Mesazh i Udhëheqjes Zonale
SI REZULTAT U MËSOVA
Në mendjen time shpesh i përsëris dhe i zbatoj te vetja fjalët e Nefit në fillim të Librit të Mormonit. “Unë, [Xhejmsi], duke qenë i lindur nga prindër të mirë.” Ato më kujtojnë bekimet që gëzoj për shkak të prindërve të mi të jashtëzakonshëm, Xhejms Uillson dhe Xhudith Evelin Mek‑Konkit.
Ndërsa kohët e fundit i kam marrë më tepër në konsideratë bekimet prindërore ndaj meje, katër fjalët vijuese të vargut hyrës të Nefit i janë shtuar recitimit tim të heshtur. Ato fjalë janë “si rezultat u mësova”.
Pse Nefi u ndie i bekuar nga prindër “të mirë”? Sepse Lehi dhe Saria i mësuan atij gjëra të tilla si prej nga vinte, si t’u jepte drejtim sfidave të jetës dhe natyrën e urtësisë dhe dashurisë së Perëndisë. Ndjenja e mirënjohjes së Nefit për gjërat që i treguan prindërit e tij, e bëri atë të “bë[nte] një anal të ngjarjeve të [tij] në ditët e [veta]”. Të gjitha këto veç në vargun e parë të Librit të Mormonit!
Gjatë gjithë jetës sime, edhe unë jam mësuar nga prindërit e mi. Kur mbusha dymbëdhjetë vjeç, ata më dhuruan një komplet të ri shkrimesh të shenjta dhe disa libra që kishin të bënin me doktrinat e Rivendosjes dhe historinë e saj. Fillova të lexoja dhe, me një ftesë dhe inkurajim të vogël prindëror, ulesha çdo të diel pasdite me njërin ose të dy ata, për të diskutuar dhe përpunuar gjithçka që po thithja dhe po shqyrtoja. Ashtu si Nefi, mësova se nga vija, si t’u jepja më mirë drejtim sfidave të jetës dhe natyrën e urtësisë dhe dashurisë së Perëndisë. Mësova gjithashtu për historinë e Kishës, se si ajo mund ta përmirësonte përvojën time jetësore dhe ta forconte dëshminë time si anëtar i ri në moshë. Në njëfarë mënyre, gjetëm diçka rreth Jezusit në çdonjërin prej diskutimeve tona.
Ndonjëherë, ato sesione të së dielës kalonin nga një studim i ungjillit, në një bashkëbisedim për miqtë, punën, marrëdhëniet ose shkollën. Prindërit e mi më dëgjonin shumë. Mësuesit e mirë shpesh e bëjnë këtë gjë. Por, gjatë gjithë këtij procesi, po mësoja unë.
Ndoshta edhe më e rëndësishme se informacioni që mora, ishte mënyra sipas së cilës, prindërit e mi më ndihmuan ta kuptoja dhe ta përvetësoja atë që po mësoja. Teksa e kthej kokën pas tek ajo përvojë dhe teksa e shoh të përsëritet në jetën e vetë fëmijëve të mi, pjesa më e vlefshme e atyre sesioneve të studimit të së dielës ishte të mësoja se si të kuptoja. Duke na e përcjellë këtë aftësi mua dhe vëllezërve e motrave të mia, prindërit e mi e nderuan ftesën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 68:25, që prindërit t’u “mësojnë [fëmijëve të tyre] t[a] kuptojnë doktrinën”, jo thjesht ta thithin atë. (Theksimi i shtuar.) Tani e dalloj se të kuptosh është ndryshe nga mbledhja e informacionit. Të kuptosh do të thotë të bëhesh më i urtë. Urtësia është ajo që Perëndia dëshiron për secilin prej fëmijëve të Tij.
Në fjalimin e tij të parë drejtuar botës si apostulli kryesues dhe prift i lartë i Zotit, Presidenti Ouks e konfirmoi [njësinë e] familjes, në çfarëdo konfigurimi që e përjetojmë atë, si një vend unik dhe me ndikimin më të madh për të mësuarit. Ai përdori fjalë si mësoj, edukoj, shembull, së bashku, koha, demonstroj, premtim, model, dashuri, durim dhe bashkoj, për të përshkruar mënyrat e ndryshme e të shumta se si një prind mund të japë mësim dhe se si një fëmijë mund të mësojë. “Shenjtorët e ditëve të mëvonshme”, shpjegoi ai, kanë “një përgjegjësi të dhënë nga Perëndia për t’u mësuar fëmijëve të tyre të përgatiten për destinacionin tonë si familje në përjetësi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25).” Ai përforcoi ftesën e Zotit që prindërit t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të mësojnë se si të kuptojnë.
Ndërkohë që vazhdon të rritet vërshimi i informacionit që mbush kutinë tonë të mesazheve të postës elektronike, telefonat, kompjuterët dhe jetën tonë, unë jam mirënjohës për kujtuesin profetik, për të ndihmuar ata që i dua, të rriten në kuptueshmëri dhe urtësi.