Seminari
Habakuku: Në Pritje të Përgjigjeve për Pyetjet Tona të Sinqerta


“Habakuku: Në Pritje të Përgjigjeve për Pyetjet Tona të Sinqerta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Habakuku: Në Pritje të Përgjigjeve për Pyetjet Tona të Sinqerta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Mikea; Nahum; Habakuk; Sofonia: Mësimi 153

Habakuku

Në Pritje të Përgjigjeve për Pyetjet Tona të Sinqerta

Girl watching the stars in night sky

Kur profeti Habakuk pati pyetje në lidhje me ligësinë që e rrethonte, ai kërkoi dhe priti përgjigje nga Zoti. Ashtu si Habakuku, ne mund të drejtohemi te Zoti me pyetjet tona. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si ta ruajnë besimin e tyre te Jezu Krishti kur kanë pyetje që duket se nuk marrin përgjigje.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të pyesin një shok ose pjesëtar të familjes a ka pasur ndonjëherë probleme me pyetje të vështira që duket se nuk marrin përgjigje. Nëse po, nxënësit mund të pyesin se çfarë bëri ky person për t’i qëndruar besnik Zotit ndërsa priste përgjigjet.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të pasurit e pyetjeve është e natyrshme

Ngrini lart një kavanoz të etiketuar me një pikëpyetje në njërën dorë dhe një kavanoz tjetër të etiketuar me një figurë të Krishtit në dorën tjetër. Shpjegoni se njëri kavanoz përfaqëson pyetje ose shqetësime që mund të kemi dhe kavanozi tjetër përfaqëson besimin tonë te Zoti dhe ungjilli i Tij.

Ftojini nxënësit të mendojnë rreth pyetjes vijuese para se të lexoni thënien nga Presidenti Uhtdorf.

Line are of a Person having questions and concerns
  • A është e mundur të ndeshesh me pyetje të vështira dhe të kesh besim te Jezu Krishti dhe Kisha e Tij e rivendosur në të njëjtën kohë?

Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë i Presidencës së Parë, dha mësim:

44:24
Official portrait of Elder Dieter F. Uchtdorf of the Quorum of the Twelve Apostles, 2006.Called as Second Counselor in the First Presidency, 3 February 2008.Made official portrait in 2008 replacing portrait taken in 2004.

“Kërkimi është vendlindja e dëshmisë. Disa mund të ndihen në siklet ose të padenjë, sepse kanë pyetje kërkuese në lidhje me ungjillin, por ata nuk duhet të ndihen ashtu. Bërja e pyetjeve nuk është shenjë dobësie; ajo është pararendëse e rritjes.

Perëndia na urdhëron të kërkojmë përgjigje për pyetjet tona dhe lyp vetëm që të kërkojmë ‘me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krisht’ [Moroni 10:4]. Kur bëjmë kështu, e vërteta e të gjitha gjërave mund të na shfaqet ‘nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë’ [Moroni 10:5].

Mos kini frikë; bëni pyetje. Jini kureshtarë, por mos dyshoni! Gjithmonë kapuni fort te besimi dhe te drita që tashmë keni marrë.” (“Pasqyrimi në Ujë” [takim rreth vatrës i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 1 nëntor 2009], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

  • Përse mendon se është e nevojshme që të rinjtë ta kuptojnë atë që dha mësim Presidenti Uhtdorf?

Pyetje të vështira

Zoti e thirri Habakukun për të qenë një profet në mbretërinë e Judës para rrethimit të Jerusalemit nga Babilonia. Si profetët e tjerë, Habakuku pati pyetje dhe kërkoi kuptueshmëri nga Zoti (shih te Jeremia 12:1; Doktrina e Besëlidhje 121:1–6).

Lexo te Habakuk 1:2–4, duke kërkuar pyetjet që e mundonin Habakukun. Në ditarin e studimit, përshkruaj se si dikush sot mund të shprehë pyetje ose shqetësime të ngjashme.

Ftojini nxënësit të tregojnë se çfarë shkruan. Ata mund të tregojnë gjëra si vijueset:

  • Zot, a po më dëgjon? (Vargu 2)

  • Përse ka kaq shumë dhunë dhe mëkat rreth e rrotull meje? (Vargu 3)

  • Pse ia hedhin njerëzit e këqij me kaq shumë ligësi? (Vargu 4)

Jepini secilit nxënës një fletë të vogël letre për të shkruar përgjigjet e tij për nxitjen vijuese.

Si Habakuku, edhe ne mund të kemi pyetje. Shkruaj një pyetje të vështirë që mund të kesh, së cilës ti mendon se nuk ia ka marrë ende përgjigjen.

Nxënësit mund ta vendosin atë që shkruan në kavanozin që përfaqëson pyetjet tona.

Ngrijeni lart kavanozin e pyetjeve dhe uleni kavanozin që përfaqëson besimin tonë te Jezu Krishti. Shpjegoni se, kur kemi pyetje, ne mund të tundohemi për të mos e marrë parasysh besimin tonë te Jezu Krishti për shkak se nuk kemi përgjigje.

  • Cili është rreziku i lënies mënjanë të besimit dhe marrëdhënies sonë me Zotin kur kemi pyetje?

Mbajini të dy kavanozat në duart tuaja dhe shpjegoni se nuk ka përse ta lëmë mënjanë besimin tonë te Jezu Krishti për shkak të pyetjeve. Ne mund të bëjmë përpara me mirëbesim te Zoti ndërsa kërkojmë përgjigje.

Ndërsa e studion Habakukun, kushtoju vëmendje mbresave nga Fryma e Shenjtë që mund të të ndihmojnë të bësh përpara me besim te Zoti ndërsa pret përgjigje.

Vështrimi drejt Perëndisë

Gjatë gjithë pjesës tjetër të mësimit, mund të merrni parasysh t’i ftoni nxënësit periodikisht të shtojnë gjëra në kavanozin e besimit. Nëse e bëni këtë, jepuni nxënësve disa copa të vogla letre për të shkruar atë që mësojnë nga Habakuku ose nga shokët e tyre të klasës rreth arsyes pse ose mënyrës se si të mirëbesojnë te Zoti.

Në përgjigje të pyetjeve të Habakukut rreth ligësisë në shoqërinë e tij, Zoti tha se Ai “do t’i nxis[te] Kaldeasit” (babilonasit) të ndëshkonin fëmijët e Izraelit (shih te Habakuk 1:6). Habakuku pyeste veten se përse Zoti do t’i lejonte babilonasit e ligë të pushtonin popullin e tij (shih te Habakuk 1:12–17).

Lexo te Habakuk 2:1–4, duke kërkuar atë që zgjodhi të bënte Habakuku ndërsa mundohej me pyetjet e tij dhe mënyrën se si u përgjigj Zoti.

  • Çfarë gjete?

Ju mund të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë si: “Si mendoni se duket t’i ‘hap[ni] sytë për të parë atë që do të … thotë [Perëndia]’? (shihni te Habakuk 2:1)” ose “Si duket të ‘rroj[m]ë për shkak të besimit [tonë]’? (shihni te Habakuk 2:4)”.

Mund t’i ftoni nxënësit të shtojnë diçka që po e mësojnë në kavanozin e besimit.

Shpjegoni se Zoti i tha Habakukut se babilonasit do të ndëshkoheshin përfundimisht për ligësinë e tyre (shihni te Habakuk 2:5–20).

Lexo te Habakuk 3:17–19, duke kërkuar mënyrën se si Habakuku zgjodhi të jetonte për shkak të besimit të tij te Zoti.

Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për të kuptuar vargjet te Habakuk 3:17–18, mund të shpjegoni se te vargu 17, Habakuku përshkroi disa pasoja të padëshirueshme (pemët nuk do të jepnin fruta, fushat nuk do të jepnin prodhim e kështu me radhë). Te vargu 18, ai tha se do të “ngazëllohe[j] tek Zoti” pavarësisht rezultatit.

Ju mund të shpjegoni se fraza “këmbët e mia” te Habakuk 3:19 u referohet këmbëve të drerit që u mundësojnë drerëve të ngjiten në terrene të vështira. Kjo shëmbëlltyrë sugjeron se Zoti do të na japë aftësinë për t’iu ngjitur maleve tona metaforike.

  • Si e tregojnë qëndrimet dhe veprimet e Habakukut besimin e tij te Perëndia?

    Ndihmojini nxënësit të shohin nga shembulli i Habakukut se ne mund të zgjedhim të qëndrojmë besnikë ndaj Zotit ndërkohë që presim përgjigje për pyetjet tona të sinqerta.

  • Çfarë di ti rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që të ndihmon t’i mirëbesosh Atyre ndërkohë që pret për përgjigje?

Ndërsa nxënësit e tregojnë atë që dinë, mund të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë si: “Si arritët ta mësonit atë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?”

Mund t’i ftoni nxënësit ta shtojnë atë që po mësojnë nga Habakuku ose shokët e tyre të klasës në kavanozin e besimit.

Si të bësh përpara

Ndihmojini nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si të bëjnë përpara me besim te Perëndia megjithëse mund të kenë pyetje. Për ta bërë këtë, nxënësit mund të shohin “His Grace: Choosing to Believe in God” [“Hiri i Tij: Zgjedhja për të Besuar te Perëndia”] (4:07), duke kërkuar atë që bëri Adami për të qëndruar besnik ndaj Perëndisë pavarësisht nga pyetjet e vështira dhe shqetësimet.

4:7

Nxënësit mund të lexojnë edhe vargjet te 1 Nefi 10:17–22; 11:1 ose Mosia 24:9–17, ose mund të eksplorojnë një nga pjesët te “Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja” tek Tema dhe Pyetje (Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  • Çfarë po mëson që mund ta ndihmojë një të ri të zgjedhë të qëndrojë besnik ndaj Perëndisë ndërsa pret përgjigje?

Nxënësit mund të tregojnë përvojat kur ata ose dikush që ata njohin zgjodhën ta mirëbesojnë me besnikëri Perëndinë ndërkohë që prisnin përgjigje. Ju mund të tregoni edhe përvojën tuaj ose të dëshmoni për arsyen pse i mirëbesoni Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Inkurajojini nxënësit ta shkruajnë atë që kanë mësuar sot që do t’i ndihmojë ata t’i mirëbesojnë Zotit ndërsa presin përgjigje. Nxënësit mund t’i shtojnë këto ide në kavanozin e besimit.

Nëse e lejon koha, mund të lexoni disa nga letrat nga kavanozi i besimit. Ndërsa lexoni, mund t’u kërkoni nxënësve të japin mendime ose mbresa të tjera që u vijnë atyre.

Merreni parasysh t’i mbani këta kavanoza për t’iu referuar në mësimet e ardhshme. Për shembull, mund të përdorni atë që kanë shtuar nxënësit në kavanozin e besimit për të përmirësuar një mësim të ushtrimit të zotërimit doktrinor.