2023
Apostujt dhe Profetët u Japin Shërbesë Shenjtorëve Anembanë Botës
Nëntor 2023


“Apostujt dhe Profetët u Japin Shërbesë Shenjtorëve Anembanë Botës”, Liahona, nëntor 2023.

Lajme të Kishës

Apostujt dhe Profetët u Japin Shërbesë Shenjtorëve Anembanë Botës

Në Ditën Botërore të Faljes në korrik, Presidenti Rasëll M. Nelson dha një mesazh për faljen në mediat shoqërore. “Falja nuk është thjesht një veprim që ndodh vetëm një herë, por një proces i vazhdueshëm që kërkon durim, dhembshuri dhe mirëkuptim”, tha ai. “Nuk është gjithmonë e lehtë që t’i falni ata që ju kanë lënduar. Ju mund të merrni forcë nga Jezu Krishti.”

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, i nxiti të rinjtë në moshë madhore anembanë botës gjatë një takimi shpirtëror më 21 maj që të ruajnë një këndvështrim të përjetshëm teksa lundrojnë përmes “kohë[ve] stresuese” të së sotmes.

“Kujto[ni] se cilatdo qofshin variacionet tona në larminë e krijesave të Atit tonë në Qiell, Ai na do të gjithëve dhe plani i Tij i përsosur për lumturinë ka një vend për të gjithë”, tha Presidenti Ouks. “Ne e tregojmë dashurinë tonë për Të duke i zbatuar urdhërimet e Tij, përfshirë dashurinë për fëmijët e Tij.”

Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, i nxiti shenjtorët e ditëve të mëvonshme që morën pjesë në përkushtimin e Tempullit të Saratoga‑Springsit në Jutë, më 13 gusht për t’u përgjigjur me besim dhe energji ndaj shtëpisë së re të Zotit.

Anëtarëve të Kishës “iu është dhënë ky tempull si shenjë e mirëbesimit të Zotit … dhe e vetëbesimit të Tij se [ata] do të përgjigjen me besim dhe energji më të madhe”, tha Presidenti Ajring. “Ky tempull është vendi nga ku mund të merrni më shpesh nga fuqitë e besëlidhjeve të tempullit. Ai e njeh zemrën tuaj. Ai e di dëshirën tuaj për t’u lartësuar shpirtërisht dhe për t’u bërë njerëz më të drejtë, pikërisht ndërkohë që bota bëhet me më shumë grindje dhe më e rënë.”

Kur anëtarët flasin për mesazhin e Rivendosjes dhe e shpërndajnë atë mesazh, njerëzit e tjerë do ta ndiejnë të vërtetën e fjalëve të tyre, tha Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Gjëja më e rëndësishme në historinë e botës ndodhi në Korijen e Shenjtë në vitin 1820”, tha ai. “Qiejt u hapën.”

Duke u folur anëtarëve dhe misionarëve në Toronto të Ontarios, në prill, Presidenti Ballard dha dëshmi për thirrjen profetike të Jozef Smithit. “Duhet të ketë qenë diçka që ia përshkroi qenien e vet, nga maja e kokës deri te shputat e këmbëve të tij, kur e dëgjoi Atin tonë Qiellor të thërriste emrin e tij: ‘Jozef, ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!’ [shihni te Joseph Smith – Historia 1:17]. Ky është mesazhi ynë”, u tha ai misionarëve.

Në prill, Plaku Diter F. Uhtdorf vizitoi Francën, Egjiptin dhe Izraelin. Ai mori pjesë në mbledhjet e sakramentit në Egjipt, u foli studentëve në Qendrën në Jerusalem të Universitetit “Brigam Jang” dhe vizitoi vendndodhje të shenjta.

“Është një ndjenjë e gëzueshme përtej fjalëve që Zoti më ka lejuar të jem njëri prej dishepujve të Tij në këtë kohë”, tha ai. “Sigurisht, ne të gjithë nevojitet të jemi dishepuj dhe kemi nevojë të jetojmë sipas besëlidhjeve që kemi bërë.

Por të jesh këtu dhe të japësh dëshmi si një dishepull, siç bënë Apostujt në kohët e lashta, është diçka që ma ngroh zemrën dhe më lartëson shpirtërisht në sfera që janë të papërfytyrueshme. Dhe me një ndjenjë të madhe përulësie, e ndiej se Zoti ka mirëbesim tek unë që të jem një dëshmitar për Të dhe emrin e Tij. Çfarë gëzimi që të ec atje ku Apostujt si ne jetuan dhe ecën!”

Plaku Dejvid A. Bednar përkushtoi shtëpinë e restauruar të Jozef dhe Ema Smithit në Kirtland të Ohajos, më 26 gusht. Plaku Bednar i tha një grupi prej 300 vetash, përfshirë personalitete dhe udhëheqës fetarë në komunitet: “Kjo shtëpi është më shumë sesa një godinë me interes historik. Kjo shtëpi ishte vërtet një vatër familjare për Jozef dhe Ema Smithin, vendi ku ata jetuan së bashku për periudhën më të gjatë të kohës përpara vdekjes së Jozefit.”

Plaku Kuentin L. Kuk foli në Konferencën vjetore Universitare të Universitetit “Brigam Jang” në gusht. Ai vuri në dukje se ekspertët për pjekurinë mendore kanë sugjeruar se shërbimi në një mision siguron një proces pjekurie për të mësuarit që është një përgatitje për arsimin e lartë.

Më shumë se dy të tretat e studentëve të UBJ-së kanë shërbyer në misione, tha Plaku Kuk. “Në varësi të semestrit, ka më shumë se 21 000 misionarë të kthyer nga misionet. Mendoni për forcën që këta studentë të UBJ‑së kanë mbartur anekënd botës. Përveç kësaj, merrni parasysh se si përvojat e tyre në mision e forcojnë mjedisin e të mësuarit në këtë kompleks universitar.”

Gjatë një vizite në Zelandën e Re dhe Australi në maj, Plaku D. Tod Kristoferson i ftoi shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Zelandën e Re që të përgatiten për përkushtimin e Tempullit të Oklandit në vitin 2024 duke u bërë më të shenjtë dhe më shumë si Krishti.

Ai i ftoi t’i bënin vetes pyetjen: “Çfarë mund të bëj unë që do të më bëjë një njeri më të shenjtë, një ofertë dhe dhuratë më të mirë të vetes sime për t’ia paraqitur Zotit në atë ditë të përkushtimit?”

Plaku Nil L. Andersen dëshmoi për Jezu Krishtin gjatë një caktimi në Azi në shtator. “Përvojat e mia si Apostull i Zotit më kanë dhënë një dëshmim se Jezusi është Krishti dhe se Ai e udhërrëfen punën e Tij në këtë tokë nëpërmjet profetit të Tij dhe nëpërmjet Apostujve të Tij”, tha ai. Plaku Andersen ishte në Zonën e Azisë Veriore të Kishës për t’u takuar dhe për t’u dhënë shërbesë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Kore, Mongoli dhe Japoni.

Më 22 prill Plaku Ronald A. Rasband u takua me zëvendëspresidentin e Afrikës së Jugut, Pol Mashatajllin, i dyti në drejtim pas presidentit të Afrikës së Jugut. Kjo shënon herën e parë që një udhëheqës i Kishës është takuar me një zyrtar të qeverisë të kësaj shkalle drejtimi në Afrikën e Jugut.

Udhëheqësit reflektuan mbi disa nga mënyrat sipas të cilave Kisha ka ndihmuar që ta lehtësojë vuajtjen njerëzore dhe ta forcojë popullin e Afrikës së Jugut, që arrin shumën me vlerë 240 milionë rand (mbi 13 milionë dollarë amerikanë) si ndihmë që nga viti 2018. Dhurimet janë shtrirë që nga ndihma për fatkeqësitë natyrore deri në përkrahjen e nismave të punësimit për rininë, programet për bujqësinë e blegtorinë si mjete jetese dhe ndërhyrjet ndaj dhunës mbi baza gjinore.

Plaku Rasband tha se ai shpresonte që këto përpjekje të tregonin se Kisha është “këtu për një kohë afatgjatë. Ne e bëjmë këtë për të ndjekur dy urdhërimet e mëdha të Zotit: ta duam Perëndinë dhe t’i duam bashkënjerëzit tanë.”

Gjatë një vizite në shtator në Islandë, Skoci dhe Angli, Plaku Geri E. Stivenson theksoi nevojën që shenjtorët e ditëve të mëvonshme të jenë “të një zemre dhe të një mendjeje” (Moisiu 7:18) me “jetën të përqendruar te Jezu Krishti”, duke bërë gjithçka që mundemi për ta ndjekur Atë. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Lesa, Plaku Stivenson vizitoi Rejkjavikun në Islandë më 7 shtator përpara se të shkonte në Edinburg të Skocisë dhe në Northamptën të Anglisë më 9–10 shtator.

Në një takim shpirtëror në Qendrën Meriot gjatë Javës Arsimore të Universitetit “Brigam Jang” më 22 gusht, Plaku Dejll G. Renland dha një fjalim gjithëpërfshirës mbi mënyrën se si vëzhgimi, arsyeja dhe besimi veprojnë së bashku për ta ndihmuar zbulesën. Të vetëm, vëzhgimi, arsyeja dhe besimi nuk janë të besueshëm, dha mësim Plaku Renland. Kjo treshe duhet të veprojë së bashku.

“Besimi, ‘pa vepra’ [Jakob (Bibël) 2:20] nuk do të zmadhohet. Besimi do të rritet vetëm me anë të vëzhgimit dhe arsyetimit, të shoqëruar me vepra të tjera shpirtërore. Përveç këtyre, vëzhgimi, arsyeja dhe besimi shpesh janë kushtet paraprake jo vetëm për të marrë zbulesë vetjake, por edhe për ta kuptuar atë zbulesë.”

Më 15 qershor Plaku Gerit W. Gong u takua me Lartësinë e Tij, Sheikun Osman Nuhu Sharubutun, Kryeimamin Kombëtar dhe Kryemyftiun e Republikës së Ganës. Takimi u zhvillua në vendbanimin e Kryemyftiut në Akra.

Plaku Gong tregoi se si Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i vlerëson shumë prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën, siç i vlerësojnë edhe myslimanët: “Edhe ne besojmë se vijmë nga të njëjtët prindër dhe duhet të jetojmë në harmoni si një familje”. Plaku Gong vuri në dukje se ne udhëhiqemi nga një profet i Perëndisë, Presidenti Rasëll M. Nelson, mësimet e të cilit janë të ngjashme me ato të imamit. “Profeti ynë na mëson që ta lejojmë Perëndinë të triumfojë, ai na mëson se ne të gjithë duhet të jemi paqebërës, ai na mëson se duhet ta ndihmojmë rininë tonë që të marrë arsimim dhe trajnim që të mund t’ia dalin mbanë në jetë dhe na mëson që t’i fuqizojmë gratë dhe brezin tonë të ri. Këto janë të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga ju sot.”

Plaku Ulises Soares bëri një udhëtim 10‑ditor në Kili, Uruguai dhe Argjentinë në qershor. Koha e tij në Argjentinë përfshiu një bisedë në një konferencë ndërfetare, një intervistë me një gazetar të mirënjohur argjentinas dhe shërbesat ndaj anëtarëve të Kishës.

“Paqja fillon me respekt për rolin unik të çdo njeriu”, u tha Plaku Soares njerëzve të mbledhur për Kongresin Botëror të Dialogut Ndërfetar dhe Ndërkulturor në Buenos‑Ajres. “Koncepti i dinjitetit njerëzor mund të ndryshojë nga kultura në kulturë, por ai vepron si një koncept i pandryshueshëm në një botë të paqëndrueshme dhe në ndryshim. Të drejtat njerëzore i sheshojnë pabarazitë e privilegjit, pasurisë dhe mundësisë. Dhe ato të drejta duhet të zbatohen në mënyrë universale.”