“Eksodi 7–11: Dallimi i Fuqisë së Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Eksodi 7–11: Dallimi i Fuqisë së Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 7–13: Mësimi 41
Eksodi 7–11
Dallimi i Fuqisë së Zotit
Mund të jetë e vështirë ta dallojmë fuqinë e Zotit në jetën tonë. Zoti i përzgjodhi Moisiun dhe Aaronin që të tregonin fuqinë e Tij përpara faraonit. Faraoni e shpërfilli fuqinë e Zotit. Kjo nxiti demonstrime shtesë të fuqisë së Zotit nëpërmjet plagëve që ranë mbi Egjipt. Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si ta dallojnë fuqinë e Zotit dhe të besojnë tek Ai.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kërkojnë prova të fuqisë së Zotit në jetën e tyre nga tani e deri në orën e ardhshme mësimore.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Fuqia e Perëndisë rreth nesh
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke bërë pyetjet vijuese ose t’i vini nxënësit t’i diskutojnë ato në grupe.
-
Rrugës për në seminar sot, cilat janë gjërat që pe, vure re ose vëzhgove?
-
Në një shkallë nga 1–5 (ku 1 është aspak, 5 është shumë), si do ta vlerësoje dijeninë tënde për ato që të rrethojnë sot?
-
Cilat janë disa arsye përse ne mund të jemi më shumë ose më pak vëzhgues?
Shpjegoni se në një mënyrë të ngjashme, ne mund të përsiatim se sa vëzhgues jemi ndaj asaj që Zoti ka bërë ose po bën për ne. Merreni parasysh të bëni pyetjen në vijim:
-
Çfarë prove mund të vërë re dikush të fuqisë së Perëndisë në një ditë të zakonshme?
Një mënyrë për ta ftuar Frymën e Shenjtë që t’u japë mësim nxënësve individualisht është duke i lejuar nxënësit ta vlerësojnë në mënyrë private se si mendojnë se po ia dalin me parime të caktuara të ungjillit. Mund t’i ndihmoni ata ta bëjnë këtë duke paraqitur sa vijon:
Vlerësoje veten në një shkallë nga 1–5 (ku 1 është më e ulëta, 5 është më e larta) mbi mënyrën se sa mirë të përshkruan sa vijon:
-
Unë ndiej siguri në aftësinë time për ta dalluar fuqinë ose ndikimin e Perëndisë në jetën time.
Ndërsa mëson sot, ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë ta rritësh aftësinë për të dalluar fuqinë dhe ndikimin e Perëndisë në jetën tënde.
Të besuarit te Zoti
Tek Eksodi 6–7, Zoti i premtoi Moisiut se Ai do t’i nxirrte izraelitët nga robëria. Ai shpalli se do t’ua manifestonte fuqinë e Tij faraonit dhe egjiptianëve dhe se ata nuk do të kishin asnjë zgjedhje përveç se t’i linin izraelitët të lirë.
Lexo tek Eksodi 6:7; 7:5, duke kërkuar atë për të cilën Zoti do të sigurohej që të dinin si izraelitët, ashtu edhe egjiptianët. Nxënësit mund të duan ta shenjojnë atë që gjejnë.
-
Çfarë do të arrinin të dinin izraelitët dhe egjiptianët për shkak të manifestimeve të fuqisë së Zotit?
-
Çfarë mund të mësojmë rreth Zotit nga këto deklarata?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me Zoti na jep mundësi të besojnë tek Ai dhe ta dallojmë fuqinë e Tij në jetën tonë.
Plagët
Veprimtaria vijuese mund t’u japë nxënësve mundësinë të familjarizohen me disa nga plagët në Egjipt. Ajo gjithashtu mund t’i ndihmojë ata që të shohin reagimet e ndryshme ndaj manifestimeve të fuqisë së Perëndisë. Tregohuni të kujdesshëm që të mos shpenzoni aq shumë kohë në këtë pjesë, saqë do t’i hiqte kohë pjesës së mbetur të mësimit.
Merreni parasysh të paraqitni tabelën dhe pyetjet vijuese.
Tek Eksodi 7–11, Zoti e manifestoi fuqinë e Tij nëpërmjet një serie plagësh. Shikoje tabelën vijuese dhe përzgjidh dy ose tri plagë për t’i studiuar, duke kërkuar përgjigjet për pyetjet që vijojnë.
Disa vargje thonë se Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit.
|
Plaga |
Vargje për t’u studiuar |
|---|---|
Plaga 1. Uji shndërrohet në gjak | Vargje për t’u studiuar Eksodi 7:19–25 |
Plaga 2. Bretkosat u ngjitën mbi vend | Vargje për t’u studiuar Eksodi 8:5–15 (Shënim: “Lehtësim” do të thotë pushim ose çlirim) |
Plaga 3. Mushkonjat | Vargje për t’u studiuar Eksodi 8:16–19 |
Plaga 4. Mizat | Vargje për t’u studiuar Eksodi 8:20–25, 29–32 |
Plaga 5. Ngordhja e bagëtive | Vargje për t’u studiuar Eksodi 9:1–7 |
Plaga 6. Ulcerat | Vargje për t’u studiuar Eksodi 9:8–12 |
Plaga 7. Breshëri dhe zjarri nga qielli | Vargje për t’u studiuar Eksodi 9:22–29, 33–35 |
Plaga 8. Karkalecat | Vargje për t’u studiuar Eksodi 10:12–20 |
Plaga 9. Errësira | Vargje për t’u studiuar Eksodi 10:21–27 |
-
Në ç’mënyra u manifestua fuqia e Zotit?
-
Përse mendon se individët besuan ose nuk besuan te Zoti dhe fuqia e Tij?
Pas një kohe të mjaftueshme, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë gjetjet e tyre në dyshe ose grupe të vogla.
Mund të jetë e dobishme të qartësoni disa nga pikat vijuese. Nxënësit mund të kenë vënë re se magjistarët e faraonit, ose nëpërmjet mashtrimit, ose nëpërmjet fuqisë së kundërshtarit, ishin në gjendje të përsëritnin një pjesë të dy plagëve të para. Megjithatë, ata nuk ishin në gjendje t’i përsëritnin plotësisht ose t’i ndalonin plagët. Përveç kësaj, me sa duket izraelitët vuajtën nga disa plagë, por ishin të mbrojtur nga plaga e katërt, e pestë dhe e shtatë.
Nëse është e dobishme, mund t’i inkurajoni nxënësit të shenjojnë fraza shtesë tek Eksodi 8:10, 22; 10:2 ku Zoti dëshmoi se njerëzit do ta dinin se Ai është Zoti.
-
Përse mendon se Zoti donte që egjiptianët dhe izraelitët të mësonin rreth Tij?
-
Cilat janë arsyet përse njerëzit herë pas here besojnë te Perëndia dhe fuqia e Tij dhe më vonë kanë dyshime?
Fuqia e Zotit në jetën tonë
Mund të jetë e dobishme t’u tregoni nxënësve se fuqia e Zotit manifestohet në shumë mënyra sot. Sa vijon mund t’i ndihmojë nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si e kanë parë ose përjetuar atë fuqi.
Imagjino sikur ke një shok që nuk është i sigurt se ka pasur ndonjëherë një përvojë me Atin Qiellor apo që e ka ndier fuqinë e Tij. Ndërsa e vazhdon studimin tënd, mendo për atë që do t’i thoshe këtij personi.
Mund të jetë e dobishme t’u jepni nxënësve kohë për të përsiatur ose shkruar mendimet e tyre për pyetjet vijuese para se t’ia tregojnë klasës.
-
Cilat janë mënyrat se si ke arritur të besosh te fuqia e Zotit? Ose cilat janë gjërat që mund të të ndihmojnë të besosh?
-
Cilët janë shembujt nga shkrimet e shenjta ose historia e Kishës ku njerëzve u është treguar fuqia e Zotit?
Nxënësit mund të tregojnë shembuj të tillë si të ndierit e ngushëllimit ose paqes nga lutja ose një bekimi të priftërisë, përjetimi i faljes, të ndierit e udhërrëfimit vetjak nga Fryma e Shenjtë e kështu me radhë.
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se përvojat me fuqinë e Zotit në përgjithësi rezultojnë nga demonstrimi i qëndrimeve ose veprimeve besnike.
Presidenti Rasëll M. Nelson, dha mësim sa vijon rreth asaj që mund të bëjmë për të pasur përvoja me Atin Qiellor:
“Kuptojeni se në mungesë të përvojave me Perëndinë, dikush mund të dyshojë për ekzistencën e Perëndisë. Prandaj, vendoseni veten tuaj në një gjendje që të filloni të keni përvoja me Të. Përuleni veten. Lutuni që të keni sy të shihni dorën e Perëndisë në jetën tuaj dhe në botën përreth jush. Kërkojini Atij t’ju tregojë nëse Ai është vërtet atje – nëse Ai ju njeh. Pyeteni se si Ai ndihet rreth jush. Dhe më pas, dëgjoni.” (“Eja, Më Ndiq”, Liahona, maj 2019, f. 90)
-
Çfarë mund të bëjë një person që të fillojë ta shohë dorën dhe fuqinë e Perëndisë në jetën e tij?
Mund t’i ftoni nxënësit të interpretojnë me role mënyrën se si mund të reagojnë ndaj skenarit më lart. Vërini ata ta këshillojnë shokun e tyre që nuk është i sigurt se ka pasur ndonjëherë një përvojë me Zotin ose se e ka ndier fuqinë e Tij.
Merreni parasysh të jepni dëshmi për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe për rëndësinë e dallimit të fuqisë së Tyre në jetën tonë.