Dhuratat e Paçmueshme
Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2024
E diel, 8 dhjetor 2024
Sonte edhe unë flas me gëzim e mahnitje për domethënien e shenjtë të Krishtlindjes. Asnjë ngjarje në historinë e botës nuk ka pasur ndikim më të madh sesa lindja dhe misioni i Jezusit të Nazaretit mbi dy mijë vjet më parë. Në të gjithë botën moderne, vetë koha matet nga kjo ngjarje e mbinatyrshme.
Lindja e Zotit tonë kremtohet në shumë mënyra të ndryshme në mbarë botën, por ka një traditë Krishtlindjeje që duket se është e përbotshme.
Kjo traditë ka gjasë të ketë filluar me rrëfimin që ndodhet te Mateu për dijetarët që erdhën nga Lindja për të adhuruar Jezusin. Kur erdhën, ata sollën dhurata të çmuara. Sot, tradita e dhënies së dhuratave është një pjesë gjithnjë e më e madhe e kremtimeve të Krishtlindjes.
Kujtimi im i parë i një dhurate Krishtlindjeje ishte një pushkë lodër e mrekullueshme e cila kishte një tapë të lidhur me një fije, dhe figurën e një rosaku që lëvizte kur e kurdisje. Kjo ishte një lumturi e pamasë për një katërvjeçar. Rosaku lëvizte në formë rrethore në dysheme dhe me të vërtetë nuk kishte mundësi të mbetej në këmbë kur unë e drejtoja me ngazëllim armën time nga një distancë prej rreth pesëmbëdhjetë centimetrash. Por lodra u thye shpejt dhe, si me të gjitha gjërat materiale, lumturia që më dha, ishte e përkohshme dhe u harrua shpejt.
Sonte, unë sugjeroj tri dhurata që secili prej nesh mund t’i japë këtë periudhë Krishtlindjeje dhe gjatë gjithë jetës, të cilat nuk do të sjellin lumturi të përkohshme, por përkundrazi do të sjellin gëzim të vërtetë e të përhershëm.
E para është dhurata e dëshmisë. Kjo është një dhuratë kaq vetjake dhe kur jepet lirisht, pa mashtrim, na zbulon shprehjet më të thella të shpirtit. Më e çmuar se ari, temjani ose mirra, dëshmia e kulluar për Jezu Krishtin si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë vetjak është qendra e gjithçkaje që ne kremtojmë për Krishtlindje.
Kur gjashtë fëmijët tanë ishin të vegjël, Xheki dhe unë, një natë, vendosëm që për mbrëmje familjare, në vend që të bënim një mësim, ne thjesht do t’i jepnim dëshmi njëri‑tjetrit. Pasi e dhashë dëshminë time, vajza jonë e dashur Çelsi, ndoshta 16 vjeçe në atë kohë, tha me habi të madhe: “Babi, nuk e kam dëgjuar kurrë më parë dëshminë tënde!” Isha disi i tronditur dhe u mrekullova nga përgjigjja e saj. Shikoni, në atë kohë, isha president kunji dhe e di që Çelsi më kishte dëgjuar të jepja dëshmi të panumërta në shumë mjedise të Kishës dhe në shtëpi. Por në atë çast, ajo e dëgjoi dhe e ndjeu dëshminë time sikur të ishte hera e parë fare. Ajo më dha një mësim që nuk e kam harruar kurrë: dhurata e dëshmisë është e çmuar dhe ka fuqi kur jepet shpesh.
E dyta është dhurata e faljes. Me siguri të gjithë ne në një rast të caktuar jemi plagosur nga fjalët ose veprimet jodashamirëse të të tjerëve. Dhe që të jemi të sinqertë, edhe ne u kemi shkaktuar lëndime të tjerëve. Jezu Krishti jep mësim se “Unë, Zoti, do të fal [atë që] do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit”. Pastaj Ai e çon edhe një hap më tej dhe thotë se kur nuk arrijmë t’ua falim të tjerëve mëkatet e tyre ndaj nesh, mëkati më i madh është i yni.
Ndërsa i falim lirisht dhe çiltërsisht të tjerët, çlirohemi nga helmi i hidhërimit, gjykimit apo hakmarrjes.
Kam një mik të dashur në Afrikën e Jugut me emrin Sandile Makasi. Pasi mora leje, po tregoj historinë e tij shumë vetjake të faljes. Kur Sandileja ishte gati dy vjeç, babai i tij, vetëm 28 vjeç, u torturua dhe u vra nga policia gjatë regjimit brutal të aparteidit. Më vonë, Sandileja mësoi hollësi të vështira për vrasjen tronditëse të babait të tij. Tani citoj fjalët e tij:
“Gjatë viteve të mia të hershme si djalë ndjeva hidhërim dhe urrejtje për shkak të asaj që ata i bënë babait tim. Si mundën të na e merrnin? Mua më vodhën të drejtën për të pasur një baba e një këshillues, dhe mamasë sime i vodhën të drejtën për një shok të dashur e përkujdesës.
Kur mësova mënyrën e dhunshme me të cilën e torturuan, kjo m’i mbushi zemrën dhe mendjen me zemërim, urrejtje dhe armiqësi të pamasë ndaj oficerëve të policisë dhe ndaj njerëzve të bardhë.
Vazhdova t’i ushqeja këto ndjenja derisa gjeta ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Ungjilli më ndihmoi të kuptoj se unë duhet t’i fal oficerët e policisë për krimet e tyre dhe se gëzimi e përparimi im shpirtëror vareshin prej saj.
Kjo ishte më e lehtë të thuhej sesa të bëhej, por ngulmova me shumë lutje dhe, me kalimin e kohës, Zoti më ndihmoi t’i falja armiqtë e mi … . Në vend të lëndimit, ndjeva ngushëllim; në vend të armiqësisë dhe urrejtjes, pata dashuri; në vend të errësirës në zemrën e mendjen time, pata dritë e paqe.”
Faleminderit Sandile për shembullin tënd të dhënies së dhuratës së faljes.
E treta, dhurata e dashurisë si e Krishtit. Nga të gjitha dhuratat shpirtërore, asnjë nuk është më e madhe se dashuria hyjnore. Jezusi e shprehu hapur dashurinë e Tij për të tjerët dhe Ai na mësoi ta duam njëri‑tjetrin.
Ndërsa e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke e shprehur dashurinë tonë për të tjerët me fjalë e vepra, atëherë ata mund ta përjetojnë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet nesh.
Disa vjet më parë, takova një të ri 23‑vjeçar që jetonte në Uashington, i cili ishte një shembull i shkëlqyer i kësaj pike. Misionarët i kishin dhënë mësim për tre muaj dhe ai kishte përjetuar një ndryshim të mahnitshëm në pamjen dhe mënyrën e tij të jetesës. Një natë, ai po fliste me misionarët në telefon dhe, kur po e mbyllnin telefonin, ata i thanë: “Të duam Majkëll”. Ai e mbylli telefonin dhe mendoi me vete: “Ua. Kjo është diçka me të cilën nuk jam mësuar. Madje mund t’ua them këtë të tjerëve.” Vendosi të merrte guximin për t’i thënë nënës së tij se e donte. Ajo jetonte disa orë larg në një pjesë tjetër të shtetit. Kur e mori në telefon dhe i tha “Mami, të dua”, përgjigjja e saj e menjëhershme ishte: “Çfarë problemi ke? Shkove te mjeku dhe more ndonjë lajm të keq? Do të kthehesh në burg?” Kështu që ai i tregoi asaj që kishte gjetur ungjillin dhe se si kjo e kishte ndryshuar atë, dhe se tani e kishte lënë duhanin dhe përdorimin e drogës dhe që kishte planifikuar të pagëzohej.
Mendoj se ky është një ilustrim i mrekullueshëm i asaj që ndodh kur njerëzit e ndiejnë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet njerëzve të tjerë. Ajo i zbut zemrat dhe më pas krijon një dëshirë për ta ndarë atë dhuratë të dashurisë me të tjerët.
Tani, sonte, filluam të flasim për dhuratat e çmuara duke përmendur arin, temjanin dhe mirrën. Kontrollova, këto dhurata madje mund t’i blini në faqen Amazon. Por dhuratat e tjera për të cilat kemi folur, nuk do t’i gjeni kurrë në asnjë dyqan. Ato janë dhurata pa çmim, prapëseprapë do të sjellin gëzim të përhershëm dhe të vërtetë, si për marrësin, ashtu edhe për dhënësin.
Pra, teksa mendoni për atë që do të jepni këtë Krishtlindje, ju ftoj:
-
T’iu jepni familjes dhe njerëzve që i doni, dëshminë tuaj. Teksa e ndani këtë dhuratë të çmuar me të tjerët, vetë dëshmia juaj do të forcohet.
-
Të falni dikë që mendoni se ju ka bërë keq ose ju ka lënduar. Duke e dhënë këtë dhuratë, edhe ju do të ndieni paqe e shërim.
-
T’i ndihmoni të tjerët ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet jush. Nëse është e përshtatshme, thuajuani se i doni. Kur i shihni të tjerët ashtu siç i sheh Perëndia, dashuria juaj për ta do të rritet dhe ju gjithashtu do ta ndieni dashurinë e Perëndisë në jetën tuaj.
Në mbyllje, i uroj secilit prej jush një periudhë Krishtlindjeje të mbushur plot me gëzim. Jap dëshminë time për Jezusin, Krishtin. Ai jeton. Ai është Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë. Ai është Avokati dhe Miku ynë. Unë e adhuroj Atë. E dua Atë. Për shkak të dhuratës së Tij për secilin prej nesh, të blerë me çmim të pamatshëm, ne mund të kualifikohemi për të marrë dhuratën më të madhe nga të gjitha, madje jetën e përjetshme në praninë e Atit tonë të dashur në Qiell.
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.