Kremtimi i Krishtlindjes
Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2024
E diel, 8 dhjetor 2024
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jemi bekuar pamasë nga mesazhet e mrekullueshme që kemi dëgjuar nga Motra Runia, Plaku Palmer dhe Plaku Kuk. Ndihem i privilegjuar që mund t’i japë mësim disa nga gjërat që ata tashmë i kanë shpjeguar.
Krishtlindja është një periudhë e mrekullueshme e vitit. Teksa kremtojmë lindjen e Shpëtimtarit tonë, zemra jonë vihet në harmoni me atë gjë që është më e rëndësishmja në jetën tonë. Krishtlindja na bën më të vetëdijshëm dhe më mirënjohës për sakrificat që janë bërë për ne.
I.
Krishtlindja na kujton që të mendojmë për njëri‑tjetrin. Ne i vlerësojmë familjet tona më shumë. Përtërijmë lidhjet me miqtë e vjetër. I kapërcejmë pengesat që na ndajnë gjatë kohës tjetër të vitit. Të panjohurit shkëmbejnë përshëndetje pa drojë. Mirëdashja dhe vlerësimi i munguar rikthehen. Shpirti i Krishtlindjes nxjerr më të mirën tek ne.
Përzemërsia dhe dritat e Krishtlindjes janë Drita e Krishtit. Siç lexojmë në shkrimet e shenjta bashkëkohore, Shpëtimtari është “drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë”. Të gjithë ata që e kremtojnë lindjen e Krishtit, të gjithë ata që e kanë atë që e quajmë “Shpirti i Krishtlindjes”, e kanë një pjesëz të asaj drite.
Mbi një miliard njerëz do ta kremtojnë lindjen e Jezu Krishtit gjatë kësaj periudhe Krishtlindjeje. E tërë bota duhet ta bëjë këtë gjë. Edhe sipas kritereve të botës, Jezusi i Nazaretit është njeriu më i rëndësishëm që ka jetuar ndonjëherë. Ai është subjekti kryesor i profetëve dhe poetëve për mbi 6000 vjet. Ai është subjekti i muzikës dhe i artit më të arrirë në botë. Ai ishte mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Më e rëndësishmja, Ai është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, Atit të Amshuar. Ai është Perëndia për të cilin çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do të dëshmojë se Ai është Krijuesi dhe Shëlbuesi ynë, Shpëtimtari dhe Perëndia i kësaj bote.
“Paqe … njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”, është mesazhi i Krishtlindjes. Kjo është tema mbizotëruese e poetëve dhe muzikantëve që na kanë dhuruar muzikën e lavdishme të Krishtlindjes. Neve na pëlqejnë shumë këngët e Krishtlindjes që i bëjnë jehonë kësaj teme.
Larg, larg, atje n’fushat e Judes’,
Barinjt’ dëgjuan tingujt e shenjt’:
Per’ndis’ lavdi, Per’ndis’ lavdi,
Per’ndis’ lavdi në më t’lartin;
Paqe n’tok’, njer’zve mir’si;
Të tilla fjalë, të kënduara sa e sa herë në veprimtaritë tona festive, na kujtojnë se nuk ka asgjë të re në kremtimin dhe këngët e Krishtlindjes. Mesazhi është i vjetër dhe i njohur. Ai iu predikua Adamit. Iu predikua fëmijëve të Izraelit. Iu predikua pasardhësve të Atit Lehi. Në mënyrë të përsëritur, profetët i shpallën të vërtetat qendrore të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Në mënyrë të përsëritur, ata shpallën urdhrin e Tij se ne duhet ta duam Atë e t’i shërbejmë Atij, si dhe ta duam e t’i shërbejmë njëri‑tjetrit. Ai shtoi: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. Të përsëritura gjatë gjithë epokave, këto shpallje janë mesazhi më i rëndësishëm në të gjithë përjetësinë. Ato janë për ne, për përfitimin tonë.
Gjërat më të rëndësishme në jetë janë të përsëritura. Nuk lodhemi kurrë së dëgjuari emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë. Nuk lodhemi kurrë nga shoqërimi me njerëzit tanë të dashur. Nuk lodhemi kurrë së dëgjuari fjalët: “Të dua”.
Pra, ai mesazh i përsëritur i Krishtlindjes nuk është një mesazh për t’u rishikuar, por një mesazh për t’u përtërirë në jetën tonë.
II.
Nga koha e fëmijërisë, secili prej nesh e ka ditur se Krishtlindja është koha e shkëmbimit të dhuratave midis familjarëve dhe miqve. Është një periudhë me dashamirësi të veçantë kundrejt atyre që i duam. Mirëpo fryma e dhurimit për Krishtlindje, duhet të shtrihet përtej rrethit tonë të familjarëve dhe të miqve. Sot, shumë prej të rinjve e të rejave tona kanë përvoja të paharrueshme teksa kuorumet e të rinjve dhe klasat e të rejave dhe grupe të tjera të Kishës vizitojnë dhe u çojnë dhurata atyre që nevojitet t’i kujtojmë për Krishtlindje, nëpër spitale dhe qendra përkujdesjeje, ata që nuk dalin dot nga shtëpia, si dhe një larmi njerëzish të tjerë. Në vigjilje të panumërta të Krishtlindjes, burra dhe gra të mira, me të marrë vesh gjendjen e vështirë të prindërve të hidhëruar nga varfëria, kanë shkuar me lodra, ushqime dhe ëmbëlsira, që fëmijët syçelë e besimplotë të ndiejnë gëzimin që dikush është kujtuar për ta në mëngjesin e Krishtlindjes. Mijëra të rinj e të reja të mrekullueshme bashkojnë përpjekjet në projektet e bamirësisë për Krishtlindje, për të ndihmuar të uriturit, për të veshur të zhveshurit, për të strehuar të pastrehët, për të vizituar të sëmurët e të harruarit dhe për t’u dhënë gëzim fëmijëve. Perëndia i bekoftë këto duar ndihmëtare! Të gjithë ne duhet t’i përkrahim ata. Ata që shërbejnë me dashuri dhe vetëmohim, janë shërbëtorë të vërtetë të Princit të Paqes.
III.
Cili është kuptimi i shprehjes “paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”? “Duaje … të afërmin tënd porsi vetveten” dha mësim së pari Shpëtimtari. Madje Ai na mësoi se çfarë duhet të bëjmë ne: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”.
Ndërsa punojmë për synimin e shprehur në ato mësime, Krishtlindja duhet të jetë koha për të falur, koha për të shëruar plagët e vjetra dhe riparuar marrëdhëniet që kanë shkuar keq.
Citoj: “Prandaj, unë ju them se ju duhet ta falni njëri-tjetrin; sepse ai që nuk ia fal shkeljet vëllait të tij, mbetet i dënuar përpara Zotit; sepse atij i ngelet mëkati më i madh.
Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit.”
Pra, Krishtlindja është një kohë për ta tejkaluar veten përtej lidhjeve tona të zakonshme të dashurisë e miqësisë. “Paqe … njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”, nuk është thjesht një mesazh për ata kundrejt të cilëve kemi ndjenja dashurie dhe përzemërsie, të tillë si bashkëqytetarët e Kishës apo kombit tonë, banorët e qytetit ose lagjes sonë të banimit apo njerëzit e kulturave të përbashkëta. Ushtritë qiellore shpallën mirëdashje ndaj të gjithë njerëzve, ndaj miqve të rastësishëm, ndaj të panjohurve, madje ndaj armiqve. Krishtlindja është koha për të kujtuar se të gjithë ne jemi fëmijët e një Ati në Qiell, i Cili dha Birin e Tij të Vetëmlindur që të gjithë të shëlboheshin nga vdekja. Ati ynë në Qiell ia ka ofruar gjithashtu bekimet e shpëtimit dhe ekzaltimit të gjithë njerëzimit me të njëjtat kushte: besim te Zoti Jezu Krisht, pendim, pagëzim dhe pajtueshmëri me ligjet dhe ordinancat e ungjillit.
IV.
Shpirti i Krishtlindjes na shtyn ta përdorim këtë periudhë për të kapërcyer pengesat dhe për të nxitur mirëkuptim dhe dashuri me njerëzit e të gjitha racave, besimeve dhe prejardhjeve kombëtare. Qoftë nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë shumica, si ne në Jutë, apo pakicë, si kudo tjetër, ne duhet t’u vijmë në ndihmë të gjithë bijve dhe bijave të Perëndisë. Duhet t’ua zgjatim dorën e sinqertë të miqësisë të gjithë njerëzve, atyre që janë dhe atyre që nuk janë të besimit tonë. Duhet ta zbatojmë urdhrin që Perëndia i dha profetit Moisi për fëmijët e Izraelit:
“Kur një i huaj banon bashkë me ju në vendin tuaj, mos e trajtoni keq. Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde.”
Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë të jenë dashamirës dhe të vëmendshëm ndaj gjithkujt. Trishtohem sa herë dëgjoj nga prindër që nuk janë shenjtorë të ditëve të mëvonshme në këtë komunitet, të cilët ndihen keq ngaqë besojnë se bijtë e bijat e tyre janë përjashtuar apo mënjanuar nga fëmijët apo të rinjtë e të rejat tona që janë anëtarë. Shpresoj që raste të tilla të jenë të rralla dhe duke u pakësuar. Ne duhet të jemi sa më miqësorë dhe të vëmendshëm ndaj të gjithë njerëzve kudo.
Sigurisht, ne duhet ta shmangim atë lloj shoqërie që na e prish sjelljen ose na e zbeh besimin dhe adhurimin. Mirëpo ky lloj përjashtimi nuk është arsye për të mos i marrë të tjerët në konsideratë. As nuk duhet të na veçojë nga ato shoqëri të shumta që përfshijnë përpjekje bashkëpunuese në fushën e gjerë të interesave të përbashkëta që përmbledhin të gjithë njerëzit.
Fryma me të cilën ne duhet ta marrim mesazhin “paqe … njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”, është fryma e të dhënit të vetes në shërbim të të tjerëve. Ashtu siç është Krishtlindja për të kremtuar lindjen e Atij, i Cili dha jetën e Vet për të gjithë ne, kështu edhe secili prej nesh duhet ta përdorë Krishtlindjen si një kohë për të përmirësuar mënyrat se si u japim bashkëqenieve tona.
Ndërsa e bëjmë këtë, teksa shpirti i Krishtlindjes përshkon mendimet dhe veprimet tona, secili prej nesh do të japë ndihmesën e vet kundrejt synimit të përjetshëm: “Paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”. Është koha që të gjithë ne ta bëjmë këtë, pasi çdo ditë jemi një ditë më afër ardhjes së Zotit. Siç na dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson në konferencën e fundit të tetorit, citoj: “Më e mira pritet të vijë, sepse Zoti po e përshpejton veprën e Tij. Më e mira pritet të vijë, ndërsa e drejtojmë plotësisht zemrën dhe jetën tonë te Jezu Krishti.” Mbaron citimi.
Tani citoj nga dokumenti “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”. Aty thuhet, citoj:
“Ndërsa përkujtojmë lindjen e Jezu Krishtit dy mijë vjet më parë, ne japim dëshminë tonë për vërtetësinë e jetës së Tij të pashoqe dhe fuqinë e pafundme të flijimit të Tij madhështor shlyes. Asnjë tjetër nuk ka pasur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe do të jetojnë ende në tokë.”
Vazhdoj citimin: “Ne dëshmojmë solemnisht se jeta e Tij, e cila është qendrore për të gjithë historinë njerëzore, as nuk filloi në Bethlehem, as nuk përfundoi në Kalvar. Ai ishte i Parëlinduri i Atit, Biri i Vetëmlindur në mish, Shëlbuesi i botës. …
Ne shpallim me fjalë solemne që priftëria e Tij dhe Kisha e Tij janë rivendosur në tokë, ‘ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe … profetëve, duke qenë Jezu Krishti … guri [kryesor] i qoshes’.”
Vazhdoj citimin: “Ne dëshmojmë se një ditë Ai do të kthehet në tokë. ‘Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë.’” Mbaron citimi. “Ai do të sundojë si Mbreti i Mbretërve dhe do të mbretërojë si Zoti i Zotërve dhe çdo gju do të gjunjëzohet, dhe çdo gjuhë do të flasë me adhurim para Tij. …
Ne japim dëshmi, si Apostujt e Tij të shuguruar siç duhet, që Jezusi është Krishti i Gjallë, Biri i pavdekshëm i Perëndisë. Ai është i madhërishmi Mbreti Emanuel, i cili qëndron sot në të djathtë të Atit të Tij.” Citoj përsëri: “Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës. Udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen. I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e pashoqe që na ka dhënë, Birin e Tij hyjnor!”
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.