“Esterit, Pjesa 2: ‘Në Qoftë se Duhet të Vdes, do të Vdes’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Esterit, Pjesa 2: ‘Në Qoftë se Duhet të Vdes, do të Vdes’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Esterit: Mësimi 95
Esterit, Pjesa 2
“Në Qoftë se Duhet të Vdes, do të Vdes”
Si ndjekës të Jezu Krishtit, të gjithë ne kemi raste kur është e nevojshme të demonstrojmë guxim, megjithëse rrethanat tona mund të jenë të ndryshme. Esteri demonstroi guxim teksa u mbështet te Zoti ndërkohë që përballej me vdekjen e mundshme, me qëllim që të shpëtonte popullin e saj. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të veprojnë me guxim për të bërë vullnetin e Zotit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përgatiten për të dhënë një shembull të kohës kur dikush që njohin demonstroi guxim për të bërë vullnetin e Zotit
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një thirrje për guxim
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke treguar një përvojë kur dikush tregoi guxim, si ai në historinë vijuese.
Presidenti Tomas S. Monson tregoi historinë vijuese:
“Teksa shërbeja në Flotën Detare të Shteteve të Bashkuara në Luftën II Botërore, mësova për veprime të guximshme, raste trimërie dhe shembuj guximi. Një rast, të cilin nuk do ta harroj kurrë, ishte guximi i heshtur i një detari 18-vjeçar – jo i fesë sonë – i cili nuk ishte tepër krenar për t’u lutur. Nga 250 burra në kompani, ai ishte i vetmi që çdo natë binte në gjunjë pranë shtratit të tij, nganjëherë në mes të talljeve të kërcënuesve dhe përqeshjeve të mosbesuesve. Me kokë të ulur, ai i lutej Perëndisë. Kurrë nuk u lëkund. Kurrë nuk u ligështua. Ai kishte guxim.” (“Ji i Fortë dhe Guximtar”, Liahona, maj 2014, f. 67)
-
Për kë mendon kur dëgjon fjalën guxim?
-
Cilat janë situatat ku adoleshentët shenjtorë të ditëve të mëvonshme mund të nevojitet të tregojnë guxim?
Përsiat për një situatë specifike, për shembull në shkollë, në shtëpi ose me shokët, ku ti ndien se Ati Qiellor mund të dojë që ti të tregosh guxim më të madh. Shkruaje këtë situatë në ditarin e studimit.
Ndërsa studion pjesën e mbetur të historisë së Esterit, ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të dish se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të të ndihmojnë të përballesh me atë situatë me guxim.
Guximi i Esterit
Për t’i ndihmuar nxënësit ta tregojnë atë që mbajnë mend rreth historisë së Esterit, merreni parasysh të paraqitni një figurë të Esterit dhe emrat vijues. Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që mbajnë mend rreth secilit person.
Esteri
Mardokeu
Mbreti Asuero
Hamani
Ose mund të shfaqni një material filmik të tillë si “For Such a Time as This” [“Pikërisht Për një Kohë të Tillë”] nga kodet kohore 5:12 deri në 9:41. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Përmbledhja vijuese mund të përdoret për të shtuar ndonjë hollësi të rëndësishme që mund t’u ketë shpëtuar nxënësve.
Esteri u bë mbretëresha e mbretit Asuero të Persisë. Kujdestari i Esterit, Mardokeu, nuk pranoi të binte përmbys para Hamanit, ministrit kryesor të mbretit. Hamani u zemërua dhe mori leje nga mbreti për të shkatërruar të gjithë judenjtë në mbretëri. Mardokeu i kërkoi Esterit të kërkonte ndërhyrjen e mbretit, duke i thënë asaj se mbase Perëndia e kishte vendosur në atë pozitë “pikërisht për një kohë të tillë” (Esterit 4:14).
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për t’iu përgjigjur pyetjes vijuese, mund t’i ftoni ata të lexojnë tek Esterit 4:10–11.
-
Përse do të kërkonte guxim të madh vajtja përpara mbretit?
Lexo tek Esterit 4:15–17, duke kërkuar mënyrën se si Esteri tregoi guxim ndërsa u përgatit për t’iu afruar mbretit.
Mund të shfaqni gjithashtu pjesën tjetër të materialit filmik “For Such a Time as This” [“Pikërisht Për një Kohë të Tillë”] nga kodi kohor 11:10 deri në 13:44.
Ndërsa diskutoni pyetjet vijuese, mund të jetë e dobishme të kujtoni se vlerësimi i komenteve të nxënësve mund t’i ndihmojë ata të jenë më të gatshëm për të marrë pjesë në të ardhmen.
-
Çfarë të bën përshtypje rreth Esterit?
-
Çfarë parimesh mund të mësojmë nga vargjet 15–17 që mund të na ndihmojnë kur kemi nevojë për guxim?
Falënderojini nxënësit për parimet kuptimplota që dhanë. Nëse nuk është përmendur më parë, mund t’i ndihmoni ata të përcaktojnë parimin vijues: Ndërsa mbështetem tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, Ata do të më japin guxim.
-
Çfarë prove sheh që Esteri u mbështet te Zoti? Si mund ta ketë ndihmuar kjo atë?
Vepra të guximshme
Fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë mund t’i ndihmojnë nxënësit të shohin mënyrën se si Zoti vazhdoi ta bekonte Esterin me guxim.
Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në grupe të vogla ose në dyshe. Caktojini secilit grup ose dysheje një nga fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë. Ose nxënësit brenda të njëjtit grup mund të studiojnë secili njërin nga fragmentet dhe të përgatiten për t’ia treguar njëri-tjetrit.
Studio njërin nga fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë, duke kërkuar mënyrën se si Esteri tregoi guxim.
-
Esterit 5:1–4. Esteri iu afrua mbretit.
-
Esterit 7:1–4. Esteri, mbreti dhe Hamani shtruan një gosti private.
-
Esterit 8:3–6. Esteri diskutoi me mbretin dekretin e tij për të vrarë judenjtë.
Më pas diskutoni për pyetjet vijuese:
-
Në ç’mënyrë ishin veprimet e Esterit një demonstrim i guximit?
-
Çfarë mendon se është e nevojshme të dijë një person rreth Perëndisë për të bërë zgjedhjen që bëri Esteri?
Ftojini nxënësit e gatshëm t’ia tregojnë klasës atë që diskutuan.
Ndihmesa ndaj nxënësve që ta vendosin Jezu Krishtin në qendër të të mësuarit të tyre e fton Frymën e Shenjtë të dëshmojë për Të. Kjo mund t’i ndihmojë nxënësit të kenë një përvojë më vetjake dhe më të fuqishme të të mësuarit. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë është duke e lidhur historinë e Esterit me jetën dhe shembullin e Jezu Krishtit.
(Për trajnim shtesë mbi ndihmesën ndaj nxënësve për ta lidhur atë që po mësojnë me jetën dhe shembullin e Jezu Krishtit, shihni pjesën “Theksojeni shembullin e Jezu Krishtit” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve [2022], f. 5.)
Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit në tabelë. Merreni parasysh të bëni njërën ose të dyja pyetjet vijuese.
-
Në ç’mënyrë ta kujton Esteri Shpëtimtarin?
-
Cilët janë shembujt nga jeta e Shpëtimtarit ku Ai demonstroi guxim?
Për t’i përgatitur nxënësit t’i tregojnë përvojat e tyre, merreni parasysh t’u shfaqni nxënësve një material filmik të tillë si “Having Courage and Trusting the Lord” [“Pasja e Guximit dhe Mirëbesimit te Zoti”] (3:18), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
3:18 -
Kur ka qenë një rast që ti ose dikush që e njeh, u mbështet te Zoti dhe u bekua me guxim?
Vepra ime vetjake e guximit
Sugjerimet vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit ta zbatojnë atë që mësuan nga tregimi i Esterit.
Reflekto mbi situatën për të cilën mendove në fillim të mësimit. Kërko udhërrëfim nga Shpirti ndërsa përsiat se si mund të demonstrosh guxim dhe të mbështetesh te Zoti në atë situatë.
Lexo tek Esterit 4:16 përsëri, duke theksuar thënien vijuese: “… pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes”.
Për t’i ndihmuar nxënësit të theksojnë thënien te vargu 16, ata mund ta shenjojnë ose theksojnë atë nëse dëshirojnë. Më pas, merreni parasysh t’i ftoni ata ta rishkruajnë thënien në ditarin e studimit duke përdorur nxitjet më poshtë.
Riformuloje këtë thënie për të reflektuar përkushtimin tënd për të treguar guxim dhe për t’u mbështetur te Zoti në situatën tënde. Për të të ndihmuar ta bësh këtë, merre parasysh të plotësosh nxitjet vijuese:
-
Pastaj unë do të (veprimi që do të doje të bëje për të treguar guxim). Dhe nëse (një pasojë e mundshme), unë (diçka që do të bësh për t’u mbështetur te Zoti).
Mund të jetë e dobishme të jepni një shembull, të tillë si vijuesi:
Imagjinoni sikur ndieni se Ati Qiellor dëshiron që të keni guxim për të ndaluar së përdoruri gjuhën e ashpër dhe fyese me miqtë tuaj. Mund ta riformuloni vargun tek Esterit 4:16 si në vijim: “Pastaj unë nuk do të përdor më fjalë të këqija, as kur bëj shaka. Dhe nëse shokët e mi më ngacmojnë ose më përqeshin, atëherë do të lutem për forcë që të vazhdoj të përpiqem.”
Ftojini nxënësit e gatshëm ta tregojnë atë që shkruan. Nëse koha e lejon, nxënësit mund t’i japin këshillë njëri-tjetrit lidhur me situatat që tregojnë.
Dëshmoni për shembullin e Zotit për guximin. Shprehni bindjen tuaj në aftësinë e nxënësve për t’i përballuar sfidat e tyre me guxim ndërsa mbështeten te Zoti për të bërë vullnetin e Tij.