2025
Akullore, Miqësi dhe Dashuri për të Afërmin
Mars 2025


Përdorimi i Udhëzuesit

Akullore, Miqësi dhe Dashuri për të Afërmin

Zbatimi i urdhërimit të dytë të madh nuk është aq i vështirë sa mund të mendosh.

të reja me akullore të stërmadhe me kaush

Ilustrimet nga Valentina Vinci

Kur një shok, shoqe ose familjar po kalon një kohë tepër të vështirë, a je shqetësuar ndonjëherë për faktin se si t’ia zgjidhësh problemet? Duket si ide e mirë kur e sheh përciptas.

Por përfytyro sikur prindërit e shokut apo shoqes sate po shkurorëzohen. Ose sikur motrën tënde më të vogël po e bullizojnë në shkollë. Apo sikur gjyshi yt po lufton me depresionin e rëndë. Si t’i rregullosh të gjitha këto?

Përgjigja e shkurtër është se nuk mundesh. Dhe kjo është normale. Megjithatë, në të njëjtën kohë ti gjithmonë mund të japësh ndihmë. Do të habitesh se sa mund ta ndryshojë për mirë një ndihmë e vogël rrjedhën e gjërave.

Vështirësi të Mëdha, Dashamirësi të Thjeshta

Foni P. u rrit në një familje me një prind të vetëm. Gjatë fëmijërisë dhe viteve të adoleshencës, Foni e pa nënën e saj të mundohej për të rritur tre fëmijë e vetme. Për rrjedhojë, Foni zhvilloi ndjenja negative kundrejt të atit. Pastaj, kohët e fundit, pasi mbushi 19 vjeçe, babai i saj filloi t’i afrohej në përpjekje për t’u lidhur sërish me të.

“Isha e mërzitur”, – thotë Foni. “Mendja më thoshte: ‘Ai kishte 19 vjet kohë për të qenë në jetën time, por nuk e bëri. Përse tani?’” Ndonëse u lut dhe përsiati, Foni prapëseprapë nuk mundi të gjente paqe. Bashkëbisedimi me nënën dhe tezen e saj e ndihmuan disi, por prapë kishte ndjenja pështjelluese. Më pas ndodhi diçka e pabesueshme (por e thjeshtë): shoqja e ngushtë e Fonit e ftoi atë për të ngrënë një akullore dhe për të bërë blerje.

“Shumë njerëz e shohin këtë dhe mendojnë që nuk ishte ndonjë gjë e madhe”, – thotë Foni, – “por për mua do të thoshte shumë! Ndjeva diellin të më ngrohte lëkurën. Po ecnim përjashta dhe pashë pemët. Ndjeva erën dhe ndjeva Shpirtin njëkohësisht. Ishte e mahnitshme!”

të reja me akullore me kaush

A i zgjidhi problemet e Fonit kjo dalje e paplanifikuar për blerje? Epo, jo. Foni e pranon se marrëdhënia e saj me të atin është ende sfiduese. Mirëpo, ajo vepër e thjeshtë dashamirësie nga shoqja e saj, bëri që Foni ta ndiente sërish Frymën e Shenjtë. Ajo më pas mundi t’i përballonte më mirë, me forcë shtesë, vështirësitë e saj. “E di se ajo u nxit nga Fryma e Shenjtë për të më nxjerrë nga shtëpia”, – shprehet Foni.

Kush Ka Nevojë për Ty Sot?

Tek udhëzuesi Për Forcën e Rinisë ne ftohemi: “Shkojuni në ndihmë atyre që ndihen të vetmuar, të veçuar ose të pafuqishëm. Ndihmojini ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor përmes jush” (Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve [2022], f. 12). Ajo vepër e thjeshtë miqësie e ndihmoi Fonin të ndiente dashurinë e Perëndisë gjatë një situate të vështirë. Kë mund të ndihmosh që ta ndiejë këtë lloj dashurie sot?