“Të Bashkuar si Motra dhe Vëllezër në Krisht”, Liahona, shtator 2023.
Mirë se Vini në Këtë Numër Botimi
Të Bashkuar si Motra dhe Vëllezër në Krisht
Zërat e grave si edhe të burrave janë të nevojshëm për të kryer punën e Zotit. Ndonëse të pashoq, ne e plotësojmë njëri‑tjetrin, të bashkuar në synimin tonë të përbashkët për të qenë dishepuj të Krishtit.
Ndryshimet tona nuk duhen të na e largojnë vëmendjen nga ky synim. Përkundrazi, ndryshimet tona përfshijnë talentet dhe ndihmesat tona që së bashku e forcojnë ndikimin tonë në punën mbarëbotërore për shpëtim dhe ekzaltim. Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkruan për këtë çështje: “Ne arrijmë vendime më të mira dhe kemi sukses më të madh në shërbim të Zotit kur e vlerësojmë ndihmesën e njëri‑tjetrit dhe punojmë së bashku, si vëllezër e motra në veprën e Tij” (faqe 4). Si e arrijmë një unitet të tillë? Ne duhet të kemi besim se Zoti mund të veprojë me ndryshimet tona për mirë në mbretërinë e Tij.
Në artikullin tim në faqen 8, unë tregoj se çfarë kam mësuar nga ngjarja e Dhiatës së Re për gruan kananease, e cila i kërkoi Shpëtimtarit që t’ia shëronte të bijën. Gruaja nuk ishte nga shtëpia e Izraelit. Por ajo kishte besim se fuqia e Zotit mund ta shëronte fëmijën e saj dhe ky besim i jashtëzakonshëm e bashkoi atë me popullin e besëlidhjes dhe bëri të ndodhte mrekullia.
Le të shohim te Shpëtimtari në gjithçka që bëjmë, me “zemrat [tona] të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri‑tjetrit” (Mosia 18:21). Ne kemi privilegjin të mësojmë nga ndryshimet e fuqishme të njëri‑tjetrit dhe t’i vlerësojmë ata ashtu siç i vlerëson Krishti. Sa mirënjohëse jam që kam një Bari, i cili i dëgjon zërat e pashoq të secilës prej deleve të Tij.
Sinqerisht,
Presidentja Kamill N. Xhonson
Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës