Zbulo se si vallëzimi samoas me Thikë Flakëruese lidhet me ungjillin e Jezu Krishtit për të rinjtë e të rejat në Havai, SHBA.
Fotografitë nga Leslie Nilsson dhe Marissa Couto
Disa njerëz luajnë në piano. Disave u pëlqen të lexojnë libra. Të tjerë bëjnë gjimnastikë, luajnë futboll ose shah. Më pak e zakontë dhe madje pak e vështirë për t’u besuar, disa njerëzve u pëlqen të vallëzojnë ndërsa rrotullojnë thika në flakë.
Historia e Vallëzimit me Thikë Flakëruese
Vallëzimi samoas me thikë flakëruese, ose ailao afi, është një shfaqje bashkëkohore e një vallëzimi tradicional lufte. Është një talent i pashoq, një formë arti dhe shprehjeje dhe, për shumë njerëz, një mënyrë për të nderuar kulturën e tyre.
Ja si e shpjegojnë atë tre të rinj nga Havai i SHBA‑së:
Viviana, 18 vjeçe: “Sipas traditës, ishte diçka që luftëtarët e bënin vetëm me një thikë. Më vonë, iu shtuan zjarri dhe rrotullimi. Është shumë e ngjashme me rrotullimin e shkopit, vetëm me zjarr në të dyja skajet.”
Tui, 12 vjeç: “Vallëzimi me thikë flakëruese ka shumë nxehtësi. Kërkon edhe shumë rrotullim. Pra, e hedh thikën dhe e vërtit sa andej‑këtej ndërsa ajo rrotullohet.”
Jozefi, 18 vjeç: “Kur zjarri lëviz, era fishkëllen dhe daullet bien, bëhet shumë zhurmë. Por të jem i sinqertë, është një lloj momenti shpirtëror qetësie, sepse ka shumë kuptim për mua. Vallëzimi me thikë flakëruese është një mënyrë për t’u lidhur me familjen dhe kulturën time.”
Për këta të rinj, vallëzimi me thikë flakëruese nuk është thjesht një talent mahnitës dhe i rrallë. Ata gjithashtu kanë marrë prej tij shumë mësime të vlefshme jetësore rreth të qëndruarit pranë Zotit duke e jetuar ungjillin dhe duke i ndihmuar të tjerët.
Mirëbesimi te Zoti
Jozef A., 18 vjeç
Kur vallëzon me thikë flakëruese, shumë gjëra mund të shkojnë keq. Benzina mund të kullojë në të gjithë dorezën, duke e bërë atë të rrëshqitshme. Era gjithashtu mund t’i ndryshojë gjërat dhe ta bëjë të vështirë kapjen e thikës. Mirëbesimi te Zoti gjatë vallëzimit ka qenë një ndihmë e madhe për mua.
Një nga shkrimet e mia të shenjta të parapëlqyera është te Fjalët e Urta 3:5, që flet për mirëbesimin te Zoti me gjithë zemër. Mendoj se kjo është e rëndësishme, sepse në momentin e interpretimit e kupton se vë gjithë mundin në praktikë, por në të vërtetë varet vetëm nga ti, thika flakëruese dhe Ati Qiellor.
Më pëlqen t’i lutem Atit Qiellor në këtë mënyrë: “Mirë, po vë mundin në praktikë, tani të lutem më drejto duart”.
T’i Bësh Vend Zotit
Geri K., 16 vjeç
Duhet shumë përgatitje për garën me thikë flakëruese. Unë ushtrohem çdo ditë për rreth gjashtë muaj përpara garës.
Mund të jetë e vështirë gjithashtu, sepse programi im është shumë i ngjeshur. Por unë gjithmonë i bëj vend Zotit duke shkuar në kishë, në aktivitetet e Të Rinjve dhe në seminar, si dhe duke i lexuar shkrimet e mia të shenjta dhe duke u lutur. Kur i bëj këto gjëra, vërej një ndryshim në ditën time. Gjithçka thjesht shkon mirë.
Pa dyshim, ndiej se Krishti është pranë meje. Nëse mirëbeson te Zoti dhe përpiqesh ta vendosësh Atë të parin, Ai do të të ndihmojë për çdo gjë që ke nevojë të bësh.
Të Fitosh Vetëbesim dhe të Frymëzosh të Tjerët
Viviana K., 18 vjeçe
Ndërkohë që rritesha, pashë ungjit dhe kushërinjtë e mi të vallëzonin me thikë flakëruese. Mendova se ishte tepër e hatashme, por nuk e dija nëse mund ta bëja edhe unë vetë. Në shkollën e mesme, i vura vetes synim që të mësoja se si ta bëja. Pasi e mësova, e bëra synimin më specifik: doja të konkurroja në një garë me thikë flakëruese.
Vallëzimi me thikë flakëruese më ka ndihmuar të fitoj vetëbesim. Kur je duke vallëzuar, ka disa lëvizje ku e hedh thikën lart, e shikon në ajër dhe pastaj e kap. Dikur ia mbathja me vrap nga tehu pasi e hidhja lart. Babi më mësoi se duhej të angazhohesha për lëvizjen dhe të kisha besim te vetja.
E frymëzuar nga familjarët e saj, Viviana ka fituar vetëbesim se si të mbajë flakën.
Me kalimin e kohës, fillova të kisha më shumë siguri te vetja gjatë interpretimit dhe në çdo gjë tjetër. Tani është vërtet e mrekullueshme sepse ndonjëherë vajzat vijnë tek unë pas interpretimeve dhe thonë se janë frymëzuar dhe se edhe ato duan ta provojnë vallëzimin me thikë flakëruese. Jam shumë e emocionuar që po i frymëzoj të tjerët të bëjnë diçka që mendonin se ndoshta nuk mund ta bënin.
“Lutja më mbron dhe më ndihmon të bëj një vallëzim të mirë”, – thotë Tui.
Mposhtja e Frikës nëpërmjet Lutjes
Tui M., 12 vjeç
Kur interpretoj, nuk ndihem në siklet. Ndiej ngazëllim. Kam mësuar se, edhe nëse ngatërrohem, mund ta kthej në diçka të bukur. Është pothuajse si të pikturosh. Kur një piktor bën një gabim, ai mund ta kthejë atë në diçka të re. Ndonjëherë më bie thika flakëruese, por e marr përsëri dhe vazhdoj të vallëzoj.
Kuraja që i jap vetes, më ka ndihmuar shumë lidhur me frikën. Në vend që të kem mendime të tilla si: “Po sikur të ngatërrohem?” Përpiqem të kem më shumë mendime si: “Po mirë, po sikur ta bëj mirë!”
Është bërë gjithashtu një rutinë për mua të bëj një lutje të shkurtër çdo herë përpara një interpretimi me thikë flakëruese. Lutja më mbron dhe më ndihmon të bëj një vallëzim të mirë. Kur lutem, kam besim te vetja se do t’ia dal mirë.
Manasa T., 12 vjeç
Para se të interpretoj me thikë flakëruese, zakonisht ndihem në siklet. Çdo herë para se të filloj, bëj një lutje. Një herë, para se të filloja, bëra një lutje, ndjeva ngrohtësi përbrenda dhe nuk kisha frikë. Kur vallëzoja, ndieja sikur dikush po qëndronte aty pranë meje.
Lutja me të vërtetë më ndihmon të mos ndihem në siklet. Pasi lutem, e kuptoj se thjesht po argëtohem!
Dhënia e një Mesazhi Dashurie
Kauiki A., 15 vjeç
Verën e kaluar, ne interpretuam me thikë flakëruese në Rumani dhe Bullgari. Babi im gjithmonë na thoshte të mësonim këngën: “Dashuri në Shtëpi” (Himne, nr. 191) në gjuhën e vendeve që vizitonim. Ne e bëjmë këtë që të mund ta këndojmë së bashku si familje pasi interpretojmë.
Mendoj se mesazhi i dashurisë në shtëpi është i rëndësishëm sepse na kujton të kemi dashuri kudo që shkojmë. Ndiej sikur po i lartësoj njerëzit e tjerë dhe po i bëj të lumtur. Ndonëse ndonjëherë ata nuk mund ta flasin gjuhën time, e di se e kanë ndier ungjillin të shpërndahet nëpërmjet talenteve tona.
Nainoa A., 13 vjeç
Mesazhi i dashurisë në shtëpi është i rëndësishëm sepse nëse njerëzit nuk e dinë se ka dashuri rreth tyre, atëherë mund të jenë të mjeruar. Kur ka dashuri në shtëpinë time, ndihem në paqe dhe i qetë.
Përhapja e Dritës përmes Talenteve
Vallëzimi me thikë flakëruese është një mënyrë se si këta të rinj e shndritin dritën e tyre dhe ua tregojnë talentet e tyre të tjerëve. “Unë mund të interpretoj dhe t’i tregoj talentet e mia në mbarë botën me familjen time. Më bën të ndihem i lumtur brenda vetes njohuria se nëse i shfaq talentet e tua, atëherë do t’i ngresh të tjerët moralisht”, – thotë Nainoa.
Vëllai më i madh i Nainoas, Kauiki, thotë se vallëzimi me thikë flakëruese i kujton atij se si drita e pushton errësirën. Për të, shfaqja e talenteve të tij është si përhapja e dritës së tij tek të tjerët.
Jozefi thotë se kur shndrijmë, shndrijmë për Atin Qiellor. “Kur e japim atë që kemi, jo vetëm që bekojmë veten, ose bekojmë ata tek të cilët po i shfaqim talentet tona, por gjithashtu i japim në njëfarë mënyre lavdi Atit tonë Qiellor.”
Viviana thotë se gjyshi i saj tregon gjithmonë shkrimin e shenjtë te Mateu 5:16, i cili flet që ta lëmë dritën tonë të shndrijë përpara njerëzve. “Mendoj se është një shkrim i shenjtë i mirë sepse nuk duhet të jesh i zoti vetëm me thikat flakëruese për ta shpërndarë ungjillin. Mund të jesh i mirë në çdo gjë dhe t’i përdorësh talentet e tua për ta shpërndarë ungjillin në atë mënyrë.”