2023
Pjesë të Spikatura nga Konferenca e Përgjithshme Gjysmëvjetore e 193‑të
Nëntor 2023


Mirë se Vini në Këtë Numër Botimi

Pjesë të Spikatura nga Konferenca e Përgjithshme Gjysmëvjetore e 193‑të

Karrigia e Presidentit Rasëll M. Nelson mbeti bosh gjatë konferencës së përgjithshme, por anëtarët e Kishës u gëzuan kur morën këshillë e dëshmi nga profeti i tyre 99‑vjeçar në mbarim të sesionit të fundit nëpërmjet një mesazhi të regjistruar paraprakisht.

Presidenti Nelson tha se dhembja prej një dëmtimi të kurrizit kohët e fundit, e kishte rritur “vlerësim[in e tij] … për Jezu Krishtin dhe për dhuratën e pakonceptueshme të Shlyerjes së Tij”. Duke i nxitur anëtarët që të “mendo[jnë] çelestialisht”, ai tregoi gjërat që kishte mësuar rreth “plani[t të] përsosur” të Atit Qiellor:

  • “Vetë gjërat që do ta bëjnë jetën tuaj në vdekshmëri më të mirën që ajo mundet, janë pikërisht të njëjtat gjëra që do ta bëjnë jetën tuaj gjatë gjithë përjetësisë më të mirën që ajo mundet!”

  • “Zgjedhjet tuaja sot do të përcaktojnë tri gjëra: vendin ku do të jetoni gjatë gjithë përjetësisë, llojin e trupit në të cilin do të ringjalleni, dhe ata me të cilët do të jetoni përgjithmonë” (faqe 117).

Presidenti Dallin H. Ouks dha dëshmi për ekzaltimin që i pret shenjtorët besnikë (shihni te faqja 26). Presidenti Henri B. Ajring dëshmoi për udhërrëfimin nga Fryma e Shenjtë që u premtohet shenjtorëve të denjë (shihni te faqja 92; shihni edhe te Plaku Stivenson, faqe 42). Dhe Presidenti M. Rasëll Ballard dha një dëshmi të fuqishme për “përgjegjësinë e … lavdishme [të Profetit Jozef Smith] për t’u bërë profet i … periudh[ës] ungjillore të plotësisë së kohëve” (faqe 74).

Folësit e konferencës na mësuan se zgjedhjet tona më të rëndësishme në vdekshmëri përqendrohen te Zoti Jezu Krisht dhe bindja ndaj urdhërimeve të Tij, përfshirë ligjin e së dhjetës (shihni te Presidenti Nelson dhe Plaku Andersen, faqet 117 dhe 32). Ata gjithashtu na mësuan se ne gjejmë lumturi, shërim dhe shpresë nëpërmjet Shpëtimtarit teksa shkojmë përpara në shtegun e besëlidhjeve (shihni te Pleqtë Bednar, Godoi, Çoi dhe Kuk, faqet 6, 16, 46 dhe 82; Vëllai Njuman, faqe 36; dhe Motrat Rajt, Friman dhe Runia, faqet 9, 76 dhe 62) dhe “shprehim zotimin tonë të besëlidhjes së sakramentit ndaj Jezu Krishtit dhe ndaj njëri‑tjetrit nëpërmjet thirrjeve tona, shoqërimit, ndërveprimit dhe shërbimit tonë në Kishë” (Plaku Gong, faqe 111).

Udhëheqësit e Kishës i nxitën anëtarët që të përqafojnë “dhuratë[n e] pendimit” (Plaku Renland, faqe 96; shihni edhe te Presidenti Ajring dhe Plaku Uhtdorf, faqet 92 dhe 86). Ata na mësuan se Rivendosja hedh dritë mbi “natyrë[n], trashëgimi[në] dhe potencial[in tonë] hyjnor” (Plaku Soares, faqe 70; shihni edhe te Pleqtë Filips, Zhiro-Karrier dhe Sebin, faqet 49, 114 dhe 56). Dhe ata iu kujtuan shenjtorëve të ditëve të mëvonshme “se, për ta mbledhur Izraelin ne kemi nevojë për misionarë, shumë më tepër sesa ata që po shërbejnë”, veçanërisht për çifte në moshë (Plaku Rasband, faqe 52; shihni edhe te Plaku Parreja, faqe 80).

Në njoftimin e planeve për ndërtimin e 20 tempujve të rinj, Presidenti Nelson tha: “Shërbimi dhe adhurimi juaj në tempull do t’ju ndihmojë të mendoni çelestialisht” (faqe 117; shihni edhe te Pleqtë Kristoferson dhe Esplin, faqet 19 dhe 108).