Krishti Foshnjë u Lind për Ju
Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2024
E diel, 8 dhjetor 2024
Sa me fat jemi që përjetojmë një muzikë kaq të bukur! E falënderojmë shumë këtë kor, orkestrën dhe drejtuesit. Nuk mund t’ju shoh pas këtyre pemëve, por e di që jeni aty.
“Infant Holy, Infant Lowly” [“Foshnjë e Shenjtë, Foshnjë e Përulur”] është një nga këngët e mia të parapëlqyera të Krishtlindjes.
Kopeja flinte, barinjtë ruanin
Syçelë deri në agim;
Lavdin’ panë, historin’ dëgjuan
Lajme t’mira, ungjilli t’vërtet’.
Plot gëzim, nuk mbet’ më pik’llim,
Lavd i thurën, kjo dit’ bekim,
Krishti Foshnjë u lind për ju.
Krishti foshnjë u lind për ju!
Kur isha vajzë e vogël, prindërit më thërrisnin me përkëdheli “Qengji Tami”, kështu që, kur në shkrimet e shenjta flitej për një bari dhe qengjat e tij, gjithnjë ndieja sikur po më flisnin mua.
Kjo ishte në veçanti e vërtetë për historinë e Krishtlindjes dhe engjëjt që iu shfaqën barinjve, të cilët po ruanin kopetë, qengjat e tyre, gjatë natës. E përfytyroja veten atje dhe imagjinoja se si do të kishte qenë t’i afroheshe foshnjës në grazhd. Ende i pëlqej këto imazhe çdo vit teksa mendoj për lindjen e Tij.
Një imazh tjetër i parapëlqyer vjen nga një histori e treguar nga Plaku Xhon R. Lasater.
Shumë vjet më parë, Plaku Lasater vizitoi një vend në Afrikë, si pjesëtar i një delegacioni zyrtar të qeverisë.
Një ditë, kur po udhëtonin në shkretëtirë me një karvan limuzinash të zeza, ndodhi një aksident. Makina ku ndodhej ai, mbërriti në majë të kodrës dhe ai vuri re se limuzina e parë në rresht kishte dalë nga rruga. Ai tha: “Skena që kishim para syve, më ka mbetur në kujtesë për shumë vjet”.
Një bari i moshuar, me një rrobë të gjatë të derdhur si të kohës së Shpëtimtarit, po qëndronte afër një limuzine duke folur me shoferin. Aty pranë rrinte një kope e vogël me gati 15 dele.
Makina që kryesonte, kishte përplasur dhe lënduar një nga dhentë, shpjegoi shoferi i Plakut Lasater. Për shkak se ishte makina e mbretit, bariut tani i takonte të merrte 100 herë më shumë të vlerës që kushtonte qengji i vogël kur të rritej plotësisht. Ndërkohë, sipas po të njëjtit ligj, qengji do të therej dhe mishi do t’u ndahej njerëzve.
Më pas shoferi tha: “Po ja, shikoje, bariu i moshuar nuk do t’i pranojë paratë; asnjëherë nuk i pranojnë”. Kur u pyet pse, ai shtoi: “Për shkak të dashurisë që ai ka për secilën nga delet e tij”.
Ata vëzhguan teksa bariu i moshuar u ul, duke e marrë qengjin e lënduar në krahë dhe duke e vendosur në palat e rrobës së tij. Ai vazhdonte ta ledhatonte qengjin, duke përsëritur herë pas here të njëjtën fjalë dhe, kur Plaku Lasater e pyeti se çfarë fjale po thoshte, atij i thanë: “O, ai po e thërret në emër. Të gjitha delet e tij kanë një emër, pasi ai është bariu i tyre dhe barinjtë e mirë e njohin secilën nga delet e veta me emër.”
Tek Isaia na premtohet: “[Ai] do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij”.
Nëse na kujtohet ndonjë gjë ose ndiejmë ndonjë gjë këtë periudhë Krishtlindjeje, duhet të jetë fakti që jemi të Tijët. A ju kujtohet kur Krishti i tha Pjetrit: “Kulloti qengjat e mi … delet e mia”?
“Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.”
“Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë.”
Ai lindi për ta lartësuar secilin prej nesh personalisht. Dhe nëse Ai është Shpëtimtari i gjithkujt, pa dyshim që është edhe i juaji. Krishti foshnjë u lind për ju.
Mirëpo Isaia paralajmëron edhe për këtë: “Ne të gjithë endeshim si dele”. Ndoshta secili prej nesh ka qenë në një pikë ku është ndier si një qengj që endej ose madje si një dele e humbur. Sonte, ju them se të gjithë ne jemi qengja të lënduar që kemi nevojë për Bariun e Mirë, i Cili do të na përkundë në krahët e dashurisë së Tij. Sepse të jemi njerëz të vdekshëm do të thotë se kemi gjëra që na bëjnë të ndihemi të dëmtuar, gjëra që kanë nevojë të rregullohen.
Nuk e di a e ndiej nevojën për një Shëlbues në ndonjë çast tjetër më fort sesa të dielën gjatë sakramentit. Atje shkoj me zemër të thyer dhe reflektoj mbi fjalët dhe emblemat gjatë kësaj “koh[e] [të] shenjtë [të] ripërtëritjes shpirtërore”. Por nganjëherë ndihem e trishtuar për një çast kur, teksa mendoj për javën e kaluar, kuptoj se janë po të njëjtat mëkate, po të njëjtat dobësi për të cilat po mendoja edhe të dielën e kaluar. Dhe ndihem vërtet e penduar ose e dërrmuar.
A e dini dhe ju si është ky çast?
Sot ju ftoj që të provoni diçka të re. Në ato minuta më të shenjta të të gjithë javës suaj, nëse ndiheni të dërrmuar, përfytyrojeni Atë duke ju thirrur në emër dhe shkoni tek Ai. Shikojeni Shpëtimtarin tuaj me syrin e mendjes, me pamjen e Tij të ndritshme dhe krahët e Tij të hapura për ju, duke ju thënë: “E dija që do të ndiheshe kështu! Prandaj erdha në tokë dhe i kalova ato vuajtje.” Ndihma e Tij, hiri i Tij është në dispozicion për ju pikërisht tani, jo në fund fare kur të ndieni se i keni mposhtur përsosurisht dobësitë. Pasi, kush vallë ndien se e ka arritur këtë? Me sa di unë, askush.
Kujtoni, ne shkojmë në Kishë, në sakramentin e Darkës së Zotit, që të shërohemi, por edhe që të ndihemi të pastër.
Vite më parë, kur po shërbeja në Fillore, po tregoja një histori për dikë që ishte pagëzuar kohët e fundit. Vura në dukje se ky mik mund të ishte një nga anëtarët më të dëlirë e të pastër të Kishës. Pastaj në rreshtin e parë, një dorë u ngrit dhe një djalë pak më i madh tha: “Edhe unë mund të jem po aq i pastër sa ai, sepse jam pagëzuar dhe e marr sakramentin”. Pak në siklet iu përgjigja: “Po, këtë doja të thosha – atë që tha ai”.
Miqtë e mi, a e kujtojmë dhe a e vlerësojmë vërtet këtë doktrinë më mahnitësen? Nëse po e bëjmë punën për t’i mbajtur besëlidhjet tona me Perëndinë, duke u kthyer, duke raportuar dhe duke u penduar vazhdimisht, ne mund të pastrohemi çdo ditë. Dhe nëpërmjet ordinancës së sakramentit, ne mund të ndihemi po aq të pastër sa në ditën kur u pagëzuam.
Për mua, kjo është mënyra se si Shabati është bërë një ditë prehjeje. Jo thjesht prehje fizike, por prehje nga faji dhe frika, nga pamjaftueshmëritë dhe dobësitë e mia. Të paktën sa për një ditë!
Një nga rrëfimet më të ëmbla në të gjithë shkrimet e shenjta na jep një grimë kuptueshmërie për këtë prehje. Në Librin e Mormonit, teksa Shpëtimtari i ringjallur po viziton “dele të tjera” të Tij në kontinentin amerikan dhe pasi ua kuptoi nevojën pa ia kërkuar ata vetë, Ai i fton të gjithë që janë të dëmtuar fizikisht, të çalët, të verbrit, të shurdhët ose ata “të prekur në ndonjë mënyrë”, të vijnë përpara.
I përfytyroj të rreshtohen ata, nevoja fizike e të cilëve për shërim ishte e dukshme. Po ashtu, me syrin e mendjes, shoh njerëz si vetja ime dhe të tjerë që i dua, në radhë, të cilët janë të munduar në mënyra që mund të mos jenë të dukshme për syrin njerëzor. Ai kërkoi që të vinin ata që qenë të prekur në ndonjë mënyrë, “dhe ai i shëroi, secilin”.
Vini re se si, në këtë rast, nuk thuhet që Ai i kuroi ata. Më pëlqen shumë kjo ide, sepse ka një ndryshim ndërmjet shërimit dhe kurimit. Kurimi zakonisht na kthen në një gjendje të mëparshme mirëqenieje, që është ajo për të cilën jemi të dëshiruar, apo jo? Kurse shërimi është ndryshe. Shërimi e përfshin atë plagë të vjetër, duke na bërë të ndryshëm pasi e kemi kaluar.
Edhe vetë Shpëtimtari i botës, si një qenie e ringjallur, i mbajti plagët në duart, këmbët dhe ijën e Tij, si provë që Ai nuk do të na harrojë kurrë dhe se me vurratat e Tij ne jemi shëruar. Ndofta, atë ditë kur Shpëtimtari i shëroi ata, Ai mund edhe t’i ketë rrokur, duke i dhënë secilit një përqafim të përzemërt.
Sonte, ndoshta ju ndiheni të dëmtuar dhe nuk jeni të sigurt që do ta përjetoni shërimin e Tij. Por a është e vërtetë kjo? Çdo të diel gjatë sakramentit, Ai po ju merr në krahë nga udha me pluhur, duke ju vendosur në palët e rrobës së Tij dhe duke ju përkundur në krahët e Tij që kanë vend për të gjithë.
Atë natë të shenjtë Krishtlindjeje, një engjëll dha lajmin e mirë, duke lajmëruar një gëzim të madh. “Ai që qe më i madhërishmi, e bëri Veten më të voglin – Bariu Hyjnor që u bë Qengji.” “Mbreti i mbretërve shtrirë në një grazhd të thjeshtë. Lindi për të qenë miku ynë në të gjitha sprovat tona.” Besoj se engjëlli po thoshte: “Miku juaj, miku juaj më i mirë, sapo erdhi. Po ta dinit nga sa afër ju ka parë Ai, sa shumë udhërrëfim keni marrë prej Tij kur jetuat më përpara me Të, po ta kuptonit se çfarë do të sakrifikojë Ai për ju dhe sa shumë do të jetë i gatshëm t’ju ndihmojë këtej e tutje që të ktheheni në shtëpi, do të turreshit për ta përshëndetur Atë në grazhd.”
Jap dëshminë time se Foshnja në grazhd, i Vetmi që ne adhurojmë dhe ndoshta edhe guxojmë ta përfytyrojmë se si do të kishte qenë ta mbaje në krahë, erdhi për të bërë pikërisht këtë gjë për ne.
Po, Krishti foshnjë u lind për ju!
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.