Seminari
Ligji i Përtërirë 6:1–6: Ta Doni Perëndinë me Gjithë Zemër


“Ligji i Përtërirë 6:1–6: Ta Doni Perëndinë me Gjithë Zemër”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Ligji i Përtërirë 6:1–6: Ta Doni Perëndinë me Gjithë Zemër”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34: Mësimi 58

Ligji i Përtërirë 6:1–6

Ta Doni Perëndinë me Gjithë Zemër

Moisiu duke qëndruar mbi mal

Pasi i udhërrëfeu izraelitët për 40 vjet në shkretëtirë, Moisiu u dha këshillën e tij të fundit para se Zoti ta urdhëronte Jozueun t’i udhëhiqte për në tokën e premtuar. Një pjesë e rëndësishme e mesazhit profetik të Moisiut ishte “ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër” (Ligji i Përtërirë 6:5). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si mund ta tregojnë dashurinë e tyre për Perëndinë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i kërkojnë një prindi, kujdestari ose udhëheqësi të Kishës të tregojë disa nga mënyrat e parapëlqyera me gjeste për të treguar se e do dikë. Mund të jetë e dobishme t’u thoni nxënësve se mësimi do të përqendrohet te mënyrat se si mund ta tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të treguarit e dashurisë

Merreni parasysh ta përdorni veprimtarinë vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të mbledhin ide për mënyra të ndryshme se si mund të tregojnë dashuri.

  1. Në ditarin tënd të studimit, shkruaj emrin e një pjesëtari të familjes që ti e do.

  2. Për 60 sekonda, rendit nën emrin e tij ose të saj sa më shumë mënyra unike që mundesh për të treguar dashurinë për të.

Kërkojuni disa vullnetarëve ta thonë emrin që shkruan dhe disa ide që patën për të treguarit e dashurisë.

Kur nxënësit të mbarojnë së treguari, ftojini të lexojnë te Ligji i Përtërirë 6:5 dhe ta tregojnë atë që mësojnë. (Nxënësit mund të thonë me fjalët e tyre një të vërtetë të tillë si: Perëndia na urdhëron ta duam Atë me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën tonë.) Mund të sugjeroni që nxënësit ta lidhin ose të bëjnë referencë-kryq të këtij vargu me fragmentin e zotërimit doktrinor te Mateu 22:36–39, ku Jezu Krishti theksoi rëndësinë e kësaj.

Merreni parasysh të shkruani Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në mes të tabelës. Jepuni nxënësve dy minuta për të dalë në tabelë dhe për të renditur mënyra të ndryshme se si mund ta shprehim dashurinë tonë për Ta.

Më pas inkurajojini nxënësit të tregojnë se cila nga idetë e shokëve të klasës u bëri përshtypje dhe përse.

Përsiati pyetjet që vijojnë.

  • Cilat janë ndjenjat e tua të vërteta për Atin Qiellor dhe Jezus Krishtin? Përse ndihesh në atë mënyrë?

  • Cilat janë disa nga mënyrat që u tregon Atyre se si ndihesh?

Ndërsa e studion librin Ligji i Përtërirë këtë javë, kushtoju vëmendje mbresave nga Fryma e Shenjtë. Ndikimi i Tij mund ta thellojë dashurinë tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe mund të të mësojë mënyrat se si mund t’ua shprehësh Atyre atë dashuri.

Perëndia na do me gjithë zemër

Për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë nga shembulli i Perëndisë, ata mund të ftohen ta lidhin ose të bëjnë referencë-kryq të vargut te Ligji i Përtërirë 6:5 me vargun te 1 Gjon 4:19. Pasi ta lexojnë vargun 19, mund t’u kërkoni nxënësve të tregojnë mënyrat se si Perëndia e ka treguar dashurinë e Tij për të gjithë ose për ta personalisht.

Thënia vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të reflektojnë mbi shembullin e përsosur të Perëndisë që na do me gjithë zemër. Merreni parasysh ta paraqitni atë dhe të ftoni një nxënës që ta lexojë me zë të lartë. Më pas, vazhdoni ta paraqitni atë ndërkohë që nxënësit diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjet e mëposhtme.

Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ndihmoi ta kuptojmë më mirë karakterin e vërtetë të Perëndisë.

19:25
Plaku Xhefri R. Holland

Urdhërimi i parë i madh i gjithë përjetësisë është që ta duam Perëndinë me të gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë – ai është urdhërimi i parë i madh. Por e vërteta e parë e madhe e gjithë përjetësisë është që Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij. Ajo dashuri është guri themeltar i përjetësisë dhe duhet të jetë guri themeltar i jetës sonë të përditshme. Në të vërtetë është vetëm nëpërmjet asaj sigurie që digjet brenda shpirtit tonë, që ne mund të kemi vetëbesim që të vazhdojmë të përpiqemi për t’u përmirësuar, që të vazhdojmë të kërkojmë falje për mëkatet tona dhe të vazhdojmë ta shtrijmë atë hir drejt njerëzve përreth nesh.” (“Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Liahona, maj 2016, f. 126–127)

  • Çfarë mëson nga thënia e Presidentit Holland që mund të na shtyjë ta tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë?

  • Cilat janë disa hapa që mund të ndërmarrë dikush për ta dashur Perëndinë “me gjithë forcën [e tij]” nëse nuk ndihet ende i fortë sa duhet për ta bërë këtë gjë?

Bindja është një shprehje e dashurisë

Për t’u dhënë nxënësve një kontekst të shkurtër të librit Ligji i Përtërirë, merreni parasysh të paraqitni figurën e Moisiut në fillim të mësimit ndërsa bëni përmbledhjen ose ftoni një nxënës që ta lexojë me zë të lartë paragrafin vijues.

Pasi shërbeu si profet i Perëndisë për 40 vjet, Moisiu i udhëzoi izraelitët ta ndërtonin kampin në kufi me tokën e premtuar. Së shpejti, Jozueu do t’i udhëhiqte ata përtej kufirit (shih te Ligji i Përtërirë 31:23). Moisiu mundi ta shihte tokën e premtuar nga një majë mali para se Zoti ta ngrinte në qiell, ose ta merrte Moisiun pranë Vetes pa parë vdekje (shih te Ligji i Përtërirë 34:1–6; Alma 45:18–19). Libri Ligji i Përtërirë përmban këshillën e fundit të Moisiut për njerëzit, duke përfshirë këshillën e frymëzuar rreth dashurisë për Perëndinë dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij.

Lexoji fragmentet vijuese, duke kërkuar ngjashmëritë ndërmjet asaj që i dha mësim Moisiu popullit të tij, dhe asaj që Jezusi u dha mësim dishepujve të Tij rreth mënyrës se si ta tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë.

Ligji i Përtërirë 6:1–6; 30:16

Gjoni 14:15, 21–24

  • Çfarë mësove rreth të treguarit të dashurisë sonë për Perëndinë?

    Nëse një nxënës e renditi më parë në tabelë frazën “zbatimi i urdhërimeve” si një mënyrë për të treguar dashurinë tonë për Perëndinë, merreni parasysh ta vini në dukje atë. Nëse nuk e kanë bërë, merreni parasysh ta shtoni atë në tabelë.

  • Pse mendon se zbatimi i urdhërimeve është një mënyrë kuptimplotë për t’i treguar Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që i duam Ata?

Të duam Perëndinë në jetën tonë të përditshme

Mund të jetë e dobishme për nxënësit që të diskutojnë mënyrat realiste se si mund ta shprehin dashurinë për Perëndinë në jetën e tyre.

Një mënyrë për ta bërë këtë, është të shfaqni materialin filmik “If We Love Him” [“Nëse e Duam Atë”] (3:57) (ChurchofJesusChrist.org). Ftojini nxënësit t’u kushtojnë vëmendje tekstit të këngës dhe asaj që i shohin të rinjtë në materialin filmik të bëjnë për ta treguar dashurinë e tyre për Perëndinë. Pastaj ftojini nxënësit ta tregojnë atë që mësuan rreth mënyrave për të treguar dashurinë tonë për Perëndinë.

3:57

Një mundësi tjetër mund të jetë t’u jepni grupeve të vogla me nxënës një copë letër me njërin nga mjediset e zakonshme të renditura më poshtë të shkruar mbi të.

Paraqitni udhëzimet dhe pyetjet vijuese që grupet t’i plotësojnë dhe diskutojnë. (Në varësi të kohës në dispozicion, grupet mund t’i shkëmbejnë letrat me grupet e tjera dhe ta përsëritin veprimtarinë shumë herë.)

Zgjidh një nga këto mjedise të zakonshme: në punë, në shkollë, në seminar, në kishë, në shtëpi, në stërvitje, me shokët, në rrjetet sociale. Si do t’u përgjigjeshe pyetjeve vijuese nga përvoja jote me këtë mjedis në mendje?

  • Në këtë mjedis, si e ke parë dikë të tregojë dashurinë e tij për Perëndinë?

  • Cilat janë disa mënyra të përshtatshme për ta shprehur dashurinë tënde për Perëndinë në këtë mjedis?

  • A ka ndonjë gjë që mund ta bëjë shprehjen e dashurisë për Perëndinë të vështirë në këtë mjedis? Nëse po, si mund ta kapërcejmë atë?

Përfundimi

Për ta përfunduar, nëse dëshironi, mund të shprehni dashurinë tuaj për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Përveç dëshmisë suaj, nëse dëshironi, mund të jepni edhe thënien vijuese dhe t’i ftoni nxënësit të shprehin ndjenjat e tyre për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në ditarin e tyre të studimit. Inkurajojini ata të veprojnë sipas çdo mbrese që mund të kenë marrë nga Shpirti gjatë mësimit.

Plaku K. Bret Natres, i Të Shtatëdhjetëve, bëri disa pyetje të rëndësishme për ne për t’i përsiatur personalisht.

Plaku K. Bret Natres

“Unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor na kujton përherë dhe se Ai na do përsosurisht. Pyetja ime është kjo: A e kujtojmë ne Atë? Dhe a e duam ne Atë?” (“A Jam Falur Vërtet?”, Liahona, maj 2023, f. 67)