Liahona
Fitorja e Shpëtimtarit Tonë të Dashur
Liahona, Prill 2026


“Fitorja e Shpëtimtarit Tonë të Dashur”, Liahona, prill 2026

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Prill 2026

Fitorja e Shpëtimtarit Tonë të Dashur

Nuk ka fjalë që të përshkruajnë madhështinë e dhuratës së çmuar të Jezu Krishtit. Ajo nuk do t’i kërkohet kurrë dikujt tjetër. Ai vuajti “një herë për të gjithë”.

varr i zbrazët

Ndërsa vitet kanë kaluar, unë jam bërë gjithnjë e më shumë i përulur teksa kam menduar për dhuratën e pamatshme të Shpëtimtarit tonë, Shlyerjen e Jezu Krishtit, e kam studiuar atë dhe kam gjetur ngushëllim të pamasë në të. Mendja njerëzore thuajse nuk mund të fillojë ta kuptojë se si ndryshoi tërësisht fati i njerëzimit për shkak të asaj që ndodhi në Gjetseman, në kryq dhe në varr.

Ne të Gjithë Hasim Thyerje të Zemrës dhe Vuajtje

Në thirrjen time si Apostull, kam udhëtuar gjerësisht dhe kam pasur privilegjin të takohem me fëmijë, të rinj e të reja dhe të rritur anembanë shumë vendeve të botës. Ka çaste gëzimi të madh në jetë, por një gjë që e kam parë me vetë sytë e mi dhe e kam ndier në thellësitë e zemrës sime, është që përveç lumturisë dhe gëzimit, jeta përmban çaste të thyerjes së zemrës dhe vuajtjes.

Nuk do ta harroj kurrë qëndrimin i ulur me katër fëmijë të vegjël jeta e prindërve të të cilëve kishte përfunduar në mënyrë të dhunshme nga një njeri i futur në shtëpinë e tyre ndërkohë që fëmijët flinin, apo takimin me një grua e cila ishte keqtrajtuar që vajzë nga një i afërm i mirëbesuar, apo qëndrimin i ulur pranë shtratit të një të reje e cila kishte pësuar dëmtim të trurit pas rënies nga një biçikletë dhe së shpejti do të vdiste, apo dëgjimin e ngashërimeve të një gruaje bashkëshorti i së cilës i kishte tradhtuar atë dhe besëlidhjet e tij të tempullit në një mënyrë skandaloze për shumë vite.

E kam ndier dhembjen e një çifti, djali i rritur i të cilëve nuk besonte më të vërtetat e ungjillit dhe kërkonte të dobësonte besimin e njerëzve të tjerë në familje. Jam takuar me prindërit dhe miqtë e merakosur të një të riu të mbushur me premtim, i cili i dha fund jetës së vet. E kam ndier hidhërimin e perëndishëm për ata që kanë kryer mëkat dhe kanë dashur vërtet të pendohen, dhe shkatërrimin e atyre që u ndikuan nga mëkati.

E kam parë thyerjen e zemrës nga sëmundja mendore si për njeriun që vuan dhe për ata që vuajnë në heshtje, teksa vështrojnë me pak aftësi për të ndihmuar. E kam parë humbjen e jashtëzakonshme vetjake të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore, përmbytjet, stuhitë, zjarret dhe tërmetet. Kam dëshmuar trazirat në shtete nga stuhitë politike, luftërat e shkatërrimi dhe agoninë që vjen kur gjëra të papritura bien mbi ata që janë të pafajshëm dhe kërkojnë të bëjnë atë që është e drejtë.

Shpëtimtari duke mbajtur dorën e dikujt

Healing Hands [Duart Shëruese], nga Kolby Larsen, nuk lejohet kopjimi

Shpëtimtari Na Ndihmon

Duke folur për Shlyerjen e Jezu Krishtit, Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha: “Të lënduarit duhet të bëjnë atë që munden për të vepruar në sprovat e tyre, dhe Shpëtimtari do ta ‘ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre’ [Alma 7:12]. Ai do të na ndihmojmë që të mbartim barrët tona. Disa dëmtime janë kaq të dhimbshme dhe të thella saqë nuk mund të shërohen pa ndihmë nga një fuqi më e lartë dhe pa shpresë për drejtësi të përsosur dhe dëmshpërblim në jetën që vjen. … Ai e kupton dhembjen tonë dhe do të ecë me ne edhe në orët tona më të zymta.”

Ndihem gjithnjë e më shumë i tërhequr drejt dashurisë së Shpëtimtarit dhe bekimeve të pambarueshme, të premtuara për ne nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai nuk na mbrojti nga përvojat e vështira të jetës që sjellin dhembje të pamatshme, por Ai na mbrojti nga vuajtja e përhershme dhe largimi nga Ati Qiellor, dhe na lejoi, nëpërmjet vuajtjes së Tij gjithëpërfshirëse, që të kemi mundësinë për gëzim të përsosur dhe lumturi të përjetshme në praninë e Perëndisë.

Presidenti Dallin H. Ouks na kujtoi: “Pa dyshim, ndihma më e fuqishme e Perëndisë në vdekshmëri ishte sigurimi nga ana e Tij e një Shpëtimtari, Jezu Krishtit, i cili do të vuante për të paguar çmimin dhe siguruar falje për mëkatet për të cilat pendohemi. Ajo Shlyerje e mëshirshme dhe e lavdishme shpjegon arsyen përse besimi te Zoti Jezu Krisht është parimi i parë i ungjillit. Shlyerja e Tij ‘shkakton ringjalljen e të vdekurve’ (Alma 42:23) dhe ajo ‘shlye[n] për mëkatet e botës’ (Alma 34:8), duke i fshirë të gjitha mëkatet tona për të cilat jemi penduar, dhe duke i dhënë Shpëtimtarit tonë fuqi për të na ndihmuar në dobësitë tona në vdekshmëri.”

Shpëtimtari në Gjetseman

Hollësi nga Prayer at Gjethsemane [Lutja në Gjetseman], nga Del Parson, kopjimi lejohet vetëm për përdorim nga Kisha

Ngjarja Kulmore e Përjetësisë

Kur mendoj për vuajtjen që kam parë personalisht, e cila është kaq pafundësisht e vogël në krahasim me të gjithë ata që kanë ecur ose do të ecin ndonjëherë në tokë, unë nuk mund, me çfarëdo fjalë që di, të përshkruaj ndjenjat në zemrën time për atë që duhet të ketë ndodhur në zemrën dhe mendjen, dhe trupin, dhe shpirtin e Shpëtimtarit në çastet e Tij të shenjta të vuajtjes gjithëpërfshirëse për mëkatet dhe dhembjen e tërë njerëzimit.

Ngjarja kulmore e tërë përjetësisë filloi kur Jezusi shkoi “në një vend, që quhej Gjetseman” (Mateu 26:36) në Malin e Ullinjve, jashtë mureve të qytetit të Jerusalemit. Ai u tha dishepujve të Tij: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje” (Mateu 26:38).

Ai u lut duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mateu 26:39). Ai u kthye te dishepujt e Tij, i gjeti duke fjetur, u largua përsëri dhe u lut për herë të dytë. “‘Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullenti yt!’ … Dhe [Ai] u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë” (Mateu 26:42, 44).

Jezusi e piu kupën e hidhur dhe vuajti përtej të kuptuarit tonë në vdekshmëri, si në kopsht ashtu edhe në kryq. Pa mëkat, Ai mori mbi veten e Tij të gjitha mëkatet tona, prandaj, kur vijmë tek Ai dhe pendohemi, mëkatet dhe barrët tona na largohen (shihni te 2 Korintasve 5:21).

Vuajtja, vdekja dhe flijimi shlyes i Jezusit ishin parashikuar prej shumë kohësh më parë. Duke folur 700 vjet përpara lindjes së Jezusit, Isaia profetizoi se “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:6). Jezusi foli për dhënien e jetës së Tij si një “çmim” (Mateu 20:28; shihni edhe te 1 Timoteut 2:6) “për faljen e mëkateve” (Mateu 26:28) për të gjithë ata që do të besonin tek Ai dhe do të pendoheshin për mëkatet e tyre. Pjetri përshkroi se si Ai “vuajt[i] … për mëkatet [tona]” (1 Pjetër 3:18), se nëpërmjet vuratave të Tij ne shërohemi (shihni te 1 Pjetër 2:24). Ai bëri atë që askush tjetër nuk mund ta bënte për të na lejuar që të kthehemi në praninë e Atit tonë. Ai u “shtyp për paudhësitë tona” (Isaia 53:5).

Pas vuajtjes në Gjetseman, agonia e Tij vazhdoi — tradhtia nga njëri i cili eci me Të, përqeshja përpara sundimtarëve të padrejtë, dhembja e trupit të Tij teksa e goditnin me kamxhik, kurorën me gjemba ia shtrëngonin në kokë ushtarët e egër dhe të pamëshirshëm (shihni te Gjoni 18:2–3, 12–14; Marku 15:15–20) dhe trau i rëndë i kryqit u hodh mbi mishin e copëtuar të shpinës së Tij teksa lëvizte drejt Golgotës (shihni te Gjoni 19:16–17).

Në kryq, agonia e skajshme që u ndje në Gjetseman, u kthye me një therje që asnjë njeri nuk mund ta duronte. Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, i vetëm mbajti porosinë hyjnore nga Ati i Tij për të dhënë jetën e Tij. Ushtarët dhe sundimtarët nuk mund t’ia merrnin jetën Atij (shihni te Gjoni 10:18). Me nderim dhe përulësi, Jezusi uli kokën dhe tha: “U krye!” (Gjoni 19:30).

Çasti i fundit i jetës së Tij në vdekshmëri mbaroi. Nuk ka fjalë që të përshkruajnë madhështinë e dhuratës së Tij të çmuar. Ajo nuk do t’i kërkohet kurrë dikujt tjetër. Jezu Krishti vuajti “një herë për të gjithë” (Hebrenjve 10:10).

Ai Është Ngritur!

Me misionin e Tij hyjnor të kryer, Ai tani do të ishte i pari në tërë historinë njerëzore që u ngrit nga varri në pavdekësi (shihni te 1 Korintasve 15:21–23).

Grave te varri, engjëlli iu tha:

“Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk është këtu, por është ringjallur” (Lluka 24:5–6).

Apostujve të Tij, Ai u tha: “Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam” (Lluka 24:39). Më vonë, Ai “iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve” (1 Korintasve 15:6). Dëshmitarë okularë e panë Shpëtimtarin e ringjallur. Ai nuk ishte i vdekur. Ai ishte i gjallë.

Jezu Krishti i theu zinxhirët dhe prangat e robërisë së përhershme të vdekjes për çdo njeri që ka jetuar ose do të jetojë në tokë (shihni te 1 Korintasve 15.22). Ai e mundi armikun tonë gjithëpërfshirës; vdekja si armik ishte mposhtur përgjithmonë.

Presidenti Rasëll M. Nelson (1924–2025) tha: “Jezu Krishti i mori mbi Vete mëkatet tuaja, dhembjet tuaja, pikëllimet tuaja dhe dobësitë tuaja. Nuk keni pse t’i mbani ato të vetëm! Ai do t’ju falë kur pendoheni. Ai do t’ju bekojë me atë çka ju nevojitet. Ai do ta shërojë shpirtin tuaj të plagosur. Ndërsa viheni nën një zgjedhë me Të, barrët tuaja do të duken më të lehta. Nëse do t’i bëni dhe do t’i mbani besëlidhjet për ta ndjekur Jezu Krishtin, ju do të zbuloni se çastet e dhimbshme të jetës suaj janë të përkohshme. Pikëllimet tuaja do të ‘përfshihe[n] … në gëzimin për Krishtin’ [Alma 31:38]”

Si njëri prej Apostujve të Tij të shuguruar, unë kam përjetuar çaste shpirtërore dhe vetjake që më kanë sjellë një dëshmi të sigurt dhe të palëkundur se Ai jeton. Në këtë periudhë Pashke, qëndrofshin këto fjalë butësisht në mendjet dhe zemrat tona: “Mos më lër t’harroj Shpëtues, që për mua vdiqe Ti”, kur gëzohemi duke kënduar:

Ai ësht’ ngritur! Ai ësht’ ngritur! …

U mposht vdekja, jemi t’lir’.

Fitoren solli Krishti.