: “Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë” (vargu 9).

Zoti gjithashtu i mësoi Moronit se nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit ne mund të mësojmë dhe rritemi në forcë: “Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27).

Dhënia e Shërbesës me Durim

Si Pali, shumica prej nesh është lutur për lehtësim shumë herë në jetë nganjëherë më shumë se tri herë. Nganjëherë është koha e duhur për ta dhënë atë bekim dhe herë të tjera neve, si Palit, na jepet mësim dhe forcohemi. Në këto raste, mund të mësojmë durim dhe të mësojmë të presim për kohën e Zotit.

Mund të na nevojitet tipari i durimit si i Krishtit kur japim shërbesë gjithashtu. Ne mund t’u japim shërbesë njerëzve që kanë një larmi sfidash dhe nivelesh të të kuptuarit të ungjillit dhe kërkohet durim e dashuri për t’u dhënë shërbesë njerëzve që mund të mos jenë pranues.

grua me kokën të ngritur lart

Fotografia nga Getty Images

Zhvillimi i Durimit

Ndërsa arrijmë ta njohim Shpëtimtarin, ne do ta dimë më mirë se ç’do të bënte Ai për të dhënë shërbesë po të ishte në vendin tonë. Si mund ta zhvillojmë cilësinë e durimit si të Krishtit?

  • Dallojeni se jeta në vdekshmëri është plot situata që e vënë në provë durimin tonë dhe që është normale të ndihemi të pashpresë nganjëherë. Mbajeni mend se nëpërmjet të ushtruarit dhe besimit te Zoti, ne mund ta përmirësojmë reagimin tonë ndaj situatave stresuese. Jini i/e duruar me përpjekjet tuaja për të qenë më të duruar!

  • Kërkojini ndihmë Perëndisë kur e ndieni veten të mundohet me të qenit i/e duruar. Një frymëmarrje e thellë dhe një lutje mund të ndihmojnë për të sjellë qetësi e paqe.

  • Të dëgjuarit e muzikës që lartëson shpirtërisht dhe që sjell një ndjenjë plot paqe, mund t’ju ndihmojë t’i kaloni ndjenjat e padurimit.

  • Pranojeni kohën e Zotit në jetën tuaj. Vullneti dhe dëshirat tona duhet të përshtaten me kalendarin e Tij kohor.

  • Pasja e durimit është një mendësi. Mbani mend se të qenit jashtë kontrollit ose të qenit në një gjendje të vazhdueshme ngutjeje rrallëherë e përmirësojnë jetën tonë.

Ide për Dhënien e Shërbesës me Durim

Nganjëherë detyra jonë e dhënies së shërbesës është t’i ndihmojmë të tjerët që të kenë durim përgjatë sprovave. Ja disa mënyra se si mund të ndihmojmë:

  • Tregojini personit ose familjes se ne i duam dhe interesohemi për ta pavarësisht nga ndonjë sfidë me të cilën po përballen, madje edhe sikur të mendojnë, për çfarëdo arsye, se nuk i do asnjeri.

  • Tregojuni atyre përvoja kur ju desh të mësonit rreth durimit dhe që e kuptoni se sa i vështirë mund të jetë ai. Ndihmojini të ndiejnë se nuk janë vetëm në qoftë se ndihen të paduruar ose të pashpresë.

  • Lutuni për ta që të jenë në gjendje të kenë durim përmes sfidave të vështira dhe bëjuni të ditur se Ati Qiellor do t’i dëgjojë lutjet e tyre me qëllim që të mund ta ndiejnë atë forcë.

  • Jini një vesh dëgjues kur ata kanë nevojë të flasin me dikë. Pasja e një miku ose mikeje mirëkuptues/e është një nga mënyrat më të mira për ta duruar një sprovë ose situatë të vështirë.