“Ligji i Përtërirë 6:6–25; 7:1–26; 8:1–20: ‘Por Kujto Zotin, Perëndinë Tënd’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ligji i Përtërirë 6:6–25; 7:1–26; 8:1–20: ‘Por Kujto Zotin, Perëndinë Tënd’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Ligji i Përtërirë 6–8; 15, 18; 29–30; 34: Mësimi 59
Ligji i Përtërirë 6:6–25; 7:1–26; 8:1–20
“Por Kujto Zotin, Perëndinë Tënd”
Pasi u udhërrëfyen dhe u mbrojtën nga Perëndia për vite të tëra nëpër shkretëtirë, izraelitët ishin gati të vendoseshin në tokën e premtuar. Edhe pse mbërritja në shtëpinë e tyre të re do të ishte një ndryshim i mirëpritur, rehatia edhe mund t’i tundonte ta harronin Perëndinë. Nëpërmjet Moisiut, Zoti u mësoi izraelitëve se sa e rëndësishme do të ishte për ta që të kujtonin atë që Ai kishte bërë për ta. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta rritin dëshirën e tyre për ta kujtuar atë që ka bërë Perëndia për ta.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për pesë gjëra që e ndiejnë se Zoti i ka bërë për ta në javën e kaluar. Ftojini të reflektojnë mbi mënyrën se si të vërejturit e asaj që po bën Zoti për ta, mund ta bekojë jetën e tyre.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mund të jetë e lehtë ta “harrosh Zotin”
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke diskutuar tundimin për të harruar Perëndinë kur gjërat shkojnë mirë në jetën tonë. Një mënyrë për ta bërë këtë është të paraqitni figura të tilla si vijueset dhe të bëni pyetjet e mëposhtme.
-
Në cilën nga këto situata njerëzit mund të kenë më shumë gjasë që ta kujtojnë dhe të mbështeten te Perëndia? Përse?
-
Pse mund të jetë më e vështirë ta kujtojmë Perëndinë dhe të mbështetemi tek Ai kur jeta po na shkon mirë?
-
Pse është e rëndësishme ta kujtojmë Perëndinë në të gjitha rrethanat?
Ftojini nxënësit t’i përfundojnë fjalitë vijuese në ditarin e tyre të studimit.
Duke menduar në mënyrë të veçantë rreth marrëdhënies sate me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, plotëso thëniet vijuese:
Kur gjërat shkojnë mirë në jetën time, unë prirem të .
Kur gjërat shkojnë keq në jetën time, unë prirem të .
Inkurajojini nxënësit të kërkojnë Shpirtin për t’i ndihmuar ta kuptojnë më mirë vlerën e të kujtuarit të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe atë që Ata kanë bërë për ta.
Të kujtuarit e Zotit
Merreni parasysh të lexoni ose të përmblidhni paragrafin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë atë që po ndodhte në jetën e izraelitëve në librin Ligji i Përtërirë.
Pasi i udhëhoqi fëmijët e Izraelit për 40 vjet në shkretëtirë, Zoti ishte gati t’i kalonte përtej lumit Jordan në tokën e premtuar. Që kur u larguan nga Egjipti, izraelitët ishin varur te Zoti për ushqim, ujë dhe mbrojtje. Izraelitët tanimë ishin bërë një ushtri e fuqishme dhe toka e premtuar kishte shumë burime natyrore që do ta bënin jetën e tyre shumë më të rehatshme.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i lexojnë vargjet vijuese dhe t’i diskutojnë pyetjet e mëposhtme me partnerët ose në grupe të vogla.
Lexo te Ligji i Përtërirë 4:7–9; 6:10–13 dhe 8:7–14, duke kërkuar një paralajmërim të përsëritur që Moisiu ua dha izraelitëve.
-
Pse mendon se Moisiu ishte i shqetësuar për këtë?
-
Pse mendon se këshilla e Moisiut u nevojitet ende anëtarëve të Kishës së Shpëtimtarit sot?
Nëse është e nevojshme, ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Moisiu ishte i shqetësuar se begatia do t’i bënte izraelitët ta harronin Perëndinë.
Paraqitni thënien vijuese që nxënësit t’i referohen ndërsa përcaktojnë të vërtetat e theksuara me germa të zeza.
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi përse Ati Qiellor dëshiron që ne ta kujtojmë Atë dhe Birin e Tij.
“Ati ynë Qiellor dëshiron që ne ta sjellim ndër mend mirësinë e Tij dhe të Birit të Tij të Dashur, jo për vetëkënaqjen e Tyre, por për ndikimin që ka mbi ne një kujtim i tillë. Duke e marrë parasysh mirësinë e Tyre, këndvështrimi ynë dhe kuptueshmëria jonë zgjerohen. Duke reflektuar mbi dhembshurinë e Tyre, ne bëhemi më të përulur, plot lutje dhe të palëkundur. …
Sa herë që i përdorim këto dhurata, përfitojmë prej tyre ose madje mendojmë për to, ne duhet të kemi parasysh sakrificën, bujarinë dhe dhembshurinë e Atyre që i dhanë dhuratat. Nderimi për Ata që i japin dhuratat, bën për ne më shumë sesa thjesht të na bëjë mirënjohës. Të menduarit mbi dhuratat e Tyre mund dhe duhet të na shndërrojë.” (“Kini Parasysh Mirësinë dhe Madhështinë e Perëndisë”, Liahona, maj 2020, f. 41, 42)
-
Çfarë të bëri përshtypje nga thënia e Plakut Renland?
Bazuar në atë që u bëri përshtypje atyre, ftojini nxënësit të përfundojnë thënien vijuese në ditarët e tyre:
Duke kujtuar mirësinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, …
Nxënësit mund të mendojnë disa mënyra për ta plotësuar thënien. Disa shembuj përfshijnë:
… këndvështrimi dhe kuptueshmëria jonë zgjerohen.
… ne bëhemi më të përulur, plot lutje dhe të palëkundur.
… mund të shndërrohemi (ose ndryshohemi).
Nëse dëshironi, mund t’i renditni përgjigjet e nxënësve në tabelë. Sigurohuni që nxënësit ta rrokin kuptimin e këtyre bekimeve. Një mënyrë për ta bërë këtë, është të pyesni se si është t’i marrësh këto bekime. Për shembull, si mund të duket të jeni plot lutje ose të jeni më të palëkundur?
-
Pse mendon se të kujtuarit e Zotit çon në bekime kaq të rëndësishme?
-
Si e ke përjetuar ndonjë nga të vërtetat që tregoi Plaku Renland?
Të kujtuarit e Zotit mund të na ndihmojë të përballemi me sfida
Për të marrë tokën e premtuar, izraelitët u përballën me një sfidë. Zoti u tha atyre se do t’u duhej të mundnin kombe më të fuqishme (Ligji i Përtërirë 7:1). Dijenia që kombet ishin më të fuqishme se ata, mund t’i ketë bërë shumë nga izraelitët nervozë.
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i lidhin shkrimet e shenjta me jetën e tyre, merreni parasysh t’u kërkoni atyre të renditin në tabelë situatat me të cilat po përballen ose do të përballen, për të cilat e dinë që u nevojitet ndihma e Zotit.
Lexo te Ligji i Përtërirë 7:17–21; 8:2–4, 15 për të parë atë që dëshironte Zoti që të kujtonin izraelitët ndërsa përballeshin me sfidat e ardhshme.
-
Si mund të jetë i dobishëm të kujtuarit e asaj që ka bërë Zoti në të kaluarën, kur përballesh me sfida në të ardhmen?
Mund t’i ftoni nxënësit të renditin situata kur e dinë se Zoti i ndihmoi ata ose të tjerët në të kaluarën. Nëse i ftuat nxënësit të bënin përgatitjen si nxënës, kjo mund të jetë një mundësi e mirë për t’i pyetur se çfarë ka bërë Zoti për ta gjatë javës së kaluar.
Kërkojuni nxënësve të tregojnë se si të kujtuarit e asaj që ka bërë Zoti në të kaluarën, mund t’i ndihmojë ata ndërsa përballen me vështirësi të tanishme dhe të ardhshme.
Si mund ta kujtojmë Zotin
Për t’i ndihmuar nxënësit ta ndiejnë vlerën e të kujtuarit të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe për të parë një mënyrë për të na ndihmuar t’i kujtojmë Ata, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “O Remember, Remember” [“O, Kujtoni, Kujtoni”] (1:28) që gjendet në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Mund t’i ftoni nxënësit të kërkojnë atë që bëri Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, për të parë dorën e Zotit, dhe rezultatet që pasuan.
-
Çfarë ndikimi mund të ketë pasur tek ti të parit e dorës së Perëndisë në jetën tënde të përditshme?
Për ta përfunduar, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shkruajnë një ose dy mënyra se si mund ta kujtojnë më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe të ftojnë bekimet e Tyre në jetën e vet.