Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut
Dishepullimi për Gjithë Jetën Është Synimi Ynë


15:7

Dishepullimi për Gjithë Jetën Është Synimi Ynë

Ndikimi i Mësimdhënies së Mirë të Ungjillit

Takimi Shpirtëror i Konferencës së Arsimtarëve të Fesë, 12 Qershor 2025

Unë jam nga Tenesi, ku kultura e krishterë ka kaq shumë ndikim, dhe, kur isha në shkollë të mesme, isha pjesë e një organizate që quhej “Shoqata e Atletëve të Krishterë”. Duke më parë tani nuk do ta mendonit, por, në atë kohë, isha atlet i mirë dhe mjaft në formë. Para disa vjetësh, nëna i dërgoi sime shoqeje një fotografi nga shkolla e mesme, kur kisha gjithë ato flokë dhe ca muskuj. Bashkë me fotografinë ishte një mesazh ngushëllues nga nëna për gruan time që thoshte: “Për këtë paraqitje të shpresosh në Ringjallje”.

Epo, Shoqata e Atletëve të Krishterë ishte dhe është një organizatë me një mision të madh. Ishte një komunitet atletësh, nga besime të ndryshme fetare, që kishin një besim të përbashkët në Krishtin. Në fund të vitit të dytë, u zgjodha për të qenë president i senatit në shkollën e mesme për vitin vijues si maturant.

Emri im, së bashku me përkatësinë time në Kishë, u dorëzua në selinë e shtetit si presidenti i ri i senatit. Pak kohë më vonë, mentorit të shkollës i erdhi një mesazh se duhej dorëzuar një emër i ri. Mentori i shkollës më tha se i kishin thënë që unë nuk mund të isha president, sepse ata nuk i konsideronin anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si të krishterë. Besimi im nuk qe sprovuar kurrë në atë mënyrë.

U zgjodh një president i ri, por pas disa muajsh, mora lajmin se disa përfaqësues nga Kisha kishin folur me Shoqatën e Atletëve të Krishterë dhe çështja ishte zgjidhur. Unë vijova të isha aktiv në grup për shkak të njerëzve vërtet të mirë që ishin pjesë e tij.

Epo, në fund të çdo viti shkollor, secili anëtar i senatit të shkollës së mesme voton për atletin e vitit dhe në fund të vitit tim si maturant, bashkëmoshatarët e mi më votuan si “Atleti i Vitit i Shoqatës së Atletëve të Krishterë”. Tani, për të qenë i sinqertë, ndjeva se ishte një drejtësi e merituar. Një vit më parë, nuk më konsideronin as si të krishterë, kurse tani po merrja çmimin prej tyre.

Mirëpo, emri im, së bashku me përkatësinë time fetare, u dorëzua në selinë e shtetit si atleti i vitit i shkollës sime të mesme. Por edhe një herë, mentorit të shkollës i erdhi prapë një mesazh se duhej dorëzuar një emër i ri. Me sa duket, çështja nuk ishte zgjidhur.

Mentori ynë i shkollës, i cili ishte trajneri im i futbollit dhe mundjes, më tha se kishte kërkuar që dikush të vinte nga zyrat e shtetit që të më takonte në shkollën tonë të mesme, për të arsyetuar një vendim me të cilin nuk ishte dakord.

Një burrë shumë i mirë, me qëllime të mira erdhi për të më takuar. U takuam në klasën e trajnerit tim gjatë një orari që ai e kishte pushim. Zotëria më shpjegoi se donte që unë të kuptoja pse anëtarët e Kishës sonë nuk konsideroheshin si të krishterë.

Ai nxori një fletë letre nga çanta. Në letër, ishin dhjetë pika të doktrinës sonë që ai tha se nuk ishin në përputhje me përkufizimin e tyre mbi krishterimin. Ju mund t’i njihni këto pika: besimi ynë se Kreu-Perëndi përbëhet nga qenie më vete, se ka shkrime të tjera të shenjta përveç Biblës e kështu me radhë.

Ai foli për këto pika dhe ishte shumë i sjellshëm, madje do të thosha i krishterë. Ai ishte një njeri i mirë, por i keqmësuar. Ai hapi çantën dhe e vuri letrën mënjanë dhe më pyeti sinqerisht a kisha ndonjë pyetje.

Dhe unë i thashë: “Po, kam”. I thashë: “Bibël është ajo që pashë në çantën tuaj?”

Dhe ai u përgjigj: “Po”.

I thashë: “A mund të shohim aty disa shkrime të shenjta?”

Tani, më duhet t’jua them, kisha mësues shumë të mirë seminari. Dhe ishim vërtet të zotë në gjetjen e shkrimeve të shenjta. Asokohe, ne kishim dyzet vargje për zotërimin e shkrimeve të shenjta çdo vit, dhe çdo të premte në orën tonë mësimore të seminarit, do të hanim petulla dhe do të bënim ushtrime për gjetjen e shkrimeve të shenjta, dhe isha më konkurrues se ç’duhej. Jo vetëm që i shenjoja vargjet për zotërimin e shkrimeve të shenjta me të kuqe, por gjithashtu mësova, më vjen zor ta them, se po t’i rrudhosja faqet, ishte më e lehtë që t’i hapja direkt vargjet e zotërimit të shkrimeve të shenjta. Ndaj, pikërisht para konkursit tonë nga kunji për gjetjen e shkrimeve të shenjta, do t’i spërkatja faqet me pudër bebesh. Nëse thjesht kërcitja gishtat pranë shkrimeve të mia të shenjta, ato do të hapeshin te një varg i zotërimit të shkrimeve të shenjta.

Epo, zotëria u tregua mjaft i sjellshëm për të ma dhënë Biblën e tij, e cila, meqë ra fjala, nuk ishte shenjuar për gjetjen e shkrimeve të shenjta. E hapëm te Mateu 3, Veprat e Apostujve 7, 1 Kronikave 29 e kështu me radhë. E përgëzoj për faktin që më dëgjoi me dashamirësi. Vendimi nuk ndryshoi, por ndryshova unë.

Disi, ndërsa i shqyrtoja ato shkrime të shenjta, e ndjeva të vërtetën e tyre më thellë se më parë. Ndonjëherë dëshmia vjen pas sprovës.1 Dëshmia ime, kthimi im në besim, nuk më erdhën për shkak të asaj përvoje; ngjarjet e vetme rrallë sjellin besim afatgjatë. Por kjo ishte një përvojë mes shumë të tjerave që më dha një dëshmi që është rritur me kalimin e kohës.

Jam tejet mirënjohës për mësuesit e mi të seminarit herët në mëngjes, që më ndihmuan të hedh një themel mbi të cilin të ndërtoj. Ndonëse donin shumë që lagjja jonë ta fitonte konkursin nga kunji për gjetjen e shkrimeve të shenjta, ata ishin shumë më të interesuar që të na ndihmonin të bëheshim dishepuj të Krishtit për gjithë jetën. Ata bënë një ndryshim në jetën time. Shpresoj që në momentet tuaja të qeta të reflektimit për mësimdhënien tuaj, do ta dalloni ndikimin domethënës që keni në jetën e atyre të cilëve u jepni mësim.

Ky brez i ri është i mrekullueshëm. Në këtë konferencë të përgjithshme më të fundit, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Pjesëtarët e brezit të ri po rriten si pasues të palëkundur të Jezu Krishtit”2. Në një rast tjetër, ai u tha atyre: “Ju keni kapacitetin për të qenë më të zgjuar e më të mençur dhe për të pasur më shumë ndikim mbi botën sesa çdo brez i mëparshëm!” 3 Për ta arritur atë kapacitet, atyre u nevojiten, mes shumë të tjerash, mësues të mirë të ungjillit.

Ata janë plot besim, mirëpo “besimi … vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë”4. “Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” 5 Ata e kuptojnë ungjillin si asnjë brez tjetër përpara tyre, por si mund ta “kupto[jnë] atë që lexo[jnë] … po s’pat[ën] një [mësues] që [t’i] … udhëzojë?”6

Korintasve, Pali u shkroi: “Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë”7. Kështu që, e gjeni veten midis apostujve, profetëve dhe mrekullive me një rol thelbësor në madhështinë e këtij momenti dhe përshpejtimit të veprës së Zotit.8

Dishepullimi për Gjithë Jetën Është Synimi

Në mesazhin e Plakut D. Tod Kristoferson, mbrëmë, ai e filloi dhe e përfundoi fjalën e tij duke shqyrtuar qëllimet e arsimimit fetar në Kishë. Më bëri përshtypje përsëritja e tij dhe theksimi për të ndihmuar studentët të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën. Qëllimi i tij ishte të na kujtonte atë që shpresojmë të arrijmë me mësimdhënien tonë.

Vetëm gjashtë muaj pasi u thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, asokohe Plaku Rasëll M. Nelson, foli në këtë kompleks universitar në një takim shpirtëror një të diel. Mesazhi i tij ishte frymëzues dhe plot këndvështrime, por ajo që dua të theksoj, është titulli i bisedës së tij. Ai e paraqiti në këtë mënyrë: “Fjalimin tim e kam titulluar: ‘Filloni me Fundin në Mendje’”. Ai më pas shpjegoi: “Them se kjo vjen pjesërisht nga formimi im si kirurg. Një prerje me bisturi në një vend të caktuar nuk bëhet kurrë pa e pasur në plan që ta mbyllësh. Megjithatë, i njëjti parim gjen zbatim përgjithësisht në të gjitha fushat. Yjet e vrapit nuk e fillojnë garën pa e ditur vendndodhjen e vijës së përfundimit.”9

Mbajtja e fundit në mendje – të dish se ku ndodhet vija e përfundimit dhe të kuptosh synimin përfundimtar – është gjithmonë e rëndësishme, por është veçanërisht thelbësore në mësimdhënien e ungjillit. Kur qëndrojmë të fokusuar në atë objektiv hyjnor, kemi shumë më tepër gjasa që ta arrijmë atë.

Presidenti Tomas S. Monson theksoi: “Qëllimi i mësimdhënies së ungjillit … nuk është për ‘derdhje informacioni’ në mendjet e anëtarëve të klasës. … Qëllimi është të frymëzojë individin për të menduar, ndier dhe më pas që të bëjë diçka për vënien në jetë të parimeve të ungjillit.10

Siç thuhet te Manuali i Përgjithshëm: “Ne e japim mësim ungjillin për t’i ndihmuar njerëzit që ta forcojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit të bëhen më shumë si Shpëtimtari, të marrin fuqinë e Tij në jetën e tyre dhe përfundimisht të fitojnë jetë të përjetshme.”11

Ju tashmë e bëni këtë në mënyrë të shkëlqyer. Ne e shohim ndikimin tuaj në jetën e brezit të ri. Më shumë të rinj po marrin pjesë në seminar dhe institut, më shumë të rinj po shkojnë në misione, më shumë të rinj po shërbejnë në tempull, më shumë të rinj po bëhen dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën.

Ftesa ime sot është e thjeshtë: jini të qëllimshëm lidhur me mësimdhënien duke e pasur synimin te dishepullimi për gjithë jetën. Shikojeni gjithçka që bëni, në këtë prizëm. Rishikojeni herë pas here atë që jepni mësim, si e jepni mësim, madje edhe atë që e bëni si provë. Rishikojeni jo vetëm atë që po i ndihmoni të dinë, por edhe atë që po i frymëzoni ata të bëjnë dhe të bëhen. Jepuni mësim me qëllimin për t’i ndihmuar që të bëhen “krijes[a të] re[ja]”12 në Krisht.

Disa pyetje për t’i marrë parasysh janë: Si ndikon ajo që unë jap mësim dhe se si e jap mësim, në mënyrën se si studentët e mi do të ndihen për pyetjet e bëra në një intervistë për rekomandimin e tempullit? A ndërton mësimdhënia ime besim tek Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë? A i forcon dëshmitë për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit dhe për profetët dhe apostujt e gjallë? A e forcon vendosmërinë e studentëve për t’i zbatuar urdhërimet dhe për t’u penduar çdo ditë?

Ftoni të Mësuarit me Zell

Nëse synimi ynë është dishepullimi për gjithë jetën, ne duhet të bëjmë atë që na ftoi Plaku Kristoferson, që “të mba[jmë] parasysh mënyrën se si Shpëtimtari dha mësim”. Mënyra se si ne japim mësim, ka rëndësi.

Mund t’ju kujtohet mësimi i Presidentit Bojd K. Paker mbi “mënyrën e mësimdhënies” në konferencat e zonës kur ishte president misioni. Motra Paker piqte një tortë me tri shtresa, të zbukuruar bukur me shtresa shumëngjyrëshe kremi. Ajo shkruante mbi të fjalët: “Ungjilli”.

Kur misionarët mblidheshin, tortën e sillnin me një ceremoni. Presidenti Paker vinte në dukje se torta përfaqësonte ungjillin. Pastaj ai pyeste: “Kush dëshiron pak tortë?”

Epo, nuk është e vështirë të gjesh një misionar a misionare që e pëlqen tortën. Përpara dilte një vullnetar që nuk e priste se çfarë do vijonte. Presidenti Paker pastaj ia merrte dorën dhe ia zhyste sipër tortës duke tërhequr një pjesë të madhe. Ai e shtrëngonte grushtin aq fort sa kremi t’i depërtonte përmes gishtave. Pastaj e hidhte copën e tortës te misionari i habitur, duke e spërkatur kremin te pjesa e përparme e kostumit të tij.

Pasi ndalonte për ca çaste, ai i drejtohej pjesës tjetër të misionarëve dhe pyeste nëse dikush tjetër dëshironte pak tortë. Ai thoshte: “Ja pra, për disa arsye nuk dëshiron më askush”.

Pastaj nxirrte një pjatë kristali, një pirun argjendi, një pecetë liri dhe një thikë të bukur argjendi. Ai e kthente tortën. Pastaj, me dinjitet të madh, ai priste me kujdes një copë nga ana tjetër, e vendoste butësisht në pjatën e kristaltë dhe pyeste: “A dëshiron ndokush një copë tortë?”

Presidenti Paker shpjegoi: “Mësimi ishte i qartë. Ishte e njëjta tortë në të dyja rastet, e njëjta shije, e njëjta përbërje. Mënyra e shërbimit e bënte atë ftuese, madje joshëse, ose joftuese, madje revoltuese.” Ai u kujtonte misionarëve se torta përfaqësonte ungjillin dhe i pyeste se si po e shërbenin atë.13

Mënyra se si e shërbejmë ungjillin, mund të bëjë ndryshimin ndërmjet derdhjes së informacionit në mendjet e studentëve tanë dhe frymëzimit të tyre për të qenë nxënës të zellshëm që iu ndryshojnë zemra, pikëpamjet, veprimet dhe natyra e tyre për t’u bërë dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën.14

Për të dhënë mësim siç dha Shpëtimtari, ne i duam ata që u japim mësim, ne japim mësim me anë të Shpirtit dhe japim mësim doktrinën.15 Këto janë gjërat që ne bëjmë si mësues.

Po për sa i përket studentit? Cili është roli i tij? Roli i tij është të mësojë me zell, të marrë përgjegjësi për të mësuarit vetjak, të veprojë dhe t’i zbatojë parimet e ungjillit në jetën e vet të përditshme.

Plaku Kristoferson na kërkoi mbrëmë të ftojmë të mësuarit me zell. Ai na mësoi se si Shpëtimtari bëri ftesë për të mësuarit me zell. Ai tha: “Ai dha mësim në mënyra që [u] kërkon[te] [dishepujve të Tij] që të mendonin, të merrnin pjesë, të diskutonin dhe t’i zbatonin mësimet e Tij”. Bëfshim edhe ne të njëjtën gjë!

Përfundimi

Në përmbyllje, ju falënderoj për atë që bëni për ata të cilëve u jepni mësim, dhe për atë që bëni për mbretërinë e Perëndisë. Synimi i mësimdhënies sonë është të zhvillojmë dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën. Qofshi të udhëhequr ndërsa “e shërbe[ni] ungjillin” dhe e bëfshi këtë në një mënyrë që fton të mësuarit me zell!

Unë jap dëshminë time për Mësuesin Mjeshtër, madje Jezu Krishtin, Avokatin tonë, “plotësonjësi[n e] besimit [tonë]”16 dhe “kryeprift[in e] të mirave që do të vijnë në të ardhmen”17.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni tek Ethëri 12:7.

  2. Rasëll M. Nelson, “Siguri në Praninë e Perëndisë”, Liahona, maj 2026, f. 127.

  3. Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  4. Romakëve 10:17.

  5. Romakëve 10:14.

  6. Veprat e Apostujve 8:30–31.

  7. Shihni te 1 Korintasve 12:28.

  8. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024.

  9. Shihni te Russell M. Nelson, “Begin with the End in Mind” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 30 shtator 1984), speeches.byu.edu.

  10. Thomas S. Monson, në Conference Report, tetor 1970, f. 107; germat e pjerrëta në origjinal.

  11. Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 17, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  12. 2 Korintasve 5:17.

  13. Boyd K. Packer, Teach Ye Diligently, bot. i rish. (Deseret Book, 1991), f. 270–271.

  14. Shihni te “Kthimi në Besim Është Synimi Ynë, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025”.

  15. Shihni te “Jepni Mësim me Anë të Shpirtit”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë (2022).

  16. Hebrenjve 12:2.

  17. Hebrenjve 9:11.