“Trejsi Y. Brauning”, Liahona, maj 2022.
Trejsi Y. Brauning
Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores
Trejsi Y. Brauningu ishte rreth 15 vjeçe kur nëna e saj pa një reklamë për Librin e Mormonit në një emision informativ natën vonë në televizor dhe kërkoi një kopje falas.
Brenda një kohe të shkurtër misionarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme trokitën në derën e saj, paraqitën Librin e Mormonit dhe filluan t’i jepnin asaj mësim për ungjillin e Jezu Krishtit.
Në atë kohë Trejsi jetonte në Nju‑Xhersi, SHBA, me babanë e saj, por shpesh e vizitonte nënën e vet në Nju‑Jork, SHBA. Ndërkohë që e vizitonte, Trejsi vuri re me kureshtje që nëna e saj po përparonte drejt pagëzimit.
Me gjyshen e saj, Trejsi kishte frekuentuar një kishë të krishterë, ku ajo mësoi bindjet themelore të krishterimit. Shpejt Trejsi filloi të frekuentonte shërbesat e adhurimit të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme me nënën e saj.
Përvoja kulmore erdhi kur nëna dhe bija morën pjesë në Hill Cumorah Pageant [Shfaqjen Përkujtimore për “Kodrën Kumorah”]. Qëndrimi në Korijen e Shenjtë, frekuentimi i kishës dhe dëgjimi i mesazheve të ungjillit në mënyra të reja e emocionuan. Trejsi i tha nënës së saj se ishte gati të mësonte më shumë rreth Kishës.
“Ajo më organizoi takimin me misionarët shumë shpejt pas kësaj”, – tha Motra Brauning.
Trejsi Jolend Brauning iu lindi Klajv Adamsit dhe Sherën Koksit në Nju‑Roshell të Nju-Jorkut më 9 tetor 1976. Ajo u rrit në Xhamajka, Nju‑Xhersi dhe Nju‑Jork. Ajo u martua me Bredi Brauningun në Tempullin e Solt‑Lejkut, më 2 maj 1997. Ata kanë dy fëmijë.
Motra Brauning studioi në Universitetin e Shën Gjonit. Ajo ka punuar në shërbimet financiare për 15 vjet dhe është tani drejtoreshë e Sektorit të Shërbimeve Botuese të Kishës. Motra Brauning gjithashtu ka qenë vullnetare me National Multiple Sclerosis Society [Shoqata Kombëtare e Sklerozës së Shumëfishtë], Habitat for Humanity [Vendbanim për Njerëzimin] dhe United Way’s Day of Caring [Dita e Përkujdesjes për Udhën e Bashkuar].
Motra Brauning ka shërbyer si këshilltare në presidencën e Shoqatës së Ndihmës për lagjen dhe kunjin, si mësuese në Shoqatën e Ndihmës dhe Shkollën e së Dielës dhe në organizatën e Të Rejave. Ajo po shërbente në këshillin e përgjithshëm konsultativ të Shoqatës së Ndihmës kur u thirr në Presidencën e Përgjithshme të Fillores.