“2 Kronikave 17–20: Gjetja e Parimeve në Shkrimet e Shenjta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“2 Kronikave 17–20: Gjetja e Parimeve në Shkrimet e Shenjta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
2 Kronikave 14–20; 26; 30: Mësimi 91
2 Kronikave 17–20
Gjetja e Parimeve në Shkrimet e Shenjta
A e pyet veten ndonjëherë se çfarë mund të bësh për t’iu afruar më shumë Jezu Krishtit? Mbreti Jozafat i Dhiatës së Vjetër ishte një shembull i shkëlqyer i bërjes pikërisht të kësaj gjëje. Populli i tij ishte larguar nga Perëndia dhe ishte përfshirë në adhurimin e idhujve. Jozafati zgjodhi të ndiqte Jehovën dhe e ndihmoi popullin e tij të bënte të njëjtën gjë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë të përcaktojnë parime të ungjillit nga shkrimet e shenjta.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të reflektojnë mbi atë që po mësojnë në studimin e tyre vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta. Ata mund të vijnë në orën mësimore gati për të treguar një parim që e gjetën, dhe mënyrën se si ai i ndihmon ata.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kanxha sigurie
Paraqitni figurën vijuese të dikujt duke u ngjitur në një shkëmb.
-
Nëse do të ngjiteshe në një shkrep, çfarë pajisjesh do të të nevojiteshin?
-
Përse janë të nevojshme këto pajisje?
-
Nëse e krahasojmë jetën tonë me ngjitjen në një shkrep, çfarë të ka dhënë Zoti për të të ndihmuar t’ia dalësh mbanë me siguri?
Nxënësit mund të japin një larmi përgjigjesh. Ndërsa e bëjnë, falënderojini ata për përgjigjet dhe pyetini përse këto gjëra do t’i ndihmonin. Ky mësim përqendrohet në pyetjen vijuese.
Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ju dhe unë mund të jemi të sigurt për arritjen e objektivave të denja në jetë nëpërmjet kuptueshmërisë dhe ndjekjes së vazhdueshme të parimeve të sakta të rrënjosura në të vërtetën e zbuluar.
Parimet janë kanxha të sigurisë. Ato janë si kanxhat prej çeliku që përdor një alpinist për të mposhtur shkrepat që përndryshe nuk munden dot. Ato do t’ju ndihmojnë të keni mirëbesim në rrethanat e reja dhe të panjohura. Ato do t’ju ofrojnë mbrojtje në stuhitë e vështirësive të jetës.” (“The Power of Correct Principles”, Ensign, maj 1993, f. 32)
Një nga mënyrat se si Ati Qiellor na ka siguruar me dashuri parime të vërteta, është nëpërmjet shkrimeve të shenjta. Ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta, ne kërkojmë t’i përcaktojmë këto parime ose pohime të vërtetash që mund të na ndihmojnë në jetën tonë.
Mund të jetë e dobishme t’i vini nxënësit të reflektojmë mbi aftësinë e tyre të tanishme për t’i përcaktuar parimet në shkrimet e shenjta. Ja një mënyrë se si ta bëni këtë.
Ndalu një çast për të përsiatur për pyetjet vijuese:
-
Sa i/e sigurt jam unë në aftësinë time për t’i përcaktuar parimet?
-
Sa mirë e kuptoj mënyrën se si parimet mund të më ndihmojnë në jetën time?
Ndërsa e studion këtë mësim në jetën e Jozafatit, kërko ndihmën e Frymës së Shenjtë për të përcaktuar parimet e vërteta që mund të të ndihmojnë.
Parime nga jeta e Jozafatit
Pas vdekjes së babait të tij, Jozafati u bë mbreti i Judës. Izraeli dhe Juda ishin larguar që të dy nga Zoti Jezu Krisht. Ata adhuronin perëndi të rreme.
Lexo te 2 Kronikave 17:3–4; 19:4 dhe shih atë që mëson rreth Jozafatit. (Shënim: Bali u referohet perëndive të rreme.)
-
Çfarë të bën përshtypje rreth Jozafatit?
Kur Jozafati erdhi në pushtet, njerëzit e tij ishin në braktisje [shpirtërore]. Jozafati bëri shumë përpjekje anembanë mbretërisë së tij për ta ndihmuar popullin e vet ta ndiqte Jehovën (Jezu Krishtin). Gjatë kësaj kohe, armiqtë e Jozafatit dolën për të luftuar kundër popullit të tij. Ajo që ndodhi në këto rrethana, ilustron një larmi parimesh.
Merreni parasysh të shpjegoni zotësinë vijuese të studimit për përcaktimin e parimeve.
Një mënyrë për të përcaktuar një parim, është të kërkosh mënyrën se si lidhen dy gjëra. Për shembull: B‑ja ndodh për shkak të A‑së. Ose për shkak se një person bën A‑në, Zoti premton ose jep B‑në.
Lexojini të gjitha vargjet vijuese si klasë për t’u dhënë nxënësve një mundësi për të ushtruar përdorimin e zotësisë.
Lexo te 2 Kronikave 17:6 dhe 19:3, duke kërkuar parimet në jetën e Jozafatit. (Shënim: vendet e larta dhe Asherimët ishin vende për të adhuruar perënditë e rreme.)
Disa parime që mund të përcaktojnë nxënësit, janë:
-
Ndërsa e përqendrojmë jetën te Perëndia, ne mund ta largojmë lehtësisht ligësinë nga jeta jonë (shihni te 2 Kronikave 17:6).
-
Ndërsa e heqim ligësinë nga jeta jonë, jemi më të përgatitur për ta kërkuar Perëndinë (shihni te 2 Kronikave 19:3).
-
Përse janë të dobishme këto parime?
Pasi t’i përcaktojnë parimet nga vargjet e mëparshme si klasë, ftojini nxënësit të ushtrojnë përcaktimin e parimeve në grupe të vogla ose më vete. Vërini ata të përdorin vargjet vijuese.
Lexo te 2 Kronikave 20:1–9, 14–17, 20–22, duke kërkuar parime të vërteta shtesë.
Disa parime që mund të përcaktojnë nxënësit, janë:
-
Ndërsa agjërojmë dhe lutemi për çlirim, Zoti do të jetë me ne gjatë sfidave tona (shihni te 2 Kronikave 20:1–4, 14–17).
-
Ndërsa e kërkojmë Zotin në tempullin e Tij, Ai do të na dëgjojë dhe vijë në ndihmë (shihni te 2 Kronikave 20:9).
-
Ndërsa besojmë te Zoti dhe profetët e Tij, ne do të kemi mbarësi (shihni te 2 Kronikave 20:20).
-
Ndërsa e lavdërojmë Zotin nëpërmjet muzikës, Ai do të na bekojë (shihni te 2 Kronikave 20:21–22).
Nëse nxënësit e kanë të vështirë t’i përcaktojnë parimet, merreni parasysh t’i shkruani disa ose të gjitha parimet më sipër në tabelë. Ftojini nxënësit të përcaktojnë se cilat prej vargjeve të studiuara e japin mësim secilin parim.
Kuptueshmëria e parimeve
Për veprimtarinë vijuese, nxënësit mund të përdorin secilin prej parimeve më lart, ose mund të përdorin një parim që e mësuan kohët e fundit në studimin e tyre vetjak ose familjar.
Zgjidh një parim rreth të cilit do të doje të mësoje më shumë. Përgatit një bisedë dyminutëshe mbi këtë të vërtetë ku përfshihet sa vijon:
-
Një varg ose vargjet që lexove te 2 Kronikave rreth këtij parimi dhe arsyeja përse i përzgjodhe ato
-
Shkrime të tjera të shenjta ose fjalë të profetëve që të ndihmojnë ta kuptosh këtë parim
-
Një kohë kur Shpëtimtari ose dikush tjetër në shkrimet e shenjta ose në historinë e Kishës e mishëroi këtë parim
-
Mënyrat se si ti e ndien se si ky parim nga Zoti mund të na ndihmojë ose të na mbajë të sigurt
-
Një përvojë kur ti ose dikush që ti njeh, veproi sipas këtij parimi dhe çdo bekim nga Zoti që erdhi si rrjedhojë e tij
Nxënësit mund t’ia tregojnë bisedat e tyre një partneri ose grupi të vogël. Ose mund të ftoni disa nxënës të gatshëm që studiuan parime të ndryshme, t’ia tregojnë bisedat e tyre klasës. Ndërmjet bisedave të çdo nxënësi mund të ftoni klasën të bëjë ndonjë koment ose pyetje që ka rreth parimit që tregoi nxënësi.
Sigurohuni që t’u jepni nxënësve kohë të mjaftueshme për të përgatitur dhe mbajtur bisedat e tyre dyminutëshe.
-
Nga ajo që mësove sot, përse është e dobishme të përpiqesh t’i gjesh parimet që Zoti na ka dhënë në shkrimet e shenjta?
-
Si mund ta përdorësh atë që mësove sot në studimin tënd familjar dhe vetjak?
Inkurajojini nxënësit të arrijnë ta njohin më mirë Shpëtimtarin duke bërë lidhje vetjake me jetën e tyre nga shkrimet e shenjta. Pyetja e mëparshme është një shembull i inkurajimit të nxënësve për ta lidhur atë që po mësojnë në seminar, me studimin e tyre në shtëpi. Nëse doni, mund të kërkoni mënyra të tjera për ta bërë këtë. Mund t’i pyesni gjithashtu se si ajo që po mësojnë në shtëpi, lidhet me atë që po mësojnë në seminar. (Për trajnim shtesë mbi këtë, shihni te “Zhvilloni dhe bëni pyetje që i ndihmojnë nxënësit ta lidhin atë që kanë mësuar gjatë studimit të tyre vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta, me përvojën në klasë” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.)