Motrat Forcojnë dhe Shërbejnë
Në mediat shoqërore dhe me prani fizike, Presidenca e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës vazhdoi punën e saj për të forcuar familjet e individët dhe për t’u shërbyer fëmijëve të Perëndisë në të gjithë botën.
Në mars të vitit 2022, Presidentja Xhin B. Bingham foli për 180‑vjetorin e themelimit të Shoqatës së Ndihmës. Sot, tha ajo, ka shtatë milionë e gjysmë motra që lehtësojnë vuajtjet, shpëtojnë shpirtrat dhe përmbushin të njëjtat qëllime për të cilat u themelua Shoqata e Ndihmës në vitin 1842.
Presidentja Bingham dhe Motra Sheron Iubank, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës dhe presidente e Latter-Day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], vizituan disa vende të Lindjes së Mesme. Në Kajro, Egjipt, Presidentja Bingham tha se i kishte bërë përshtypje “dashuria e sinqertë që kishin shenjtorët për njëri-tjetrin”. Presidentja Bingham dhe Motra Iubank vizituan gjithashtu një kamp refugjatësh në Kurdistan, ku Kisha ka ndihmuar për sigurimin e strehimit.
Motra Reina I. Aburto, Këshilltare e Dytë, vizitoi Spanjën bashkë me Motrën Mishel D. Krejg, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave. “Paqja e Perëndisë duron dhe kapërcen gjithçka që është e keqe në botë”, – tha Motra Aburto në një takim shpirtëror për fëmijët dhe rininë.
Nëpërmjet mediave shoqërore, Presidenca e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës publikoi mesazhe për të ushqyerit, mirëqenien dhe shëndetin në fëmijëri, duke bashkërenduar me Shërbimet e Kishës për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja, për t’u dhënë mesazhe prindërve në lidhje me përfitimet që sjellin larja e duarve, uji i pijshëm e i pastër, zgjedhja e ushqimeve të shëndetshme, ushqyerja me gji, vaksinimi, higjiena dhe vizitat klinike.
Gjithashtu presidenca i nxiti motrat që të shprehin ndjenjat e tyre për atë që do t’i motivonte të merrnin pjesë më plotësisht në Shoqatën e Ndihmës dhe se si ta bënin Shoqatën e Ndihmës më përfshirëse dhe përkrahëse.