“Amos 8: Mposhtja e Urisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Amos 8: Mposhtja e Urisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Amos; Abdia; Jona: Mësimi 150
Amos 8
Mposhtja e Urisë Shpirtërore
Të gjithë kemi ndier uri. Imagjino si mund të jetë të vuash nga uria shpirtërore. Zoti i mësoi izraelitët nëpërmjet Amosit duke përdorur këtë gjuhë figurative. Amosi profetizoi se popullit të tij nuk do t’i jepej më fjala e Tij për shkak se e kishin refuzuar atë. Humbja e fjalës së Zotit do të çonte në një uri shpirtërore. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që t’iu shtohet siguria se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund ta përmbushin urinë e tyre shpirtërore nëpërmjet Rivendosjes së ungjillit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin mënyrën se si do të ishte ndryshe jeta e tyre po të mos kishin shkrimet e shenjta ose fjalët e profetëve. Nxënësit mund të vijnë në orën mësimore të gatshëm për ta treguar atë që menduan.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Uria shpirtërore
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke paraqitur një figurë të ushqimit ose të sillni një artikull ushqimor të thjeshtë dhe të bëni pyetjet vijuese.
-
Kur është një kohë kur ti je ndier veçanërisht i uritur?
-
Si mund të sillemi kur jemi të uritur?
Përgjigjet mund të përfshijnë që mund të ndihemi të acaruar, të mos kemi shumë energji ose të jemi të babëzitur për çfarëdolloj ushqimi.
Shkruajeni frazën Uri Shpirtërore në tabelë.
-
Për çfarë mund të kenë uri njerëzit shpirtërisht dhe të kenë vështirësi ta gjejnë?
Merrni parasysh t’i shkruani në tabelë përgjigjet e nxënësve. Nxënësit mund të thonë gjëra si dashuria e Perëndisë, një qëllim për jetën e tyre, njohja e së vërtetës, drejtim në vendime të vështira, etj.
Ndalu një çast për të shkruar në ditarin e studimit mënyrat në të cilat ti ose dikush që ti njeh mund të ndiejë aktualisht uri shpirtërore.
Inkurajojini nxënësit të kërkojnë Frymën e Shenjtë sot ndërsa marrin parasysh atë që mund të bëjnë për ta marrë ushqimin shpirtëror që ofron Jezu Krishti.
Uri për të dëgjuar fjalët e Zotit
Profeti Amos profetizoi për urinë shpirtërore. Ai ua zbuloi fjalët e Zotit njerëzve të Izraelit, por ata nuk deshën ta dëgjonin atë (shih tek Amos 2:12; 7:11–16).
Nëse mendon se do të ishte e dobishme, ftojini nxënësit të lexojnë tek Amos 7:12–13 për të kuptuar se si iu përgjigjën izraelitët fjalëve të Zotit nëpërmjet Amosit.
Lexo tek Amos 8:11–12 duke kërkuar pasojat për njerëzit që e refuzojnë fjalën e Zotit.
Nëse është e nevojshme, shpjegoni se zia e bukës është një mungesë ekstreme e ushqimit.
-
Çfarë pasojash vure re?
Nëse nxënësit nuk i vënë në dukje ato, thoni të vërteta si vijuesja: Kur njerëzit i hedhin poshtë profetët e Zotit, ata i humbin bekimet e fjalës së Zotit. Pa fjalën e Perëndisë, ne vdesim urie shpirtërisht.
-
Pse mendon se zia e bukës është një krahasim i mirë për të jetuarit pa fjalën e Zotit?
-
Në ç’mënyra është përmbushur profecia e Amosit?
Nëse është e nevojshme, tregojuni nxënësve se këto vargje i referohen një periudhe kohe të njohur si braktisje. Braktisje është kur individë ose grupe njerëzish i hedhin poshtë parimet e ungjillit dhe Zoti nuk u dërgon më profetë. Një përmbushje e profecisë së Amosit ndodhi pas vdekjes së apostujve të Krishtit dhe njihet si Braktisja e Madhe. Braktisja e Madhe zgjati derisa Zoti e rivendosi ungjillin e Tij nëpërmjet profetit Jozef Smith.
Nëse dëshironi, mund të shfaqni materialin filmik “Dispensations: The Pattern of Apostasy and Restoration” [“Periudhat Ungjillore: Modeli i Braktisjes dhe i Rivendosjes”] (6:52) për të ilustruar domethënien e Rivendosjes së ungjillit.
Shuarja e urisë shpirtërore
Në mirësinë e Tij, Zoti ua bëri të qartë njerëzve të Tij nëpërmjet profetëve të Tij se Ai do ta shpëtonte popullin e Tij nga pasojat e braktisjes dhe do ta bekonte popullin e Tij. Zoti profetizoi nëpërmjet Amosit se Ai do ta mbledhë popullin e Tij sërish në një ditë të ardhshme dhe Ai do ta bekojë atë në shumë mënyra (shih tek Amos 9:14–15).
Lexoji vargjet vijuese duke kërkuar çfarë tjetër zbuloi Zoti nëpërmjet profetëve të Tij se do të bënte në periudhën ungjillore të fundit përpara Ardhjes së Dytë të Tij:
Daniel 2:44–45
Veprat e Apostujve 3:19–21
Efesianëve 1:3, 10
Doktrina e Besëlidhje 27:13; 112:30; 128:18
Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që mësuan dhe të bëjnë pyetjet që kanë rreth këtyre vargjeve. Për ndihmë shtesë, mund t’i drejtoni te “Rivendosja e Ungjillit”, tek Tema dhe Pyetje nëse dëshironi.
-
Çfarë bekimesh kanë vënë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në dispozicion të një bote të uritur shpirtërisht nëpërmjet Rivendosjes?
Nxënësit mund të renditin çelësat dhe autoritetin e priftërisë, profetët, zbulesat, shkrimet e shenjta, organizatat e Kishës, ordinancat dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.
Mendoni se si mund t’i ndihmoni nxënësit të kuptojnë se si këto bekime mund të plotësojnë nevojat e tyre dhe të njerëzve që ata i kanë për zemër. Sa vijon është një mënyrë se si mund ta bëni këtë.
Ftojini nxënësit të krijojnë një skenar për një individ që ka uri për një nga temat e renditura në tabelë nën titullin Uria Shpirtërore. Mund t’i vini nxënësit të shtojnë hollësi në mënyrë që skenari të ndihet më i prekshëm. Si shembull, mund të tregoni sa vijon rreth Martës. Nxënësit mund të punojnë më pas së bashku, individualisht, ose si grupe të vogla për t’iu përgjigjur skenarit.
Skenari: Marta është 15 vjeçe dhe nuk dëshiron asgjë më tepër sesa të gjejë qëllim për jetën e saj. Ajo ka vështirësi me vetëbesimin dhe nuk është e sigurt se çfarë drejtimi duhet të marrë.
-
Çfarë mund të tregosh që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e kanë bërë si pjesë e Rivendosjes së ungjillit që mund të ndihmojë të përmbushet uria shpirtërore e Martës?
Si pjesë e përgjigjes sate, sigurohu të përfshish shkrime të shenjta; citate nga udhëheqësit e Kishës dhe, nëse është e mundur, përvojën tënde vetjake.
Nëse nxënësit e kanë të vështirë të përgjigjen, mund t’i vini ata të shfletojnë broshurën Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë ose disa nga fragmentet e zotërimit doktrinor.
Nëse nxënësit po i përgjigjen skenarit me Martën, mund t’i drejtoni ata te pjesa me titullin “Bëni Zgjedhje të Frymëzuara” e broshurës Udhëzuesi për Forcën e Rinisë ose Moisiu 1:39: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”. Nxënësit mund të përsiatin se si dijenia që Zoti kujdeset për ta dhe punon në mënyrë aktive për kthimin e tyre në praninë e Tij mund të përmbushë urinë shpirtërore për të ndier dashurinë e Perëndisë ose për të ndier qëllim në jetën e tyre.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftojini ta tregojnë atë që përgatitën. Ata mund të tregojnë edhe atë që mësuan nga kjo përvojë.
Reflektimi vetjak
Për ta mbyllur, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarin e tyre.
-
Çfarë ke mësuar sot që ta shton sigurinë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund ta shuajnë urinë tënde shpirtërore?
-
Cila është një mënyrë se si do të doje të silleshe sipas asaj që ke mësuar ose ndier?