Çfarë të Prisni në Kishë
Kisha jonë është një vend ku mund të mblidhesh bashkë me besimtarë të tjerë për të reflektuar, adhuruar, mësuar dhe për t’u bërë një njeri më i mirë.
Vizitorët Janë Gjithnjë të Mirëpritur.
Në të gjitha ndërtesat tona thuhet “Mirë se Vini Vizitorë” dhe e kemi me tërë mend. Qoftë nëse jeni i interesuar të bëheni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, po vini të na vizitoni me një mik, ose thjesht po shuani kureshtjen, ne jemi të lumtur t’ju shohim.Çfarë të Prisni nga Shërbesat e së Dielës
Kisha është një vend komuniteti dhe i të mësuarit, por më e rëndësishmja është një vend për të adhuruar Perëndinë dhe Jezu Krishtin. Të 30 000 bashkësitë tona nëpër botë ndjekin një format të ngjashëm prej dy orësh për shërbesat e së dielës:Mbledhja e Sakramentit
Gjatë asaj që e quajmë “mbledhja e sakramentit”, të gjithë anëtarët e bashkësisë mblidhen së bashku. Mbledhja përfshin një lutje hapjeje dhe mbylljeje, disa himne dhe predikime që jepen nga bashkanëtarët e Kishës.Pjesa më e rëndësishme e mbledhjes së sakramentit është marrja e sakramentit, që ngjason me kungimin në besime të tjera të krishtera. Gjatë sakramentit, ne kujtojmë Jezu Krishtin ndërsa hamë një copë të vogël buke dhe pimë një gotëz ujë që janë simbolikë për trupin dhe gjakun që Ai flijoi për ne. Gjatë kësaj kohe që është më e qetë, përpiqemi të mendojmë mënyra se si mund ta ndjekim Atë më me besnikëri gjatë javës së ardhshme.
Si vizitor, nga ju nuk do të pritet të merrni pjesë në asgjë që ju bën të ndiheni në siklet. Ndihuni i lirë që thjesht të uleni në bashkësi dhe ta përjetoni përvojën.
Orët Mësimore
Krahas mbledhjes së sakramentit, njerëzit ftohen të qëndrojnë gjatë një ore të dytë ku merret mësim në një mjedis më të vogël.Fëmijët shkojnë në Fillore, ku mësojnë tregime nga shkrimet e shenjta, këngë dhe mësime të përshtatshme për moshën rreth Jezusit dhe ungjillit të Tij. Adoleshentët frekuentojnë orë mësimore të ngjashme për grupmoshat e tyre.
Një të diel po e një jo, personat në moshë madhore frekuentojnë Shkollën e së Dielës së bashku, duke studiuar librat e shkrimeve të shenjta që janë përzgjedhur për t’u studiuar në mbarë Kishën atë vit. Javët e tjera, ata ndahen në klasa të ndryshme për burrat (që njihet si kuorumi i pleqve) dhe për gratë (që njihet si Shoqata e Ndihmës).
Nëse nuk jeni të sigurt se ku të shkoni, thjesht pyetni dhe dikush do t’ju ndihmojë të gjeni klasën e duhur.
Veprimtari të Tjera të Kishës
Nëse frekuentoni një shërbesë adhurimi të së dielës me ne ose keni një mik/e që është anëtar/e i/e Kishës, mund t’ju ftojnë në një nga veprimtaritë e tjera që zhvillohen në bashkësinë tuaj vendore. Disa shembuj përfshijnë:- Veprimtaritë shoqërore, të tillë si festa e Krishtlindjes.
- Aktivitetet e përjavshme të grupeve të rinisë.
- Institutet e fesë për të rinjtë e të rejat në moshë madhore për të studiuar shkrimet e shenjta dhe për t’u shoqëruar së bashku.
- Projektet e shërbimit në komunitet.
- Orët mësimore për mbështetjen te vetja.
- Koncertet ose interpretime të tjera artistike.
Pyetje të Zakonshme
Çfarë duhet të vesh në kishë?
Çfarë duhet të vesh në kishë?
Jeni më se i/e mirëpritur të vini sikurse jeni. Nëse jeni i/e shqetësuar se do të dukeni ndryshe nga të tjerët, ne përpiqemi të veshim rroba më të mira nga sa veshim gjatë javës, për të pasqyruar nderimin tonë për Perëndinë. Veshja më e zakonshme që do të shihni në kishë, është një këmishë dhe kollare për burrat dhe një fund ose fustan për gratë.
A do ta dijë kushdo që jam një vizitor/e?
A do ta dijë kushdo që jam një vizitor/e?
Ne kemi vizitorë pothuajse në çdo bashkësi, ndaj jemi mësuar të shohim fytyra të reja. Në një bashkësi të madhe, njerëzit madje mund të mos e kuptojnë se jeni vizitor/e. Në zona të tjera, njerëzit mund t’ju vënë re dhe t’ju përshëndetin. Sido që të jetë, mos ngurroni të thoni se kush jeni dhe të bëni çfarëdo pyetjeje që të keni.
A më duhet të marr pjesë?
A më duhet të marr pjesë?
Jo. Kur buka dhe uji i sakramentit i jepen bashkësisë, ju thjesht mund t’ia kaloni tabakanë personit tjetër dhe më pas të rehatoheni e të shijoni pjesën tjetër të shërbesës. Do të shihni njerëz që dalin vullnetarë për të marrë pjesë në mënyra të tjera, të tillë si duke iu përgjigjur pyetjes së një mësuesi gjatë Shkollës të së Dielës, por nuk keni pse ta ngrini dorën nëse kjo nuk është diçka që doni ta bëni.
A do të më kërkohet të dhuroj para?
A do të më kërkohet të dhuroj para?
Jo. Ne besojmë vërtet në ligjin e së dhjetës që gjendet në Bibël. Por anëtarët tanë që zgjedhin ta paguajnë të dhjetën, e bëjnë këtë privatisht, jo si pjesë të shërbesës së adhurimit. Juve nuk do t’ju kërkohen dhurime gjatë një mbledhjeje.
A mund t’i marr fëmijët me vete?
A mund t’i marr fëmijët me vete?
Po! Kjo është një Kishë që i mirëpret familjet. Fëmijët ulen me prindërit e tyre gjatë mbledhjes kryesore të sakramentit dhe më pas marrin pjesë në veprimtari me fëmijët ose adoleshentët e moshës së tyre ndërkohë që personat në moshë madhore ndjekin Shkollën e së Dielës. Orët mësimore të fëmijëve dhe rinisë udhëhiqen gjithmonë nga dy ose më shumë persona në moshë madhore. Ka një dhomë për nënat që siguron privatësi për të ushqyer foshnjat ose nevoja të tjera.
Doni të shkoni në kishë, por të mos jeni vetëm?
Anëtarët e Kishës sonë, të cilët bëjnë punë vullnetare si misionarë në zonën tuaj, mund të takohen me ju paraprakisht për t’ju ndihmuar të dini se çfarë të prisni dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja. Ata mund edhe t’ju ruajnë një karrige kur të jeni gati të vini për vizitë.