Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut
Dishepuj të Jezu Krishtit për Gjithë Jetën


34:34

Dishepuj të Jezu Krishtit për Gjithë Jetën

Takimi Shpirtëror i Konferencës së Arsimtarëve të Fesë, 12 Qershor 2025

Hyrje: Kisha Vë Theksin te Zhvillimi i Dishepullimit për Gjithë Jetën

Jam shumë mirënjohës që jam me ju. Dua të falënderoj Gei (Stredhërnin) për atë lutje të ndier hapjeje; Motrën Elen Amatanxhelo, e cila përherë ka interpretuar kaq bukur në piano; dhe Vëllanë Kevin Oviatin që na ndihmoi për muzikën dhe këtë kor të mrekullueshëm. Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj.

Dëgjova të përmendeshin interpretuesit dhe që kjo përkthehet në gjuhë të ndryshme, kështu që nuk rri dot pa treguar një histori të shkurtër humoristike që mund të mos e përfshini në ritransmetime sepse është e vështirë për t’u përkthyer. Isha në Tempi të Arizonës, vite më parë, dhe punimet e kësaj konference, konferencës së kunjit, po përktheheshin në spanjisht nga një interpretues që ishte në një dhomë tjetër mendoj, duke përdorur kufje. Por ai la një shënim për mua në podium. Kështu që kur u ngrita në këmbë e pashë dhe aty thuhej: “Ju lutem, flisni ngadalë. Po e përkthejmë atë që thoni.” [Të Qeshura] Nuk funksionoi. Ndaj sot duhet të më dëgjoni përsëri mua.

Më lejoni ta filloj duke shprehur mirënjohjen e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve – në fakt të të gjithë Kishës – për punën që bëni me studentët tanë anekënd botës. Ju jeni në vijën e parë të hedhjes dhe mbrojtjes së themelit të kësaj Kishe, mbretërisë së Perëndisë në tokë, për të ardhmen. Faleminderit për përkushtimin tuaj. Unë besoj fort që përpjekjet tuaja po bëjnë një ndryshim mbresëlënës për mirë.

Udhëheqja e Kishës ka kohë që ia ka vënë theksin rëndësisë së zhvillimit të dishepujve të Jezu Krishtit për gjithë jetën. Dhe ne e theksojmë këtë, për shembull, në mënyrën se si i trajnojmë udhëheqësit e misionit dhe udhëheqësit vendorë të të rinjve dhe të rejave tona në mbarë Kishën. Ne e theksojmë këtë tek temat që u kërkojmë të trajtojnë Autoriteteve të Përgjithshme ndërsa udhëtojnë nga njëri vend tek tjetri, si edhe Drejtuesve të Përgjithshëm.

Dukshëm, zhvillimi i dishepujve të Shpëtimtarit për të gjithë jetën është gjithashtu thelbësor për ne në arsimimin në Kishë. Në burimin e SAK‑ut “Forcimi i Arsimimit Fetar”, na mësohet:

“Qëllimi i arsimimit fetar është të japë mësim ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit nga shkrimet e shenjta dhe profetët bashkëkohorë në një mënyrë që i ndihmon studentët tanë:

  1. Të zhvillojnë besim tek Ati Qiellor dhe dëshmi për Të dhe ‘planin e madh’ të Tij, …

  2. Të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën, të cilët i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet, … [dhe]

  3. Ta forcojnë aftësinë e tyre për të gjetur përgjigje, për të zgjidhur dyshimet, për t’u përgjigjur me besim dhe për të pasur arsye për shpresë brenda tyre në çfarëdo sfide me të cilën mund të përballen.”1

Ngjashëm, te Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë thuhet: “Qëllimi ynë është që të ndihmojë rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore që ta thellojnë kthimin e tyre në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, të kualifikohen për bekimet e tempullit dhe të përgatiten vetë, të përgatitin familjet e tyre dhe të tjerët për jetë të përjetshme me Atin e tyre në Qiell”.

Dishepullimi për të gjithë jetën është një aspekt thelbësor i doktrinës së Krishtit. Doktrina e Krishtit e shpreh se si ne vijmë te Krishti dhe marrim dhuratën e hirit të Tij shlyes. Ne ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes për të pasur besim tek Ai, për t’u penduar, pagëzuar dhe marrë Frymën e Shenjtë. Por që Shlyerja e Krishtit të ketë ndikimin e saj të plotë e shndërrues tek ne, kërkohet që ne të vazhdojmë në këtë shteg të besëlidhjeve, shtegu i dishepullimit, deri në fund të jetës sonë në vdekshmëri. Me fjalët e Nefit: “Dhe unë dëgjova një zë nga Ati, duke thënë: Po, fjalët e Birit tim të Dashur janë të vërteta dhe besnike. Ai që duron deri në fund, do të shpëtohet. Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur, prej kësaj e di se në qoftë se një njeri nuk duron deri në fund, duke ndjekur shembullin e Birit të Perëndisë së gjallë, ai nuk mund të shpëtohet.”2

Presidenti Nelson ka dhënë mësim: “Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë të gatshëm të ngulmojnë, ta ngrenë zërin dhe të jenë të ndryshëm nga njerëzit e botës. Ata janë të patrembur, të përkushtuar e të guximshëm.”3 Si arrihet ky lloj dishepullimi? Çfarë do të thotë kjo për ne si arsimtarë të fesë? Dhe si mund të japim mësim më me efektshmëri në një mënyrë që rinia dhe të rinjtë e të rejat tona në moshë madhore të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën?

Sonte, do të filloj duke shqyrtuar se si ushtrimi i lirisë së zgjedhjes e thellon kthimin në besim dhe çon në dishepullim për gjithë jetën. Më pas do të ftoj të shqyrtojmë se si këto ide duhet të ndikojnë te mënyra se si ne japim mësim si arsimtarë të fesë, duke u përqendruar te mënyra se si Vetë Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij. Dhe më pas do ta mbyll me komente rreth asaj se si dhënia e mundësive të shtuara ndaj studentëve tanë për të marrë përgjegjësi për të mësuarit e tyre, do t’i ndihmojë gjithashtu t’i përgjigjen lutjes së Presidentit Nelson për të marrë mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë e tyre.

Roli i Lirisë së Zgjedhjes te Dishepullimi

Pra, së pari, roli i lirisë së zgjedhjes te dishepullimi. Një nga dhuratat më të rëndësishme që Perëndia u dha fëmijëve të Tij, ishte liria morale e zgjedhjes. Kjo fuqi dhe ky privilegj, si dhe përgjegjësi, për të vepruar për veten tonë, është thelbësore për të përmbushur potencialin tonë të plotë si fëmijë të Perëndisë. Është pjesë qendrore për përparimin tonë në shtegun e besëlidhjeve. Plani i Perëndisë, siç e dini, nuk ishte të bënte gjithçka për ne, por të siguronte një strukturë që na lejonte të bënim zgjedhjet tona për t’u rritur individualisht. Liria e zgjedhjes ishte çelësi i përparimit tonë si shpirtra në të kaluarën dhe është çelësi për atë që mund të bëhemi sipas planit të Perëndisë për lumturinë, tani dhe në përjetësi.

Kundërshtari e di këtë dhe kërkon të na e dëmtojë lirinë tonë të zgjedhjes. Te Moisiu, lexojmë:

“Ngaqë ai Satan ngriti krye kundër meje dhe kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur, të cilën, unë, Zoti …, ia kisha dhënë atij, dhe gjithashtu që unë t’i jap atij fuqinë time; me anë të fuqisë së të Vetëmlindurit tim, unë bëra që ai të flakej tutje;

Dhe ai u bë Satani, po, madje djalli, ati i gjithë gënjeshtrave, për të mashtruar e verbuar njerëzit dhe për t’i çuar ata në robërinë e vullnetit të tij, madje të gjithë ata që nuk do t’i bindeshin zërit tim.”4

Lufta në Qiell mund të shihet, në pjesën më të madhe, si një betejë për të ruajtur lirinë e zgjedhjes së njeriut. Dhe kjo betejë vazhdon në këtë sferë në vdekshmëri. Satani e sulmon lirinë e zgjedhjes në të paktën dy fronte. Nga njëra anë, ai frymëzon doktrina dhe lëvizje politike që e zvogëlojnë përgjegjësinë vetjake ose që ushtrojnë mekanizmin detyrues dhe shtrëngimin me zor. Zoti thotë, për shembull, se arsyeja kryesore pse Ai bëri që Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të themelohej dhe të ruhej, është “për të drejtat dhe mbrojtjen e gjithë mishit … që çdo njeri të mund të veprojë në përputhje me doktrinën dhe parimin … lidhur me lirinë morale të zgjedhjes që unë i kam dhënë atij, që çdo njeri të mund të jetë i përgjegjshëm për mëkatet e veta në ditën e gjykimit”5. Pastaj Ai citon një shembull veçanërisht të shquar të shkeljes së lirisë së zgjedhjes, duke shpallur: “Si rrjedhim, nuk është e drejtë që ndonjë njeri të jetë nën skllavërinë e një tjetri”6. Plani i Luciferit ka qenë gjithmonë skllavërimi, në një formë apo në një tjetër.

Fokusi tjetër i sulmit të kundërshtarit kundër lirisë së zgjedhjes ka një rëndësi të veçantë për ne si mësues. Siç përcaktohet te shkrimet e shenjta të sapocituara, Satani, “ati i gjithë gënjeshtrave” vepron “për të mashtruar e verbuar njerëzit”7. Liria e zgjedhjes bëhet e pakuptimtë nëse nuk e dimë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, dhe si rrjedhojë nuk mund të bëjmë zgjedhje të informuara dhe inteligjente. Kundërhelmi ndaj mashtrimit është e vërteta. Sikurse shpalli Shpëtimtari: “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”8. Mendoj se Ai do të thotë të lirë nga robëria e mëkatit dhe gabimit, por edhe të lirë për të ushtruar lirinë tonë të zgjedhjes me kuptueshmëri – të lirë dhe të aftë për të bërë zgjedhje të mençura. Dhe këtu fillon roli ynë si mësues të fjalës së Perëndisë. Satani mund të ketë fuqi vetëm atëherë kur dikush nuk ia “vë… veshin zërit [të Zotit]”. Perëndia e dërgoi Birin e Tij për të qenë “udha, e vërteta dhe jeta”9. Ai na jep profetët për të na mësuar dhe udhëhequr drejt së vërtetës. Ai ka dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë për ta konfirmuar atë të vërtetë, dhe roli ynë është t’i ndihmojmë studentët të dëgjojnë dhe të zgjedhin të përqafojnë të vërtetën.

Mirëpo liria e zgjedhjes në kontekstin e arsimimit fetar, kërkon një hap më tej se përçimi i të vërtetave të ungjillit. Është thelbësore që ne të japim mësim në një mënyrë që i fton studentët të ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes në procesin e të mësuarit. Ne duam t’i ndihmojmë ata të bëhen pjesëmarrës aktivë në atë proces dhe të marrin përgjegjësinë për vetë të mësuarit e tyre. Aktivizimi i lirisë së zgjedhjes së studentëve, për ta zotëruar ata vetë procesin e të mësuarit, ka ndikim në zhvillimin e besimit afatgjatë dhe dëshmisë afatgjatë. Duke vepruar kështu, ata mund të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit aktivë dhe për gjithë jetën. Do të flas më shumë për këtë më vonë, por më lejoni të shtoj një koment këtu në lidhje me besëlidhjet.

Zgjedhja për veten tonë është një nga arsyet pse Presidenti Nelson ka qenë kaq i përqendruar te besëlidhjet. Kur zgjedhim të hyjmë në besëlidhje dhe t’i mbajmë ato, ne po bëjmë zgjedhje të pashoqe, vetjake për të ndjekur Shpëtimtarin tonë. Presidenti Nelson shpjegon:

“Gjatë kësaj jete ne arrijmë të zgjedhim cilave ligje jemi të gatshëm t’u bindemi – atyre të mbretërisë çelestiale, apo terrestriale, apo telestiale – dhe, si rrjedhim, në cilën mbretëri lavdie do të jetojmë përgjithmonë. Çdo zgjedhje e drejtë që e bëni këtu, do të sjellë përfitime të stërmëdha tani. Por zgjedhjet e drejta në vdekshmëri do të sjellin përfitime të papërfytyrueshme përjetësisht. Nëse zgjidhni të bëni besëlidhje me Perëndinë dhe jeni besnikë ndaj atyre besëlidhjeve, ju keni premtimin e ‘lavdi[së s]ë shtuar mbi kok[ën tuaj] përherë e përgjithmonë’.”10

Pra, marrja e përgjegjësisë për zgjedhjet e thellon bindjen vetjake. Kur nuk veprojmë për veten tonë, ne mund të zbulojmë padashur se besimit tonë i mungon thellësia e nevojshme për të kapërcyer pyetjet dhe sfidat e jetës dhe për të qenë dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën. Me fjalët e vetë Zotit:

“Sepse ata që janë të urtë dhe e kanë pranuar të vërtetën, dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre, dhe nuk janë mashtruar – në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të priten e nuk do të hidhen në zjarr, por do t’i qëndrojnë ditës”11.

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Tani, ky rol themelor që luan liria e zgjedhjes në zhvillimin tonë vetjak, ka ndikim te mënyra se si ne japim mësim si arsimtarë të fesë. Ne u kërkojmë udhëheqësve të misioneve ta mbajnë mend këtë ndërsa u japin misionarëve të tyre mundësi për të udhëhequr dhe drejtuar punën misionare. Ne u kërkojmë udhëheqësve të të rinjve t’u japin mundësi të rinjve “të mbaj[n]ë zgjedhën” e udhëheqjes së bashku me mentorët e tyre në moshë madhore. Dhe ne ju kërkojmë juve, arsimtarëve tanë të fesë, të jepni mësim në mënyra që ftojnë angazhimin dhe zotërimin vetjak të të mësuarit. Në secilën prej këtyre situatave, rritja reale ndodh në mënyrën më të efektshme kur të rinjve u jepen mundësi të veprojnë dhe jo vetëm të veprohet mbi ta.

Kujtoj me kënaqësi kohën time si mësues seminari herët në mëngjes. Mësova nga përvoja se është një thirrje që një njeri duhet patjetër ta dëshirojë. Dy prej atyre viteve si mësues seminari erdhën gjatë kohës kur isha student i shkollës juridike. Duke dashur që nxënësit e mi të kishin një përvojë se si është të kesh guximin të jetosh me anë të besimit, ftova një nga shokët e mi të klasës, jo anëtar i Kishës, por një njeri me besim, të vinte të fliste në klasën time një mëngjes. Shoku im, Riçardi, kishte probleme serioze me shikimin që kërkonin trajtime periodike dhe të dhimbshme që përfshinin, nëse mund ta përfytyroni, nxjerrjen e kokërdhokëve të syve nga zgavrat e tyre për procedura mjekësore. Shkolla juridike kërkonte të lexoje shumë, por ai nuk mund të shihte mjaftueshëm mirë sa për të lexuar. Ndaj, ai punësoi disa studentë të vitit të parë që të lexonin për të jashtë orës mësimore çdo ditë. Pavarësisht nga këto sfida serioze, ai kishte një natyrë të mirë dhe pëlqehej nga shokët e tij studentë. Ne u frymëzuam të gjithë nga shembulli i tij.

Kështu që Riçardi e tregoi historinë e vet në klasën time të seminarit, duke përfshirë besimin e tij te Perëndia dhe se si ndiente se Perëndia iu përgjigjej lutjeve të tij. Nxënësit patën mundësinë ta shihnin dhe ta dëgjonin atë nga afër dhe t’i bënin pyetje. Kjo u hapi sytë për fuqinë e besimit në jetën reale dhe çfarë kjo mund të nënkuptonte për jetën e tyre. Në të njëjtën kohë, përvoja, në mënyrë të figurshme, ia hapi sytë Riçardit për mirësinë e nxënësve të mi të çmuar të seminarit. (Një gjë që i bëri përshtypje atij, ishte të shihte adoleshentët në një klasë në orën 6:00 të mëngjesit.)

Tani, mbani parasysh mënyrën se si Shpëtimtari dha mësim. Jezusi nuk u tha thjesht dishepujve të Tij se çfarë duhet të bënin, as nuk bëri gjithçka për ta. Ai dha mësim në mënyra që kërkonin që ata të mendonin, të merrnin pjesë, të diskutonin dhe t’i zbatonin mësimet e Tij. Për shkak të kësaj, kur Shpëtimtari nuk ishte më personalisht me dishepujt e Tij, ata ishin më të përgatitur të merrnin [udhëzime] dhe të udhëhiqeshin nga Fryma e Shenjtë duke qenë vetëveprues.12 Te materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit lexojmë: “Me siguri do të ketë qenë mahnitëse ta shihje Shpëtimtarin duke ecur mbi ujë. Por kjo nuk mjaftoi për Pjetrin. Ai donte [dhe kishte nevojë] të bënte atë që bëri Shpëtimtari, të ishte aty ku Ai ishte dhe ta përjetonte vetë atë përvojë.”13 Sigurisht, kjo do të thoshte gjithashtu se Pjetri do të bënte gabime, por Shpëtimtari i dha atij vazhdimisht – dhe na jep të gjithëve ne – mundësi të vepronte dhe të forcohej përmes përpjekjeve të tij, duke përfshirë dështimet e tij.14

Për të krijuar këto lloj përvojash të të mësuarit për dishepujt e Tij, Shpëtimtari gjeti mënyra për t’i ndihmuar ata të merrnin përgjegjësi për të mësuarit e tyre. Merrni parasysh vetëm tri mënyra se si Shpëtimtari i angazhoi dishepujt e Tij: 1) duke u bazuar te shëmbëlltyrat, 2) duke bërë pyetje të frymëzuara dhe 3) duke bërë ftesa vetjake.

Të Bazuarit te Shëmbëlltyrat. Një koment për secilën nga këto. Së pari, shëmbëlltyrat. Mendoni për përdorimin e shëmbëlltyrave nga Krishti. Në vend që të dilte menjëherë me shpjegimin ose një deklaratë të drejtpërdrejtë, gjithmonë, Shpëtimtari shpesh i ftoi ndjekësit e Tij të kërkonin kuptimin më të thellë të asaj që Ai po jepte mësim. Kjo kërkonte përpjekje nga ana e tyre. Mund të mendoj për mënyra se si kuptueshmëria ime ndaj bindjes është forcuar duke studiuar shëmbëlltyrën e Mbjellësit.15 Unë e kam kuptuar më mirë faljen kur kam studiuar për djalin plëngprishës.16 Dëshira ime për të ndier dhe treguar dashuri hyjnore ndaj të gjithëve është shtuar nëpërmjet shëmbëlltyrës së Samaritanit të mirë.17

Po ashtu, unë jam bërë një dishepull dhe udhëheqës më i mirë pasi kam reflektuar mbi kujdestarinë sikurse diskutohet në shëmbëlltyrën e talentave.18 Një nga gjërat që më erdhi në mendje ndërsa përsiatja për këtë shëmbëlltyrë, ishte se dy shërbëtorët e parë, ai që kishte marrë pesë talenta dhe tjetri që kishte marrë dy, dhe që secili i shumëfishoi talentat e veta, morën të njëjtin lavdërim dhe shpërblim edhe pse numri i talentave të tyre ndryshonte. I pari, me pesë talenta, do t’ju kujtohet, e dyfishoi totalin e tij në dhjetë talenta, dhe i dyti, i cili e filloi me dy talenta, i bëri ato katër. Por që të dy morën të njëjtën përgjigje nga zotëria i tyre: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”19. Unë këtë e nënkuptoj se nuk na duhet të gjithëve ne që të arrijmë në të njëjtin nivel dhe të përparojmë me të njëjtin afat kohor, për të korrur bekimin e Zotit dhe përfundimisht dhuratën e jetës së përjetshme. Ne thjesht duhet të jemi të zellshëm me dhuratat, aftësitë dhe mundësitë që kemi. Unë besoj se edhe shërbëtori me një talent, nëse do të kishte punuar dhe shërbyer për të fituar një talent të dytë në vend që ta fshihte talentin e tij, gjithashtu do të kishte marrë të njëjtin shpërblim që iu dha edhe dy vëllezërve të tij. Unë u mësoj udhëheqësve dhe të tjerëve se nëse thjesht bëjnë atë që munden, Zoti do t’i lartësojë dhe shpërblejë përpjekjet e tyre dhe, në kohën e duhur, ata do të marrin plotësinë e bekimeve të Tij.

Bërja e Pyetjeve të Frymëzuara. Sa i përket bërjes së pyetjeve të frymëzuara, Shpëtimtari gjithashtu dha mësim në atë mënyrë. Për shembull, kur Ai i pyeti dishepujt e Tij: “Po ju, kush thoni se jam unë?” Dallueshëm, Ai e dinte përgjigjen me më shumë qartësi dhe thellësi se dishepujt e Tij, por Ai i dha Pjetrit mundësinë të reflektonte dhe pastaj t’i përgjigjej vetë pyetjes. Unë besoj se përgjigjja me gojë e Pjetrit e thelloi vetë dëshminë e tij kur ai shpalli: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”20. Pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari i bëri një pyetje tjetër Pjetrit tri herë ndarazi: “Simon nga Jona, a më do ti mua?” Për çdo herë Pjetri iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”. Këtë herë pyetja e lejoi Shpëtimtarin t’i jepte mësim Pjetrit duke iu përgjigjur çdo herë: “Kulloti delet e mia”21.

Bërja e Ftesave. Së fundi, bërja e ftesave. Kishte raste, raste të tjera, që Shpëtimtari iu përgjigj Vetë pyetjes që Ai kishte bërë, por në mënyra që shërbenin si një ftesë. Duke u folur dishepujve të Tij në hemisferën perëndimore, Shpëtimtari pyeti: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Më pas Ai u përgjigj Vetë: “Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë”22. Ne mund të mendojmë për ftesa të tjera të rëndësishme nga Shpëtimtari. Për shembull, merrni parasysh ftesën e Tij: “Eja e më ndiq”. Ndonjëherë ftesat e Tij vinin me premtime shoqëruese dhe ato ende vijnë me premtime. Për shembull, te Doktrina e Besëlidhje, Zoti na fton: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet”23. Në të gjitha ftesat e Shpëtimtarit, Ai u jep dishepujve të Tij mundësi për të vepruar, për të menduar dhe për ta zotëruar vetë ata procesin e të mësuarit dhe rritjen e tyre.

Ndikimet te Arsimimi Fetar

Më herët këtë vit, Plaku Klark Gilbert u bëri një ftesë mësuesve tanë të seminarit dhe institutit që të gjejnë me qëllim mënyra për t’u ofruar studentëve mundësi për të vepruar dhe për të marrë përgjegjësi për të mësuarit e tyre. Ai u mbështet drejtpërdrejt te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit në pjesën e titulluar “Ftoni të Mësuarit me Zell”24. Më duket domethënëse që titulli i kësaj pjese përqendrohet tek të mësuarit në vend të mësimdhënies. Për mua, kjo është një kujtesë se mësuesit e efektshëm i ftojnë studentët të marrin përgjegjësi për të mësuarit e tyre. Dhe kur japim mësim në një mënyrë që fton vetëm të dëgjuarit dhe shpërfill angazhimin aktiv nga ana e nxënësit, ne rrezikojmë t’u japim një sinjal studentëve se e vlerësojmë mësimdhënien tonë mbi të mësuarit e tyre.

Te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, na sillet në kujtesë se ftesa e të mësuarit me zell kërkon që ne t’i ndihmojmë studentët të bëhen vetëveprues në procesin e tyre të të mësuarit. Ka disa mënyra se si kjo mund të ndodhë, por më lejoni të theksoj të paktën tri mënyra nga ai burim për mësimdhënien:

  • Së pari, ne mund të krijojmë përvoja të të mësuarit aty ku ne i “ftoj[më] nxënësit të përgatiten për të mësuar”. Kjo mund të ndodhë nëpërmjet detyrave me lexim paraprak, pyetjeve për studim dhe ftesave vetjake.

  • Së dyti, ne duhet t’i “nxiti[m] nxënësit të tregojnë të vërtetat që po mësojnë”. Ka kaq shumë mënyra për ta bërë këtë dhe secili prej jush do të gjejë qasje të personalizuara që funksionojnë për ju dhe studentët tuaj. Kur isha në shkollën e juridikut, shpesh mësoja nëpërmjet asaj që quhej metoda e Sokratit, ku mësuesit i ndihmonin studentët të hulumtonin një çështje ligjore duke i kërkuar klasës t’i qasej materialit nëpërmjet një sërë pyetjesh të zhvilluara me mirëmendim. Ne duhej të vinim në klasë të përgatitur për të artikuluar njohuritë tona dhe për të dëgjuar të tjerët. Kam parë mësues instituti që u japin studentëve mundësi për ta treguar atë që po mësojnë, nëpërmjet diskutimeve të strukturuara mirë në orën mësimore dhe kjo kërkon mësues të përgatitur mirë që i angazhojnë studentët e përgatitur mirë në një frymë kërkimi dhe dialogu. E di që kështu ndodh gjithmonë në orët tuaja mësimore. Të gjithë studentët janë të përgatitur mirë. Të gjithë mësuesit janë të përgatitur mirë. Por kjo është ftesa.

  • Dhe së treti, ne duhet t’i “ftoj[më] nxënësit ta jetojnë atë që po mësojnë” (germat e pjerrëta të shtuara)25. Ne gjithmonë duhet të kërkojmë mënyra për t’i ftuar studentët ta zbatojnë atë që po mësojnë, në vetë jetën e tyre. Kjo mund të vijë përmes ftesave vetjake, ushtrimeve reflektuese dhe një mori përpjekjesh të tjera për t’i ndihmuar studentët të ndryshojnë dhe të bëhen diçka më shumë në Krisht.

Këto përpjekje për t’u përgatitur, për të treguar dhe zbatuar, kërkojnë mendim dhe ndonjëherë mund të kërkojnë më shumë punë nga ana e mësuesit. Kjo mund të jetë veçanërisht e vërtetë në përpjekjet tuaja për t’i ndihmuar studentët t’i tregojnë njëri-tjetrit dhe ta mësojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk do të thotë se nuk ka situata specifike ku flasim drejtpërdrejt dhe njëanshëm, veçanërisht kur ia vëmë theksin një mesazhi kyç ose vendosim një parim themelor. Mbledhja e kësaj mbrëmjeje është një shembull i tillë i krijimit të një mesazhi themelor. Por ky mesazh më pas duhet të ndiqet me më shumë mundësi të rregullta që të gjithë ne të angazhohemi në procesin e të mësuarit duke e treguar atë që po mësojmë dhe duke e zbatuar atë që mësuam, si pjesë e mësimdhënies sonë.

Shpresoj ta keni kuptuar përgatitjen që ju kërkuam të bëni përpara kësaj mbrëmjeje me pyetje për studim dhe materiale leximi që u shpërndanë paraprakisht. Nesër dhe në javët e ardhshme, ne do t’ju ftojmë të diskutoni se çfarë po mësoni rreth mësimdhënies sipas mënyrës së Shpëtimtarit me kolegët dhe bashkëmoshatarët tuaj. Ne gjithashtu do t’ju kërkojmë të përcaktoni fushat ku mund ta forconi mësimdhënien tuaj bazuar në mesazhin e sotëm dhe burime të tjera për mësimdhënien që do të jepen nesër.

Më lejoni të ndalem këtu dhe ta drejtoj vëmendjen tuaj te një burim tjetër për mësimdhënien që ia vlen të studiohet, megjithëse u shkrua për një publik tjetër. Po i referohem Kapitullit 10 te manuali i misionarëve, Predikoni Ungjillin Tim. Ky kapitull titullohet: “Jepni Mësim për të Ndërtuar Besim te Jezu Krishti”. Mësimdhënia misionare është, natyrisht, më cilësorja për t’i ndihmuar njerëzit që të angazhohen dhe shndërrojnë jetën e tyre duke ushtruar lirinë e tyre morale të zgjedhjes. Synimi është kthimi në besim përmes ndikimit të Frymës së Shenjtë dhe hirit të Krishtit që çon në dishepullim për gjithë jetën. Sigurisht që ky është edhe synimi ynë në Sistemin Arsimor të Kishës. Prandaj them se ju mund të fitoni më së miri ide të shtuara nga ky burim si dhe nga burimi Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Natyrisht, ka mbivendosje të konsiderueshme midis dy manualeve, por leximi i diçkaje që mund të shprehë një parim ose ide pak më ndryshe, ndonjëherë mund të sjellë një këndvështrim të ri ose kuptueshmëri më të thellë. Disa nga pyetjet e trajtuara në Kapitullin 10 te Predikoni Ungjillin Tim janë: “Si mund të jap mësim me anë të Shpirtit?” “Si mund të jap mësim nga shkrimet e shenjta?” “Si duhet ta tregoj dëshminë time kur jap mësim?” “Si mund ta planifikoj dhe përshtat mësimdhënien time për të plotësuar nevojat e njerëzve?” dhe “Si mund të bëj pyetje më të mira dhe të jem një dëgjues më i mirë?” Dua që ju të dini se nuk po paguhem për këtë miratim.

Ndihma ndaj Studentëve që të Marrin mbi Vete Përgjegjësinë për Dëshmitë e Tyre

Së fundi, mbi ndihmën ndaj studentëve që të marrin mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë e tyre. Të ftuarit e të mësuarit me zell është themelor për zhvillimin e dishepujve të Jezu Krishtit për gjithë jetën, sepse i ndihmon nxënësit të marrin përgjegjësinë për të mësuarit e tyre, siç kemi thënë. Një nga mënyrat se si Presidenti Nelson e ka nxitur këtë zotërim të rritjes sonë vetjake, është ftesa e tij për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, që të marrin mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë e tyre. Në takimin e tij shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore në vitin 2022, Presidenti Nelson tha:

“Ju përgjërohem që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese dhe më pas të pyetni veten përse dëshmia juaj po zbehet. Përfshihuni në lutje të përditshme, të zellshme, të përulur. Ushqejeni veten tuaj me fjalët e profetëve të lashtë dhe modernë. Kërkojini Zotit që t’ju mësojë se si ta dëgjoni Atë më mirë. Shpenzoni më shumë kohë në tempull dhe me punën për historinë familjare. Teksa e bëni dëshminë tuaj përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekulli që do të ndodhin në jetën tuaj.”26

Presidenti Nelson e përsëriti këtë lutje kundrejt të gjithë Kishës në fjalimin e tij të konferencës së përgjithshme të tetorit 2022: “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”27.

Kur u foli të rinjve e të rejave në moshë madhore, Presidenti Nelson bëri një sërë pyetjesh: “A doni të ndieni paqe rreth shqetësimeve që ju pllakosin aktualisht? A doni ta njihni më mirë Jezu Krishtin? A doni të mësoni se si fuqia e Tij hyjnore mund t’i shërojë plagët dhe dobësitë tuaja? A doni të përjetoni fuqinë e ëmbël, qetësuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit që vepron në jetën tuaj? Kërkimi për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve do të kërkojë përpjekje – shumë përpjekje.”28 Ai i pohon shqetësimet e studentëve duke thënë: “Nëse keni pyetje – dhe shpresoj që të keni – kërkojini përgjigjet me dëshirën e zjarrtë që të besoni. Mësoni gjithçka mundeni rreth ungjillit dhe sigurohuni që të drejtoheni për udhërrëfim te burime të mbushura me të vërtetë.”

Për mua, kjo është ajo që do të thotë të ftojmë të mësuarit me zell, dhe kjo është ajo që do të kërkohet nga ne për t’i ftuar studentët tanë të marrin mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë e tyre. Ky zotërim i të mësuarit duhet të mbështetet te mënyrat se si ne e strukturojmë mësimin tonë, në mënyrë që studentët të kenë mundësi të angazhohen me thellësinë dhe rigorozitetin e nevojshëm për të zhvilluar dishepullim të vërtetë. Reflektoni përsëri për ftesën e profetit që thotë: “Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet.” A e ftojnë klasat tona këtë lloj angazhimi individual që të çon drejt një dëshmie dhe dishepullimi të mëtejshëm? A ka mënyra se si ne mund t’i arrijmë ose t’i përmirësojmë përpjekjet tona për ta arritur dhe ftuar të mësuarit me zell?

Përfundimi

Sonte e fillova duke shqyrtuar qëllimet e arsimimit fetar në Kishë, duke përfshirë nevojën për të ndihmuar studentët tanë:

  1. “Të zhvillojnë besim tek Ati Qiellor dhe dëshmi për Të dhe ‘planin e madh’ të Tij …

  2. Të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën, të cilët i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet, … [dhe]

  3. Ta forcojnë aftësinë e tyre për të gjetur përgjigje, për të zgjidhur dyshimet, për t’u përgjigjur me besim dhe për të pasur arsye për shpresë brenda tyre në çfarëdo sfide me të cilën mund të përballen.”29

Kur i ndihmojmë studentët të ushtrojnë lirinë e tyre vetjake të zgjedhjes, kthimi i tyre në besim do të thellohet në mënyra që çojnë në dishepullim për gjithë jetën. Tetorin e kaluar, Presidenti Nelson pohoi: “Tani është koha ta bëjmë dishepullimin tonë përparësinë tonë më të lartë”30. Dhe ai shtoi: “Nuk është as tepër herët dhe as tepër vonë që të bëheni një dishepull i përkushtuar i Jezu Krishtit”31. Le të veprojmë me zell tani përpara se të jetë tepër vonë. Tani është koha, siç tha ai. Më prek gjithnjë e më shumë paralajmërimi i vëllait tim [në thirrje], Palit, lutja e tij paralajmëruese, që iu bëri pleqve në Efes:

“Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.

Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën,

edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.”32

Studentët për të cilët jemi, sipas fjalës së Palit, “kujdestarë” janë pafundësisht të çmuar, të blerë me gjakun e vetë Shpëtimtarit. Ne kemi përgjegjësinë që të japim një shembull besnikërie dhe t’i ushqejmë e t’i forcojmë ata kundër “ujqër[ve] grabitqarë” që mund të hasin jashtë Kishës dhe madje edhe brenda Kishës, sipas shprehjes së Palit, “midis [nesh]”, duke folur gënjeshtra dhe duke kërkuar t’i bëjnë ata dishepuj të tyre dhe jo dishepuj të Mësuesit. Ne duhet t’i ndihmojmë ata të mësojnë të vërtetën, përdorimin me mençuri të lirisë së zgjedhjes dhe, mbi të gjitha, dashurinë e thellë dhe të qëndrueshme për Atin dhe Birin.

Unë jap dëshmi për Atin tonë të dashur e të shtrenjtë Qiellor dhe planin e Tij të Shëlbimit. Unë dëshmoj për realitetin e gjallë të Birit të Tij të Vetëmlindur, Jezusit, Shëlbuesit të ringjallur, i cili ulet në të djathtë të Atit, ku Ai i ka fituar të drejtat e Tij për mëshirë mbi fëmijët e njerëzve.33 Me Mormonin, shpall se jam dishepull i Jezu Krishtit34 dhe synoj të jem dishepull i Krishtit për aq kohë sa të jem gjallë. Secili prej nesh u forcoftë në dishepullimin vetjak dhe në përpjekjet vetjake për të ndihmuar sa më shumë njerëz që të mundemi, që të bëhen dishepuj të përkushtuar të Jezu Krishtit për gjithë jetën!

Perëndia ju bekoftë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.