2025
Ati Yt Qiellor Dëshiron të Flasë me Ty
Mars 2025


Ati Yt Qiellor Dëshiron të Flasë me Ty

Ki besim se Ati yt Qiellor po të flet. Ai të qëndron pranë dhe të do më shumë nga ç’mund të thuhet me fjalë.

i ri duke u lutur

Ne jemi bij dhe bija të Perëndisë, që jetojmë në tokë të gjithë bashkë, larg shtëpisë sonë qiellore. Kjo është vdekshmëria, një kohë për të marrë trup, për të zgjedhur të mirën para së keqes, për ta rritur besimin te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe Shlyerja e Tij e shenjtë dhe për të përqafuar planin e Atit tonë për lumturinë.

Ngaqë nuk na kujtohet jeta jonë para lindjes, nganjëherë, ndihemi të veçuar prej botës që lamë pas. Ati ynë na ka bërë një dhuratë shpirtërore për të qëndruar të lidhur me Të dhe për të marrë udhërrëfim, drejtim dhe ngushëllim prej Tij. Ne e njohim shumë mirë këtë dhuratë; ajo quhet lutje.

Jezu Krishti

For Those Who Will Believe in Me [Për Ata që do të Besojnë tek Unë], nga Dan Wilson

Lutju Atit tënd Qiellor

Një engjëll e udhëzoi Adamin dhe Evën dhe të gjithë ata që do t’i ndiqnin, të “pendohesh[in] e … t’i thërr[itnin] Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë” (Moisiu 5:8).

Jezusi dha mësim:

  • “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7).

  • “Kur lutesh, … lutju Atit tënd në fshehtësi” (Mateu 6:6).

  • “Ju, pra, lutuni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt’” (Mateu 6:9).

Jezusi iu lut vazhdimisht Atit të tij (shih te Lluka 6:12; Marku 6:46). Në Gjetseman, Ai u tha dishepujve të Tij: “Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur” (Marku 14:32). Ndërsa ishte në kryq, Jezusi u lut për ushtarët që e kryqëzuan: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluka 23:34).

Ne këshillohemi të “lute[m]i gjithmonë”. Ndërsa “këshilloh[emi] me Zotin për të gjitha veprimet [tona] … ai do të [na] drejtojë për të mirë” (Alma 37:37). Për më tepër, ne i “[japim] të gjitha falënderimet dhe lavdërimin që i tërë shpirti [ynë] ka fuqi të zotërojë” (Mosia 2:20).

Por ajo që është edhe më e lavdishme, është se Ati ynë në Qiell u përgjigjet lutjeve tona! Pyetja që kërkon mendim nga ne, është: “Si t’i marrim dhe kuptojmë më mirë përgjigjet, drejtimin dhe ngushëllimin që na vijnë nga Ati?”

Marrja e përgjigjeve për lutjet tona fillon me besimin tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Ne mirëbesojmë tek Ati ynë, bëjmë çmos për t’i zbatuar urdhërimet dhe kërkojmë dorën e Tij në të gjitha gjërat (shih te Doktrina e Besëlidhje 59:21).

Ati yt Qiellor do të të qëndrojë përkrah, do të t’i forcojë aftësitë, do të të ngushëllojë dhe do t’i “shenjtërojë hidhërimet e tua për të mirë” (2 Nefi 2:2) ndërsa i thërret Atij për ndihmë.

i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

Dëgjoje Zërin e Tij

Teksa ushtrojmë besim te Perëndia dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, natyrshëm mësojmë ta dëgjojmë më mirë zërin e Tij.

Në vitin 1993, Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), asokohe anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ftoi gruan time, Kethin, dhe mua të merrnim pjesë me të në një takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”. Ky takim shpirtëror ndodhi shumë kohë përpara se të kishim në dispozicion kaq gjerësisht telefona inteligjentë, rrjete sociale dhe internet.

Në bisedën e tij, Presidenti Faust paralajmëroi: “Në brezin tuaj do të bombardoheni nga një mori zërash që do t’ju thonë se si të jetoni, si të kënaqni pasionet tuaja, si t’i keni të gjitha”. Por “zëri që duhet të mësoni t’ia vini veshin është zëri i Shpirtit”. Për ta bërë këtë, “ne … duhet të hapim veshët, ta kthejmë syrin e besimit te burimi i zërit dhe të shikojmë me vendosmëri drejt qiellit”.

Vite më vonë, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Nëse po [u] kushtoni më shumë vëmendje njoftimeve nga media shoqërore sesa pëshpëritjeve të Shpirtit, atëherë po e vini veten në rrezik shpirtëror”.

Zëri i Shpirtit vjen si në intelektin, ashtu edhe në ndjenjat tona. “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde” (Doktrina e Besëlidhje 8:2). Dëgjoje ndërgjegjen tënde, zbulesa shpesh e ka pikënisjen aty.

e re duke vështruar jashtë nga dritarja

Lutu me Zemër Besuese

Përgjigjet dhe përshtypjet nga Perëndia nuk mund të sforcohen. Ne lutemi dhe presim me një zemër besuese. Disa përgjigje nuk do të vijnë në këtë jetë, por, të drejtëve, Zoti do t’u dërgojë gjithmonë paqen e Tij (shih te Gjoni 14:27). Herë‑herë, përgjigjet vijnë “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (Doktrina e Besëlidhje 98:12).

Zëri i qiellit mund të vijë papritur shpesh në hapësira të qeta dhe vende të shenjta. Në qetësinë e lutjeve dhe përsiatjeve të mia herët në mëngjes, gjej bekime të pazakonta. Një lexim i përditshëm, vetjak, i pandërprerë i shkrimeve të shenjta, ndonëse rutinë ndonjëherë, mund të sjellë si zjarr zërin e Shpirtit në zemrat tona në raste të tjera.

Ndërsa zhurma dhe shpërqendrimet e botës vërtiten rreth nesh, Zoti e ka udhëzuar profetin e Tij të ndërtojë gjithnjë e më shumë tempuj. Në këto shtëpi të shenjta të Zotit, ndërsa i lëmë sfidat tona jashtë dhe hyjmë me lutjet dhe shqetësimet tona, na mësohen të vërtetat e përjetësisë. Një vit më parë, Presidenti Nelson premtoi se ndërsa adhurojmë në tempull: “Asgjë nuk do t’i hapë më shumë qiejt. Asgjë!”

Çdo konferencë e përgjithshme sjell gjithashtu bekime të tjera me bollëk. Në prillin e ardhshëm, do të takohemi përsëri në konferencën e përgjithshme për të dëgjuar zërin e Zotit. Unë premtoj se ndërsa përgatitesh dhe vjen me lutje në konferencën e përgjithshme, do të gjesh përgjigje për shqetësimet e tua dhe do ta dish se “dor[a] e qiellit” është mbi ty.

Ki besim se Ati yt Qiellor po të flet. Ai po të flet! Lejo që besimi yt tek Ai dhe Biri i Tij i Dashur të të ndihmojë ta ndash velin dhe të dëgjosh zërin e Atit tënd. Unë dëshmoj se Ai është pranë dhe të do më shumë nga ç’mund të thuhet me fjalë.