“Hagai: ‘Mendohuni Mirë Për Sjelljen Tuaj’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Hagai: ‘Mendohuni Mirë Për Sjelljen Tuaj’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Hagai 1–2; Zakaria 1–4; 10–14: Mësimi 155
Hagai
“Mendohuni Mirë Për Sjelljen Tuaj”
Në jetën tonë të ngarkuar, si mund të gjejmë kohë për Zotin dhe gjërat që Ai na kërkon të bëjmë? Ne mund të kemi dobi nga ndjekja e ftesës së Zotit për judenjtë për t’u “mend[uar] mirë për sjelljen [tonë]” (Hagai 1:5) lidhur me mënyrën se si gjejmë kohë për Të. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta vendosin Perëndinë të parin në jetën e tyre.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë një listë të gjërave që ata i bëjnë në një ditë të zakonshme. Nxënësit mund të emërtojnë gjërat që mendojnë se janë më të rëndësishme dhe të përsiatin arsyen përse i konsiderojnë ato gjëra të rëndësishme. Ata mund t’i sjellin listat e tyre në klasë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
T’i japim përparësi Zotit
Mësimi vijues me sende është në artikullin “Përdorimi i Kohës Suaj në Mënyrën e Duhur” (Liahona, korrik 2020, f. 60).
Para orës mësimore, mbusheni një kavanoz me gurë, më pas shtoni rërë sipër, duke e tundur mirë që të bjerë në fund. Kjo vlen për t’u siguruar që keni rërë të mjaftueshme për të mbushur kavanozin. Më pas, ndajeni rërën nga gurët sërish. Sillini kavanozin, rërën dhe gurët në orën mësimore. Ndërsa fillon ora mësimore, tregojuani artikujt nxënësve, duke shpjeguar se kavanozi përfaqëson kohën tonë, gurët përparësitë tona dhe rëra veprimtaritë tona të përditshme.
-
Cilat janë gjërat që shpenzon kohën tënde për t’i bërë çdo ditë?
-
Cilat janë gjërat që Zoti i kërkon secilit prej nesh t’u japim përparësi?
Nxënësit mund t’i përgjigjen pyetjes së dytë me përgjigje të tilla si studimi i shkrimeve të shenjta, lutja, koha familjare, shërbimi e kështu me radhë. Merreni parasysh t’i shkruani përgjigjet e nxënësve mbi gurë.
Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin vlerën e dhënies së përparësisë, së pari mbushni kavanozin me rërë. Më pas përpiquni të shtoni gurët, që nuk do t’i nxërë. Diskutoni se si t’i futni të dy artikujt. Zbrazeni kavanozin dhe provojeni përsëri. Shtoni gurët në fillim, më pas rërën, duke e tundur kavanozin që rëra të bjerë në hapësirat bosh.
-
Çfarë mund të mësojmë nga ky mësim me sende?
-
Përse mund të jetë e vështirë të gjejmë kohë për Zotin dhe gjërat që Ai na kërkon të bëjmë çdo ditë?
Ndërsa e studion Hagain, kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë rreth mënyrës se si Zoti mund ta bekojë jetën tënde ndërsa gjen kohë për Të.
Rindërtimi i tempullit
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë kontekstin e Hagait, merreni parasysh të jepni përmbledhjen vijuese.
Pasi judenjtë u kthyen në Jerusalem nga robëria e tyre në Babiloni, ata bënë përpjekje të mëdha për rindërtimin e tempullit, qytetit, shtëpive dhe jetës së tyre (shih tek Ezdras 1:1–6). Por pasi kishin kaluar rreth 15 vjet, Zoti u mërzit që ata nuk i kishin dhënë përparësi më të madhe rindërtimit të tempullit (shih tek Ezdras 4:24; Hagai 1:3–4). Ai e dërgoi profetin e Tij Hagain t’i bindte njerëzit t’i jepnin përparësi ndërtimit të shtëpisë së Zotit.
Lexo te Hagai 1:2–4, duke kërkuar fjalët ose frazat që tregojnë se judenjtë nuk ishin të përqendruar te rindërtimi i tempullit.
Mund të nevojitet të shpjegoni fjalën “të mbuluara”. Kjo mund të tregojë se, ndërkohë që tempullin e lanë të papërfunduar, njerëzit ndërtuan për vete shtëpi të rehatshme dhe të mobiluara mirë.
-
Si mund të lidhet kjo me mësimin me sende?
Lexo te Hagai 1:5–11, duke kërkuar pasojat me të cilat u përballën judenjtë për shkak se u dhanë përparësi gjërave të tjera dhe jo rindërtimit të tempullit.
-
Cilat janë disa pasoja që mund të përjetojmë nëse nuk i japim përparësi Zotit në jetën tonë?
Ju mund t’i ftoni nxënësit të vënë në dukje ose të shenjojnë frazën e përsëritur te vargjet 5 dhe 7.
-
Çfarë mendon se nënkuptoi Zoti kur Ai i ftoi njerëzit të “mendoh[eshin] mirë për sjelljen [e tyre]”? (Hagai 1:5, 7)
“Që nga kjo ditë e tutje, unë do t’ju bekoj”
Merreni parasysh të lexoni ose të përmblidhni paragrafin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë pjesën tjetër të rrëfimit.
Judenjtë dhe udhëheqësit e tyre iu bindën zërit të Zotit. Zorobabeli (qeveritari) dhe Jozueu (prifti i lartë) drejtuan përpjekjet për rindërtimin e tempullit (shih te Hagai 1:12–14). Edhe profeti Hagai ndihmoi (shih tek Ezdras 5:1–2). Ndërsa punuan, Zoti dha fjalë inkurajimi.
Shkruajeni të vërtetën e paplotë vijuese në tabelë: Nëse e vendosim Perëndinë të parin në jetën tonë …
Merreni parasysh ta ndani klasën në tri grupe, ku çdo grup lexon njërin nga fragmentet vijuese.
Lexo një ose më shumë prej fragmenteve vijuese, duke kërkuar nga Zoti inkurajim që mund të plotësojë fjalinë në tabelë:
Hagai 2:4–5
Hagai 2:6–9
Hagai 2:18–19
Nxënësit mund të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë se si do ta plotësonin thënien. Sa vijon janë shembuj të asaj që ata mund të shkruajnë:
… Ai do të jetë me ne.
… Ai do të na japë paqe.
… Ai do të na bekojë shpirtërisht dhe fizikisht.
Për të gjetur bekimet shtesë që mund t’i marrim duke e vendosur Perëndinë të parin, nxënësit mund të lexojnë te Mosia 2:41 dhe 3 Nefi 13:31–33. Më pas, mund ta shtoni në tabelë atë që gjejnë ata.
-
Cilin prej bekimeve të Zotit nga këto vargje e dëshiron më shumë? Përse?
Ndihmojini nxënësit të dallojnë mënyrat se si mund ta vendosin Perëndinë të parin për të ftuar bekimet e Tij. Nëse nuk e shfaqët materialin filmik “Dëshira e Sinqertë e Shpirtit” (3:28) kur dhatë Mësimin 93: “Nehemia”, atëherë merrni parasysh ta shfaqni atë këtu nga kodi kohor 0:00 deri në 2:01. Ky material filmik është në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org. Mund t’i ftoni nxënësit të kërkojnë mënyrat se si mund t’u përgjigjen pyetjeve më poshtë.
Përndryshe, mund të jepni skenarin vijues. Nxënësit mund t’u përgjigjen më pas pyetjeve shoqëruese në dyshe, grupe të vogla ose si klasë.
Imagjino sikur ke një shoqe që quhet Arjana, që mendon se nuk ka fare kohë për t’i dhënë përparësi Perëndisë në jetën e saj. Ditët e saj janë të mbushura me detyrat e shkollës, shokët dhe pasionet, duke e lënë atë të rraskapitur dhe pa shtysë për gjërat shpirtërore. Ajo sheh një nevojë për të ndryshuar, por nuk di se çfarë të bëjë.
-
Çfarë këshille do t’i jepje Arjanës për ta ndihmuar atë ta vendosë Perëndinë të parin?
-
Si mund ta bekojë Perëndia atë për shkak se e vendosi Atë të parin?
Pas një kohe të mjaftueshme, mund të shfaqni pjesën tjetër të materialit filmik “Dëshira e Sinqertë e Shpirtit” nga kodi kohor 2:02 deri në 3:28, duke i ftuar nxënësit të kërkojnë atë që bën Arjana për të ndryshuar.
3:29 -
Çfarë këshille tjetër do t’i jepje dikujt që mendon se nuk mund ta vendosë Perëndinë të parin në jetën e tij për ndonjë arsye tjetër?
-
Si të ka bekuar Perëndia ty ose të tjerët që ti i njeh që e vendosën Atë të parin?
Bëj një plan
Kjo pjesë mund t’i ndihmojë nxënësit ta zbatojnë atë që mësuan. Merreni parasysh ta paraqitni thënien vijuese.
Reflekto personalisht mbi ftesën vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“E përsëris këshillën e Zotit drejtuar popullit të Tij, që u dha nëpërmjet profetit Hagai të Dhiatës së Vjetër: ‘Prandaj Zoti i ushtrive thotë tani: “Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!”’ [Hagai 1:5].
Secili prej nesh duhet t’i vlerësojë me çiltërsi dhe plot lutje përparësitë e veta materiale dhe shpirtërore për të përcaktuar gjërat në jetën tonë që mund t’i pengojnë bekimet bujare që Ati Qiellor dhe Shpëtimtari janë të gatshëm të na i japin. Dhe sigurisht Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë ta shohim veten ashtu siç jemi në të vërtetë.” (“Rivishu me Forcën Tënde, o Sion”, Liahona, nëntor 2022, f. 94)
Vepro sipas ftesës së Zotit për t’u “mend[uar] mirë për sjelljen [tënde]” (Hagai 1:5, 7) duke përsiatur për përparësitë e tua. Përsiat nëse ka gjëra që është e nevojshme t’u japësh përparësi ose t’i heqësh nga jeta jote për të ftuar bekimet që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë të gatshëm të t’i japin.
Në ditarin tënd skico një kavanoz me gurë dhe emërtoji gurët me zotimet që do të bësh për t’i dhënë përparësi Perëndisë. Vizato rërë jashtë kavanozit dhe emërtoje atë me gjërat që do të doje t’i eliminoje. Zgjidh një ose dy gurë dhe planifiko çfarë, kur dhe si do t’i përmbushësh këto zotime.
Merreni parasysh të jepni dëshminë ose mendimet tuaja rreth bekimeve të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa i vendosim Ata të parët në jetën tonë.