Të Qenit të Përgatitur për të Takuar Shpëtimtarin
Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2024
E diel, 8 dhjetor 2024
Ndërsa kemi hyrë në periudhën e Krishtlindjes, mendimet më kanë shkuar tek ata që mund të jenë larg shtëpisë, përfshirë vetë numrin e madh të misionarëve që janë duke shërbyer tani.
Krishtlindja ime e parë larg shtëpisë ndodhi kur isha misionar në Angli, në dhjetor të vitit 1960. Po shërbeja në Suindon të Anglisë.
E kishim hapur Suindonin për punën misionare rreth 90 ditë më parë. Kishim marrë me qira një dhomë për mbledhjet e të dielave. U bekuam duke pasur disa të kthyer në besim, fillesat e një dege.
Në vigjilje të Krishtlindjes, shoku im i misionit, Plaku Noel Ljuk dhe unë, vendosëm t’i përshëndetnim njerëzit në shtëpitë e tyre në zonën ku po shërbenim dhe t’u linim një mesazh të shkurtër për Krishtlindjen dhe një bekim. Qe një natë e bukur dhe në qiellin plot re shkëlqente një hënë e shndritshme që krijonte një ndjesi hyjnore. Papritur e kuptuam se të gjithë njerëzit në atë lagje banimi po ndiqnin në televizor një humorist dhe këngëtar të dashur, Herri Sikëmbin. Ai këndonte këngën e bukur “Bless This House” [“Bekoje Këtë Shtëpi”]. Ai i këndonte mallëngjyeshëm fjalët e shenjta që po i citoj:
“Njerëzit që banojnë këtu bekoji.
Të pastër e pa mëkat mbaji.
Të jemi të përshtatshëm të gjithëve na beko,
Mënyra e tij e të kënduarit na bëri të lotonim. Kënga, që dëgjohej thuajse nga çdo shtëpi, kumbonte dhe kthehej si jehonë nga retë. Plaku Ljuk dhe unë patëm këtë ndjesi pushtuese që ishim vërtet të dërguarit e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, në përpjekje për t’u shërbyer fëmijëve të Atit tonë Qiellor dhe për t’i bekuar ata.
Si misionar arrita ta kuptoja se, ngaqë jetojmë në këtë tokë, jemi të gjithë larg shtëpisë, shtëpisë sonë qiellore. Mënyra se si ta ndiejmë rehatinë e asaj shtëpie, është nëpërmjet shërbimit ndaj Shpëtimtarit tonë.
Vitet e fundit, Kisha na ka nxitur të gjithëve ta theksojmë dritën që Shpëtimtari siguron për të gjithë botën, veçanërisht gjatë kësaj periudhe Krishtlindjeje. Kisha ka një përpjekje të mrekullueshme që quhet Ndriçoje Botën, për t’i drejtuar mendimet e të gjithëve nga Shpëtimtari. Kjo shoqërohet nga një përpjekje për t’u dhënë njerëzve në nevojë dhe për t’u siguruar shërbim si të Krishtit.
Vitin e shkuar nisëm përpjekjen Ndriçoje Botën duke përdorur ekspozime të stërmëdha digjitale përreth sheshit Times Square në qytetin e Nju‑Jorkut.
Meri dhe unë qenë të pranishëm kur portretizimi prekës i lindjes së Shpëtimtarit u shfaq në stendat gjigante digjitale. Qe një përvojë thellësisht shpirtërore. Këtë vit, përvoja në Times Square është riprodhuar në shumë qytete nëpër botë.
Kur isha në Nju‑Jork, gjatë ngjarjes Ndriçoje Botën, vura re përpjekjen për të pasur ekspozime të mëdha në vitrinat e dyqaneve të mëdha.
Më kujtohet një numër i gazetës New York Times një të diel me një artikull që kishte zënë gjithë faqen, me titull “Rikthehen Vitrinat e Festave. Rikthehen Edhe Blerësit.” Artikulli tregonte për një traditë ku ekspozimet luksoze të vitrinave zbukuronin vitrinat e dyqaneve të mëdha në rrugën Fifth Avenue në Nju‑Jork. Me aq sa munda të dalloja nga artikulli dhe vizita ime së fundi, asnjëra prej atyre vitrinave nuk përmbante skena nga Krishtlindja ose Fëmija Krisht.
Ndërsa e lexoja artikullin, m’u kujtuan ekspozimet e vitrinave të Krishtlindjes kur isha i ri, në dyqanet e mëdha në Solt‑Lejk‑Siti që paraqitnin fëmijën Krisht. Më erdhi ndërmend dhe një tregim nga ajo periudhë rreth një qendre tregtare në Miduest që donte ta theksonte tematikën e Krishtlindjes, si për të krijuar një ndjesi Krishtlindjeje, ashtu edhe për të tërhequr blerësit. Ata vendosën një banderolë të madhe ku thuhej: “Po të vinte Krishti sonte, te kush do të shkonte?” Poshtë kësaj tabele, në vitrinat e dyqanit ishin ekspozuar disa skena. Nëse i mbaj mend siç duhet skenat:
-
Njëra qe me një grua të moshuar në shtrat për të cilën po kujdesej një infermiere. Ajo dukej se ishte shumë e sëmurë.
-
E dyta ishte me një nënë të re me një foshnjë të porsalindur. Gëzimi i rrezatonte në fytyrë.
-
Një skenë e tretë paraqiste një familje me fëmijë që qanin. Ishte e qartë se nuk kishin mjaftueshëm për të ngrënë dhe se do të kishte pak, ose asnjë dhuratë Krishtlindjeje.
-
Një skenë e katërt tregonte një familje qartazi të pasur duke hapur dhurata të shumta.
-
Skena e pestë qe një familje e ëmbël, por e thjeshtë, me shumë fëmijë që këndonin bashkë hareshëm.
Ndërsa mendoja për pesë ekspozimet dhe banderolën “Po të vinte Krishti sonte, te kush do të shkonte?”, më erdhën dy mendime.
E para, ne e dimë se kur të vijë Shpëtimtari për herë të dytë, nuk do ta dimë ditën apo orën.
E dyta, kur të vijë Jezu Krishti, sikurse dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson në një konferencë të përgjithshme së fundi: “[Ai] do të kthehet në tokë si Mesia i Mijëvjeçarit”. Për të qenë të përgatitur, Presidenti Nelson na nxit “t’ia përkushto[jmë] jetën [tonë] Jezu Krishtit”. Sipas kësaj, në banderolë mund të qe shkruar më me të drejtë: “Po të vinte Krishti sot, kush do të qe i përgatitur ta priste?”
Ndërsa i kam shqyrtuar skenat e vitrinave, e kuptoj se gjithçka që na tregojnë ato, është rreth gjendjes fizike dhe financiare të njerëzve, por asgjë rreth gjendjes së tyre shpirtërore. Ekspozimet në vitrina portretizonin individë që qenë të moshuar e të sëmurë si dhe të shëndetshëm e të porsalindur. Kishte dhe të pasur e të varfër. Por mosha, shëndeti dhe pozita financiare nuk na tregojnë atë që është vërtet e rëndësishme, që është gjendja e shpirtit të tyre.
Te Doktrina e Besëlidhje ne lexojmë rreth kualifikimeve për pagëzim në Kishën e Krishtit. Kriteret bazohen kryesisht te përulja e vetes sonë, pasja e një “zem[re] të thyer [dhe një] shpirt[i] të penduar”, pendimi dhe “shërb[imi ndaj Jezu Krishtit] deri në fund”. Synimi është të bëhemi “një dishepull i përkushtuar i Jezu Krishtit” dhe të përparojmë përgjatë shtegut të besëlidhjeve, i cili na përgatit për bekimet e Shlyerjes së Tij.
Krishti është shembulli për të gjitha gjërat. Ai shpalli: “Vini re, unë jam drita; unë kam vendosur një shembull për ju”. Teksa e shohim gjendjen e shpirtit tonë, do të bënim mirë të shihnim shembullin e Tij të përkryer. Shpëtimtari na e tregoi udhën për të gjetur lumturi, kuptim dhe gëzim në këtë jetë dhe në përjetësi. Shpirti i Krishtlindjes përkufizohet nga lumturia dhe gëzimi.
Te Gjoni 19:5 lexojmë se Pilati e solli Jezusin para atyre që donin ta kryqëzonin. Ai ishte “duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ‘Ja njeriu!’”
Në këtë periudhë Krishtlindjeje, le ta shohim shkurtimisht, Njeriun, që është Krishti, dhe dhuratat që Ai na ka dhënë.
Së pari, le të marrim në shqyrtim lindjen e Tij si mrekulli.
E dimë se kjo foshnjë e çmuar që e kremtojmë në këtë periudhë Krishtlindjeje, qe Biri i vetëmlindur i Atit. Ai trashëgoi fuqinë e jetës së përjetshme nga Ati i Tij, fuqinë për të jetuar. Nga nëna e vdekshme trashëgoi fuqinë për të vdekur. Ai u zgjodh që nga fillimi për misionin e Tij të shenjtë.
Te Mateu 1:23 lexojmë: “Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’i venë emrin Emanuel, që do të thotë: ‘Zoti me ne’”.
Së dyti, përsiatni jetën e Tij të përkryer e të pamëkatë dhe shembullin e Tij. Ndonëse vuajti dhembje, hidhërime dhe tundime të çdo lloji, Ai e përmbushi me sukses misionin e Tij. Ne e marrim si shembull Atë dhe Ai shtroi udhën që duhet të ndjekim. Ai ua përkushtoi jetën të varfërve, nevojtarëve, të sëmurëve dhe të brengosurve dhe përfundimit me sukses të planit të përjetshëm për të cilin u kualifikua vetëm Ai.
Së treti, mendoni për vdekjen, Ringjalljen dhe Shlyerjen e Tij.
Për sa i përket Shlyerjes, te Predikoni Ungjillin Tim thuhet bukur e thjesht: “Shlyerja e Shpëtimtarit përfshiu vuajtjen e Tij në Gjetseman, vuajtjen dhe vdekjen e Tij në kryq dhe Ringjalljen e Tij. Ai vuajti përtej aftësisë për ta kuptuar, aq shumë sa Atij i doli gjak nga çdo por.”
Te Doktrina e Besëlidhje 76:41, ne lexojmë: “Se ai erdhi në botë, madje Jezusi, që të kryqëzohej për botën dhe të merrte mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia”.
Shlyerja e Jezu Krishtit është ngjarja dhe dhurata më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Të gjithë kemi mëkatuar dhe vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit mund të marrim mëshirë dhe të jetojmë me Perëndinë.
Së katërti, përgatituni për Ardhjen e Tij të Dytë.
Në Dhiatën e Vjetër, Jobi dha mësim: “Në fund do të ngrihet mbi tokë”. Sikurse ka dhënë mësim aq bukur Presidenti Rasëll M. Nelson: “Krishti do të qeverisë si nga Jerusalemi i vjetër, ashtu edhe nga Jerusalemi i Ri”. Tani është koha që të përgatitemi për këtë ngjarje. Shkrimet e shenjta thonë: “Përgatituni për ditën e madhe të Zotit”.
Këshilla ime e fundit është që ta doni Zotin dhe t’i shërbeni Atij. Ndërsa mendojmë për gjendjen tonë shpirtërore dhe përgatitjen për ta pritur Shpëtimtarin, duhet të bëjmë së pari sa vijon: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. Dhe së dyti: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”.
Dashuria jonë për Perëndinë dhe bashkëqeniet tona është prova përfundimtare e gjendjes së shpirtit tonë. Nëse e duam Perëndinë, do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Nëse i duam bashkëqeniet tona, do t’u shërbejmë atyre dhe në thelb do të jemi duart e Shpëtimtarit.
Te Doktrina e Besëlidhje, Shpëtimtari përdor këto fjalë: “Po, unë do t’i hap zemrat e njerëzve dhe … unë do të ngre një kishë prej dorës [sate]”.
Mënyra kryesore se si mund t’ia tregojmë mirënjohjen Shpëtimtarit këtë periudhë Krishtlindjeje, është duke qenë shërbëtorët e Tij, që të jemi vërtet duart e Tij këtu në tokë.
Gjatë kësaj kohe të bukur, kur kremtojmë lindjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ju dëshmoj se Ai jeton. Atë e kemi Shembull, Avokatin tonë me Atin dhe Ai kreu çdo gjë të nevojshme që të kthehemi në praninë e Atit dhe të Birit. Do të ishim të urtë po ta ndiqnim Jezu Krishtin dhe t’i merrnim dhuratat që Ai na ka dhënë.
Paçi një Krishtlindje të lavdishme, të përqendruar te Jezu Krishti!
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.