“Forcimi i Themelit Tuaj Shpirtëror: Hyrje në Zotërimin Doktrinor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Forcimi i Themelit Tuaj Shpirtëror: Hyrje në Zotërimin Doktrinor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zotërimi Doktrinor: Gjetja e Përgjigjeve për Pyetjet e Mia: Mësimi 161
Forcimi i Themelit Tuaj Shpirtëror
Hyrje në Zotërimin Doktrinor
Mënyra se si i përballojmë sfidat, pyetjet dhe shqetësimet në jetën tonë mund të na çojë më afër Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ose më larg prej Tyre. Zotërimi doktrinor ofron udhërrëfimin që mund të na ndihmojë në rrethana të tilla të reagojmë me besim te Jezu Krishti dhe frymëzim nga Fryma e Shenjta. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si zotërimi doktrinor mund t’ua bekojë jetën dhe t’i ndihmojë ta ndërtojnë themelin shpirtëror mbi Jezu Krishtin.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë vargun te Helamani 5:12 përpara se të vijnë në orën mësimore. Nxënësit mund të kërkojnë bekimet e premtuara për ndërtimin e themelit të tyre mbi Jezu Krishtin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Reagimi ndaj informacionit të vështirë
Për të filluar orën mësimore, merreni parasysh të vizatoni dy figura njerëzish në tabelë dhe t’i emërtoni ato Ana dhe Vera. Nëse dëshirojnë, nxënësit mund të japin hollësi rreth secilës vajzë si për shembull çfarë u pëlqen të bëjnë, ku punojnë e kështu me radhë. Bëni kujdes të mos lejoni që kjo pjesë e mësimit të marrë shumë kohë ose të lërë në hije skenarin.
Paraqitni skenarin vijues. (Shënim: Skenari vazhdon nëpër pjesët e tjera të mësimit.)
Ana dhe Vera janë shoqe të mira dhe të dyja janë anëtare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Që kur nisën shkollën e mesme, ato kanë dëgjuar shumë informacione dhe mendime rreth Kishës nga burime të ndryshme. Ndërkohë që kishin dalë një mbrëmje, Ana i tregoi Verës disa informacione që i kishte lexuar në internet rreth Kishës. Ana tha se ajo që lexoi e tronditi besimin e saj. Ajo u habit kur dëgjoi Verën të thoshte se ishte në dijeni të atyre gjërave dhe kishte gjetur paqe në lidhje me to. Ana ishte e interesuar se si Vera kishte arritur të ndihej në këtë mënyrë.
-
Cilat janë disa gjëra pozitive që ndodhin në këtë skenar pavarësisht shqetësimeve të Anës?
Nxënësit mund të vënë re se është gjë pozitive që Ana të bëjë pa drojë një pyetje të sinqertë. Është gjithashtu pozitive që Vera është në pozitë për ta ndihmuar Anën.
Ftojini nxënësit të mendojnë nëse janë ndier ndonjëherë si Ana. Mund t’u kërkoni gjithashtu atyre të mendojnë nëse janë ndier ndonjëherë më parë si Vera dhe një shok u është afruar me një pyetje.
Ndërsa mëson rreth zotërimit doktrinor sot, ji i hapur ndaj asaj që mund të të mësojë Fryma e Shenjtë. Kërko të dish se si mund të të ndihmojë zotërimi doktrinor të reagosh ndaj informacionit të papritur me besim te Jezu Krishti dhe se si mund t’i ndihmojë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
Ndërtimi i themelit tonë mbi Jezu Krishtin
Lexoji dy paragrafët e parë nën titullin “Hyrje në Zotërimin Doktrinor” në materialin Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022). Kërko atë që zotërimi doktrinor ka për qëllim të na ndihmojë të bëjmë.
-
Si do ta përmblidhje qëllimin e zotërimit doktrinor?
Ndër përgjigjet e tjera, ndihmojini nxënësit të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Zotërimi doktrinor na ndihmon ta ndërtojmë themelin tonë shpirtëror mbi Jezu Krishtin.
Nëse është e dobishme, mund të bëni pyetjen vijuese.
-
Çfarë do të thotë për ty ta ndërtosh themelin tënd mbi Jezu Krishtin?
Para se nxënësit ta lexojnë vargun vijues, merreni parasysh të shkruani në tabelë guri = Jezu Krishti.
Lexo tek Isaia 28:16, duke kërkuar mënyrën se si mund të na bekojë ndërtimi i themelit tonë mbi Jezu Krishtin.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta shenjojnë frazën “do të ngutet” dhe të shpjegoni se kjo frazë mund të nënkuptojë “të lëkundet” ose “ta zërë paniku”.
-
Përse mendon se përqendrimi i besimit tonë te Jezu Krishti nuk do të lejojë që të tronditemi?
Ftojini nxënësit të mendojnë sërish për skenarin.
-
Cilat janë disa gjëra që mund të ketë bërë Vera për të ndërtuar besimin e saj te Jezu Krishti dhe për të mos “[u] ngut[ur]” nga çështjet sfiduese?
Nëse mendoni se do të ishte e dobishme, mund t’i vini nxënësit të studiojnë te Jakobi [LiM] 4:6–10, duke kërkuar atë që bëri Jakobi në mënyrë që besimi i tij te Jezu Krishti të mos mund të tronditej. Ju mund ta renditni atë që gjejnë nxënësit në tabelë pranë figurës së Verës. Ftojini nxënësit të përshkruajnë se si mund të duket çdo veprim në jetën e Verës.
Rezultatet e zotërimit doktrinor
Për t’i përgatitur nxënësit që të kuptojnë rezultatet e zotërimit doktrinor, tregoni pjesën e radhës të skenarit me fjalët tuaja.
Vera ndaloi për një çast, duke kërkuar mënyrën se si t’ia tregonte Anës atë që e kishte ndihmuar që të mbetej besnike. Ajo donte t’i përçonte rëndësinë e përpjekjeve të saj të rregullta për të forcuar marrëdhënien e saj me Jezu Krishtin. Duke reflektuar mbi rutinën e saj të lutjes së përditshme, leximit të shkrimeve të shenjta dhe pjesëmarrjes në kishë dhe seminar, ajo kuptoi një aspekt që i bëri përshtypje.
“Është zotërimi doktrinor”, – tha Vera me besim në vetvete.
Ana dukej e hutuar. “Çfarë zotërimi?”
“Zotërimi doktrinor. Është diçka që e bëjmë në seminar. Ai më ka ndihmuar shumë t’i përballoj pyetjet dhe situatat e vështira ndërkohë që besimin tim te Jezu Krishti e mbaj në qendër të jetës sime”, – shpjegoi Vera.
Interesi i Anës ishte i dukshëm. “Po çfarë është saktësisht zotërimi doktrinor?”
-
Çfarë di ti tashmë rreth zotërimit doktrinor?
Nëse disa nga nxënësit tuaj kanë disi përvojë në seminar me zotërimin doktrinor, ftojini disa ta tregojnë atë që dinë tashmë.
Nëse nxënësit kanë nevojë për më shumë ndihmë për të kuptuar zotërimin doktrinor, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “What Is Doctrinal Mastery?” [“Çfarë Është Zotërimi Doktrinor?”] (3:56).
3:56Përndryshe, mund t’i organizoni nxënësit në dyshe dhe t’u caktoni atyre të lexojnë në lidhje me dy rezultatet e zotërimit doktrinor te pjesa “Hyrje në Zotërimin Doktrinor” e materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.
-
Si mendon se rezultatet e zotërimit doktrinor mund ta ndihmojnë Anën të ndërtojë themelin e saj mbi Jezu Krishtin?
Ju mund t’i renditni përgjigjet e nxënësve në tabelë afër Anës.
Për t’u dhënë nxënësve një mundësi për t’u njohur me fragmentet e shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor, ftojini ata të drejtohen te fragmentet e Dhiatës së Vjetër poshtë pjesës “Fragmentet e Shkrimeve të Shenjta dhe Frazat Kyç të Shkrimeve të Shenjta për Zotërimin Doktrinor sipas Radhës” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.
Lexo disa fraza kyç të shkrimit të shenjtë duke kërkuar një fragment që mund ta ndihmojë Anën të mos lëkundet nga besimi i saj te Jezu Krishti.
Nxënësit mund t’i shkruajnë referencat e tyre të përzgjedhura të shkrimit të shenjtë në tabelë përreth figurës së Anës. Ju mund të tregoni disa referenca dhe t’u kërkoni nxënësve që i shkruan ato të tregojnë se si mendojnë se kjo do ta ndihmonte Anën.
Përfundimi
Jepuni nxënësve një mundësi për të ushtruar përshkrimin e zotërimit doktrinor duke iu përgjigjur nxitjes vijuese.
Imagjino sikur po i përgjigjesh pyetjes së Anës: “Çfarë është zotërimi doktrinor?” Shënoje në ditarin tënd mënyrën se si do ta shpjegoje se çfarë është zotërimi doktrinor dhe mënyrën se si ai mund të bekojë jetën tënde.
Jepuni nxënësve një mundësi për t’ia treguar atë që shkruan dikujt të ulur afër tyre ose klasës.
Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për mënyrën se si mund ta bekojë zotërimi doktrinor jetën e nxënësve duke i ndihmuar ata ta ndërtojnë themelin e tyre shpirtëror mbi Jezu Krishtin.