2022
Plaku Mark D. Edi
maj 2022


“Plaku Mark D. Edi”, Liahona, maj 2022.

Plaku Mark D. Edi

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Në verën përpara vitit të fundit të shkollës së mesme për Plakun Mark D. Edi, një mësues seminari e ftoi atë dhe anëtarë të tjerë të këshillit studentor në seminarin e tyre që të lexonin Librin e Mormonit. Ai e kishte lexuar shumë herë me familjen e vet, por kjo ishte hera e parë që po e lexonte vetëm.

Vendosi të lutej përpara dhe pasi të lexonte çdo ditë. Shpresonte që një përgjigje e qartë lidhur me vërtetësinë e librit do të vinte brenda një ose dy javësh. Pasi lexoi për më shumë se dy muaj, ai ende nuk e kishte marrë pohimin që priste.

Disa orë përpara një takimi shpirtëror të “mirëseardhjes sërish” në seminar, në të cilin iu kërkua të jepte dëshminë e tij, Plaku Edi mbërriti herët që të ndihmonte për rregullimin e sallës. Më pas ai gjeti një vend të qetë për të lexuar Librin e Mormonit dhe për t’u lutur.

“Atëherë mora atë ndjenjë të qartë dhe të pagabueshme se ishte i vërtetë”, – tha ai. “Erdhi pikërisht në kohë për mua që të jepja dëshminë time atë mbrëmje. Për ta marrë atë ndjenjë u desh mjaft punë dhe ajo zgjati aq sa duhej për mua që të mos e harroj kurrë.”

Plaku Mark Dejvid Edi iu lindi Riçard Klegton Edit dhe Mari Luiz Savixh Edit, në Long‑Biç, Kaliforni, SHBA, më 30 mars 1973. Ai u rrit në Orem të Jutës dhe u martua me Anet “Eni” Allenin në Tempullin e Provos, Jutë në gusht 1994. Ata kanë gjashtë fëmijë.

Plaku Edi mori diplomë universitare nga Universiteti “Brigam Jang” në 1996 për komunikim dhe mori një gradë doktori në drejtësi në UBJ në vitin 2001. Që nga ajo kohë ai ka punuar si avokat dhe drejtues biznesi.

Plaku Edi ka shërbyer si I Shtatëdhjetë Zonal, president i Misionit të Uruguait, Montevideo, këshilltar në një presidencë kunji, peshkop, këshilltar i lartë, këshilltar në një peshkopatë, president i Të Rinjve të lagjes dhe misionar kohëplotë në Misionin e Republikës Domenikane të Santo‑Domingos Lindor.